Connect with us

Shkrime

Berisha halleshumë, ‘aksidenti’ Bardhi dhe Meta si lider i koalicionit

Nga Jakin Marena

Emërimi i Gazment Bardhit dhe Agron Gjekmarkajt si nënkryetarë të Foltores nga ana e Sali Berishës po tentohet të ‘shitet’ si një ngjarje e madhe për tërë opozitën dhe si një veprim i ‘epërm’ drejt bashkimit të të gjitha copave të PD në një të vetme.

Për më tepër dhe ‘sistemimi’ i ndjekësve të Bardhit në kryesinë e “Foltores’ apo poste të tjera të këtij grupimi politik, po tentohet të paraqitet si një ‘rikthim në shtëpi’ i të gjithë atyre që dolën kundër Berishës dy vite më parë, madje e mbrojtën PD zyrtare dhe Lulzim Bashën dhe me shkop në dorë si në rastin e Ervin Salianjit.

Po të ishte kështu në realiteti, dhe ata që nuk i japin votën opozitës do ta shihnin një shenjë të mirë, pasi dhe fitorja përballë një kundërshtari më të fortë shijon më shumë, ka më shumë vlerë dhe për pasojë me një opozitë të bashkuar e serioze, dhe qeverisja do të ishte akoma më e mirë.

Për fatin e keq, rezultati që parashikohet në të ardhmen, pas këtij ‘bashkimi’ pritet të jetë një katastrofë e vërtetë, dhe jemi të bindur se nuk do të shtojë asnjë kokërr vote për këtë grupim politik apo për opozitën në përgjithësi. Përkundrazi, do të shënojë një rënie të frikshme. Këtë po parashikojnë dhe sondazhet serioze të zhvilluara deri më tani.

Pse e themi këtë, dhe pse besimi ynë në këtë lëvizje më të fundit të bërë nga ana e Berishës dhe lidershipit të Foltores është një investim jorentabël?

Po i marrim me radhë. Në krye të herës emërimi i Bardhit dhe Gjekmarkajt si nënkryetarë të Foltores, apo Salianjit dhe të tjerëve në kryesinë e këtij grupimi politik, është kundër të gjitha ligjesive partiake të një partie politike.

E themi këtë sepse në një parti politike ngjitjet apo zbritjet në karrierë, organizimi i strukturave apo forumet drejtuese, bëhen me zgjedhje dhe nuk emërohen. Element bazë për funksionimin e një partie politike është vota. Pikërisht ajo që për të cilën publikisht dy vite me radhë Berisha ka lëvizur lart e poshtë për të mposhtur rivalin politik brenda PD, Lulzim Basha. Që nga aplikimi i ‘primareve’ për të zgjedhur kandidatin për kryetar bashkie e deri tek forumet dhe strukturat drejtuese. Por paska qënë tërësisht një lëvizje ‘kallp’, pavarësisht se të gjithë e dinin se Berisha nuk zhgënjen kurrë në sjelljen e tij, për të bërë si do vetë me partinë apo çfarë i bie në dorë.

Berisha zyrtarisht dhe publikisht pranoi se nuk e njeh fare mekanizmin e votës. Jo vetëm që ata që janë votuar, janë votuar me orientim nga lart dhe atë që ka dashur Berisha për 33 vite me radhë, por tani tregoi se është mërzitur dhe me atë gjasme mekanizëm vote dhe i ka rënë shkurt duke kaluar direkt në emërime. Dhe jo një apo dy kooptime në kryesinë e grupimit politik që drejton, por emërimin e dy nënkryetarëve të Foltores dhe tërë grupit te Bardhit, sipas listës në krye dhe struktura të tjera. Përjashtuar Jorida Tabakun, që refuzoi Berishën në këto emërime.

Nuk di si do të justifikohet para elektoratit që e ka mbështetur, ka mbështetur vetëm Berishën për hir të së vërtetës, në lidhje me ‘vdekjen’ e mekanizmit të votës në grupimin e tij. Nuk e di se si do ta akuzojë kundërshtarin e tij politik brenda opozitës, Lulzim Basha, tashmë që Berisha e ka shkelur me këmbë dhe vetë zyrtarisht votimin tek ata që drejton.

Mbetet sërish mister se si do përballet me kreun e mazhorancës Edi Rama, të cilin e ka akuzuar se ka zhdukur mekanizmin e votës në PS. Madje Berisha ka deklaruar se do të bëjë ankimim për këtë, për të sjellë në ‘shina’ sipas tij, partinë më të madhe që qeveris e vetme në mandatin e tretë. Pasi dhe njeriu më apolitik apo i pashkollë do i përmendë Bardhin dhe të tijtë në këtë rast.

Jo se e ka problem Berisha të ndryshojë tre herë në ditë qëndrimet e tij, pasi Foltorja pronë e tij është, por problemi është se reflektohet poshtë tek anëtarësia e grupimit politik që drejton, tek elektorati i djathtë që me kohë e vakt e ka braktisur. Por dhe shfaq lëkundje serioiziteti, më e pakta që mund të themi, përballë publikut.

Nuk mund të të besojë askush pas këtyre ‘piruetave’ politike, ku herë përdor si kauzë rikthimin e mekanizmit të votës e herë e shkelmon atë për ta zëvendësuar me emërimet në parti. Hajde e bindi demokratët apo elektoratin shqiptar që të të besojnë që nesër, në një të nesërme shumë të largët të kuptohemi, nuk do të veprohet dhe me ndërtimin e shtetit në këtë mënyrë.

Në fund të herës, me këtë lëvizje çfarë përfitoi opozita. Thjeshtë Bardhi dhe të tijtë kaluan nga PD zyrtare e Bashës, në një fazë të ndërmjetme ‘as mish dhe as peshk’, për t’u pozicionuar përfundimisht te Foltorja e Berishës. Eshtë një lëvizje brenda një ene të përbashkët dhe pak rëndësi ka se në cilin cep apo qendër të saj mund të lëvizësh. Kapaciteti i ‘enës’ politike të opozitës është i njejtë, është aq i vogël sa mazhorancën socialiste të drejtuar nga Edi Rama nuk e kërcënon në asnjë cep të saj. Lëvizja tek Foltorja përmes Bardhit, është rreth vetes me një fjalë.

