OPINION
Bushati: Sa i kushton Ramës koka e Belerit
Nga Andi Bushati
Edi Rama gjendet i mbërthyer në morsën e dy të vërtetave, falë vendimit personal për ta burgosur kandidatin e bashkisë Himarë, Fredi Beleri, pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit. Nga njëra anë ai është i ndërgjegjshëm se fiton pikë te ajo pjesë e shqiptarëve që nuk i honeps dot ata që e konsiderojnë Himarën greke. Jo rallë herë e kemi dëgjuar këto kohë shprehjen “mirë ia bënë, ai s‘di të flas as shqip”.
Por ama, nga ana tjetër, kjo fitore prej populisti nacionalist, rrezikon të ketë një çmim shumë të kripur. Kryeministri duket se po e ndjen këtë shqetësim, që po prek fije gjithnë e më lart në Bruksel dhe Uashington. Diplomacia helene, europarlamentarët e saj dhe aktivistët e lobit grek janë vënë në lëvizje për të sensibilizuar institucionet euro atlantike. Duke perceptuar valën e këtij kazani që po zjen dhe që arriti pikën e vlimit me një protestë të deputetëve dhe kryebashkiakëve grekë në Himarë, kryeministri vendosi të justifikohej me një letër të hapur, të shkruar më shumë për tu lexuar në Athinë, sesa në Tiranë. Pasi shprehte konsideratën e tij më të lartë për homologun Misotakis, pasi huazonte shprehjen e Enverit “dy popuj miq”, Edi Rama rreshtonte alibitë e tij.
Si mund të lirohej Beleri kur tre shkallë të drejtësisë shqiptare kanë vendosur se duhet të qëndrojë në burg – pyeste ai. Si mund të ndodhte kjo, kur për blerje votash SPAK ka proceduar edhe shumë të tjerë? Pse duhet të ishte privilegj përkatësia e tij etnike ndërkohë që drejtësia kishte burgosur edhe kryebashkiakë nga partia në pushtet?
Pra, duke pasur si udhërrefyes shprehjen “bindju ligjit”, që e kishte vënë dhe në krye të shhkrimit, kryeministri rekej të lante duart duke thënë se kjo nuk qe një punë e tij, por e drejtësisë.
Në parim, si logjikë formale kjo duket perfekte. Askush nuk duhet të ndërhyje në punët e prokurorisë dhe gjykatave, e aq më pak këtë të drejtë e kanë autoritete të huaja nga vendi fqinjë. Por, në fakt, është ndryshe dhe këtë e dinë, si në Tiranë, po ashtu edhe në Athinë. Burgosja e Fredi Belerit është politike dhe ajo është bërë me urdhër nga lart. Ka shumë fakte që e dëshmojnë këtë. Dosja policore ndaj tij u hap vetëm dy ditë pas mitingut të PS-në Himarë, kur kryeministri e sulmoi me një gjuhë të padenjë edhe për një halabak. Ai qe një makinacion i forcave operacionale, që përdori për të ngritur kurthin, një të infiltruar të policisë. Ai u ndalua në kushtet e flagrancës, ndërkohë që ishte duke dalë nga kafeneja. Megjithëse gjithçka ndodhte ishte në mbikqyrje me kamera dhe nga një mori agjentësh, ata nuk arritën dot ta provojnë me pamje dhënien e parave për blerje votash. Kur të gjithë e dinin se krimet zgjedhore i takojnë SPAK-ut, çështja u çua në prokurorinë e Vlorës dhe vendimin e burgosjes e mori po gjykata e këtij qyteti dhe jo ajo e posatçme.
Pra, nuk duhet shumë për të kuptuar se është fjala për një makinacion të denjë për një regjim autokratik, që i lejon vetes të ndërhyjë brutalisht në një garë zgjedhore. Dhe po ti shtosh këtyre fakteve edhe sfondin e fushatës denigruese që zhvilloi vetë Edi Rama, nëpër studio televizive, kundër kandidatit minoritar, nuk ka më dyshime se dora e kujt fshihet pas gjithë kësaj.
Prandaj, alibitë se ishte meritë e drejtësisë që kapi blerjen e votave nga Beleri, ndërkohë që të njëjtës drejtësi, nuk i ra asgjë në sy për atë që bëri PSD e Tom Doshit, janë qesharake.
