Shkrime
Largojeni Behgjet Pacollin dhe Valon Ademin nga Aeroporti i Vlorës
Kam dëgjuar tavolina të gjata, plane të mëdha, entuziazëm patriotik dhe bindjen se ky aeroport do të ishte më shumë se biznes. Do të ishte gjurmë shqiptare në jugun e Shqipërisë.
Kam shkruar dikur një tekst me titull “Vlora i takon Kosovës”. E kam shkruar me zemër, jo me logjikë biznesi. E kam shkruar si shqiptar i Kosovës që e sheh Vlorën si pjesë të kujtesës së vet emocionale. Sot, duke parë çfarë është bërë me Aeroportin e Vlorës, kam frikë se titulli ka mbetur i njëjtë, por kuptimi është plagosur.
Më ka ardhur rëndë, sinqerisht rëndë, për mënyrën si është poshtëruar publikisht një njeri si Valon Lluka, i cili për vite i ka qëndruar pranë Behgjet Pacollit, i ka ndenjur afër në kohë të vështira dhe ka hyrë në beteja e rreziqe që shumë pak njerëz do t’i merrnin përsipër.
Nuk kam folur deri sot. Jo sepse nuk kam ditur. Përkundrazi. Kam ditur shumë. Ndoshta shumicën e detajeve, për të mos thënë të gjitha.
Kam heshtur sepse jam rritur me bindjen se gjërat e tavolinës dhe të shtëpisë nuk nxirren në publik. Se burrat, kur kanë një problem, e zgjidhin pa e shndërruar çdo konflikt në cirk publik.
Por kjo histori ka kaluar çdo kufi. Heshtja tashmë do të ishte bashkëfajësi.
Po shkruaj sepse kjo marrëzi duhet të ndalet. Po shkruaj sepse po shoh një pafuqí të frikshme të aksionarëve për t’i dhënë fund një poshtërimi publik që po vazhdon prej muajsh. Po shkruaj sepse kjo betejë nuk ka më lidhje me Aeroportin. Ka lidhje me ego, me arbitrazh, me hakmarrje dhe me dëshirën primitive për të mundur tjetrin edhe nëse digjet projekti bashkë me të.
Po, Behgjet Pacolli mban fajin më të madh. Për mënyrën si i ka trajtuar projektet gjithë jetën. Për mënyrën si çdo histori biznesi rreth tij shoqërohet me zhurmë, emra të përveçëm, offshore, konflikte dhe beteja të panevojshme publike. Sikur çdo investim duhet medoemos të shndërrohet në dramë personale. Sikur biznesi nuk mund të ecë pa një mjegull tensioni përreth tij.
Por po aq i vërtetë është edhe naiviteti i besimit pa kushte nga ana e Valonit, i cili për vite ka besuar se lojaliteti personal mjafton për të mbijetuar në një botë ku biznesi nuk njeh emocione.
Dhe mashtrimi i madh ndodhi ne Libi dhe shpërthimi dhe pasojat i mori Vlora.
Behgjeti bëri postime pafund, sikur po i grabitej një ëndërr. Por problemi i tij është se gjithmonë e ka trajtuar veten më të madh se projekti. Për të, Aeroporti shpesh dukej më shumë si fotografi personale, se sa si aset strategjik.
Dhe sa herë hapet tymi i marketingut, prapa dalin të njëjtat hije. Offshore. Borxhe. Konflikte. Partnerë të djegur. Procese gjyqësore. Dhe njerëz që mbesin me pasoja, ndërsa ai del para publikut si viktima e radhës.
Kjo histori nuk është më Facebook. Nuk është as konferencë për shtyp. Është aeroport. Është kontratë. Është afat. Është përgjegjësi financiare. Dhe aty nuk matet kush flet më bukur. Dhe kush gënjen më shumë në opinion te Blendi Fevziu.
Matet kush kryen punë!
Shkurti ishte afati për certifikimin dhe nisjen e fluturimeve. Pastaj erdhi 20 maji si afati i fundit. Të dy dështuan. Dhe ndërkohë që qytetarët presin aeroportin, ortakët prodhojnë vetëm zhurmë, gjykata, arbitrazh dhe statuse.
Miti se dikush po ua pengon aeroportin ka marrë fund. Aeroportin e kanë penguar vetë ata që morën përsipër ta ndërtojnë. E kanë penguar me ego, me konflikt, me mosbesim dhe me një etje të sëmurë për të fituar betejën personale.
Si mund të kërkosh kompani serioze ndërkombëtare të operojnë në një aeroport ku vetë pronarët janë në luftë të hapur juridike dhe morale? Si mund të ndërtohet siguri aeroportuale kur partnerët e projektit trajtojnë njëri-tjetrin si mashtrues? Si mund të ketë besim tregu kur vetë ortakët prodhojnë vetëm baltë dhe propagandë duke thënë se pista s’është e sigurt duke harruar se bashkë janë pronar.
