✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

RAMA E BERISHA KANE NEVOJE PER NJERI-TJETRIN/ ANALISTI: STUDENTET DUHET TE KRIJOJNE ALTERNATIVE TE RE

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, ka analizuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me ato vendore, duke theksuar se një skenar i tillë do të kërkonte marrëveshje mes forcave kryesore politike. Sipas tij, protestat studentore kanë ndryshuar dinamikën politike, ndërsa Partia Demokratike rrezikon të humbasë terren përballë alternativave të reja.

Kulla u shpreh se Partia Demokratike, në gjendjen aktuale, nuk ka interes të përballet me një proces të ri zgjedhor.

“Unë nuk mendoj që Partia Demokratike në kushtet që është të shkojë në zgjedhje”, deklaroi ai, duke shtuar se kjo vlen si për zgjedhjet vendore, ashtu edhe për ato parlamentare.

Megjithatë, Kulla theksoi se një marrëveshje politike për zgjedhje të parakohshme nuk mund të realizohet pa përfshirjen e Partisë Demokratike dhe të kryeministrit Edi Rama.

“Nuk bëhen zgjedhje pa Partinë Demokratike, Rama e ka shumë të qartë këtë gjë”, u shpreh eksperti.

Sipas tij, një proces i tillë do të kërkonte marrëveshje politike dhe ndryshime ligjore që duhet të kalojnë në Kuvend.

“Duhet të ketë një marrëveshje e cila shkon në parlament, sepse zgjedhjet duhet të kenë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ndaj thashë që nuk bëhen pa Ramën, nuk ka zgjidhje pa Ramën, por nuk ka zgjidhje as vetëm me Ramën. E njëjta gjë vlen dhe për Partinë Demokratike”, deklaroi Kulla.

Një pjesë të rëndësishme të analizës së tij Kulla ia kushtoi protestave studentore, të cilat, sipas tij, kanë krijuar një dinamikë të re, duke sfiduar rolin tradicional të partive të mëdha. Ai argumentoi se përfshirja e studentëve në protesta ka nxjerrë në pah vështirësinë e opozitës për të përfaqësuar pakënaqësinë qytetare.

“Sot pra studentët janë futur në mes dhe e kanë shkatërruar. Partitë e mëdha po e humbin dhe ata po anashkalojnë opozitën”, u shpreh Kulla.

Eksperti vlerësoi se partitë që kanë përfaqësim parlamentar nuk kanë interes të ndërmarrin hapa që mund të dobësojnë pozitat e tyre politike, ndaj çdo zgjidhje do të kërkonte negociata.

“Edhe në qoftë se sot do të kishte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte një marrëveshje në të cilën do të ishte dhe Partia Demokratike”, theksoi ai.

I pyetur nëse studentët shqiptarë duhet të ndjekin modelin e protestave në Serbi dhe të krijojnë një lëvizje të tyre politike, Kulla tha se dy vendet kanë kontekste të ndryshme politike, shoqërore dhe elektorale.

Sipas tij, në Serbi ndikojnë faktorë të veçantë, përfshirë rolin e Kishës Ortodokse Serbe, nacionalizmin dhe marrëdhëniet me Rusinë, të cilët e bëjnë të vështirë krahasimin e drejtpërdrejtë me Shqipërinë.

“Ne nuk kemi ngjashmëri fare me Serbinë. Në Serbi ka dhe faktorë të tjerë elektoralë, siç është kisha serbe, siç është lidhja e nacionalizmit serb me atë rus”, deklaroi ai.

Megjithatë, eksperti theksoi se lëvizja studentore mund të përballet në të ardhmen me nevojën për të krijuar një përfaqësim të strukturuar politik.

“Nëse studentët do të kenë një strategji, do të vijë një moment, ndoshta s’është tani, por do të vijë një moment i dytë apo i tretë, në të cilin ata duhet të prodhojnë një alternativë politike. Ndonëse jo piramidale siç kanë dëshirë ta kenë, po të shtrirë”, u shpreh Kulla.

Në përfundim, ai theksoi se çdo ndryshim i qëndrueshëm politik dhe institucional do të kërkonte ndërhyrje ligjore, të cilat mbeten në duart e forcave parlamentare.

“Nëse do të kemi një reflektim, i bërë me ligje, pra siç e kërkon sheshi, ato ligje kalojnë prapë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Kështu që është shumë e komplikuar si gjë, nuk është aq e thjeshtë sa në Serbi”, përfundoi Kulla.

Pjesë nga intervista:

-Jemi shumë afër janë zgjedhjet vendore, por po flitet që ndoshta pjesë e paketës së negocimit mes dy palëve, marrim meqë janë ndërmjetësit ndërkombëtarë siç e thamë, mund të jenë edhe dy palë zgjedhje së bashku, për shembull vendoret me zgjedhje të parakohshme parlamentare. Çfarë do të sillte kjo? A do të ndryshonte, do ta rikonfiguronte skenën politike në vend apo do të kishim të njëjtat numra?