Edhe diplomatët edhe politikanët greke që kërkojnë lirimin pa kushte të të burgosurit, i dinë fare mirë këto. Dhe po ti shtosh kësaj të vërtete edhe nacionalizmin fanatik që është një virus i përhapur në diplomacinë greke, ndjeshmërinë që ata kanë ndaj atavizmave etnike të kohëve të shkuara, fanatizmin e pa negociueshëm në mbrojten e hapsirave grekofone, situata rrezikon të bëhte shqetëuese. Një situatë të tillë në Shqipëri e kemi përjetuar në kohën kur Berisha arrestoi, pak a shumë në të njëjtën mënyrë, pesë eksponentë të minoritetit grek. Pasojat qenë aq traumatike sa edhe sot e gjithë ditën janë të shumtë ata që besojnë se rrëzimi i ish presidentit në ‘97, pati në gjenezë lobimin e fortë të Athinës. Natyrisht prej atëhere gjërat kanë ndryshuar. Pesha dhe roli i Athinës është mpakur ndërsa fuqia financiare dhe lobuese e Tiranës është shumë më e ndryshme nga ajo e fillim viteve ‘90. Por ama një gjë mbetet. Autoritetet greke, ashtu sikurse dëshmoi edhe protesta e së hënës në Himarrë, e kanë marrë me inat dosjen Beleri. Fakti se në kryesinë e Komisionit Europian po flitet për pengimin e përparimit të vendit drejt BE, apo se në senatin amerikan janë dëgjuar zëra për shkeljen e shtetit të së drejtës nga autoritetet e Tiranës, janë vetëm shenjat e para.
Në përgjithësi, për arsyet e veta perëndimi e ka toleruar regjimin gjithnjë e më autokratik të Ramës. Por dosja Beleri dhe këmbëngulja ballkanike deri në fiksim e Athinës me të, mund t’i ndryshojnë gjërat. Kjo aferë rezikon të shndërrohet në një lakmues për të testuar ato për të cilat komuniteti ndërkombëtar deri më tani ka heshtur: mëyrën si është kapur dhe politizuar drejtësia dhe farsën e zgjedhjeve, gjoja demokratike në këtë vend.
Për interesa krejtësisht të ngushta të saj, që s’janë domosdoshmërisht në të mirë të shqiptarëve, Greqia mund të provokojë ndërkombëtarisht një debat që zbulon dy këmbët prej argjili ku mbështetet pushteti autokratik i Ramës. Prandaj, ndonëse e ka bërë për vete një pjesë populiste që e mbështet në “plasjen në burg të grekut të poshtër”, Rama po shqetësohet nga këmbëngulja e Athinës. Ai e ndjen se ka më shumë për të humbur sesa për të fituar nga kjo përplasje. Ai e kupton se inati grek mund të shërbejë si pasqyrë për mëkatet e pushtetit të tij. Duke ditur këtë ai u mundua të qetësojë ujrat me botimin e një letre të hapur. Por fatkeqsisht, alibinë qesharake se kjo është një punë e drejtësisë, se beson dot askush./ Lapsi.al
OPINION
Fitorja shqiptare në Maqedoninë e Veriut
Nga Arber Cejku
OPINION
‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani
OPINION
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës
1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.
2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.
3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.
4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.
5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.
6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”
7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.
8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.
9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.
10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.
OPINION
“Veliaj është gati t’i japë SPAK-ut edhe godinën e Bashkisë, veç mos e arrestojnë”
Jurisati Ylli Manjani ka ironizuar deklaratën e djeshme të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj në një prej televizioneve të tij, ku tha se ka bërë shumë për SPAK, duke e ndihmuar me dhënien e godinës së ish-Ujësjelljësit, në mënyrë që “kolegët e BKH-së, të punojnë në kushtet njerëzore”.
Në një reagim në rrjetet sociale, Manjani shkruan me ironi se Veliaj është i gatshëm t’i dhurojë edhe godinën e Bashkisë së Tiranës, SPAK-ut, vetëm që ata të mos e arrestojnë.
“Jo godinën e ujësjellësit por edhe godinën e bashkisë i jep SPAK-ut në këto momente AliBabVeliaj.
Mor po del në zyrë me qera në Vorë po qe nevoja, veç mos e arrestojnë…”, shkruan Manjani.
OPINION
Kush po e drejton botën?
Ditmir Bushati bisedoi në podcastin e tij Public Square me Ian Bremmer, një shkencëtar politik mjaft i spikatur, jo vetëm në SHBA, por edhe jashtë saj. Bremmer është president themelues i kompanisë “Eurasia group”, një kompani konsulence, e cila merret me analizimin e risqeve në mbarë botën. Ian, në të njëjtën kohë, është edhe themelues e drejtues i medias digjitale “GZERO”
Bushati dhe Bremmer diskutuan mbi cështje të rëndësishme të cilat janë kryefjalë e opinionit publik ndërkombëtar, duke nisur nga beteja presidenciale Biden-Trump në SHBA, e cila do të jetë përcaktuese për disa konflikte dhe për mjedisin e ri gjeopolitik, por edhe cështje që kanë lidhje me demokracrinë, me sundimin e së drejtës, me ekonominë, me inteligjencën artificiale dhe zhvillimet e vrullshme teknologjike, me rolin e organizatave ndërkombëtare, me rolin e kompanive ndërkombëtare, dhe ndikimin që ato kanë në sjelljen njerëzore, politike, ekonomike, shtetërore dhe jo vetëm.
