Politike
Aleanca me Shqipërinë/ Kroacia i përgjigjet Serbisë: Askush nuk na dikton më çfarë të bëjmë
Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, ka reaguar në rrjetet sociale pas takimit bilateral me homologun shqiptar, Ermal Nufi, duke theksuar se askush nuk mund t’i diktojë më Kroacisë se si të zhvillojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë.
Në një postim në Facebook, Anušić bëri të ditur se vizita e ministrit shqiptar të Mbrojtjes ishte e para vizitë zyrtare jashtë vendit që prej marrjes së detyrës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të miqësisë së fortë dhe aleancës mes Kroacisë dhe Shqipërisë.
Ai nënvizoi se të dy vendet, si aleatë në NATO dhe shtete mike, ndajnë interes të përbashkët për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Juglindore, ndërsa shtoi se synojnë të thellojnë bashkëpunimin edhe në industrinë e mbrojtjes.
Anušić deklaroi gjithashtu se gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin në kuadër të Deklaratës Trilaterale për Mbrojtjen dhe Sigurinë, duke theksuar se kjo nismë “nuk përfaqëson ndonjë aleancë ushtarake”, por synon forcimin e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe thellimin e marrëdhënieve miqësore mes vendeve pjesëmarrëse.
Duke komentuar reagimet e Serbisë ndaj kësaj nisme, ministri kroat u shpreh prerazi se “ka kaluar prej kohësh koha kur dikush i tregonte Kroacisë çfarë të bëjë dhe si të drejtojë politikat e saj”, duke shtuar se një periudhë e tillë “nuk do të rikthehet më kurrë”.