Ilir Kulla: Unë nuk mendoj që Partia Demokratike në kushtet që është të shkojë në zgjedhje.

-Të mos futet në asnjë palë zgjedhje?

Ilir Kulla: Në asnjë palë zgjedhje.

-Pse?

Ilir Kulla: Sepse në kushtet që është, siç e gjeni…

– Po flitet për Partinë Demokratike të rritur nga mbështetja.

Ilir Kulla: Po nuk bëhen zgjedhje pa Partinë Demokratike.

-Sido që të jetë faktor në këtë mes janë studentët, në protestë.

Ilir Kulla: Nuk bëhen zgjedhje të pa Partinë Demokratike, Rama e ka shumë të qartë këtë gjë.

-Janë bërë.

Ilir Kulla: Po nuk bëhen dot pa Partinë Demokratike se në zgjedhje të përgjithshme shkojnë vetëm me mocion mosbesimi. Dhe Rama e ka futur veten në atë mocion mosbesimi. Dhe duhet të ketë një marrëveshje e cila shkon në parlament sepse zgjedhjet duhet të kenë ndryshimin e ligjit zgjedhor. Ndaj thashë që nuk bëhen pa Ramën, nuk ka zgjidhje pa Ramën, por nuk ka zgjidhje as vetëm me Ramën. E njëjta gjë vlen dhe për Partinë Demokratike. Partia Demokratike nëse shkon sot…

-Partia Demokratike zgjedhje kërkon çdo ditë.

Ilir Kulla: Partia Demokratike nëse shkon sot në zgjedhje, del forcë e tretë. Sot po të shkojë.

-Po Rama?

Ilir Kulla: Në këto kushte siç është, pavarësisht të gjithë rrëmujës që ka, Rama prapë forcë e parë. A del i vetëm këtë s’e di, por forcë e parë del.

-E pra, pse i druhet… çfarë i duhen zgjedhje të reja atij në rregull që i ka fituar?

Ilir Kulla: Nuk thashë që i druhet… më ndiq, më ndiq. Sepse nuk do të shkojë, nuk do të shkojë në kushte stresi në kërkesë pra. I duhet një marrëveshje. Dhe ka llogjikë kjo gjëja e studentëve. Por sot pra studentët janë futur në mes dhe e kanë shkatërruar. Partitë e mëdha po e humbin dhe ata po anashkalojnë opozitën. Dhe në këto kushte, ata që kanë votat në parlament, se këto janë grupimet e tyre parlamentare, nuk do të bëjnë vetëvrasje. Pavarësisht çdo lloj kushti, çdo lloj problemi, sepse të dyja palët po e shohin edhe ashpërsinë e vendit të tyre. Kjo u pa pak a shumë që nga fillimi i protestave dhe deri në zgjedhje kaluan dy vjet. Pra edhe në qoftë se sot do të kishte një marrëveshje për zgjedhje të parakohshme, kjo do të ishte një marrëveshje në të cilën do të ishte dhe Partia Demokratike. E cila realisht, sidomos në zgjedhjet vendore, me këtë situatë që kemi ne, rrezikon të përfundojë e treta.

– A duhet të ndjekin studentët e Shqipërisë që janë protestues sot, të njëjtën rrugë që ndoqën bashkëmoshatarët e tyre në Serbi për të arritur një rezultat edhe të shtrirë gjatë në kohë, të krijojnë lëvizje të tyre sikurse ndodhi në Serbi?

Ilir Kulla: Së pari njëherë është konteksti në të cilin flitet, ne nuk kemi ngjashmëri fare me Serbinë. Në Serbi ka dhe faktorë të tjerë elektoralë siç është kisha serbe, siç është lidhja e nacionalizmit serb me atë rus, është pjesa rurale e vendit e cila… pra ka shumë elementë që ne nuk na bëjnë të ngjashëm. Por, një gjë u pa e qartë që nëse studentët do të kenë një strategji, do të vijë një moment, ndoshta s’është tani por do të vijë një moment i dytë apo i tretë, në të cilin ata duhet të prodhojnë një alternativë politike. Ndonëse jo piramidale siç kanë dëshirë ta kenë, po të shtrirë. Alternativa politike pastaj rrezikon… ta thashë edhe njëherë, rrezikon që Rama futet në një palë zgjedhje dhe të fitojë zgjedhjet pastaj. Prandaj them që kjo gjëja, është mirë që ka filluar që Rama t’i ndryshojë gjërat. Sa do zgjasë nuk e di, a do jetë e mundshme kjo s’e di. Por nëse do të kemi një reflektim, i bërë me ligje, pra siç e kërkon sheshi, ato ligje kalojnë prapë nga deputetët e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Kështu që është shumë e komplikuar si gjë, nuk është aq e thjeshtë sa në Serbi.

…………………..

Advertisement