Connect with us

Kronike

Kush është Dritan Gjika, figura e mafies shqiptare të kokainës në Ekuador

Dritan Gjika, i konsideruar nga autoritetet si një nga figurat kryesore të rrjetit shqiptar të trafikut të kokainës në Ekuador, dyshohet se ka qenë në krye të një strukture të gjerë kriminale ndërkombëtare që operonte mes Amerikës së Jugut dhe Europës.

Emri i tij është lakuar sërish këtë të martë ku Prokuroria E Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar lëshoi 10 masa arrest me burg, mes tyre dhe një për Gjikën, i cili prej majit të vitit 2025 është prangosur në Abu Dhabi, për llogari të drejtësisë ekuadoriane.

Por, kush është Dritan Gjika?

Sipas të dhënave hetimore 47-vjeçari shqiptar kishte mbërritur për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me vizë të përkohshme vizitori. Me kalimin e viteve, ai u vendos në mënyrë të përhershme në vend dhe u shndërrua në një nga personat më të kërkuar, pasi dyshohet se drejtonte një organizatë kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Hetimet tregojnë se Gjika kishte ndërtuar një rrjet të strukturuar me disa nivele funksionale, që përfshinte drejtimin, logjistikën dhe bashkëpunëtorët në terren. Aktiviteti i tij shtrihej në Ekuador dhe Spanjë, ndërsa droga dyshohet se trafikohej drejt disa vendeve të Europës, përfshirë Holandën, Belgjikën dhe Spanjën, si dhe tregje të tjera ndërkombëtare.

Autoritetet ekuadoriane dhe spanjolle e përshkruajnë strukturën e drejtuar prej tij si një mekanizëm të sofistikuar kriminal, ku kompanitë e ligjshme shërbenin si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm. Përmes këtyre subjekteve tregtare, dyshohet se janë pastruar dhjetëra miliona dollarë, ndërsa vlerësimet paraprake flasin për mbi 43 milionë dollarë të futur në sistemin financiar përmes skemave të ndryshme.

Në vitin 2013, Gjika u pajis me dokument identifikimi ekuadorian në qytetin Guayaquil, që më pas u konsiderua si baza e tij operative. Një vit më vonë, ai hyri në sektorin e biznesit duke blerë aksione në kompaninë “Cresmark”, e njohur për eksportin e produkteve bujqësore, ku kishte ortak edhe shtetasin shqiptar Erjon Spahiu.

Ky moment konsiderohet si pikënisja e zgjerimit të aktivitetit të tij ekonomik, i cili sipas hetimeve u përdor për krijimin e një rrjeti kompanish që shërbenin si instrument për pastrimin e parave dhe fshehjen e origjinës së të ardhurave kriminale.

Në vitin 2021, Gjika dyshohet se themeloi disa kompani të reja në bashkëpunim me biznesmenin ekuadorian Ruben Cherres, i cili u vra në vitin 2023. Sipas hetimeve, këto struktura shërbenin si pjesë e një zinxhiri më të gjerë logjistik për trafikun e kokainës nga Amerika e Jugut drejt Europës.

Burimet hetimore bëjnë me dije se droga dyshohet se transportohej nga laboratorët kolumbianë drejt Ekuadorit, ku grumbullohej në provinca të ndryshme si Cotopaxi, Los Ríos dhe Guayas, për t’u fshehur më pas në ngarkesa me produkte bujqësore, kryesisht banane, dhe për t’u eksportuar drejt porteve europiane.

Destinacionet kryesore të këtyre ngarkesave ishin Spanja, Belgjika, Holanda, Turqia dhe Shqipëria. Në disa raste të dokumentuara, autoritetet shqiptare kanë sekuestruar ngarkesa me kokainë të ardhura nga Amerika e Jugut, përfshirë një rast në Portin e Durrësit në vitin 2021.

Emri i Gjikës është përmendur gjithashtu në disa hetime ndërkombëtare dhe raporte mediatike, ku lidhet me çështje të ndjeshme që përfshijnë korrupsion dhe lidhje me struktura të ndryshme politike në Ekuador. Në një prej dosjeve hetimore, ai është përmendur në kuadër të hetimit të njohur si “Leon de Troya”, i cili më vonë u mbyll për mungesë provash, duke i hapur rrugë vijimit të aktivitetit të tij.

Hetimet u rikthyen në vëmendje pas vrasjes ssë bashkëpunëtorit të tij, Ruben Cherres, dhe më pas u intensifikuan në kuadër të operacioneve të përbashkëta ndërkombëtare “La Pampa” dhe “Gran Fénix XIII”, të zhvilluara nga autoritetet ekuadoriane dhe spanjolle.

Në operacionin final të zhvilluar më 6 shkurt 2024, hetuesit identifikuan Dritan Gjikën si një nga drejtuesit kryesorë të organizatës kriminale, ndërsa u dokumentua një skemë e gjerë pastrimi parash që kapte vlera të konsiderueshme në sistemin financiar ekuadorian./NEWSBOMB.AL

Advertisement