Sport
SHQIPERIA GJEN BOMBERIN E TE ARDHMES, SHKODRANI GABRIEL KULLA PO SHPERTHEN NE ITALI
Gabriel Kulla është një nga emrat më interesantë të brezit të ri të futbollit shqiptar. Në moshën 18-vjeçare, sulmuesi shkodran ka kaluar nga futbolli i të rinjve në Itali deri te debutimi në Serie A me Sassuolo-n.
I lindur më 20 shkurt 2008 në Shkodër, Kulla e nisi rrugëtimin futbollistik në Shqipëri, te Djelmnia Shkodrane. Në moshën 11-vjeçare u largua nga vendlindja për të vazhduar ëndrrën e tij në Itali, ku fillimisht u aktivizua në strukturat e Bologna-s dhe më pas te Sasso Marconi.
Pikërisht te kjo e fundit nisi të shkruante historinë e tij. Në nëntor 2023, kur ishte vetëm 15 vjeç e 264 ditë, Kulla debutoi me ekipin e parë në kampionatin e Eccellenza-s dhe arriti të shënonte që në paraqitjen e parë, duke realizuar golin vendimtar të fitores 1-0.
Paraqitjet e tij bindën Sassuolo-n, që në verën e vitit 2024 vendosi ta afronte në akademinë e klubit. Zgjedhja rezultoi e goditur. Në sezonin e parë me ekipin U17, sulmuesi shqiptar realizoi 16 gola në 23 ndeshje. Më pas u ngjit në ekipin Primavera, ku vazhdoi të tregonte aftësitë e tij para portës.
Sezoni 2025-26 ishte një tjetër konfirmim i potencialit të tij. Kulla realizoi 16 gola dhe dha tetë asistime në kampionatin Primavera, duke u shpallur sulmuesi më i mirë i këtij kompeticioni në çmimet “Primavera Best Awards 2026”.
Mediat italiane e përshkruajnë Kullën si një qendërsulmues modern, i cili kombinon forcën fizike me aftësinë për të sulmuar hapësirat dhe për të përfunduar aksionet.
Ai është futbollist me këmbë të djathtë, i rrezikshëm brenda zonës, por që di të kontribuojë edhe në ndërtimin e aksioneve. Goditjet nga distanca, lëvizjet mes linjave dhe aftësia për të fituar duele me mbrojtësit janë disa nga cilësitë që veçojnë profilin e tij.
“MondoPrimavera” e ka cilësuar si një makineri golash të Sassuolo-s, ndërsa Gianluca di Marzio ka vënë në dukje personalitetin dhe aftësinë e tij për të realizuar gola vendimtarë.
Një nga elementet ku mund të përmirësohet më tej është loja në ajër, në mënyrë që të bëhet një sulmues edhe më i kompletuar.
Kulla ka qenë pjesë e përfaqësueseve të moshave të Shqipërisë, duke mbajtur veshur fanellën kuqezi në U-17 dhe U-19. Ai shihet si një nga alternativat interesante për të ardhmen e sulmit të Kombëtares.
Ndërkohë, Sassuolo ka treguar se beson te potenciali i tij. Në qershor 2026, klubi i rinovoi kontratën deri më 30 qershor 2030, duke e blinduar një prej talenteve më premtues të akademisë.
Në sezonin aktual, Kulla ka nisur të marrë edhe minuta me ekipin e parë. Debutimi në Serie A ishte një moment i rëndësishëm në karrierën e tij, ndërsa aktivizimet e tjera tregojnë se trajneri Alberto Aquilani po e ndjek nga afër zhvillimin e sulmuesit shqiptar.
Me gjashtë gola në sezonin aktual me ekipin Primavera-s, Kulla po vazhdon të konfirmojë se nuk ishte rastësi shpërthimi i tij në sezonin e kaluar.