Biden apo Trump? Cfarë duhet të presim prej tyre?
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi procesin zgjedhor të muajit nëntor në SHBA të cilat kanë rezervuar një ripërballe Biden-Trump. Bashkëbiseduesit bien dakord që këto zgjedhje kanë një ndikim të madh, si në planin e brendshëm ashtu dhe në rrafsh ndërkombëtar. Në planin e brendshëm, kjo garë do të shoqërohet me një mjedis disinformimi dhe disinformimi të perceptuar, ku amerikanët nuk pranojnë shumicën e gjërave që dëgjojnë nga pala tjetër kundërshtare në politikë. Është një betejë shumë e ashpër, ku shumica e amerikanëve gjithnjë e më shumë nuk besojnë te vlerat dhe institucionet që përfaqëson vendi i tyre.
Bushati dhe Bremmer diskutojnë mbi atë cfarë do të ndodhë në Europë dhe më tej dhe në Azi, nëse fitues i këtyre zgjedhjeve rezulton ish-Presidenti i SHBA-ve. Sipas Bremmer, do të ketë shumë më tepër mungesë stabiliteti, paqëndrueshmëri, pasiguri nga shtetet më të fuqishme të botës.
Sipas tij, katër janë frontet kryesore të tensionit gjeopolitik që do të vijnë nga zgjedhja e Trumpi-it, mbi të cilat ai do të vendoste shumë më tepër presion ndaj secilit prej tyre. Në rastin e Lindjes së Mesme, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë në favor të SHBA-ve. Në rastin e Europës dhe Ukrainës, ka më shumë mundësi që rezultatet të jenë kundër SHBA-ve dhe NATO-s. Kina është tërësisht një mister. Gjithçka mund të ndodhë. Kina mund të përfundojë në një luftë shumë më të madhe me SHBA-në, ose me një ekonomi më të dobët. Dhe me një Azi në një mjedis gjeopolitik sfidues, ata mund të tërhiqen në përpjekje për të gjetur një mënyrë për ta pranuar situatën dhe për t’i mbajtur marrëdhëniet të stabilizuara.
NATO këtë vit shënon përvjetorin e 75-të të themelimit dhe Bushati e Bremmer bien dakord që viti i shkuar ka shënuar kulmin e kësaj aleancë në dekada. NATO po dobësohej përpara se Rusia të pushtonte Ukrainën në vitin 2022. Pavarësisht se lufta filloi në vitin 2014, europianët nuk po shpenzonin, dhe sigurisht nuk po angazhoheshin për ta bërë Ukrainën apo Gjeorgjinë pjesë të NATO-s në një të ardhme të afërt. Rusia e shfrytëzoi këtë gjë. Më pas, Rusia bëri atë gjë që nuk duhej ta kishte bërë kurrë. Sun Tzu ka thënë: “Mos e ndërprit kundërshtarin teksa është duke bërë gabime”. NATO po dobësohej, kishte më pak mbështetje, Franca po fliste për autonomi strategjike, Trump po thoshte se ndoshta nuk duhej të angazhohej më në aleancë, dhe më pas Putin pushton Ukrainën, gjë që e bashkoi NATO-n. Kjo bëri që Suedia dhe Finlanda të donin t’i bashkoheshin NATO-s. Kjo situatë bëri që të gjithë të shpenzonin më shumë, bëri që Gjermania të fliste për një Zeitenëende (pikë kthese). Por, vijon Bremmer, dy vite më vonë, Rusia ka më shumë vëmendje ndaj Ukrainës, janë më të duruar dhe të gatshëm të durojnë më gjatë, sesa më shumë – jo të gjithë – por më shumë aleatë të NATO-s. Fatkeqësisht, në vitin 2024 nuk po shikojmë atë pikën kulmore të NATO-s që pamë në vitin 2023.
Komunitet i mbrojtjes së BE-së?