Andej nga anët tona këtë lëvizjen e Bardhit dhe të tijve nga Basha tek Berisha e quajnë as më pak e as më shumë por si një lëvizje ‘kunj më kunj’. Pavarësisht se është një lëvizje brenda vetë opozitës, dhe nuk shton as një votë për të. Eshtë një qarkullim i brendshëm që nuk thith asgjë nga jashtë Foltores dhe opozitës.

Por lëvizja ‘kunj më kunj’ ka dhe rreziqe për vetë ata që lëvizin, e kuptojnë mirë shqiptarët se për çfarë e kemi fjalën, ku ngushëllimi i vetëm është se dhe nëse ndodh ‘hataja’, s’ka ‘tradhëti’ të madhe në këtë mes, pasi gjithçka është brenda familjes, familjes opozitare themi.

Ana tjetër e medaljes është se Bardhi në vetëvete është një ‘aksident’ politik brenda PD. Nuk ka as këllqe, as ide dhe as program, vjen ‘copë një’ pa asnjë përkrahje, falë dhe këtyre lëvizjeve sa në njërën anë në tjetrën, çka ka lënë rrugës dhe ata që mund ta kenë ndjekur. E njëjta gjë dhe për mbështetësit e tij, të cilët nuk shtojnë asnjë votë për Foltoren. Megjithëse të gjithë bashkë kanë kapur ekranet televizive duke bërë dhe sherr me panelistët, me ata që u kanë mbajtur anën. Pasi me veprimet e trasha që kanë bërë Bardhi me shokë i kanë lënë pa tekst dhe ata panelistë që i përkrahin, që kanë ngritur për vite të tëra një formulë ligjërimi që u ka dhënë akses publik por dhe ndonjë lek. Se dhe do jetojë robi. Me këto ‘pirueta’ që po bën Bardhi dhe tijtë, dhe pas tyre Berisha, ua kanë hequr bukën e gojës mbështetësve të tyre në media. Pasi kanë prekur fundin dhe nuk kanë çfarë të thonë, nuk gjejnë asnjë element për të mbrojtur këtë pjesë të opozitës, prej gomarllëqeve që vijojnë të bëjnë sapo të zbardhi dita dhe të mbyllet nata.

Sa për justifikimin se për Bardhin dhe të tijtë, duke u emëruar nënkryetarë të Foltores apo në kryesinë e saj, është një ‘rikthim në shtëpi’, ajo që mund të themi është se shqiptarët e dinë çfarë është shtëpia. Dhe kanë koncept tjetër për shtëpinë, pasi e mendojnë me çati ose sëpaku me soletë. Foltorja nuk është ‘shtëpi’ për askënd, parë në anën juridike, është pa leje, në të zezë, është një ngrehinë e përkohëshme, s’ka simbole apo i ka të vjedhura të paktën zyrtarisht nga PD zyrtare.

Në një vend normal, duhej të kishte pasur ndonjë proces gjyqësor për vjedhje simbolesh partiake.
Por me sa duket drejtësia nuk është marrë me Foltoren, pasi gati tërë lidershipi i këtij grupimi politik, të zgjedhur më parë përmes votës së orientuar apo të emëruar tashmë së fundmi, kanë halle të mëdha. Kanë halle me vetë drejtësinë dhe kjo duket qartë, ndaj bëjnë gjithçka për një mandat deputeti, nëse do të kenë fatin të hyjnë si kandidatë në zgjedhjet e 2025 apo nëse vë ‘dorën në zemër’ Ilir Meta dhe i fut nën siglën e Partisë së Lirisë. Pra u siguron siguron ‘çati’.

Por tek puna e ‘çatisë’ ka dhe një çikë llogari. Kemi parë tërë këto ditë që Meta i ka mëshuar fort protestës së tij të ‘2 marsit’, kur ishte President, dhe me sa duket po përgatit terrenin për pazarin e ardhshëm. E themi këtë sepse këmbëngulja në madhështinë e protestës së 2 marsit nga Meta është një parantezë për kushtin që mund t’i vendosë në të ardhmen Berishës, që nëse do që të garojë kandidatët e tij, sipas darkordësisë, atëherë ndarja e vendeve në listën prioritare të çdo qarku do të jetë 50 me 50 përqind. Dhe mbi të gjitha pretendon se kreu i koalicionit, çfarëdo emri t’i vendoset, do të jetë ai, kreu i protestës së 2 marsit, vetë Ilir Meta. Pra futjen nën siglën e PL në këmbim të marrjes së gjysmës së deputetëve dhe lidershipit të koalicionit mes Foltores dhe Partisë së Lirisë, shtuar dhe partitë e tjera që do të hyjnë në zgjedhje me këtë koalicion.

Eshtë një llogari e pastër, e ftohtë e Metës kjo me sa duket, i cili shquhet për kalkulime politike, me përfitime për vete dhe partinë që drejton. Aq më tepër që ka përballë një Berishë halleshumë, nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv për “Partizanin’ dhe disa dosje të tjera të rënda që janë hapur apo janë duke u hapur. Ka një Berishë zyrtarisht ‘non grata’ dhe pa asnjë shans për të marrë mbështetje ndërkombëtare që të pretendojë për të ardhur në pushtet. Por dhe këta të emëruar nuk janë pa gjë, janë shumëpërdorimësh për shkak të halleve të shumta që kanë, që nga Bardhi që rrezikon nga rihapja e hetimit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan, dy ditë para zgjedhjeve dhe nuk dihet çfarë drejtimi merr, e deri tek Salianji që është në Apel këto ditë për skandalin e përgjimeve “Babale”, ku një shkallë më poshtë gjykata e ka dënuar me 1 vit burg.

Për këtë arsye themi se lëvizja e Berishës ka qënë aq shumë e dëshpëruar, deri në atë shkallë sa të detyrohet që të emërojë Bardhin e të tijtë si nënkryetarë të Foltores dhe anëtarë kryesie, dhe që nesër të jetë i detyruar të pranojë ‘sanksionet’ e Metës, për të marrë drejtimin e koalicionit dhe gjysmën e deputetëve që do dalin nga zgjedhjet e vitit 2025, në këmbim të mbetjes në skenën politike, dhe ashtu në të ‘zezë’ të Foltores. Përmes regjistrimit në zgjedhje nën ‘çatinë’ e PL.

