✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Mali i Zi mbyll edhe 2 kapituj me BE-në, synon të përfundojë negociatat deri në fund të vitit

Mali i Zi po përshpejton procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke mbyllur përkohësisht edhe dy kapituj të tjerë të negociatave dhe duke e çuar në 23 numrin e kapitujve të përfunduar. Objektivi i Podgoricës është që dhjetë kapitujt e mbetur të mbyllen deri në fund të vitit 2026.

Vendimi u mor gjatë Konferencës Ndërqeveritare në Bruksel, ku u mbyllën kapitulli 1, që lidhet me lëvizjen e lirë të mallrave, dhe kapitulli 12, për sigurinë ushqimore, politikat veterinare dhe fitosanitare.

Komisioni Evropian ka paraqitur një plan ambicioz, sipas të cilit Mali i Zi mund të përfundojë negociatat deri në fund të këtij viti dhe të nënshkruajë Marrëveshjen e Anëtarësimit në qershor 2027. Gjatë nëntorit parashikohet mbyllja e pesë kapitujve të tjerë, përfshirë ata për energjinë, transportin dhe tatimet. Në dhjetor pritet të përmbyllen edhe kapitujt 23 dhe 24, që lidhen me sundimin e ligjit.

Komisioni Evropian vlerëson se Mali i Zi ka përmbushur kriteret përfundimtare për disa prej fushave të negociatave dhe pritet t’i paraqesë Këshillit të BE-së projektpozicionet e mbetura negociuese deri në mesin e nëntorit.

Pas përfundimit të negociatave, puna për Marrëveshjen e Anëtarësimit pritet të përfundojë në pranverën e vitit 2027, ndërsa nënshkrimi është planifikuar për qershor. Megjithatë, dokumenti duhet të marrë miratimin e institucioneve evropiane dhe më pas të ratifikohet nga të gjitha shtetet anëtare dhe nga vetë Mali i Zi.

Brukseli thekson se afatet janë orientuese dhe varen nga dakordësia e vendeve anëtare dhe vijimi i reformave. Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet sundimit të ligjit, pavarësisë dhe llogaridhënies së institucioneve, si dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në rast të hapave pas në reforma, BE-ja nuk përjashton masa mbrojtëse apo shtyrjen e procesit të anëtarësimit.

Ministri irlandez për Çështjet Evropiane, Tomas Birn, rikonfirmoi mbështetjen e presidencës irlandeze për objektivin e mbylljes së të gjithë kapitujve deri në fund të vitit, duke theksuar se ky proces kërkon bashkëpunimin e Malit të Zi, Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare.

Advertisement