Politike
Adriatik Lapaj nuk lëviz nga trotuari: Rama të hapë krahun
Kryetari i partisë “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj ka nisur përpara kryeministrisë një protestë 24 orë pa ndalim, por jo si kryetar partie, por si një qytetar i thjeshtë.
Lapaj tha se kjo protestë erdhi si pasojë e moreagimit të qytetarëve ditën e djeshme në “Ditën e Rinisë”. Në një kohë, thotë Lapaj, që shoqëria dhe rinia është drejt një dëmtimi të pakthyeshëm.
Jam mirë dhe jam për rrugë të gjatë këtu në shesh dhe sigurisht unë vij nga protestat, e njoh mirë protestën dhe besoj se do e menaxhoj në mënyrën e duhur për të pasur sa më shumë jetëgjatësi. Dje në 10 të darkës, pasi pashë që nuk kishte reagim për 8 dhjetorin përballë një gjendje që është dramatike për rininë tonë dhe që është jo frymëzuese, përkundrazi. Jemi në kufijtë e një dëmtimi të pakthyeshëm të rinisë tonë, vendosa të dal dhe të protestoj.
Lapaj tha se kjo protestë është nevojë e shoqërisë për të kuptuar që ka reagim ndaj padrejtësive. Ndër të tjera ai tha se qeveria e Ramës ka vjedhur nga taksat e qytetarëve dhe se këto para janë përdorur për të deformuar vullnetin politik të vendit dhe për të mbajtur veten në pushtet.“Jemi në kushtet ku shoqëria kërkon impuls që ka një reagim ndaj një mbipushteti të një njeriu që si kanceri në tru ka vrarë çdo qelizë të lirë të këtij vendi. Ky pushtet çdo gjë e ka vendosur në funksion të mbajtjes së vetes në drejtimin e vendit, këta e vjedhin republikën me një mesazh 53 milionë euro, më një të rënë të lapsit 100 milionë euro dhe i përdorur këto para për të deformuar vullnetin politik të vendit. Unë e nisa vetëm për të parë mundësinë sesi qytetarët reagojnë. Protestës time do ti bashkohen dhe 9 të tjerë sot dhe do ta vazhdojmë pa ndalim. Uroj që çdo qytetar të mund të ndjejë nevojën të ballafaqohet”, tha Lapaj.