Berishës i volit vetëm një grupim që ta ketë njëfarë mbrojtjeje përballë drejtësisë, ta përdorë për të bërë mitingje nga maja e ballkonit të shtëpisë ku është izoluar nën arrest shtëpiak. Nuk i intereson kush bëhet dyshi apo treshi tek Foltorja, vendin e liderit s’ia heq njeri. Ta shtyjë sa ta shtyjë, derisa të mbyllë ndonjë punë me drejtësinë. Sipas mendjes së tij kuptohet. Ndërs për të pretenduar ardhjen në pushtet, tashmë dhe ai ka nisur as të mos ëndërrojë, jo më të ketë besim.

Ndërkohë që PS dhe lideri i saj Edi Rama kanë nisur riorganizimin e partisë, anëtarësime te reja dhe përgatitjen e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025, tek Foltorja po merren me mbrojtjen e Berishës nën arrest shtëpia, me zhurmimin në Parlament që s’kanë sjellë asgjë për opozitën, vetëm sa kanë shkurtuar kohën për mazhorancën në miratimin e ligjeve. Madje Rama në takimet e tij për rigjenerizimin e PS por kërkon thellimin e fitores më 2025 përtej rezultatit të 2021, për një mazhorancë të qëndrueshme, në mbështetje të reformave për procesin e anëtarësimit në BE. Dhe këto reforma kërkojnë 84 vota, shumicë të cilësuar me një fjalë. Por dhe për të arritur dhe objektivin që ka vënë, për vizionin “Shqipëria 2030”.

Pra nuk bëhet fjalë për përgatitje të opozitës për zgjedhje, nuk vjen ‘era’ zgjedhje tek grupimi më i madh i opozitës, Foltorja, anipse na ndajnë vetëm një vit nga zhvillimi i tyre. Ndërkohë që vetë Berisha, e më pas dhe të tijtë që dalin në media, ua presin dhe ato pak krahë që u kanë mbetur demokratëve të këtij grupimi politik, me deklarata të tipit “Rama nuk mundet me vota”, “Rama nuk bën zgjedhje”, “Ta rrëzojmë këtë regjim”, “Qeveri teknike mundësisht me kryenministër nga ne” dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Se si do t’i realizojë këto Berisha, kur as ai dhe as ata që e mbështesin nuk kanë takat për këtë punë, vetëm një zot e di. Thjeshtë i thonë. Por për hir të së vërtetës janë qëndrime kapitulluese, dhe në funksion të alibisë për humbjen më 2025.

Në fund të herës, nëse Berisha, Bardhi dhe të tijtë po përpiqen që të përballojnë hallet që kanë me drejtësinë apo të përfitojnë një copë mandati deputeti, qoftë dhe nën hyqmin e Ilir Metës që do t’ua ‘masë kokën me pe’, ata që janë pa shpresë janë demokratët. Të cilët ose do të zgjedhin të shkojnë tek Basha, ose do të bojkotojnë pjesëmarrjen në zgjedhje, ose ata më të thekurit do të qëndrojnë me Berishën, duke e dhënë votën për të nën siglën e PL. E vërteta është se demokratët e Foltores janë si ata nizamët që presin thirrjen për luftë dhe dy ditë para se të nisen, u thonë të jenë gati të shkojnë pa armë dhe pa asgjë në luftë. Pa as një motiv me një fjalë. Dhe ky është një rrënim për Foltoren por dhe vetë opozitën.

Shkrime

Amnistia që vulosi pazarin

Nga Desada Metaj

Rikthimit në normalitet i punimeve të kuvendit të Shqipërisë i parapriu një marrveshje që PS dhe Rithemelimi u përpoqën ta mbajnë të fshehtë dhe ta bëjnë të duket një dakordësi mes dy forcave politike. Në fakt, ky do kishte qenë dhe akti më normal mes dy faktorëve politikë që kanë kundërshti por duan më të mirën për vendin dhe qytetarët që përfaqësojnë. Por nuk është ky rasti. Sepse qeverisja e 11 viteve ështe në degradim e sipër dhe pjesa opozitare e Sali Berishës ka për qëllim veç ta mbajë këtë të fundit gjallë politikisht. Jo më kot vitet e fundit dozat për “bashkëpunim me regjimin” dhe tradhtarët që Berisha zbulon janë të gjitha në funksion të halleve të Foltores së tij. Kështu ndodhi dhe me rikthimin në parlament të normalitetit,çmimi i të cilit ishte një tjetër copë rrënimi nga morali i opozitës së përfaqësuar nga Sali Berisha.

Le ti marrim me radhë.

Një nga kushtet e marrveshjes ishte krijimi i komisioneve hetimore parlamentare. Dy të tillë u krijuan sa hap e mbyll sytë por pas dy muajsh, i vetmi produkt i tyre kanë qenë lajmet për sherre dhe batuta bajate mes deputetëve. Pa harruar që me vetëdije të plotë, Albana Vokshi si kryetare e komisionit hetimor për koncencionet në shëndetësi hoqi nga objekti i hetimit 2 koncencionet e Spitalit Amerikan. Amnistimi i Klodian Allajbeut u erdhi për mbarë dhe socialistëve e ndërkohë, objekt i këtij komisioni ka degraduar në sherrin banal mes deputetëve. Asnjë fakt, asnjë dokument dhe asnjë dëshmi nuk është publikuar ende pas dy muajsh kur ndërkohë milionat e abuzimit janë të dukshme dhe me sy të lirë. I ngjashëm duket dhe fati i komisionit hetimor për sistemin Tims. Ku objekti dhe serioziteti i hetimit nuk varet nga hetimi i hryje daljeve në Tims por nga hyrje daljet e Salianjit në sallën e Gjykatës së Apelit ku pritet të jepet vendimi për të.

Një tjetër pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores ishte dhe amnistia. Ajo u paketua shpejt e shpejt nga Gaz Bardhi dhe Ulsi Manja që të cilët nxituan të deklaronin se nga amnistia do të përjashtoheshin zyrtarët e korruptuar me vendim nga Gjykata e Posaçme. Por vetëm pak ditë më vonë rrjeti i gazetarëve INA në një shkrim të publikuar konfirmoi zyrtarisht nga Spak se janë me dhjetra ish zyrtarë të dënuar për korrupsion që kanë përfituar nga amnistia. Dhe jo më larg se dje i pyetur nga BIRN mbi lirimin e zyrtarëve dhe magjistratëve të korruptuar, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja nuk ktheu përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi, ndërsa kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi nuk komentoi. Ajo që do mbahet mend nga amnistia Bardhi- Manja do jetë lirimi i një banditi dhe ndalimi i tij të nesërmen me urgjencë si “gabim” mes rreshtave.

