Bota
SHBA-ja miraton vaksinën kundër koronavirusit
Rregullatori amerikan i ilaçeve ka aprovuar vaksinën kundër koronavirusit të kompanisë, Pfizer-BioNTech, për përdorim urgjent, duke hapur rrugë që vaksinimet e para të bëhen brenda ditësh.
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në SHBA ka arritur në gati 300.000.
Drita jeshile nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) më 11 dhjetor erdhi vetëm një ditë pasi një panel këshillues i pavarur miratoi vaksinën.
Ajo do të përdoret tek njerëzit e moshës 16 deri 85 vjeç.
Në një deklaratë përmes videos, presidenti amerikan, Donald Trump e përshkroi vaksinën si një “mrekulli mjekësore” që do të shpëtojë miliona jetë dhe do t’i japë fund pandemisë.
“Ne kemi nxjerrë një vaksinë të sigurt dhe efektive në vetëm nëntë muaj. Kjo është një nga arritjet më të mëdha shkencore në histori”, tha Trump duke njoftuar për miratimin nga ana e FDA-së.
Pfizer ka në plan të sigurojë rreth 3 milionë doza në dërgesën e parë këtë javë, ose të mjaftueshme për 1.5 milionë njerëz.
Përparësi për vaksinimet e para do të kenë punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Zyrtarët shëndetësorë thonë se vaksina Pfizer-BioNTech dhe vaksinat tjera që pritet të miratohen, do të jenë gjerësisht të disponueshme për popullatën e gjerë deri në pranverë. Pfizer ka një marrëveshje me qeverinë amerikane për të furnizuar me 100 milionë doza të vaksinës deri në mars.
Një valë e tretë e përhapjes së koronavirusit i ka përfshirë Shtetet e Bashkuara duke i detyruar shtetet të vendosin kufizime.
Shpejtësia e madhe me të cilën u zhvillua Pfizer-BioNTech i ka detyruar zyrtarët e lartë shëndetësorë të bëjnë përpjekje për të rritur besimin e publikut se vaksina është e sigurt dhe efektive.
Sondazhet e fundit tregojnë se afërsisht gjysma e amerikanëve do të marrin vaksinën e re.
Por 25 për qind nuk janë të sigurt se duan të vaksinohen dhe një e katërta tjetër thonë se nuk do të bëjnë. Ekspertët vlerësojnë se të paktën 70 për qind e popullatës amerikane duhet të vaksinohen për të arritur imunitetin e tufës.
Në bazë të provave, vaksina Pfizer-BioNTech ka dalë 95 për qind efektive.
Britania e Madhe, Kanadaja, Meksika, Arabia Saudite dhe Bahrejni e kanë miratuar tashmë atë.
Autorizime të tjera, përfshirë nga Bashkimi Evropian, pritet në javët e ardhshme.