Connect with us

Aktualitet

Çmimet në rritje në tregjet e Tiranës/ Qytetarët ankohen për jetesën e papërballueshme

Hyrja në tregjet e kryeqytetit sot shoqërohet akoma më shumë me ankesa për çmimet. Qytetarët shprehen se çdo javë produktet po bëhen më të shtrenjta duke ndikuar drejtpërdrejt tek tryeza e familjeve.

Mes tyre është edhe Luljeta, banore në zonën e Selitës. Teksa blen perime për drekën, ajo tregon se rritja e çmimeve e ka detyruar të ndryshojë edhe ushqimet që konsumon familja.

“Çmimet janë gjithnjë e në rritje. Dje ishte qepa 160 lekë, sot 250 lekë. Shkojmë ku është më lirë, bëjmë kursim gjëra të tjera, vijmë në treg jo në lagje se janë më shtrenjtë”, u shpreh Luljeta.

Qytetarë të tjerë tregojnë se shpenzimet për ushqimet po bëhen çdo ditë e më të papërballueshme, ndërsa pensionet dhe pagat nuk po ecin me të njëjtin ritëm me rritjen e çmimeve.

“Dje me 10 mijë lekë vetëm zarzavate, nuk ka duke leku, është 30 ditë muaji”, u shpreh një qytetar.

“Shtrenjtë janë të gjitha. Bleva domate, tranguj. Çmimi i shtrenjtë. Sivjet janë shumë, ça do përballojmë me pensionin”, tha një tjetër.

E kur biseda shkon tek frutat kanë këtë përgjigje.

“A keni blerë fruta? Jo, pupu rrallë. Banane, mollë por dhe qershitë që dolën kështu, as i mendojmë e t’i shohim me sy.”

Në një situatë të tillë, pensionistët gjejnë si rrugë përsëri punësimin. Për të siguruar të ardhura shtesë Antoneta, mjeke në profesion tashmë pensioniste ka vendosur të qëndrojë ende në tregun e punës.

“Është e vështirë. Vazhdimisht janë në rritje edhe kur shtohen pensionet e pagat, nuk rriten njëlloj sa çmimet”, u shpreh Antoneta.

Rritja e çmimeve po ndikon ndryshe tek qytetarët. Disa detyrohen të konsumojnë më pak, për shkak të kostos së lartë të jetesës. Të tjerë zgjedhin produkte më të lira, edhe pse me cilësi më të ulët. Ndërsa ka edhe pensionistë që vijojnë të punojnë, pavarësisht se kanë dalë në pension, për të përballuar shpenzimet.

Këtë situatë e pasqyron edhe Instituti i Statistikave, sipas të cilit inflacioni për muajin prill ka arritur në 2.8 për qind.(grafik)  Rritja është ndikuar kryesisht nga çmimet e qirave, ujit dhe energjisë elektrike, transportit dhe ushqimeve, një nivel tashmë shumë pranë objektivit prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.(grafik)

Në një kohë kur çmimet vijojnë të rriten, sfida më e madhe për qytetarët mbetet ruajtja e një jetese të përballueshme.

Advertisement