E fundit pikë e marrveshjes mes PS dhe Foltores dhe që ktheu normalitetin në kuvend ishte ajo për komisionin e reformës zgjedhore. Por për këtë as ja vlen të zgjatesh sepse 1 vit para procesit elektoral edhe me naivi e kupton që nuk mund të ndërrohen rregullat e lojës. Për më tepër që Ramës, ky kod dhe këto rregulla i vijnë për shtat sepse i ka bërë siç i duhen. E vetmja arritje e kësaj pike të marrveshjes ishte që Oerd Bylykbashit iu gjet hapësirë për të folur në media meqë protagonizmi i Gaz Bardhit e kishte lënë në hije.

Pra në fund, ajo që duket është se marrveshja e rikthimit në normalitet të parlamentit në të gjithë pikat e saj e ka dëshmuar se ishte thjesht një pazar i lyer me ngjyra revolucioni, boja e të cikit zgjati vetëm pak javë. Ajo tregoi dhe njëherë se morali i munguar i opozitës është forca që e kalon Ramën gjithmonë në avantazh. Sepse problemi nuk qëndron tek marrveshja por tek baza mbi të cilat ajo ndërtohet, pritshmëritë dhe projektimi për të ardhmen. E nëse marrveshjet bëhen për të krijuar një mur të ri mbrojtës për ca të korruptuar të tjerë (ndoshta më të vegjël) apo për lojra meskine të politikës së ditës rezultati do të jetë ky që kemi sot. Shumë zhurmë, pak revolucion dhe aspak opozitë cilësore!

Continue Reading

OPINION

Dëshmitar i sherrit/ Përplasje Veliaj-Baton: Jep dorëheqjen

Nga Andi Bushati

Përplasja e fundit mes Baton Haxhiut dhe Erion Veliajt më ndriçoi në mënyrë të papritur një nga enigmat që më mundonte prej kaq kohësh, atë se pse në bashkinë e Tiranës kanë vjedhur kaq trashë. Unë isha, në një farë mënyre, dëshmitar i “sherrit”. Ose, më mirë të thuash, rastësisht prezent, në vendin ku ai nisi. Gjendeshim në studion e Çim Pekës. Tema e diskutimit ishte thirrja në SPAK e Veliajt dhe skandali i “5D”, drejtorëve të bashkisë që akuzohen se ngritën një kompani private, për të grabitur paratë publike që tenderonin me firmën e tyre.

Ashtu sikurse ndodh rëndom në debatet tona, mbështetësit e qeverisë ishin përballë nesh, kritikëve të saj. Pyetja që u shtrua ishte: Qoftë dhe moralisht, pas skandaleve të zbuluara, a duhet të jepte Veliaj dorëheqjen. Me shumë vështirësi, duke dredhuar disa hërë, kolegu Lorenc Vangjeli, tha më në fund, me gjysëm zëri, se ai duhet të respektonte mandatin e atyre që e kanë votuar majin e shkuar.

Edhe Baton Haxhiu tentoi të mos përgjigjej, provoi të rëshkasë dhe më në fund, si pa shumë dëshirë, gjeti një formë elegante për të mos u bërë njësh me hajdutët: “Në kushte të tilla unë do të jepja dorëheqjen”, guxoi të thotë. As nuk e akuzoi Erionin si vjedhës, as tha e meriton burgun, as pretendoi se ka prova kundër tij. Madje, madje, as i kërkoi që të ikte. Këtë e la thjeshtë në moralin e tij. Dhe ky qe krimi i madh që bëri.

Të nesërmen e emisionit, të njëjtën ditë kur Veliaj duhet të shkonte në SPAK, portretin e Batonit e pashë në një fotomontazh të shpërndarë nga propogandistët e bashkisë, ku bashkë me mua dhe të tjerë, renditeshin armiqtë e Lalit. Kur doli nga Prokuroria e Posaçme, Veliaj e futi edhe Haxhiun në listën e “llumit”, “interesaxhijve”, “maskarenjve”, të cilën e kishte përpiluar vetë. Dhe pse? Pasi siç shpjegoi, kishte parë një natë më parë debatet politike. Pikërisht atë ku Batoni nuk e konsideroi dorëheqjen si një sakrilegj.

Pyetja që më lindi teksa ndiqja këtë dalldi ishte: a i interesonte ish kreut të 99-shave, ky reagim kaq asimetrik, në këtë moment? A i voliste të hapte një konflikt me një gazetar që njihet si mbështetës i forcës së tij politike dhe i kryeministrit Rama? A nuk përçonte kjo mesazhin se ai po braktiset edhe nga krahu i tij? A nuk i rikujtonte kjo njerëzve faktin se, që kur i kanë rënë në burg drejtorët, askush nga ish përkrahësit publikë, nuk përbetohet më me zë të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin, apo zotësinë e Lalit?

Pra, qoftë edhe taktikisht, nëse do të kishte konsultuar një specialist të vërtetë mardhëniesh publike, ai do ti’a kishte shkëshilluar Veliajt konfiktin me Batonin. Jo thjeshtë sepse ky nuk bëri ndonjë herezi, por sepse atij vetë nuk i interesonte. Po ashtu, ai me siguri nuk do ti kishte rekomanduar ndërprerjen e quravitjes qesharake kundër emisioneve politike, ndërkohë që ai kontrollon mbi 90% të audiencës televizive. Mbi të gjitha do ta porosiste që të mos krijonte armiq të rinj, tani që është me një këmbë në varr.

Por, Veliaj ndoqi rrugën e kundërt. Ai prodhoi një zinxhir gafash që iu kthyen në boomerang, fiks ashtu siç bëri kur u përpoq të manipulonte me fletëthirrjen nga SPAK. Tha se do të shkonte vetë, por i botuan dokumentin e kërkesës së prokurorëve. Nxitoi të paraqitej dy orë përpara kohës së paracaktuar, për të mos u kapur nga kamerat e reporterëve, por ato e fiksuan duke pritur i shpërfillur te vendi i dezhurnit të prokurorisë. I trajtoi miqësisht si kolegë ata që do e pyesinin, por të njëjtët nuk e lëshuan për plot tetë orë.

