Connect with us

Shkrime

Fitorja e pamjaftueshme e Yuri Kim, ndaj Ramës

Nga Andi Bushati

Yuri Kimi arriti një fitore të vogël, ndonëse krejtësisht të pamjaftueshme, për të mos i lënë Edi Ramës mundësinë që të kapte krejtësisht SPAK. Askush nuk mund ta mohojë se me 1 votë më shumë (5 gjithësej), kandidati i preferuar i amerikanëve, Dumani, fitoi kundrejt atij që donte qeveria, ndonëse ky sukses pati një çmim të lartë.

Ambasadorja përveshi llërët dhe shkoi vetë para votimit në sallën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, e shoqëruar nga një tabor imponues shoqëruesish dhe gazetarësh. Truprojet e saj u vendosën që prej mengjesit poshtë kolonave të pallatit të ri të drejtësisë, si për të përçuar, përmes kamerave, mesazhin se gjithçka po monitorohej në mënyrë të rreptë. Këtyre veprimeve simbolike i’u paraprinë disa deklarata publike, nga më të fortat që janë bërë ndonjëherë kundër partisë në pushtet prej diplomatëve amerikanë.

Ambasadorja foli për skenar që synonte manipulimin e votimit, për një përpjekje për të penguar përmes kreut të ri të SPAK-ut, hetimet e çështjeve sensitive, ndërsa sot shkoi edhe më larg, duke përmendur “favoret apo kërcënimet”, që u ishin adresuar atyre që do të votonin. Ajo vendosi ti bënte publike qëndrimet e saj, pasi kërkesat në takime të mbyllura qoftë me ministrin e drejtësisë Manja, qoftë me kryeministrin, për të mos futur duart tek SPAK, ranë fatkeqësisht në vesh të shurdhër.

Tani, kur gara ka përfunduar, ne mund të ngrejmë pikpyetje se cilët janë ata që paskëshin pasur pushtetin dhe fuqinë për ta manipuluar atë, qoftë përmes joshjes, qoftë përmes kërcënimeve?

Përgjigjja nuk është e vështirë të zbulohet. Ajo vërtitet rreth një trekëndëshi, që kontrollon lejet e ndërtimit në Tiranë, që ka ministrinë me buxhetin më të madh të qeverisë, që ka kontrollin politik mbi grupin parlamentar dhe lidhjen me botën e errët. Ata vetë, apo tentakulat e tyre kontaktuan drejtpërdrejt me 11 njerëzit që gëzojnë të drejtën e votës. Këtij trinomi i’u bashkua njëkohësisht ministrja e jashtme, që me deklarimin se Yuri Kim-it po i mbaronte mandati, u çoi mesazh anëtarëve të KLP-së që të mos dëgjonin një diplomate në largim, por ti bindeshin njerëzve të pushtetit që do të qëndronin këtu, qoftë për ti shantazhuar, apo qoftë për ti shpërblyer.

Si rrallë herë në këtë garë, Edi Rama nuk u mjaftua me rolin e atij që hedh gurin e fsheh dorën, por i vuri gjoksin skuadrës që kishte futur në betejë. Ai e mbrojti prononcimin skandaloz, në thyerje të çdo konfidencialiteti diplomatik të ministrisë së jashtme. Ai pranoi të kapërcejë ylberin nga shprehja: “Unë firmos në letër të bardhë çdo gjë që aleatët më kërkojnë për reformën në drejtësi”, tek direktiva se “ambasada, jo e jo”, nuk ka punë me zgjedhjen e shefit të ri të SPAK.

E pra, ky grup i strukturuar që kërkonte ta kishte me ç’do kusht nën hyqëm shefin e ri të Prokurorisë së Posaçme nuk i’a doli dot. Duke dashur të ruajë fytyrën e njollosur të reformës në drejtësi nga përbaltja përfundimtare, Yuri Kim i’u bë pengesë për këtë. Paçka se për një kohë të gjatë ajo e ka pranuar bashkëjetesën me ndikimin e kësaj bande në gjirin e drejtësisë, me sa duket e konsideroi të papranueshëm triumfin përfundimtar të saj, duke nxjerrë jashtë loje edhe vetë amerikanët.

