Aktualitet
Shkolla nis të hënën/ 120 policë bashkiakë pranë institucioneve, Astiri ende pa shkollë
Më 14 shtator nis viti i ri shkollor dhe institucionet arsimore në Tiranë po përgatiten për rikthimin e nxënësve në klasa. Bashkia e Tiranës ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e procesit, përfshirë mirëmbajtjen e godinave, pastrimin, kontrollin e sinjalistikës rrugore dhe organizimin e transportit.
Në kryeqytet janë 146 shkolla publike, ndërsa këtë vit hapin dyert edhe shtatë institucione të reja arsimore. Ndërkohë, zona e Astirit vijon të mos ketë ende një shkollë funksionale, pasi godina është ende në ndërtim. Sipas planifikimit, shkolla pritet të përfundojë brenda vitit shkollor 2026-2027.
Për garantimin e sigurisë në ditën e parë të shkollës, Bashkia e Tiranës ka angazhuar 120 punonjës të Policisë Bashkiake. Ata do të fokusohen në menaxhimin e qarkullimit pranë shkollave, ndihmën për nxënësit në kalimin e rrugës dhe bashkëpunimin me oficerët e sigurisë në institucionet arsimore.
Një tjetër element që do të monitorohet është siguria ushqimore. Policia Bashkiake do të kryejë kontrolle periodike rreth perimetrit të shkollave dhe do të ndërhyjë për largimin e shitësve ambulantë që mund të tregtojnë produkte pranë ambienteve shkollore.
Drejtoresha e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, u ka bërë apel prindërve dhe drejtuesve të mjeteve që transportojnë fëmijë të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe zonat e parkimit, në mënyrë që të mos pengohet qarkullimi dhe hyrja e nxënësve në shkolla.
Masat e sigurisë do të jenë aktive gjatë gjithë procesit mësimor, me kontrolle dhe monitorime periodike pranë institucioneve arsimore.