Po çfarë i bën bashkë dy gjëra që duken kaq të largëta: incidentin me Batonin dhe përpjekjen për të manipuluar me fletëthirrjen e SPAK-ut? Ajo është një e vetme: lëhtësia e padurueshme për tu sjellë si një fëmijë i parritur. Përpjekja për të gënjyer duke përdorur marifete të një nxënësi filloreje. Veprime të pakuptimta që kthehen në boomerang.

Kjo është në fakt një karakteristikë e mbarë bandës së bashkisë.

Vetëm kur e sheh se sa të lehtë, naivë, çiliminj janë në komunikimin publik, në mënyrën si prodhojnë konfliktet dhe reken të manipulojnë debatin, e ke më të kollajshme për të kuptuar se me po të njëjtën mënyrë idiote dhe debile kanë tentuar të na vjedhin. E bënë pa u lodhur fare, duke ngritur një firmë të tyre, për ti kaluar direkt paratë e buxhetit të bashkisë.

Këtu qëndron, në të vërtetë, veçantia e Lalit dhe enturazhit të tij, ajo e njerëzve bazikë, me 200 fjalë fjalor, që tregëtojnë gënjeshtra të trasha dhe që grabisin pa qenë në gjendje të fshehin as gjurmët. Ata i vërsulen Batonit, me të njëjtën shpërfillje mendjelehtë si arkës së shtetit. Ata nuk janë në gjendje të kuptojnë se, qoftë dhe për të qenë manipulator apo hajdut, duhet një lloj talenti. Për fatkeqësinë e tyre ata kanë qenë të bindur se e kishin me bollëk atë. Pushteti i madh që i’u ra në krye si dhuratë, çantat e zeza që u dërgonin pronarëve të TV-ve, i yshtën ti besonin projektimit fallco të vetes, në kronikat e gatshme që dërgonin në ekrane. Ata imponuan fabulën e një qyteti më të gjelbëruar duke ngritur kulla, e një Tirane më të pastër duke vjedhur me inceneratorin, e një ajri më të përmirësuar duke zhdukur matjen e tij. Ata i ngjanin atyre grave të dëshpëruara, që pasi janë rindërtuar nga kirurgu plastik, fillojnë e imagjinojnë se ashtu i ka pjellë nëna. Ky vetëbesim i bëri edhe më arrogantë edhe më mendjelehtë, aq sa arritën deri këtu.

Pikërisht në këtë rrugë po vijojnë edhe tani, duke tërhequr përmes sherreve të kota vëmendjen tek vetja dhe duke harruar instiktin e gjithë mëkatarëve, që presin në heshtje të qetësohet fortuna, me shpresën se me kalimin e saj edhe mund të harrohen. Jo. Veliaj dhe banda e tij vazhdojnë naivisht të shpikin armiq, duke mbetur në qendër të vëmendjes dhe duke ia hequr edhe një SPAK-u që reket ti amnistojë, mundësinë për të mos u marrë me ta.

I tillë qe dhe sherri në fillimin e të cilit qëllova prezent dhe unë. Lali krijoi një përplasje pa shkak dhe të panevojshme, pa u merakosur që kështu mund të forconte, më kot, perceptimin se po sulmohet edhe nga krahu i Ramës. As këtë herë ai nuk e humbi rastin për t’u treguar halldup në komunikim, njësoj si në grabitje.

/Lapsi

Continue Reading

Shkrime

SHBA kërkon kokën e Vulin, familja mafioze ngre qeverinë

Mbledhja e fundit e Qeverisë së Serbisë solli një rikthim të madh. Aleksandër Vulin non grata merr postin e zv/kryeministrit.

Pavarësisht sanksioneve të SHBA-së për përfshirje të dyshuar në krim transnacional, operacione të paligjshme të narkotikëve, korrupsion dhe zgjerim të ndikimit rus në Ballkan, ish kreu i shërbimit sekret kësaj radhe nuk ka marrë ndonjë departament, por postin e zëvendëspresidentit dhe sipas informacioneve jozyrtare, ai do të ketë përgjegjësi që lidhen me industrinë e përkushtuar.

Vulin, një mik i mirë i presidentit Aleksandër Vuçiç, ishte jashtë detyrës vetëm për gjashtë muaj. Ai dha dorëheqjen si drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit më 3 nëntor 2023.

Në deklaratën që ai dha për këtë atë rast, falënderoi presidentin serb për “mundësinë për të mbrojtur serbët dhe Serbinë” dhe ka kërkuar që Vuçiç të mbetet “president i të gjithë serbëve”.

“Presidenti ynë dhe Serbia po përballen me kërcënime dhe shantazhe që mund të krahasohen vetëm me ultimatumin austro-hungarez të vitit 1914. Na kërkohet të njohim Kosovën, të largohemi nga Republika Srpska dhe të mos jemi vend dhe komb sovran duke vendosur sanksione ndaj Federatës Ruse. Nëse do të pranonin ta bënin këtë, kërkesa e radhës do të ishte dëbimi i investimeve kineze, varësia e pakushtëzuar teknologjike dhe ekonomike nga perëndimi, si dhe vazhdimi i shpërbërjes politike dhe territoriale të Serbisë dhe pranimi i vlerave perëndimore në të cilat nuk ka vend për familjen dhe kombin tradicional dhe në fund të fundit për drejtësinë sociale” – pati deklaruar atë kohë Vulin i cili gjithashtu nuk harroi të akuzonte SHBA-në dhe BE-në se “kërkonin kokën e tij” si parakusht për të mos vendosur sanksione ndaj Serbisë.

“Për të mos u shqetësuar për Republikën Srpska dhe mbijetesën e saj dhe për të mos besuar në pashmangshmërinë e bashkimit të serbëve dhe krijimin e botës serbe, unë refuzoj të heq dorë nga politika e neutralitetit ushtarak dhe vëllazërisë me Rusinë dhe Kinën.

Kjo është një fitore e vogël për SHBA-në dhe BE-në, por edhe një fitore e madhe për mua sepse dëshmova se për Serbinë dhe popullin serb ia vlen çdo sakrificë”- kishte theksuar Vulin.

