✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

BLUSHI NGRE TONET: BOLL ME DEPUTETE QE I CAKTON KRYETARI I PARTISE, TI ZGJEDH POPULLI

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka ngritur tone të forta gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të akteve normative që lidhen me reagimin ndaj protestave të studentëve.

Ai ka akuzuar mazhorancën për përshkallëzim të situatës, ndërsa debatet janë zhvendosur edhe te Reforma Zgjedhore, ku është përplasur me kreun e grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.

Gjatë fjalës së tij, Blushi kundërshtoi përfshirjen e akteve normative në kalendarin e punimeve të Kuvendit, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje të shumicës për të vijuar qeverisjen përmes përdorimit të forcës.

“Futja në kalendar e këtyre akteve dëshmon se doni të vazhdoni të qeverisni nëpërmjet dhunës. Kuvendi nuk mund të kthehet në noter të dhunës shtetërore. Kryeagjenda e këtij Kuvendi nuk mund të jetë dhuna, por kërkesat legjitime të studentëve”, u shpreh Blushi.

Deputeti i PL-së kritikoi edhe mungesën e një reagimi nga drejtuesit e Kuvendit lidhur me ngjarjet gjatë protestave studentore. Sipas tij, ndërsa eurodeputetë kanë dënuar dhunën ndaj studentëve, kryetari i Kuvendit ka zgjedhur të heshtë.

“Po dëshmoni jo vetëm se jeni përgjegjës për krizën, por edhe nxitës të përshkallëzimit të saj”, deklaroi Blushi.

Ai ashpërsoi më tej akuzat ndaj mazhorancës, duke e konsideruar përfshirjen e akteve normative në kalendarin parlamentar si tregues të mënyrës se si shumica synon të ushtrojë pushtetin.

“Futja e akteve normative dëshmon natyrën kriminale të kësaj shumice që kërkon të qeverisë me shkopinj e plumba gome”, tha ai.

Një tjetër moment tensioni në mbledhje u shënua gjatë diskutimeve për Reformën Zgjedhore. Blushi iu drejtua kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, duke e akuzuar se qëndrimet e tij tregojnë mungesën e garancive për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

“Me qëndrimin tënd për Reformën Zgjedhore provove se me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme”, iu drejtua Blushi-Ballës.

Në vijim të debatit, deputeti i Partisë së Lirisë përdori akuza të drejtpërdrejta ndaj Ballës, duke e cilësuar atë si “një provokator të ulët që mbron në Kuvend interesat e klaneve kriminale”.

Sa i përket ndryshimeve në legjislacionin zgjedhor, Blushi kërkoi që puna e Komisionit të Reformës Zgjedhore të përqendrohet në tri prioritete: hapjen e plotë të listave të kandidatëve, krijimin e një qeverie teknike dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës drejtpërdrejt nga qytetarët.

“Kryeagjenda e Komisionit të Reformës të jetë vetëm hapja 100% e listave, Qeveria Teknike dhe President nga populli”, theksoi ai.

Në përfundim, Blushi kundërshtoi praktikën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë nga drejtuesit e partive politike, duke kërkuar që vendimmarrja për përfaqësimin parlamentar t’u përkasë qytetarëve përmes votës.

“Boll më me deputetë të emëruar nga kryetarët e partive. Duhet t’i zgjedhë populli”, përfundoi Blushi.

Advertisement