Bota
Angela Merkel shpallet gruaja më e fuqishme në botë
Revista amerikane, Forbes, ka bërë të ditur emrat e grave më të fuqishme në botë për vitin 2020, teksa ka theksuar se ndikimi ekonomik dhe shoqëror i pandemisë së koronavirusit ka prekur në mënyrë joproporcionale gratë.
Në krye të listës këtë vit është kancelarja gjermane, Angela Merkel, e pasuar nga presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde.
Përveç tyre, në pesë pozitat e para renditen edhe nën-presidentja e zgjedhur amerikane, Kamala Harris, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe filantropja amerikane, Melinda Gates.
“Lideret e listës së 100 grave më të pushtetshme në botë e revistës Forbes, luajnë rol tejet të rëndësishëm në të përcaktuarit e asaj se si do të duket bota pas pandemisë. Fuqia e tyre kalon përtej fushave ekonomike dhe politike, për të transformuar industrinë dhe për të zgjidhur çështjet më urgjente shoqërore. Fuqia e tyre për të na çuar përpara, nuk ka qenë kurrë më e nevojshme”, është thënë në deklaratën e revistës që ka renditur emrat.
Nga pozita e pestë dhe në dhjetë, Forbes ka përmendur këta emra, Mary Barra, Nancy Pelosi Ana Patricia Bioton, Abigail Johnson dhe Gail Bourdreaux.