Ambasada amerikane njoftoi menjëherë atë kohë se nuk kishin asnjë rol në vendimet e personelit të autoriteteve serbe”.

“Pozicioni ynë për zotin Vulin është i njohur. Ai mbetet nën sanksionet e SHBA. Mezi presim të vazhdojmë të thellojmë partneritetin tonë me Serbinë në rrugën drejt integrimit të saj të plotë në Evropë dhe komunitetin euroatlantik” – thuhej në reagim.

Gjatë kohës që Vulin ishte në krye të BIA-s serbe, mbahen mend për shumë skandale por “Ndoshta dështimi i tij më i madh dhe në të njëjtën kohë arsyeja e vërtetë e dorëheqjes së tij ishte pikërisht moszbulimi i planeve të grupit të Radoiçiçit që mori pjesë në incidentin e armatosur në Banjska më 24 shtator”- thuhet në një deklaratë të Forumit, për sigurinë dhe demokracinë…………………..

Kur bëhet fjalë për postin e tij në departamentin e policisë, skandali më i madh u shkaktua nga përgjimi i opozitës ruse që u takuan në atë kohë në Beograd, një aferë që përfundoi me arrestimin e tyre.

Njëri prej tyre, Vladimir Kara-Murza, ka folur për këtë në një intervistë për të përditshmen “Nova” dhe ka treguar në detaje se si është ndjekur nga pjesëtarët e policisë serbe.

“Një javë pas takimit tonë, Vulin udhëtoi për në Moskë dhe personalisht çoi atje transkriptet e bisedave tona të përgjuara” – ka treguarMurza.

Rastësisht apo jo, pas dorëheqjes nga BIA, Vulin-it iu dha Urdhri i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB) i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin. Ai me atë rast tha se urdhri i është dhënë për meritat e tij në bashkëpunimin ndërmjet shërbimeve ruse dhe serbe.

Më vonë presidenti i Republikës Srpska Milorad Dodik e emëroi atë anëtar të Senatit të Republikës Srpska. Dhe tani,  si përkrahës i teorisë së “botës serbe” ai është blrë pjesë e qeverisë së re serbe.

 

Continue Reading

Shkrime

Edhe njëherë: Erion Veliaj duhet të dorëhiqet menjëherë!

Nga Baton Haxhiu

Para pak orësh Erion Veliaj bëri një paraqitje të ethshme televizive duke i sulmuar egërsisht analistët televizivë me theks të veçantë.

I pushtuar nga frika e një procesi gjyqësor dhe ndjenja e pakëndshme e nxënies me presh në dorë në një mal aferash korrupsioni, Veliaj nuk hezitoi të kursejë cilësime fyese si ‘llum’, ‘maskarenj’, ‘interesaxhinj’ e ‘njerëz të poshtër’ ndaj analistëve televizivë, të cilët i kërkuan llogaridhënie politike për shpërthimin e skandaleve të korrupsionit në Bashkinë e Tiranës.

Kur presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt mbajti fjalimin e tij të famshëm mbi Katër Liritë më 6 janar 1941, ai vuri lirinë e shprehjes së pari.

Kryebashkiaku i Tiranës citon dukshëm presidentin amerikan pa e lexuar kurrë atë.

Pasi doli nga marrja në pyetje prej prokurorëve të SPAK-ut, për një ditë të tërë, kryebashkiaku i kryeqytetit ishte dukshëm në një gjendje konfuzioni.

Fillimisht i cilësoi disa herë prokurorët si “kolegët e tij”, më pas shpjegoi se ka bashkëpunuar me hetimin e inceneratorëve, duke iu referuar natyrshëm vetëm dokumenteve të qeverisë, sepse (deklaroi sërish) për punën e bashkisë, gjithçka është në rregull.

Por ajo që erdhi më pas ishte e pabesueshme.

Veliaj citoi Roosevelt-in duke thënë “Dua të gjykohem nga armiqtë e mi” dhe më pas sulmoi me dhunë të paparë një sërë gazetarësh dhe pronarësh mediash.

Jo vetëm që i ka fyer në grup, por i ka cituar një nga një, duke thënë se secili prej tyre ka bërë kërkesa në Bashki, duke paralajmëruar se të gjitha këto kërkesa do të refuzohen.

Në fakt, vizita e tij në SPAK dhe përfolja e shtuar publike e rasteve të korrupsionit brenda bashkisë është vetëm maja e ‘iceberg’-ut e një sistemi të frikshëm të vjedhjes sistematike, shkëmbimit të shërbimeve për interesave të ngushta dhe dhënies së favoreve ekonomike në këmbim të mbështetjes ekonomike të udhëhequr nga Erion Veliaj.

Nëse ‘Lali’ në majë të skemave kriminale mendon se unë duhet ta kursej nga kërkesa e dorëheqjes edhe në kushte kur tërë të emëruarit e tij janë përfshirë në hetim mëse të merituar kriminal, atëherë ai nuk është thjesht gabim, sepse shembulli i punës sime për tridhjetë vite në gazetari dhe angazhime publike tregon krejtësisht të kundërtën.

Po ashtu, gënjeshtra e tij se unë i paskam kërkuar ‘sondazhe’ me çmime të ‘panevojshme’ nuk shpërfaq thjeshtë brendësinë e një njeriu paskrupuj dhe mashtruesi.

Fundja, unë me Erion Veliajn kam bërë vetëm biseda shumë sipërfaqësore në gjithsej dy apo tre takime për tërë jetën time, sepse mungesa e personalitetit moral dhe cektësia e tij politike kanë shkaktuar brenda meje vazhdimisht një dëshirë të papërmbajtshme për të qëndruar sa më larg tij.

Sidoqoftë, shpikja e tij se kritika ime buron nga mospërmbushja e disa kërkesave për ‘sondazhe’ me ‘çmime të panevojshme’ shpërfaq nënvetëdijen e korruptuar të të parit të kryeqytetit të Shqipërisë.

Një fabulë e tillë buron nga një mendje, e cila edhe në nivelet më të skajme të gënjeshtrës, nuk mund të përfytyroj se kërkesa për dorëheqje vjen nga motivi i thjeshtë për llogaridhënie demokratike, mundësim të një hetimi pa presione institucionale dhe përgjegjësia politike nën kushte të një skandali të jashtëzakonshëm publik.

