Connect with us

Politike

Dritan Hila: Udhëkryqi i Lulzim Bashës

Nga Dritan Hila

Me një veprim spektakolar, Basha ka përjashtuar nga partia 9 figura qendrore të saj, midis tyre edhe themeluesin dhe kryetarin historik Sali Berisha, me një akt të pashembullt në historinë e politikës shqiptare.

Duke futur në numër edhe ata të përjashtuar më parë, kjo është purga me e madhe e ndodhur në një parti të shtetit shqiptar.

Problemi fillon me spastrimet ku në vend të figurave politike që ka përzënë, i ka zëvendësuar me ish-burokratë të administratës apo figurina që Berisha i përdorte për dekor. Shumica e tyre as shkëlqejnë nga fushat nga vijnë dhe as që e kanë idenë se ku do të shkojnë apo se çfarë është politika si profesion. Të kapësh kreun e një partie është vetëm një premisë për të bërë karrierë, por është më e pakta. Jeta tregon se nga 100 që i hyjnë asaj rruge, 99 mbesin rrugës. Aq më e vështirë bëhet në opozitë ku për të afruar mbështetësit rreth vetes, në mungesë të privilegjeve të pushtetit, të duhen idetë, karizma, forca për të dhënë shpresë. Duhet punë të gjesh të tillë në ekipin e Bashës.

Një faktor tjetër po aq me rëndësi është statura e liderit.

Deri më sot Basha është mbajtur si një personazh i dorës së dytë, i rritur nën hijen e Berishës dhe pa iniciativë personale. Më shumë se udhëheqës, Basha ishte një regjent që mbante kolltukun e kryetarit derisa providenca të sillte një tjetër. Një ditë të bukur pamë që ai përjashtoi Berishën dhe gjuha e tij kopjoi tërësisht atë të mirëbërësit të tij. Mirëpo kaq gjë nuk të bën lider! Lidershipi fitohet në beteja, nga të cilat Basha nuk ka bërë asnjë. Nëse do të ishte justifikim autoriteti i Berishës, ai kishte katër muaj kohë, që nga momenti kur Berisha u shpall “non grata” nga SHBA dhe deri më shtator kur e përjashtoi, që të bënte betejën e tij. Por nuk e bëri!

U mjaftua thjesht t’i fuste stërkëmbësin një ditë para mbledhjes së Kuvendit. Mund të konkurronte me Foltoren duke bërë ture paralele në bazë, për të testuar mbështetjen dhe prezantuar tezat e tij dhe hedhur poshtë ato të Berishës. Jo, u mjaftua me bunkerizimin, duke vënë përballë Berishës ca figura pa ngjyrë që të vetmen dhunti kanë të zhurmojnë si gjinkalla të zalisura nga dielli korrikut dhe nuk i thonë asgjë publikut.

Sot, Basha është në një udhëkryq. Përjashtimet nuk i zgjidhin asgjë në momentin që ai bunkerizon partinë fizikisht dhe mendërisht. Pasja e logos dhe e vulës nuk janë asgjë në momentin që do përballet elektoralisht me kundërshtarin e tij, i cili nuk është vetëm Sali Berisha por të gjitha viktimat e politikave të tij të gabuara. Vula mund t’i vlejë deri në momentin elektoral. Pas kësaj ai dhe partia e tij do t’i duhet të përplaset me produktin që do dalë nga Foltorja. Mund të jenë kandidatë të pavarur ose parti, kjo mbetet për t’u parë. Por e sigurt është që përballë do të ketë pjesën më luftarake të demokratëve dhe shumicën e elementëve më cilësorë politikë që Basha i ka përzënë. Vetëm pas kësaj mund të flasim se kush e ka trashëguar vërtetë PD-në dhe jo vetëm vulën dhe siglën e saj.

