Aktualitet
Sadushi: Pagat e gjyqtarëve të zhbllokohen menjëherë, Kushtetuta nuk negociohet
Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kërkuar zhbllokimin e menjëhershëm të pagave të gjyqtarëve dhe administratës së gjyqësorit, si dhe nisjen pa vonesë të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
Në përfundim të mbledhjes së gjyqtarëve, Sadushi u shpreh se bllokimi i pagave është i papranueshëm dhe se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet. Ai theksoi se gjyqtarët janë të bashkuar në mbrojtjen e këtij qëndrimi, pavarësisht dallimeve që mund të kenë për mënyrën se si duhet të veprohet.
Sipas Sadushit, qëllimi i mbledhjes nuk ishte vetëm shprehja e pakënaqësisë, por mbrojtja e parimit se asnjë organ administrativ apo pushtet tjetër nuk mund të kushtëzojë ose relativizojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Ai nënvizoi gjithashtu se gjykatat duhet të vijojnë funksionimin dhe se reagimi i gjyqtarëve duhet të jetë i vendosur, por njëkohësisht në përputhje me përgjegjësinë e tyre institucionale dhe me mjetet që parashikon ligji.
Sadushi u ndal edhe te administrata gjyqësore, duke deklaruar se punonjësit e saj nuk duhet të mbajnë pasojat e një situate që nuk e kanë krijuar. Në përfundim, ai përsëriti kërkesën për zhbllokimin e pagave dhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Pavarësisht dallimeve që mund të kemi për mënyrën dhe mjetet konkrete, jemi të bashkuar. Bllokimi i pagave është i papranueshëm dhe duhet të marrë fund menjëherë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohet menjëherë. Këto mbledhje nuk u thirrën për të shprehur vetëm pakënaqësinë tonë, por për të mbrojtur një parim: asnjë pushtet apo organ administrativ nuk mund të kushtëzojë apo relativizojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Ne duhet të tregojmë vendosmërinë, por edhe përgjegjësinë që na dallon si gjyqtarë. Gjykatat duhet të vazhdojnë të funksionojnë. Forca e qëndrimit tonë nuk matet me numrin e seancave që nuk zhvillohen, por aftësinë për të përdorur deri në fund mjetet që na jep ligji. Mbledhja e sotme ka shprehur qartë kërkesën për zhbllokimin e menjëhershëm të pagave, fillimin pa vonesë të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura. Punonjësit e administratës nuk mund të mbajnë mbi shpinë probleme që s’i kanë krijuar. Nga kjo mbledhje duhet të dalim të bashkuar jo vetëm në kërkesë, por në mënyrën si e mbrojmë atë. Qëndrimi ynë kërkon që shteti të funksionojë sipas rregullave të veta. Ne kërkojmë që secili të respektojë kompetencat e veta. Pas kësaj mbledhjeje askush s’mund të thotë se gjyqtarët nuk folën. Ne do të vazhdojmë t‘u shërbejmë qytetarëve. Kushtetuta nuk negociohet. Vendimi përfundimtar nuk pezullohet. Pagat duhet të zhbllokohen, vendimi duhet të zbatohet dhe kjo situatë të marrë fund menjëherë”, tha Sadushi duke deklaruar edhe fundin e mbledhjes së gjyqtarëve.