Këto nocione janë krejtësisht të huaja për një padinjitet si Veliaj sepse i tërë botëkuptimi i tij politik është transaksional: blerje dhe shitje e mbështetjes politike me shërbime e favore të ndryshme nga bashkia e interesave të tij.

Po ashtu, përfundimi i tij se unë jam një njeri i përzënë nga Kosova tregon më shumë sesa një pasaktësi faktike.

Unë vijoj të punoj pa reshtur në Kosovë e Shqipëri jo vetëm për t’i dhënë shtysë së mëtejme zhvillimit të gazetarisë mes dy vendeve por edhe duke shërbyer si një qytetar i angazhuar.

Në Kosovë, unë jam sulmuar për motive politike nga një parti në diskreditim e sipër si VV-ja e Albin Kurtit, gjuha helmuese e së cilës ka dhënë rezultatin e dhimbshëm për stërkeqjen mes marrëdhënieve ndër-shtetërore mes Kosovës e Shqipërisë, përçarjes së shqiptarëve në Preshevë, Maqedoni të Veriut dhe zvogëlimit të mbështetjes për një numër kërkesash kombëtare për shqiptarët në Mal të Zi.

Sido që të jetë, sot duket krejtësisht e qartë se sulmet e tyre të vrazhda në masë të madhe kanë qenë të motivuara për fshehje të përfshirjes së vetë atyre në skema mafioze.

Derisa dikur ata drejtonin gishtin kah meje si një prej udhëheqëseve të mafies energjetike të GEN-it, sot janë pikërisht eksponentët e VV-së të cilët po hetohen për shpërdorim të milionave me po të njëjtën kompani.

Me këtë logjikë, Veliaj është përzënë nga Kosova jo vetëm në dhjetëra fletërrufe politike që ka shkruar dora e shthurur e propagandistëve të partisë, por edhe në rastin kur Kryeministri i Kosovës i mbylli derën e zyrës së tij në mes të Prishtinës.

Vetë Veliaj dënonte gjuhën e përbaltjes të të njëjtit subjekt duke vepruar sipas praktikës politike të ‘djalit të Fahriut’ apo ‘suflerit të Orjolës’ në Tiranë.

Pse Veliaj përdor saktësisht të njëjtën logjikë ndaj meje?

Më kryesorja është se Veliaj është politikisht i zbrazët, njeri pa mendim personal dhe identitet politik.

Sjellja e tij nuk ndikohet prej asnjë pikëpamje ideologjike por krejtësisht prej nevojave për mbijetesë në rrethana të ndryshme politike.

Ai mund ta dënojë sot gjuhën e përbaltjes dhe nesër ta kultivojë atë, ai sot mund ta mbështesë politikën e përafrimit Kosovë-Shqipëri dhe t’i fryjë erës së përçarjes mes dy vendeve, ai mund të jetë sot në favor të politikave rajonale të Shqipërisë dhe nesër kundër tyre, varësisht nga efekti i mundshëm elektoral dhe interesi i tij financiar.

Në mungesë të një identiteti vetanak politik, Veliaj vë në përdorim një ligjëratë krejtësisht jokoherente politike të mbushur me plot kundërthënie dhe standarde të dyfishta. E rëndësishme mbetet gjithsesi se kjo valë akuzash e ofendimesh të shfrenuara është edhe një instrument politik në duart e një njeriu në situatë të dëshpëruar.

Ai përpiqet që ta pakësoj vlerën e kërkesës së drejtë për dorëheqje duke zvogëluar besueshmërinë personale të personave prapa kësaj dorëheqje.

Kjo megjithatë mbetet asgjë më shumë sesa një teknikë e dobët propagandimi e një njeriu të dyzuar mes show-it të shndritshëm të Instagramit dhe botës së errët të krimit të organizuar.

Mirë, Erion, e zëmë për një çast se të gjithë ne jemi edhe të poshtër, edhe maskarenj dhe asgjë hiç më shumë se një llum.

A e ndryshon kjo faktin se një kryetari të cilit i bien të gjithë drejtorët me rëndësi në një proces gjyqësor për skema kriminale, një figure politike e cili po ashtu është nën hetim nga SPAK dhe njeriu kryesor në krye të aferës së djegësëve duhet të japë dorëheqje në një shoqëri të mirëfilltë demokratike? Aspak.

Në fakt, dorëheqja është më e pakta sepse në një rrethanë normale do ishe prej kohësh i mbyllur në një hapësirë të ngushtë pas grilash.

Prandaj, në vend të luftërave shterpë për tërheqje të vëmendjeve të audiencave të militantëve patronazhistë, është më e udhës që diskutimi për këtë çështje të ndodhë brenda një kornize demokratike, sado e vështirë të jetë një ndërmarrje e tillë për ty.

E vështirë është, natyrisht, edhe të përplasesh pas shembullit të Saimir Tahirit, nga një artist i politikës së rrjeteve sociale me ëndrra të pambështetura për tu bërë një yll i politikës kombëtare, në një emblemë të stërkeqjes morale me shumë pak kontribute përmbajtjesore në sferën publike.

Asnjëherë s’e ke fituar asnjë garë politike.

Edhe diçka për fund.

Për mua që shkruaj ndër të tjera u qortova se kisha ardhur në Shqipëri, sepse isha dëbuar nga Kosova.

Në të njëjtën kohë, stafi i tij nga Bashkia ka shpërndarë një postim me fytyrat e gazetarëve të cituar: një listë e vërtetë eliminimi.

Unë që shkruaj nuk më pëlqen të flasë për veten time, por kryetari duhet ta dijë se ne shqiptarët e Kosovës i kemi rezistuar shumë persekutimeve dhe diskriminimeve të tjera, kemi jetuar një luftë.

Dhe ju gjithashtu mbani mend që ne e fituam atë.

Tani pyesim veten nëse një njeri që tregon një respekt kaq të ulët për mediat e vendit të tij dhe që shkon aq larg sa i kërcënon publikisht ato, duhet të lejohet të qeverisë kryeqytetin e një vendi që dëshiron të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.

Përsa i përket bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Kur Tommaso Buscetta u pendua dhe filloi t’i tregonte gjykatësit Falcone për organizimin e Cosa Nostra-s, ai pushoi së qeni mafioz.