Por, ndonëse ajo arriti të imponojë Dumanin, fitorja e këtij të fundit i ngjan më tepër asaj të Pirros. Sepse sado epike të kenë qenë ato pesë vota, beteja për ti siguruar me çdo kusht, e detyroi Yuri Kimin të nxirrte në pah bandën manipuluese në pushtet, që ka në njërën anë, forcën kriminale për të shantazhuar apo frikësuar dhe në anën tjetër, fuqinë monetare për të joshur apo shpërblyer. Pra, kryesisht përmes leximit të qëndrimit të atyre që votuan si pjestarë të shoqërisë civile, ne mund të kuptojmë se influenca e këtij grupi të strukturuar ka kapur në rastin më të mirë gjysmën e sistemit.

E në këtë pikë; ç’kuptim ka reforma në drejtësi, e cila pretendohet se u bë për të mbajtur politikën larg prokurorëve dhe gjykatësve; sa duhet ti besojmë një KLP-je anëtarët e së cilës qenkëshin të manipulueshëm; sa shpresë mund të na ngjallë një SPAK, në gjirin e të cilit vegjetokan njerëz që mund të pengokërkan hetimet?

Zgjedhja me 5 vota e Altin Dumanit u arrit me koston e lartë të daljes në sipërfaqe të të gjitha këtyre anëve të errëta, për të cilat Yuri Kim nuk do të kishte dashur të fliste asnjëherë. Prandaj ajo i ngjan atyre fitoreve që nuk arrin tu gëzohesh dot, pasi i tregojnë gjithë botës gjendjen e mjerueshme të një ushtrie të telendisur.

Shkrime

Belbëzimi jargavitës i Mesias Aleksandër Vuçiç

Nga Boshko Jakshiç

I pushtuar nga zemërimi se nuk është në gjendje të pengojë hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, presidenti Aleksander Vuçiç njoftoi “ndryshime të thella dhe thelbësore” në politikën e jashtme të Serbisë dhe drejtimi i kthesës lë të kuptohet për një largim të ri nga bota demokratike.
Pse presidenti hyn me kaq zemër në beteja diplomatike që dihet paraprakisht se janë të humbura, siç është edhe rasti me rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme për gjenocidin në Srebrenicë? Që ai të shpenzojë energji, është puna e tij, por përballja me botën që Serbia nominalisht aspiron është një zgjedhje e rrezikshme që kërcënon zhytjen edhe më thellë të Serbisë në izolim dhe kërcim drejt përqafimit me Nënën Rusi.
Unë mendoj se presidenti e di që zemërimi i shprehur publikisht është aleati më i keq në diplomaci, por ai nuk rri dot pa u marrë me armiqtë e këqij që ai si rregull i sheh në Perëndim. Egoja e tij e shfrenuar e shtyu atë të nxitonte drejt kryesueses të seancës së Këshillit të Sigurimit kushtuar diskutimit të punës gjashtëmujore të UNMIK-ut në Kosovë.
Vuçiç tha atje se nuk ka pasur asnjë marrëveshje paraprake sipas së cilës ai dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kanë pasur nga tre minuta kohë për përgjigje. Maltezja Vanessa Fraser nuk e mbylli gojën me përulësi, gjë që pritej nga presidenti serb, i cili është mësuar që askush të mos guxojë të ndërpresë monologjet e tij të gjata në televizionin kombëtar në Serbi. Ajo ngriti zërin, përdori disa herë grushtin mbi tavolinë dhe e bëri të qartë se nuk do lejonte që zëvendësi i saj të paraqitej si gënjeshtar.

“Unë vetëm…” belbëzoi Vuçiç. “Faleminderit, zoti President, keni tre minuta kohë”, përfundoi Fraser episodin nga seanca ku Vuçiç “ka dhënë një mësim mbi dinjitetin njerëzor”, siç interpretohet nga besnikët e tij dhe ish “ish” Aleksandër Vulin gjithnjë e më i zëshëm, në pritje të riaktivizimit në qeveri me ndihmën e Moskës.
Vuçiçi, i cili thotë se nuk është profet, por vetëm dëgjon faktet, ka marrë një mësim të mirë.

Ne kemi qenë dëshmitarë të dy fiaskove diplomatike në një periudhë shumë të shkurtër kohe. Votimi i parë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, kur Kosova hapi derën e anëtarësimit të plotë në organizatën më të rëndësishme evropiane për promovimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e demokracisë. Vuçiç pret që të gjithë të tjerët të udhëhiqen nga emocionet që ai ka ndaj Rusisë. Nëse e duan Serbinë, do jenë me ne, edhe nëse kjo është kundër interesave të grekëve, maqedonasve të veriut apo malazezëve. Një verbëri e tillë kthehet shpejt në hakmarrje.

