Politike
Dëgjesat publike për Buxhetin 2026, Rama: Pensionet, pagat do të shënojnë një rritje historike
Kryeministri, Edi Rama ka deklaruar ditën e sotme se këtë jave ka qenë në dispozicion të qytetarëve me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit 2026. Gjatë podcast-it të tij “Flasim”, Rama u shpreh se pensionet, pagat dhe investimet publike do të shënojnë një rritje historike.
Ai tha se tashmë Shqipëria është në një nivel tjetër dhe sipas tij ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e njerëzve, të cilët jetojnë me punë në sektorin publik dhe atë privat. Në fund, kryeministri Rama deklaroi se mbështetja dhe mbrojtja sociale për pensionistët po vjen duke u rritur.
“Edhe gjatë kësaj jave, kemi qenë në dispozicion të qytetarëve, me parashtresat në detaje, përmes dëgjesave publike, të buxhetit të vitit që është në prag, një vit, që hyn me këmbë të mbarë për shqiptarët sa i përket të ardhurave në radhë të parë, në paga e pensione, por edhe sa i përket investimeve publike, që do të shënojnë përsëri, të gjitha këto së bashku, një rritje historike.
Tanimë, Shqipëria është në një nivel tjetër. Ky është një fakt që do të bëhet çdo vit dhe më i prekshëm në jetën e përditshme të njerëzve tanë, të atyre që jetojnë me punë, qoftë në sektorin publik, qoftë në atë privat, në jetën e përditshme të pensionistëve, gjyshërve dhe gjysheve tona, në jetën e përditshme të atyre më në nevojë, për të cilët mbështetja, mbrojtja sociale, vjen duke u rritur. Sepse ata që na dhanë besimin e jashtëzakonshëm, me 83 mandate, një mbështetje e paprecedentë, për Shqipërinë 2030, jo vetëm meritojnë çdo vit e më shumë, por do të kenë çdo vit e më shumë, pasi barra e borxhit ndaj tyre është e tillë që do të na bëjë të vazhdojmë të rrisim punën tonë përditë e përditë.” tha Rama.