Connect with us

Kronike

Aksident i rëndë në orët e para të mëngjesit në Vlorë, humb jetën 17-vjeçari

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 01:30 të natës , ku një 17-vjeçar ka humbur jetën në mënyrë tragjike. Viktima është identifikuar si L. Sh, 17 vjeç.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, përplasja ka qenë fatale dhe e mituri ka ndërruar jetë menjëherë.

Të njëjtat burime tregojnë se për shkak të goditjes së fortë, trupi i viktimës është dëmtuar rëndë.

Ata shprehen të revoltuar pasi, sipas tyre, nuk po marrin asnjë përgjigje nga autoritetet, ndërsa trupi i të ndjerit po mbahet për autopsi.

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban Vlorë arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasin H. B., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi më datë 28.10.2025, rreth orës 00:15, në bulevardin “Ismail Qemali”, duke drejtuar automjetin tip “Porsche”, në gjendje të dehur, është përplasur me motomjetin tip “Trinity”, me drejtues një shtetas të mitur, 17 vjeç, i cili si pasojë, ka ndërruar jetë”, njofton policia.

Gjyshi i 17-vjeçarit që u aksidentua për vdekje pas mesnatës të së hënës ka deklaruar se nipi i tij po kthehej nga puna. Ai u shpreh se makina që e aksidentoi po ecte me 200 km/orë. Gjyshi i të ndjerit tregoi se prej 8 orësh janë në morgun e Vlorës, teksa shton se as mjeku ligjor dhe as prokurori nuk kanë vijuar me procedurat e tyre.

“Më është aksidentuar djali i vajzës, jam gjyshi. Mbrëmë në 12 të natës është aksidentuar. Kemi ardhur në morgun e Vlorës, prej 8 orësh. Nuk vjen mjeku ligjor të bëjë punën. Shteti po na kthen shpinën. Nuk vjen as prokuroi dhe as mjeku ligjor. 30 policë këtu dhe nuk merr njeri masa. Një makinë na ka vrarë djalin, në bulevardin kryesor, ka ikur me 200 km/orë. Asnjë patrullë policie nuk i ka dalë përpara. Nuk më japin djalin ta shoh, nipi nuk është kriminel”, u shpreh gjyshi i 17-vjeçarit.

Advertisement