Debakli i dytë do të pasojë në maj në Kombet e Bashkuara, kur shumica e 193 anëtarëve pritet të mbështesin një rezolutë që shpall 11 korrikun si ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit të kryer nga forcat serbe të Bosnjës në vitin 1995 në Srebrenicë, kur 8000 të paarmatosur, burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe 30,000 gra, fëmijë dhe të moshuar u dëbuan nga zona e atëhershme e mbrojtur e OKB-së.

Bota nuk e ka harruar Srebrenicën, por shumë në Serbi do ta fshinin gjenocidin nën qilim dhe do t’i thërrisnin liderit i cili, si pjesë e ekipit të Vojislav Sheshel, tërhoqi kufijtë rreth Kroacisë, kërcënoi se do të vriste njëqind boshnjakë për një serb të vrarë, pastaj u end mbi Sarajevë me një pistoletë 12.7 mm, teksa ishte ministër i Informacionit në kohën e Slobodan Milloshevicit dhe më vonë Bulevardin e Beogradit e emëroi me emrin e Ratko Mlladić.

Përsa i përket Vuçicit, rasti I Srebrenicës mund të jetë një “krim i tmerrshëm”, por jo gjenocid. Prandaj po shpalli luftë edhe në këtë front. Kundër çfarë? Kundër vendimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, organ i sistemit të OKB-së, i cili pa mëdyshje konfirmoi se në Srebrenicë ndodhi gjenocidi?

Në Nju Jork, në një pritje për përfaqësuesit e misioneve të huaja në OKB, Vuçic u bëri thirrje anëtarëve që të mos votojnë për rezolutën për Srebrenicën.

Në Misionin e Serbisë në OKB është formuar një staf special që merret me rezolutën 24 orë në ditë. Ivica Daçic shpalli gjendjen e jashtëzakonshme diplomatike dhe ndaloi pushimet për punonjësit e ambasadave dhe konsullatave.

Kështu ishte edhe në fillim të prillit, kur u krijua një grup punues për të penguar hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës. Rezultati në Strasburg – zero. Kështu do të jetë edhe me rezolutën në Nju Jork. E pritshme, pasi gjithçka bazohet në premisa false.

Rezoluta nuk përmend askund Serbinë, Republikën Srpska apo popullin serb, por presidenti përsërit me këmbëngulje se qëllimi është të etiketojë serbët si komb gjenocidal, Republika Srpska si një krijim gjenocidal që duhet shfuqizuar dhe se Serbia duhet të paguajë reparacionet  e luftës. Ai gjithashtu thotë se rezoluta do të sjellë tensione të reja në rajon. Përhapje manipuluese e frikës. Teori konspirative që nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare e cila shprehimisht thotë se nuk ka gjë të tillë si faji kolektiv.

“Askush nuk po e demonizon Republikën Srpska dhe nuk po flet për përgjegjësinë kolektive të Republikës Srpska apo popullit serb” – thuhet qartë në deklaratën e përbashkët të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, Ambasadës së SHBA-së dhe Zyrës së Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunimi në Evropë në Bosnje Hercegovinë nga viti 2018.

Vuçic nuk është i gatshëm të pranojë që mohimi i gjenocidit i regjistruar në aktgjykimin e Gjykatës së Hagës dhe refuzimi i rezolutës së OKB-së e largojnë atë nga pajtimi dhe jo anasjelltas. Ai vazhdon të luftojë betejat që I promovoi vetë, por ka llogaritë e veta të hapura.

Ai do të paraqitet si një luftëtar i palëkundur dhe i patrembur për mbrojtjen e vendit por dhe duket si një gjemb nëpër këmbë për gjysmën e mirë të botës. Ai do të forcojë vlerësimin e tij midis atyre që i dëgjojnë fjalët e tij sikur të ishin thënë nga Papa i pagabueshëm i Romës. Ai do të bëjë gjithçka për të zgjeruar sundimin e tij.
Kushdo që mendon se Srebrenica, Kosova në Këshillin e Evropës apo marrëdhëniet e mira në rajon i interesojnë shumë, gabohet.

Emocionaliteti i tij i përzemërt është një funksion i pragmatizmit të ashpër. Vuçic e di se zemërimi hakmarrës nuk është kurrë një aleat i mirë në politikën e jashtme, por ai është gjithashtu i vetëdijshëm se sa fitimprurës mund të jetë ky zemërim për marketingun e tij personal. Ai do të vazhdojë ta shtyjë Serbinë në izolim sepse do ta ketë më të lehtë të arrijë misionin e tij mesian në tokë.

