Shkrime
Protesta në kurth/ Berisha merr kontrollin, Rama takim me ‘Flamingot e pastra’
Të rrethuar dhe të delegjitimuar nga protesta njëmujore, e cila po përpiqet të ngjizë një frymë të re kundër establishmentit politik, Edi Rama dhe Sali Berisha duket se kanë nisur lëvizjet për ta marrë nën kontroll atë.
Edi Rama, me strategjinë e tij të njohur “përça e sundo”, që prej ditëve të para të protestës është përpjekur ta ndajë atë në “të mirë” dhe “të këqij”, në agjentë dhe të manipuluar, duke përdorur teknika të njohura presioni dhe shantazhi politik.
Synimi është i qartë: të kompleksojë sa më shumë mjedisin dhe përbërjen heterogjene të kësaj proteste, e cila deri tani nuk ka një kolonë politike të konsoliduar.
Dhe, për fat të keq, ende nuk ka arritur të krijojë një strukturë drejtuese që t’i dalë zot kauzës dhe të përballojë sulmin e organizuar të politikës së vjetër.
Sipas burimeve, Edi Rama po përgatit një takim me një pjesë të protestuesve gjatë javës së ardhshme, me synimin për t’i shkëputur nga pjesa tjetër e lëvizjes.
Paralelisht, ka nisur edhe sulmi propagandistik ndaj një grupi tjetër protestuesish, të cilët po etiketohen si pjesë e Partisë Demokratike.
Objektivi, sipas këtij interpretimi, është të neutralizojë komponentin e protestës që kërkon hetimin dhe burgosjen e Sali Berishës.
Pjesa më e madhe e grupit që u përplas para Kuvendit identifikohet si e afërt me Partinë Demokratike, ndërsa mes tyre ka pasur edhe persona që më parë janë identifikuar nga policia në protesta të tjera për përfshirje në akte të dhunshme, përfshirë hedhjen e molotovëve.
Edhe pse një numër prej tyre u shoqëruan nga policia, gjasat janë që, si në rastet e mëparshme, të lirohen në një kohë të shkurtër.
Ndërkohë, një nga figurat më të njohura të protestës është zgjedhur së fundmi nga Sali Berisha si kryetare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.
Ky zhvillim ka shtuar edhe më shumë dyshimet se Partia Demokratike po përpiqet të ndërtojë një rol dominues brenda protestës.
Në fillim, PD u afrua me kujdes, duke kontribuar në pjesëmarrje dhe mobilizim.
Por tani duket se synon ta marrë pothuajse plotësisht nën kontroll lëvizjen, duke përdorur edhe metodat e saj tradicionale të përballjes politike.
Metoda që mund të forcojnë autoritetin e Sali Berishës brenda opozitës.
Por që, nga ana tjetër, rrezikojnë të dëmtojnë frymën qytetare dhe të pavarur me të cilën protesta u shfaq në fillim.
Nëse kjo ndodh, atëherë protesta rrezikon të humbasë tiparin që e bëri të ndryshme nga çdo lëvizje tjetër politike e viteve të fundit: Pavarësinë e saj./Pamfleti