Bremmer beson se Bashkimi Europian ekziston si një komunitet politik, është eksperimenti më i suksesshëm i qeverisjes mbikombëtare në botë, në ditët e sotme, por shpreh rezerva nëse do të jetë po kaq i suksesshëm me ngritjen e komitetit të mbrojtjes. Sipas tij, komuniteti është më i fortë pas reagimit ndaj krizave, si Brexit, pas reagimit ndaj pandemisë, përgjigjen ndaj pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë apo politikave të përbashkëta të energjisë. Por, për sa i përket mbrojtjes, kjo është diçka e vonuar dhe e paktë. “E parë në përgjithësi, ky është një hap i mirëpritur për të përforcuar aftësitë në fushën e mbrojtjes të Europës. Unë jam skeptik se thirrjet për një komision për mbrojtjen do të jenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim të rëndësishëm, edhe pse ato do të bëjnë ndryshime të vogla, kur flasim për të ardhmen e Ukrainës, apo kur flasim për të ardhmen e NATO-s. Nuk mendoj se kjo do të jetë një nga sukseset përkrah sukseseve të tjera që përmenda”.
Siguria e ekonomia globale dhe rendi digjital
Bushati dhe Bremmer ndajnë mendimin se SHBA-të janë fuqia dominuese e sigurisë në nivel global, si i vetmi vend në botë që mund të projektojë pushtetin e tij ushtarak në të gjithë botën. Por rendi ekonomik është një rend me shumë pole, me një sërë polesh që ndryshojnë ndikimin e tyre relativ. SHBA-të, Kina, BE-ja, por edhe India po bëhet më e rëndësishme. Në vitin 2030, ajo do të jetë ekonomia e tretë më e madhe. Japonia, gjithashtu. Një rend me shumë pole, ku askush nuk mund të dominojë, me shumë aleanca që zhvendosen. Por, më pas kemi edhe një rend digjital që po dominohet gjithnjë e më shumë nga kompanitë teknologjike. Dhe teknologjia po lëviz shumë më shpejt sesa qeverisja dhe aftësia për ta drejtuar atë. Ne ende nuk po i mendojmë kompanitë teknologjike si aktorë gjeopolitikë, por ato janë të tilla. Ato po bëhen të tilla gjithnjë e më shumë. Dhe kjo është veçanërisht e vërtetë me revolucionin e inteligjencës artificiale. Rrjedhimisht, kjo është një periudhë veçanërisht entuziaste për gjeopolitikën, por me shumë gjasa një periudhë e rëndësishme për Perëndimin.
Teksa bien dakord që inteligjenca artificiale është një faktor dominues që mund të jetë një forcë pozitive, por mund të ketë edhe pasoja shumë të rënda, Bushati dhe Bremmer shprehen se SHBA-të dhe Kina janë dy fuqi dominuese në botë që kontrollojnë inteligjencën artificiale. Megjithatë nuk është e qartë nëse qeveritë do të kenë një rol të madh në vendimmarrje. Në SHBA kjo është e paqartë. Por, vendimarrja politike mund ta pengojë Kinën që të bëhet një aktor i nivelit botëror për inteligjencën artificiale, pasi Kina është e shqetësuar për atë që mund të bëjë inteligjenca artificiale me qytetarët e saj, duke prishur regjimin autoritar. Dhe nuk është e qartë nëse SHBA-të dhe Kina do të jenë dy fuqitë dominuese në inteligjencën artificiale. Ose nëse do të mendojnë për të më shumë në një mënyrë të fragmentarizuar, me një numër të madh aktorësh që nuk janë shtete, të cilët qeveritë nuk do të mund t’i kontrollojnë. Dhe nëse kjo gjë do të bëhet një realitet, rolet e qeverive në SHBA dhe Kinë do të jenë të kufizuara. Ato nuk do të mund të jenë vendimmarrëse.
-
Pinknews16 hours ago
‘Mori vendimin drastik dhe u hodh me fëmijë’/ Egla Ceno nxjerr bllof produksionin e ‘BBV’
-
Kosova15 hours ago
Amerika “ultimatum” Vuçiçit/ Zyrtarja e lartë: Kujdes me Kosovën
-
Pinknews15 hours ago
‘Është analfabet…’/ Ish-fituesi BBVA: Traumë e madhe e shoqërisë nëse fiton Romeo
-
Kosova19 hours ago
Sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore për FSK-në në Kosovë
-
Kosova20 hours ago
Kjo është shqiptarja që u vra në Athinë nga ish- burri, zbulohet e shkuara dhe konfliktet e vazhdueshme në familje
-
Politike15 hours ago
“Italia ha bukë veç”/ Rama zbulon nëse do të ketë marrëveshje me një shtet tjetër për emigrantët
-
Pinknews16 hours ago
“S’më plas të sjell Donaldin”/ Romeo i kthehet keq Eglës: Shpërlaje pak gojën
-
Kronike21 hours ago
A janë parë persona të tjerë pranë vendit ku Alma Arrazi u vetëflijua me tre fëmijët e saj