Politike
Flamingot sfidojnë Ramën dhe Berishën, propozohet krijimi i një partie politike
Protesta që nisi si një reagim kundër projektit në Zvërnec dhe që më pas u shndërrua në një lëvizje më të gjerë kundër klasës politike, ka prodhuar për herë të parë edhe një propozim konkret politik.
Mes thirrjeve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kritikave ndaj opozitës tradicionale, një protestuese hodhi publikisht idenë e krijimit të një force të re politike, e cila sipas saj duhet të përfaqësojë qytetarët që nuk ndihen më të përfaqësuar as nga qeveria dhe as nga opozita aktuale.
Propozimi u prit me duartrokitje nga një pjesë e protestuesve dhe shënon një moment të ri në evolucionin e lëvizjes, e cila deri më tani ka qenë e fokusuar kryesisht te kundërshtimi i projektit në Zvërnec, korrupsioni dhe kërkesat për dorëheqjen e qeverisë.
Nga podiumi i protestës, qytetarja argumentoi se lëvizja që është krijuar në rrugë ka potencialin të shndërrohet në një alternativë të re politike.
“Forca më e madhe opozitare në Shqipëri sot jemi ne. Ne do të kërkojmë vetëm një gjë: Dorëheqje. Ja u dorëhoq Rama, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme. Do dali Rama kundër një force që ne të gjithë duhet ta votojmë? Është momenti më i mirë të krijojmë një forcë të vetme opozitare. Vetëm 3 gjëra duhen bërë: E para të jenë mbi 3 mijë themelues. A jemi më shumë se 3 mijë veta? E dyta të mbahet një mbledhje themeluese. E treta të çojmë një kërkesë në Gjykatën e Tiranës. A ka mundësi ta bëjmë këtë? Dorëheqje. Dorëheqje”, tha protestuesja.
Për herë të parë që nga nisja e protestave, fokusi nuk ishte vetëm te largimi i qeverisë apo kundërshtimi i një projekti të caktuar, por edhe te ideja e ndërtimit të një alternative të re politike. Kjo tregon se një pjesë e protestuesve po e shohin lëvizjen jo thjesht si një reagim qytetar, por si një mundësi për të krijuar një përfaqësim të ri jashtë partive tradicionale.
Prej ditësh në shesh dëgjohen thirrje jo vetëm kundër Edi Ramës, por edhe kundër Sali Berishës dhe figurave që kanë dominuar jetën politike shqiptare gjatë dekadave të fundit. Pikërisht në këtë klimë mosbesimi ndaj politikës ekzistuese, ideja për krijimin e një force të re opozitare duket se po gjen mbështetje te një pjesë e pjesëmarrësve.
Nëse protesta artikulonte vetëm pakënaqësi dhe kundërshtim, dje nga sheshi para Kryeministrisë u hodh për herë të parë edhe një pyetje që mund të shoqërojë zhvillimet e ardhshme: a mund të shndërrohet kjo lëvizje qytetare në një alternativë të re politike?