Dhe në mes të gjithë kësaj, Qeveria shqiptare vazhdon të heshtë, ndërkohë që çdo ditë forcohet bindja e rrezikshme te bizneset e Kosovës se në Shqipëri nuk të lënë të bësh biznes, se projektet përfundojnë në luftë, në gjykata dhe në baltë publike. Kjo është pasoja më e rëndë e gjithë kësaj historie. Sepse nuk po shkatërrohet vetëm një marrëdhënie ortakësh. Po dëmtohet besimi mes shqiptarëve.
Por shteti shqiptar nuk duhet ta lejojë veten të poshtërohet deri në atë pikë sa një aeroport strategjik të protestohet në hyrje të kantierit, të vonohet pafund dhe të kërkojë operatorë nëpër botë, ndërkohë që ortakët e tij janë në arbitrazh me njëri tjetrin.
Dhe pikërisht këtu qëndron alarmi më i madh. Kjo histori nuk është më vetëm konflikt biznesi. Është një çështje që prek sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë euroatlantike të Shqipërisë.
Aeroporti i Vlorës është ekspozuar ndaj një rreziku të papranueshëm, sepse njeriu me të cilin është nisur ky bashkëpunim nuk ka respektuar standardet minimale të transparencës, besueshmërisë dhe sigurisë që kërkon një projekt i tillë. Struktura offshore të panjohura, tentativa për të futur interesa të panjohura financiare dhe lidhje që ngrenë pikëpyetje serioze për sigurinë euroatlantike nuk mund të kenë vend në një aeroport ndërkombëtar të një vendi anëtar të NATO-s.
Dhe ndoshta pjesa më e rëndë e gjithë kësaj historie është se në prapavijë doli edhe Bernina, një strukturë offshore e errët, me lidhje dhe kapital të paqartë, përmes së cilës u tentua të futet dorë mbi një aset strategjik dhe një hapësirë sigurie kombëtare si Aeroporti i Vlorës.
Kjo nuk është më vetëm çështje biznesi. Kjo prek sigurinë, besimin shtetëror dhe përgjegjësinë publike.
Në fund, Vlora nuk e meriton këtë. Shqipëria nuk e meriton këtë. Kosovarët nuk e meritojnë këtë poshtërim.
Dhe si çdo histori e pistë që fillon me ego dhe përfundon me arbitrazh, rrugës janë konsumuar njerëz, institucione dhe reputacione.
Janë paguar gazetarë dhe analistë për të prodhuar tym, avokatë për të ndërtuar alibi, prokurorë e gjyqtarë për t’u futur në një histori që ka filluar të marrë erë shumë më të rëndë sesa një konflikt i zakonshëm biznesi.
Janë përmendur emra qeverie, janë hedhur insinuata për aksionarë të fshehur brenda aeroportit, janë prodhuar teori, presione dhe dosje vetëm për të krijuar një narrativë të madhe viktimizimi që nesër mund të përdoret në arbitrazh ndërkombëtar kundër vetë shtetit shqiptar.
Kjo është pjesa më e ulët e gjithë kësaj historie. Sepse kur një projekt strategjik fillon të përdoret si armë kundër shtetit që ta ka dhënë besimin, atëherë nuk kemi më biznes. Kemi degradim moral.
Dhe ndoshta për herë të parë duhet thënë troç. Aeroporti i Vlorës nuk po rrezikohet nga mungesa e pistës, apo e kullës së kontrollit. Po rrezikohet nga mungesa e karakterit te njerëzit që morën përsipër ta ndërtojnë.
Asnjë aeroport nuk ndërtohet mbi mashtrim, presion, propagandë dhe luftë personale. Sepse në fund pistat mbajnë avionë, por nuk mbajnë dot peshën e njerëzve që e kanë humbur kufirin mes biznesit, egos dhe interesit publik.
Në fund edhe diçka për ata që lexojnë tekstin.
Për ne, Vlora nuk ka qenë kurrë vetëm qytet. Ka qenë emocion. Ka qenë dalje në det kur nuk kishim shtet. Ka qenë ndjenja se Shqipëria hapej aty ku hapej horizonti.
Dhe pikërisht për këtë arsye kjo histori dhemb më shumë. Sepse një projekt që duhej të ishte krenari shqiptare, u shndërrua në monument të egove të papërmbajtura.
Për t’i ikur kësaj logjike helmuese, kjo histori duhet të marrë fund tani.
Duhet ndalur Behgjet Pacolli. Duhet ndalur Valon Ademi.
Sepse pas gjithë asaj që ka ndodhur, asnjëri nuk meriton më të udhëheqë Aeroportin e Vlorës.
Kthejani aeroportin qytetarit shqiptar.