Rajon
E mitura bullgare tregon tmerrin në Greqi: Më dërguan në shtëpinë e një shqiptareje për prostitucion
Një vajzë e mitur bullgare ka rrëfyer historinë e saj tronditëse përpara autoriteteve greke, duke zbuluar detaje të reja mbi mënyrën se si u bë viktimë e një rrjeti trafikimi seksual që vepronte në Selanik.
Falë dëshmisë së saj, tre anëtarë të grupit kriminal janë arrestuar dhe lënë në burg, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Sipas mediave greke, vajza kishte pasur më parë një lidhje romantike në Bullgari dhe kishte lindur një vajzë, por më pas ishte mashtruar nga një bashkatdhetar 12 vite më i madh, i cili i premtoi punë në Itali. Pasi qëndruan atje për disa kohë, ai e bindi të udhëtonte drejt Greqisë, duke i thënë se do të gjente një punë të mirë.
Por sapo mbërritën në Selanik, burri e la në një apartament nën kujdesin e një gruaje shqiptare rreth 30 vjeçe. E mitura ka treguar se që nga ajo ditë, nisi kalvari i saj i tmerrshëm.
“Natën vonë vinin klientë në shtëpi. Gruaja shqiptare pinte me ta dhe më pas dilte, duke më lënë vetëm me ta. Ajo më urdhëronte të bëja gjithçka që kërkonin,” – ka dëshmuar e mitura.
Vajza ka treguar se çdo ditë ishte e mbyllur dhe e ruajtur, pa mundësi për t’u larguar. Trafikantët planifikonin ta dërgonin në Gjermani për ta shfrytëzuar sërish në prostitucion. Por një natë, e mitura arriti të arratisej duke thyer qepenin e dritares, dhe u paraqit në Stacionin e Policisë, ku kërkoi ndihmë dhe tregoi gjithçka që kishte përjetuar.
Hetimet e policisë greke kanë konfirmuar se në apartament janë gjetur prova që lidhen me veprimtarinë e rrjetit të prostitucionit. Autoritetet dyshojnë se gruaja shqiptare dhe partneri i saj kanë luajtur rol aktiv në mbajtjen dhe shfrytëzimin e vajzës së mitur.
Rasti ka shkaktuar indinjatë të madhe në Greqi, duke nxjerrë në pah rritjen e rasteve të trafikimit të grave dhe vajzave nga Europa Lindore drejt vendeve të BE-së./ Prothotema.gr/