Bota
SHBA: Fillon shpërndarja e vaksinave; vaksinimi fillon të hënën
Të paketuara në kontenierë në temperatura tepër të ftohta, vaksinat kundër koronavirusit u nisën me kamionë nga një fabrikë në Kalamazu të Miçiganit në orët e para të së dielës drejt pikave të shpërndarjes në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Të hënën fillon vaksinimi kundër COVID-19, një sëmundje që paralizoi botën dhe goditi rëndë në veçanti Shtetet e Bashkuara. Aktualisht në këtë vend numërohen mbi 297,000 të vdekur dhe më shumë se 1 milion e 607 mijë të diagnostikuar me koronavirus, sipas universitetit Johns Hopkins.
Gjenerali Gustave Perna, shef i operacionit Shpejtësia Marramendëse, siç është pagëzuar projekti i qeverisë amerikane për prodhimin e vaksinës kundër koronavirusit, tha të shtunën në një konferencë shtypi se kompanitë e transportit do të furnizojnë fillimisht 150 qendra shpërndarjeje dhe deri të mërkurën gjithësej 450 qendra do të kenë marrë pako me vaksina.
Vaksina e prodhuar me bashkëpunim nga kompanitë Pfizer dhe BioNTech u miratua të premten në darkë për përdorim emergjent tek individë mbi moshën 16 vjeç. Ndërkohë do të vazhdojnë analizat klinike për të parë nëse edhe fëmijë nën 16 vjeç si dhe gratë shtatzëna mund të vaksinohen, pasi këto dy grupime nuk ishin përfshirë në numër të mjaftueshëm në provat klinike.
Të parët që do të vaksinohen janë punonjësit e shëndetësisë, pasuar nga persona të moshuar dhe me probleme ekzistuese shëndeti. Deri në fund të pranverës së ardhshme pritet që vaksina t’i ofrohet të gjithë popullatës amerikane. Vaksinimi kërkon dy doza, të bëra me distancë kohore prej tre javësh.
Ndërkohë, autoritetet po analizojnë edhe vaksinën kandidate të kompanisë Moderna.