Kronike
Vrasja e 13 vjeçares shqiptare nga partneri, gjykata ul dënimin për autorin
Gjykata e Apelit në Bolonjë ka ulur nga 17 në 15 vite burg dënimin ndaj të riut, i cili ishte 15 vjeç në momentin e ngjarjes dhe ishte dënuar për vdekjen e 13-vjeçares Aurora Tila.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 25 tetor 2024 në Piacenza, ku Aurora humbi jetën pasi ra nga një ballkon. Vendimi i Apelit ka shkaktuar reagim të fortë nga familja e vajzës, e cila ka shprehur kundërshtimin ndaj uljes së dënimit.
Avokati Emilio Malaspina, përfaqësues i nënës së viktimës, Morena Corbellini, deklaroi se familja është veçanërisht e zhgënjyer edhe nga qëndrimi i Prokurorisë së Përgjithshme për uljen e dënimit. Ai e cilësoi Aurorën si viktimën më të re të femicidit në Evropë.
Edhe nëna e 13-vjeçares reagoi ashpër pas vendimit, duke kritikuar mënyrën se si trajtohen nga sistemi i drejtësisë rastet e dhunës me pasoja fatale. Sipas saj, dënimet e tilla nuk janë të mjaftueshme për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Çështja vijon të shkaktojë debat në Itali, ndërsa vendimi i Apelit rikthen në vëmendje trajtimin penal të të miturve të përfshirë në vepra të rënda kriminale.