Connect with us

Aktualitet

Eksperti amerikan zbulon pse po mbahet fshehtë drafti i Asociacionit

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka deklaruar se Kosova duhet të pranojë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, pasi ai nuk përmban kompetenca ekzekutive, duke potencuar gjithashtu se Kosova nuk duhet të pres reciprocitet nga ana e Serbisë.

“Nga shqyrtimi im fillestar, drafti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ishte i qartë se ai nuk përfshin pushtete ekzekutive që, sipas fjalëve të Ramush Haradinajt, do të lejonin krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë. Gjatë gjithë kohës kam thënë se kryeministri Kurti duhet ta pranojë Asociacionin ashtu siç është, pa pritur apo kërkuar reciprocitet nga ana e presidentit të Serbisë, Vuçiç” – ka thënë Ben-Meir.

Kryeministri Kurti po përballet me kritika të shumta se përse nuk po e publikon draft statutin për Asociacionin, që iu dha nga Miroslav Lajçak dhe këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe të dërguarit special të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Por, sipas analistit për Ballkanin, bisedat duhet të zhvillohen në fshehtësi.

“Këto biseda zakonisht mbahen në fshehtësi derisa të ketë një kuptim të qartë për përmbajtjen dhe mënyrën se si mund të ekzekutohet. Besoj që Kurti do ta studiojë me kujdes dhe fare mirë mund të arrijë në të njëjtin përfundim me mua” – ka nënvizuar Ben-Meir.

Që Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe do të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës, e ka konfirmuar edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Të njëjtën gjë e ka pohuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas takimit që pati me emisarin e Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak.

Advertisement

TRENDING