Politike
“21 Janari” rikthehet në gjykatë! Veliaj zbulon fakt të ri për Ols Dado dhe vendimin e Strasburgut
Në seancën e sotme të Gjykatës Administrative, ku u shqyrtua kërkesëpadia për shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Ols Dados prokuror, u zbulua edhe një fakt i ri.
Dado mësohet se ka qenë hetues i vrasjeve të 21 janarit 2011 në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një hetim i cili më pas është hedhur poshtë si hetim me të meta dhe shkelje nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg.
Nisur nga ky fakt i ri, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha sot në seancë se ai ka edhe një arsye tjetër për të qenë palë në shpalljen e pavlefshmërisë së emërimit të Dados.
“U përmend një vendim i GJEDNJ-së, të Strasburgut, për ’21 janarin’, ku prokuror i ’21 janarit’ ishte Ols Dado. Strasburgu e vlerësoi hetimin për ’21 janarin’ një hetim të metë. Strasburgu tha, ‘ky është një hetim i metë, këtu ka ndërhyrje në hetim’. Tani, ky prokuror më ka rënë edhe mua, kështu që, patjetër që këta (Shoqata “Asociacioni Kombëtar i Medias dhe Drejtësisë”) janë të legjitimuar sepse paskan zbuluar se ky qenka një shkelës sistematik.
Pra, noteri me pesa, bëhet prokuror dhe të bëka hatanë. Patjetër, unë jam edhe kryetar i PS për Tiranën. Aty u vranë 4 socialistë. Unë paskam edhe një arsye tjetër për të qenë në këtë proces sepse prokurori i ’21 janarit’, hetimet e të cilit i rrëzoi Strasburgu, ishte ai që hetoi vrasjen e 4 socialistëve. Pra, qenka edhe një element tjetër i legjitimimit: si individ, si kryetar bashkie dhe si përfaqësues i PS Tiranë, ku u lanë rrugët me gjak, dhe ky prokuror kishte për detyrë ta hetonte dhe hetimi i ra në Strasburg si i metë”, tha Veliaj në fjalën e tij në seancë.