Politike

A je takuar me Shkëlzen Berishën? Veliaj: Rrugët tona u ndanë tek gjimnazi Sami Frashëri

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka mohuar se është takuar në një darkë para disa vitesh me djalin e kryedemokratit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha dhe gazetarin Çim Peka. Veliaj zgjodhi një media pro-qeveritare për të folur, në lidhje me ngjarjet e fundit që kanë ndodhur, që nga thirrja e tij në SPAK deri te korrupsioni i Dosjes 5D. Në Top News, Veliaj deklaroi se për herë të fundit me Berishën janë shkëmbyer në oborrin e gjimnazit “Sami Frashëri” kur ishin adoleshentë.

“Me Shkëlzen Berishën mund të jem shkëmbyer për herë të fundit kur kemi qenë gjimnazistë. Ai ishte një vit mbi mua. Që atëherë kam kuptuar se njeriu, që në adoleshencë fillon të kuptojë kush di të qeverisë keq dhe mirë. Edhe atëherë, në shkollë, nuk përziheshim as në oborr pasi familja ishte damkosur që solli problemet me piramidat dhe shkatërrimin e vendit. Nëse po shqyhen me njeri-tjetrin, atëherë mirë t’ju bëhet. Sepse vetë Saliu sajonte gjëra të tilla. Saliu vetë, gjatë fushatës së kaluar, tha se Erion Veliaj, në 1977-ën, dy vite para se të lindte, ishte bërë një kitarist i famshëm nga Kalifornia, kishte krijuar edhe një grup roku dhe kishte shkuar në Iran. Pra, sipas tij, unë i kisha bërë gjithë këto mëkate para se të lindja. Parimi është: kush mbjell erë, do korrë stuhi. Saliu, Zeni dhe gjithë familja e tyre, dhe ajo vajza që vjen këtu te bashkia me molotov dhe thotë “lironi babin”, janë duke korrur atë që kanë mbjellë vetë”, tha Veliaj.

Veliaj shtoi se rrugët me Shkëlzen Berishën i kanë ndarë tek oborri i gjimnazit.

“Nuk më intereson fare çfarë thotë ai sepse babanë e tij e kemi mundur tre herë në zgjedhjet e përgjithshme dhe tre herë në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Meqë do të angazhohet politikisht, bujrum le të vijë, të kandidojë. Nuk më jep asnjë emocion një njeri që hodhi një fshat në erë dhe një njeri, i cili prej hallit që ka zënë babanë, detyrohet të shpenzojë paratë e veta, që të sjellë njerëz nga qytetet e tjera sepse nuk i del Tirana në protestë. Në këtë sens, ai të vazhdojë me aventurat e tij, ndërkohë unë kam punë për bërë. Rrugët tona janë ndarë që te oborri i Samiut”, tha Veliaj.

Continue Reading

Politike

Presidenti Begaj vizitë në Vatikan, pritet nga Papa Françesku, ja dhurata për Atin e Shenjtë

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj u prit sot në një audiencë të veçantë në Selinë e Shenjtë në Vatikan nga Shenjtëria e tij, Papa Françesku.

Kjo është hera e dytë që Presidenti Begaj pritet nga Ati i Shenjtë, pas vizitës së parë që zhvilloi në Vatikan në dhjetor të vitit 2022.

Kreu i shtetit falënderoi përzemërisht Papa Françeskun për këtë pritje duke i shprehur atij urime të sinqerta për angazhimin e fuqishëm në përhapjen e paqes përmes mesazheve të drejtpërdrejta për t’i dhënë fund luftërave sidomos në zonat e e nxehta të konfliktit; Ukrainë e në Lindjen e Mesme.

Presidenti i Republikës konfirmoi qëndrimin e Shqipërisë në krah të aleatëve perëndimorë për zgjidhjen përmes dialogut, si i vetmja garanci për stabilitet dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin e Ballkanit dhe me gjerë.

