Shkrime
PA FRENA/ Nga politikanët e përgjuar te Hyseni-Agasi, historia e një shteti brenda shtetit
Skandali që ka shpërthyer në Shërbimin Informativ të Shtetit me dosjen Vlora Hyseni-Ergys Agasi nuk lindi në një terren bosh. Pas 508 komunikimeve të zbuluara mes ish-drejtoreshës së SHISH dhe Agasit, materialeve të ngjashme me ato të Shërbimit të gjetura në makinën e këtij të fundit dhe dyshimeve për rrjedhjen e informacioneve sekrete, Shqipëria po përballet me pyetjen që politika e ka shtyrë prej vitesh: kush e kontrollon realisht SHISH-in?
Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas shpërthimit të skandalit është vetëm akti i fundit. Historia e 15 viteve të fundit tregon një institucion ku kontrolli parlamentar ka dështuar, auditimi financiar është përplasur me barrierën e sekretit, përpjekjet për ndryshimin e ligjit janë rrëzuar dhe drejtimi i Shërbimit është kthyer vazhdimisht në objekt përplasjeje mes institucioneve më të larta të shtetit.
Paradoksi është se SHISH, në letër, është një nga institucionet me më shumë kontrollorë në Shqipëri.
Presidenti, Kryeministri, Kuvendi, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria, Avokati i Popullit dhe struktura të tjera kanë kompetenca kontrolli ose mbikëqyrjeje. Por Shërbimi vazhdon të funksionojë mbi ligjin nr. 8391, të miratuar më 28 tetor 1998.
Pra, ndërsa teknologjia e përgjimit, komunikimet, kërcënimet kibernetike dhe vetë koncepti i sigurisë kombëtare kanë ndryshuar rrënjësisht, skeleti juridik i institucionit kryesor të inteligjencës shqiptare vjen nga fundi i viteve ’90.
Në vitin 2010 u bë një nga përpjekjet më të forta për ta ndryshuar këtë sistem.
Ndryshimet prekën menjëherë ekuilibrin e pushtetit mbi Shërbimin dhe shkaktuan reagim edhe nga partnerët amerikanë. Uashingtoni ngriti shqetësime për pavarësinë e institucionit dhe rrezikun e rritjes së ndikimit politik mbi të.
Ligji nuk kaloi.
Kështu dështoi edhe tentativa për t’i vendosur një kufi të qartë mandatit të njeriut që drejton institucionin më sekret të vendit.
Pak vite më vonë shpërtheu një tjetër përplasje, këtë herë nën drejtimin e Visho Ajazi Likës.
Pas ardhjes së socialistëve në pushtet në vitin 2013, marrëdhëniet mes qeverisë së Edi Ramës dhe kreut të SHISH u tensionuan shpejt. Në qendër të konfliktit u vendosën përgjimet, mënyra e funksionimit të Shërbimit dhe kontrolli që Kuvendi mund të ushtronte mbi të.
Sipas zbulimeve të asaj kohe, SHISH u përdor nga qeveria Berisha për të përgjuar kundërshtarët dhe aleatët politikë. Ilir Meta doli se ishte përgjuar plot 821 herë për llogaritë politike të Sali Berishës. Po ashtu ishin përgjuar Lulzim Basha, Edi Rama dhe shumë ministra e deputetë.
Komisioni parlamentar i Sigurisë ngriti një grup kontrolli me deputetët Pjerin Ndreu, Pirro Lutaj dhe Xhemal Qefalia. Deputetët kërkuan të hynin në brendësi të aktivitetit të SHISH dhe të kontrollonin procedurat, strukturën dhe pajisjet e përgjimit.
Aty u pa se sa i vështirë ishte kontrolli real mbi Shërbimin.
U hap një betejë për kompetencat e deputetëve, informacionin sekret dhe mënyrën se si Parlamenti mund të hynte në aktivitetin operativ të institucionit. Kontrolli u kthye në përplasje të hapur mes SHISH dhe mazhorancës.
Raporti i përgatitur pas kontrollit ishte rreth 30 faqe dhe ngrinte probleme për procedurat e përgjimit dhe emërimet brenda Shërbimit.
Por historia mori një kthesë edhe më të fortë.
Në vitin 2015, në Komisionin e Sigurisë u ngrit çështja se tre deputetët që kishin kontrolluar SHISH-in kishin qenë vetë objekt përgjimi nga Shërbimi. Pjerin Ndreu, Pirro Lutaj dhe Xhemal Qefalia kërkuan shpjegime, ndërsa në debat hynë edhe dyshimet për përgjimin e politikanëve të tjerë.