Continue Reading

Shkrime

Vuçiç gjunjëzohet, përkulet dhe puth duar

Interesante, por edhe disi të pabesueshme, nëse i krahasojmë kur shfaqet brenda dhe jashtë vendit, paraqitjet e presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Në adresimet e tij për opinionin vendor, nga Presidenca apo përmes disa mediave pro-qeveritare, Vuçiç sulmon të huajt, thotë se Serbia “nuk është një grusht tërshërë” dhe se askush sipas tij, nuk mund të vendosë për politikën që ajo ndjek. Pastaj çdo udhëtim I tij jashtë vendit dhe deklaratat që ai përcjell janë dukshëm tjetër gjë. Ai falënderon të huajt për mbështetjen, betohet për miqësi si me Perëndimin ashtu edhe me Lindjen dhe në vend që t’u japë përgjigje të forta të huajve, siç bën kur flet për opinionin serb Brenda vendit, ai merr goditje grushti mbi tryezë, si në rastin e Këshillit të Sigurimit, pasi doli lakuriq se po gënjente.

Ditët e fundit, presidenti i shtetit serb, ndoshet më shpesh në Nju Jork se sa në Beograd, ku po merr pjesë në lobimin ekipor kundër votimit të project rezolutës për Srebrenicën, teksa mediat proqeveritare po publikojnë suksese të mëdha dhe fitore diplomatike që presidenti po arrin me ekipin e tij, por realiteti fatkeqësisht nuk është aspak rozë. Asgjë nuk ka ndryshuar për asnjë pikë në raport me qëndrimet e mëparshme të partnerëve ndërkombëtarë në lidhje me rezolutën.

Së pari, kujtojmë se Vuçiç u përpoq të manipulojë  kryesuesen e seancës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së  për Kosovën, Vanessa Fraser, dhe të kërkonte tre minuta shtesë për debatin, të cilën ajo e refuzoi me forcë dhe i tha presidentit se gjithçka ishte dakorduar në agjendën e mëparshme.
Duke përplasur grushtin e saj në tryezë, ajo e bëri Vuçiçin të vetëdijshëm se nuk mund të flasë të pavërteta dhe të mashtrojë ekipin e njerëzve që punojnë në OKB. Vuçiçit iu desh ta pranonte këtë, gjë që me shumë mundësi nuk do të ndodhte kurrë në Serbi, ku ai është i fokusuar vetëm te audienca dhe elektorati i tij.

Shembulli më i mirë për këtë është udhëtimi i fundit i kreut të shtetit në Francë, ku u takua me presidentin Emmanuel Macron. Takimi i tyre u prezantua në media si kulmi i miqësisë  dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Vucic tha se foli me presidentin Emmanuel Macron për tre orë dhe se ata patën një takim shumë të përzemërt.

Vetëm ky shembull vërteton se Vuçiç ka një  retorikë krejt tjetër kur është jashtë vendit dhe tjetër kur kthehet në Beograd dhe paraqet detajet e vizitës së tij.

Nuk ka rëndësi kush është në anën përballë tij, presidenti serb përgjigjet “pa frikë” dhe nuk përkulet, edhe pse ai është para një të fuqishmi.

Për këtë lloj qëndrimi kemi dëgjuar edhe për Vuçiçin në përballje me ish-presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kur e ka pyetur për kinezët gjatë takimeve në Shtëpinë e Bardhë.

Nëse do ta shohim pamjen më të gjerë e me vërtetësi, përtej interpretimeve të Vuçiçit, shohim se “presidenti më i respektuar në historinë e fundit të Serbisë”, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Shtëpinë e Bardhë, duket sikur kishte shkuar atje për t’u marrë në pyetje nga Presidenti i SHBA. Fotoja e dërguar nga Zyra Ovale shkaktoi edhe reagimin tallës të miqve të tij rusë, të cilët e respektojnë Serbinë më shumë se kurrë falë njeriut që është në krye të saj……………..

Po të shkojmë edhe më tej, do ta shohim kreun e shtetit serb, se si gjatë festimit të 100 vjetorit të fitores në Luftën e Parë Botërore, është shtyrë tërësisht në rreshtin e fundit.

“Nuk kishte të bënte as me renditjen alfabetike, nuk e di se si dhe kush e kishte rregulluar në atë mënyrë, dhe nëse do të bëja një skandal atje, ju them se nuk ishte as koha as vendi” –  u tha Vuçiç atë kohë gazetarëve, dhe shtoi se “dyshon atë që ndodhi atje, por nuk mund të flasë publikisht për këtë”.

Dyshimet e atyre që pretendojnë se Vuçiç ka dy fytyra – një për të huajt dhe tjetrën për publikun vendas, ndoshta më së miri i ka përshkruar historiani Milan Protiç

“Ai jashë Serbisë gjunjëzohet, përkulet, puth duar. Kompleksi i tij i inferioritetit është i dukshëm, pavarësisht nëse është Putin, Xi Jinping, Trump, Biden. Sipas atyre që vjellin fjalë, ai është më i vogël se fara e lulëkuqes sepse e di që nuk vlen asgjë”
Dikur, gjatë një prej paraqitjeve të tij të shumta, i ftuar në kanalin e tij të preferuar televiziv ‘Pink’, presidenti u shpjegoi njerëzve se si bisedon me ambasadorët e vendeve të fuqishme, duke thënë se shpesh zemërohet për shkak të përpjekjeve të tyre për të vendosur Serbinë. Kujtoj se në vitin 2021 në Kosovë kishte një situatë krize, kështu që presidenti duhej të takohej me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

Pas takimit, Vuçiç, i cili zakonisht nuk flet për detajet e takimeve me dyer të mbyllura, tha se është përleshur me një ambasador, i cili ka kërkuar shpjegime se përse është vendosur ushtria serbe pranë vendkalimit administrativ.

“Doni të vendosni për mua dhe Serbinë, se ku do të lëvizë ushtria jonë në territorin e Serbisë qendrore? A je normal o njeri?! A je normal vëlla, a je normal?! Mund ta imagjinoni gjendjen emocionale në të cilën isha kur ia thashë këtë ambasadorit të një prej vendeve më të fuqishme në botë” – pati deklaruar plot krenari të shtirur presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

 

 

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING