Aktualitet
4 milionë euro dëm, goditet skema e Call Center-ave, SPAK pjesë e operacionit të Eurojust
Një rrjet ndërkombëtar i dyshuar për mashtrime me investimet online është goditur në një operacion të koordinuar nga Eurojust dhe Europol, ku morën pjesë autoritetet e shtatë shteteve, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën. Në kuadër të aksionit janë arrestuar shtatë persona, janë kontrolluar 17 ambiente dhe janë sekuestruar mbi 100 servera që dyshohet se përdoreshin për aktivitetin kriminal.
Sipas autoriteteve, dëmi financiar i shkaktuar nga skema e mashtrimit përllogaritet në më shumë se 4 milionë euro. Hetimet nisën në vitin 2022, pas denoncimit të një çifti gjerman, i cili kishte investuar kursimet përmes një platforme online, por nuk kishte mundur të tërhiqte fitimet e premtuara.
Dyshohet se rrjeti përdorte platforma që paraqiteshin si shërbime legjitime investimi, duke u ofruar viktimave fitime të larta dhe të shpejta përmes kriptovalutave, valutave të huaja dhe aksioneve. Fillimisht, investitorët bindeshin të transferonin shuma të vogla, ndërsa në llogaritë e tyre shfaqeshin fitime të fryra për të krijuar përshtypjen e një investimi të suksesshëm.
Më pas, ndërmjetësit dyshohet se ushtronin presion psikologjik për t’i bindur viktimat të investonin gjithnjë e më shumë para. Kur ato kërkonin të tërhiqnin fondet, përballeshin me vonesa dhe justifikime, derisa personat përgjegjës ndërprisnin kontaktet.
Hetimet e zhvilluara në disa faza çuan në identifikimin e personave të dyshuar, mes tyre edhe drejtues të qendrave të thirrjeve që kontaktonin investitorët. Autoritetet zbuluan gjithashtu një kompani me seli në Qipro dhe Izrael, e dyshuar se ofronte infrastrukturë dhe faqe interneti mashtruese për grupe kriminale, përmes një modeli të njohur si “Krimi si shërbim”.
Sipas hetuesve, klientë të dyshuar të kësaj kompanie ishin edhe subjekte në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat dyshohet se administronin qendra telefonike të përdorura për mashtrimin e investitorëve.
Në operacionin e fundit u kontrolluan 17 ambiente, përfshirë një qendër thirrjesh në Kosovë. Përveç serverave, u sekuestruan dokumente, prova elektronike dhe asete të tjera që mund të ndihmojnë në zbardhjen e aktivitetit. Shtatë personat e arrestuar pritet të përballen me procedurat për dorëzimin ose ekstradimin në Gjermani.
Shqipëria pati një rol të rëndësishëm në hetim përmes SPAK-ut, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Policisë së Shtetit. Në Eurojust u ngritën dy ekipe të përbashkëta hetimore: një mes Gjermanisë, Polonisë dhe Shqipërisë, si dhe një tjetër mes Shqipërisë dhe Kosovës. Europol kontribuoi me analizën e të dhënave, hetimet dixhitale dhe ekspertizën në terren.