Pra, Parlamenti kishte ngritur një grup për të kontrolluar Shërbimin, ndërsa njerëzit e dërguar për ta kontrolluar përfunduan duke kërkuar përgjigje nëse vetë Shërbimi i kishte përgjuar.
Ky episod ekspozoi një nga problemet që do të përsëritej: Kuvendi kishte në letër të drejtën e kontrollit, por kur kontrolli mbërrinte te informacioni sekret dhe aktiviteti operativ, mekanizmi ngecej.
Një tjetër derë që SHISH arriti ta mbante për vite pothuajse të mbyllur ishte ajo e kontrollit financiar.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk kishte audituar SHISH-in që prej vitit 2012.
Vetëm në vitin 2016 u hap rruga që audituesit të hynin përsëri në institucion për të kontrolluar aktivitetin financiar të viteve 2014 dhe 2015.
Edhe këtu procedura ishte shumë më e komplikuar se në institucionet e tjera shtetërore. Audituesit që hynin në SHISH duhej të pajiseshin me certifikata sigurie. Materialet që preknin sekretin shtetëror nuk mund të trajtoheshin si gjetjet e zakonshme të një auditimi publik dhe raportimi për to duhej të bëhej nën regjimin e informacionit të klasifikuar.
Kështu, edhe institucioni kushtetues që kontrollon përdorimin e parave publike kishte kaluar vite pa audituar Shërbimin Informativ.
Problemi i certifikatave të sigurisë ka goditur vazhdimisht edhe kontrollin parlamentar.
Në raste të ndryshme, raportimet e drejtuesve të SHISH në Komisionin e Sigurisë janë penguar sepse deputetët nuk dispononin certifikatat e nevojshme për t’u njohur me informacionin sekret.
Historia e SHISH prodhoi një tjetër anomali pas largimit të Visho Ajazi Likës. Më 30 tetor 2017, Presidenti Ilir Meta dekretoi lirimin e tij nga detyra. Edi Rama propozoi Helidon Bendon si pasues.
Por Meta nuk e dekretoi Bendon menjëherë.
Për më shumë se një vit, institucioni kryesor i inteligjencës shqiptare funksionoi pa një drejtor të dekretuar në detyrë. Bendo ishte zëvendësdrejtor, por ushtroi drejtimin faktik të Shërbimit.
Vetëm më 5 nëntor 2018, Meta firmosi dekretin që e emëroi zyrtarisht drejtor të SHISH.
Për rreth një vit, Shqipëria kishte kështu një situatë të pazakontë: institucioni që administron sekretet më të ndjeshme të sigurisë kombëtare drejtohej praktikisht nga zëvendësdrejtori, ndërsa Kryeministri dhe Presidenti nuk kishin përfunduar procesin kushtetues të emërimit të drejtuesit.
Vitet kaluan, drejtuesit ndryshuan, por reforma e madhe e kontrollit mbi SHISH nuk erdhi.
Dhe sot historia ka mbërritur te Vlora Hyseni dhe Ergys Agasi.
Dosja ka nxjerrë në sipërfaqe 508 komunikime mes tyre në harkun e vetëm dy muajve, nga fundi i qershorit deri në gusht. Në makinën e Agasit janë gjetur nëntë printime me diagrame dhe të dhëna të ngjashme me produktet informative të SHISH.
Hyseni ka pranuar komunikimet me Agasin dhe ka shpjeguar se ai i kishte ofruar bashkëpunim, ndërsa ka mohuar se i kishte dhënë informacion të SHISH. Nga materialet e bëra publike rezulton se drejtuesja e Shërbimit nuk kishte informuar strukturat e tjera për këtë marrëdhënie.
SPAK e ka çuar çështjen deri te dyshimet për “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, ndërsa gjykata ka vendosur masën e arrestit në shtëpi.
Skandali e detyroi shtetin të mblidhte edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Por pyetja që del sot nuk është vetëm çfarë ka bërë Vlora Hyseni.
Pyetja është se si një institucion që disponon informacionet më sensitive të Republikës, të dhëna për krimin e organizuar, terrorizmin, spiunazhin, sigurinë kombëtare dhe burimet njerëzore të inteligjencës, ka mbërritur në këtë pikë pas dekadash paralajmërimesh.
SHISH ka pasur gjithmonë kontrollorë në letër. Ajo që i ka munguar Shqipërisë prej dekadash është kontrolli real mbi kontrolluesin e sekreteve të shtetit.