Politike
“Si hotel, me feeling si jaht”/ Email-et që hapin dosjen e vilës në Palasë
Detaje të reja dalin nga dosja e SPAK për vilën luksoze në Palasë, të cilën Prokuroria e Posaçme dyshon se Belinda Balluku e zotëronte faktikisht, pavarësisht se prona rezultonte e lidhur juridikisht me persona të tjerë.
Në qendër të materialeve janë edhe dy email-e të biznesmenit dhe arkitektit Alban Eftimi drejtuar Ballukut në shtator të vitit 2020, ku diskutohet në detaje për projektimin e vilës.
Në komunikime flitet për një standard luksoz: ambiente ku përdoruesit të ndihen “si në hotel”, pishinë infinity, vaska hidromasazhi, sipërfaqe të veshura me dru teak dhe një atmosferë që përshkruhet si “pak si jaht”.
Sipas materialeve të publikuara, më 18 shtator 2020 Ballukut i është dërguar edhe një dokument i titulluar “Vilat binjake Palasë”, me planimetri dhe projektet e dy vilave.
Këto komunikime marrin peshë në hetim për shkak të pyetjes kryesore që SPAK po kërkon të sqarojë:
Kush ishte pronari real dhe kush paguante për ndërtimin dhe investimet e vilës?
Sipas SPAK, vila në Palasë është një pasuri e fshehur që dyshohet se ishte në pronësinë faktike të Ballukut. Hetuesit pretendojnë gjithashtu se një pjesë e investimeve pas fazës së karabinasë janë marrë përsipër nga biznesmeni Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”.
Kompania e tij kishte përfituar, së bashku me operatorë të tjerë ekonomikë, tenderin për Lotin 7 të Unazës së Madhe të Tiranës.
Pikërisht këtu lidhet një nga pistat më të forta të hetimit: SPAK dyshon se investimi në vilë mund të ketë qenë një përfitim i parregullt në këmbim të favorizimit në procedura publike.
Por në këtë fazë bëhet fjalë për pretendime dhe akuza të organit të akuzës, të cilat duhet të provohen përfundimisht në procesin gjyqësor.
Email-et, megjithatë, shtojnë një element të ri në dosje: komunikimi i drejtpërdrejtë për mënyrën se si do të projektohej dhe arreduhej prona.
Pyetja mbetet: nëse vila nuk ishte e Ballukut, përse detajet e saj – nga pishina te mermeri dhe arredimi – diskutoheshin drejtpërdrejt me të?