 

 

Presidenti Begaj i dhuroi Atit të Shenjtë një pikturë të Kishës së Kuvendit të Rubikut, një ikonë e krishtërimit shqiptar dhe një ndër kishat më të vjetra në Ballkan

Continue Reading

Politike

Gjendet vajza tjetër/ Balla me lot në sy: Kemi të dhëna që edhe trupat e nënës dhe djalit janë në Bunë

Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një deklaratë për mediat nga Ura e Bunës, deklaroi se edhe trupi i nënës dhe djalit të vogël ndodhen të pajetë në këtë vend.

Balla me lot në sy teksa bëri të ditur gjetjen e vajzës tjetër, bëri edhe një herë apel për të gjitha gratë që të denoncojnë dhunën dhe të mos kenë turp nga paragjykimet

Njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna, ku dyshohet të jetë vetëmbytur një nënë dhe fëmijët e saj. Siç kemi bërë edhe dje me dije. Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online”, tha Balla.

Ministri, i pyetur nga gazetarët, deklaroi se nga ana e Alma Arrazit nuk ka pasur asnjë lloj denoncimi në policinë e Shkodrës.

Continue Reading

Politike

Nesër në protestë para bashkisë/ Balliu dhe Këlliçi në aksion, ngjisin posterat “Jep Dorëheqjen”

Opozita ka nisur aksionin lidhur me protestën e ditës së nesërme para bashkisë së Tiranës.

Ka qenë Koordinatori Rajonal i selisë blu për Tiranën, Klevis Balliu dhe ish-kandidati për Tiranës Belind Këlliçi ata që kanë ngjitur postera “Jep Dorëheqjen” me foton e kryebashkiakut Veliaj.

Me herët koordinatori Rajonal i selisë blu për Tiranën, Klevis Balliu vijoi denoncimin e fakteve sipas tij, që implikojnë kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj në vjedhjen qindra miliona eurove përmes incineratorit të Tiranës.

Duke iu referuar protestës së radhës të thirrur para Bashkisë së Tiranës, Balliu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në shesh, që siç tha ai, nesër t’u kthehet qytetarëve bashkia dhe të rrëzohet banda e hajdutëve.

Continue Reading

Politike

“Asnjë justifikim ndaj dhunës”/ Balla reagon ashpër për ngjarjen tragjike në Shkodër

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka reaguar sërish për ngjarjen tepër të rëndë në Shkodër, ku një nënë dyshohet se është hedhur në lumin Bunë bashkë me fëmijët e saj, teksa deri tashmë është gjendur vetëm trupi i vajzës 9-vjeçare.

Balla shprehet se dhuna ndaj grave nuk është çështje private, por na intereson të gjithëve. Ai shprehet se asnjë lloj dhune nuk është e tolerueshme, teksa shprehet se peshkatarët po vijojnë kërkimet për trupin e nënës dhe dy fëmijëve.

Postimi i ministrit të Brendshëm Taulant Balla:

Njësia e specializuar e RENEA, Forca Kombëtare e Sigurisë Publike, njësi të Policisë së Malit të Zi dhe peshkatarët e zonës janë duke vijuar kërkimin e përgjatë gjithë rrjedhës së lumit Buna, ku dyshohet të jetë vetëmbytur një nënë dhe fëmijët e saj. Siç kemi bërë edhe dje me dije, Policia e Shtetit ka ndaluar bashkëshortin dhe ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik.

 

 

Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune. Dhuna shpesh manifestohet në shtëpi, mbrapa dyerve të mbyllura, por kjo është një temë që duhet bërë publike. Dhuna ndaj grave nuk është një çështje private. Ajo na intereson të gjithëve. Dhe ne, e gjithë shoqëria, duhet t’i nxisim viktimat e dhunës ta denoncojnë. Nuk mund të ketë #AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!

🙏Kërko ndihmë në ☎️116117

🙏Raporto në📱129

Continue Reading
Advertisement

TRENDING