Bota
“Sekonda të tmerrshme”, dëshmitë e pasagjerëve pas aksidentit tragjik në Spanjë
Të paktën 86 persona kanë humbur jetën dhe 77 persona janë shtruar në spital pas aksidentit të ndodhur sot në Spanjë, ku 15 prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.
Lajmi është bërë i ditur nga ministrja spanjolle e Shëndetësisë, Monica Garcia, e cila përmes një postimi në rrjetin social X ka konfirmuar se autoritetet shëndetësore kanë marrë masa emergjente për përballimin e situatës.
Sipas ministres, të gjitha spitalet kanë aktivizuar planet e tyre të emergjencës, duke përforcuar shërbimet e urgjencës dhe sallat e operacionit, si dhe duke riorganizuar aktivitetet e kujdesit shëndetësor për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve. Autoritetet vijojnë të ndjekin situatën dhe të ofrojnë ndihmën e nevojshme për personat e lënduar.
Ndërkohë pasagjerët që ndodheshin në trenin e përfshirë në aksidentin në fjalë, kanë rrëfyer momentet e tmerrit, duke përshkruar skena kaosi, përplasje mes udhëtarëve dhe mungesë komunikimi menjëherë pas ngjarjes.
Në një dëshmi për CNN, pasagjerët tregojnë se në momentin e përplasjes njerëzit u hodhën nga vendet e tyre dhe ranë mbi njëri-tjetrin brenda vagonëve.
Autoritetet kanë larguar nga vendngjarja të paktën një autobus me pasagjerë që nuk kanë pësuar lëndime të rënda. Disa prej tyre kishin plagë të lehta, përfshirë prerje në fytyrë dhe rreth syve, si dhe gjakderdhje nga hunda. Gjurmë gjaku vëreheshin edhe në duart dhe krahët e disa udhëtarëve.
“Komunikimi ishte i tmerrshëm. Askush nuk mund të dilte nga trenat për 10 minuta pas aksidentit. Nuk e dinim se çfarë po ndodhte”, tha një pasagjer i identifikuar si Rey, i cili nuk pranoi të bëjë publik mbiemrin e tij.
Ai tregoi se udhëtonte me familjen drejt Seviljes për pushime dhe se, fatmirësisht, të gjithë janë mirë, por mezi presin të largohen nga zona. Një tjetër pasagjer, 25-vjeçari Yoander, rrëfeu se ishte në gjumë kur ndodhi përplasja.
“Po flija dhe, kur u zgjova, po përplasesha tashmë me sediljet përpara meje”, tha ai për CNN, duke shtuar se kishte goditur fytyrën dhe këmbën. Ai theksin se ndiente dhimbje, por se kishte persona të tjerë që kishin nevojë për ndihmë më urgjente.
Eduarda, e cila udhëtonte së bashku me dy macet e saj, i tha emisionit radiofonik spanjoll “Hoy por Hoy” se përplasja e hodhi përpara, duke thyer tavolinën që ndodhej përpara sediljes së saj. Rreth saj, disa pasagjerë pësuan prerje dhe mavijosje.
Pasi doli nga treni, ajo dëgjoi britma dhe pa një vagon në flakë. Sipas dëshmisë së saj, në vendngjarje kishte edhe persona që kishin humbur jetën dhe ndodheshin poshtë trenit.
Ndërkohë, Miguel Angel Perez, i cili ishte gjithashtu në bordin e trenit të shpejtësisë së lartë, tregoi se dëgjoi një përplasje të tmerrshme në momentin e aksidentit.
“Vagoni u përmbys pjesërisht”, tha ai për programin televiziv spanjoll “La Hora de La 1”, dukr shtuar se disa pasagjerë pësuan mavijosje nga tavolinat e hapura të sediljeve, por fatmirësisht kishte pak persona që qëndronin në këmbë në momentin e përplasjes.
“E ndjemë trenin duke u lëkundur, duke dalë nga shinat dhe më pas u anua. Ishin disa sekonda të tmerrshme”, rrëfeu Perez.
Dëshmitë e pasagjerëve pasqyrojnë momentet e panikut dhe pasojat e rënda të aksidentit, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë ndërhyrjen në vendngjarje.
Gazetari spanjoll, Roberto Gomez, ka rrëfyer momentet e frikshme që përjetoi në bordin e trenit të shpejtësisë së lartë. Ai tregoi për radion spanjolle “Onda Cero” se ishte në gjumë kur treni ndaloi dhe pasagjerët u njoftuan se kishte trafik të rënduar në shina. Sipas tij, treni nisi të lëvizte sërish, por pak më pas ndodhi përplasja e fuqishme.
“Goditja ishte e tmerrshme”, tha ai, duke përshkruar gjendjen e vagonit pas aksidentit.
“Mund ta imagjinoni, vagoni ishte shkatërruar plotësisht. Të gjitha valixhet ishin shpërndarë gjithandej në vagonin e dëmtuar”, rrëfeu gazetari.
Ai pësoi vetëm lëndime të lehta, por tregoi se një pasagjer tjetër kishte rënë sipër tij dhe kishte marrë një plagë të thellë në kokë. Gomez tha se ai dhe pasagjerë të tjerë u përpoqën të ndihmonin personat që kishin pësuar goditje të forta në kraharor dhe në brinjë.
Sipas tij, situata ishte jashtëzakonisht kaotike dhe tronditëse. Vetëm pas disa minutash, ai dhe disa pasagjerë të tjerë arritën të dilnin nga treni përmes një dritareje.
Dëshmia e gazetarit i shtohet rrëfimeve të tjera të pasagjerëve, të cilët kanë përshkruar momentet e panikut dhe vështirësitë për të dalë nga vagonët pas aksidentit.