 

 

 

Continue Reading

Shkrime

Nuk e kanë me Yllin, kanë hallin e babit të Zenit

Nga Desada Metaj

Ka mjaftuar një deklaratë e Ylli Rakipit dhe befas Foltorja dhe i gjithë sponsorizimi i tyre në media ka nisur një betejë ndaj këtij të fundit dhe TV ku ai punon duke përdorur gjithë artilerinë e mundshme. Që nga statuset në rrjete sociale e deri tek paralajmërimet për “nxjerrje të palarash” në programet televizive. Kjo skemë është qartas e frymëzuar nga shpikësi më i madh i përbaltjes së kundërshtarëve politikë dhe të gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga ai. Quhet Sali Berisha, për momentin ndodhet në izolim, në katin e lartë të pallatit ku jeton, nën akuzat e Spak për korrupsion. Por sërish e ka fuqinë të sulmojë me mjetet e fuqizuara nga “regjimi i Ramës”, çdokënd që nuk sinkronizohet me betejat e tij për të shpëtuar veten dhe familjen nga ajo çka po i ndodh 2-3 vitet e fundit.

Gjithçka nisi kur Ylli Rakipi, në emisionin e tij deklaroi se ka parë dhe takuar gjatë një drekë Shkëlzen Berishën, Erion Veliajn dhe gazetarin Clirim Peka. Kjo deklaratë mund të jetë e vërtetë për sa kohë këtu janë takuar të gjithë me të gjithë, kanë bërë marrveshje te fshehta dhe publike dhe kjo ka ndodhur jo pak këto 30 vitet e fundit. Mundet të mos jetë e vërtetë për shkak se betejat për influencë dhe pazaret e vogla janë gjithmonë prezent në politikë dhe media. Por ajo që vlen pas gjithë tollovisë “kanë drekuar apo s’kanë drekuar” është në fakt shqetësimi i madh i Foltores dhe ngrehja e një beteje të re. Këtë herë jo me Veliajn për inceneratorët por me Ylli Rakipin dhe TV ku ai punon. Dhe morali i fabulës vijon të mbetet: kush nuk është me mua është tradhtar dhe pazarxhi. Ky lajtmotiv që ka shoqëruar këto 30 vjet politikën e Sali Berishës nuk mund të ndryshonte tani. Dhe kjo nuk lë jashtë as pasuesit e tij, që këto vitet e fundit për shkak të mungesës së koherencës dhe seriozitetit janë shndërruar dhe në personazhe qesharakë. Ama kjo nuk i ka penguar që çdo herë të gëlltisin atë që kanë vjellë për bashkëpunëtorë dhe ish bashkëpunëtorë, të shndërrohen në përgjues të rëndomtë apo të bëjnë marrveshje me regjimin (siç e konsiderojnë qeverisjen e Ramës). E gjjtha në funksion të dhënies së oksigjenit për ballkonin e katit të tetë tek rrugica e shpresës.

Kjo që po ndodh së fundmi, përveç anës qesharake të betejave pa thelb dhe revolucioneve veç me fillim e pa fund, tregon dhe njëherë sa seriozisht e ka Foltorja betejën me korrupsionin. Se sa të sinqertë kanë qenë kur kanë bërë denoncimet për inceneratorët dhe kur pa e fshehur janë bërë avokatët e Arben Ahmetajt për këtë aferë. Sa për rikujtesë, çështjen e korrupsionit për inceneratorët e ka denoncuar PD shumë vite më përpara. Puna më me vlerë që ka bërë një forcë opozitare në parlament ka qenë komisioni hetimor për inceneratorët. Një punë në grup që u finalizua me padinë e qepur më së miri në Spak dhe me një raport final. Këtë raport flamurtari i Foltores për inceneratorët, Belind Këlliçi dhe deputetët e tjerë nuk e firmosën kurrë.

Sa për median dhe gazetarët, Ylli Rakipi ka qenë nga të vetmit që ka bërë emisione e ka publikuar fakte më së miri. Ndaj sot, ai nuk ka nevojë për avokati. Njerëzit kanë sy e vesh, madje dhe mendje për të gjykuar pa u ndikuar nga Syri i Berishës. E sa për ti bërë qesharakë më shumë se ç’janë jam e sigurt se ai ja del më mirë se unë.

Shqiptarët jo më larg se një vit nuk do votojnë as për Ylli Rakipin dhe as Çlirim Pekën. Ata do zgjedhin mes qeverisë dhe alternativës së opozitës. Dhe kjo e fundit me copëzën që drejton nga ballkoni po u tregon qartas se korrupsioni ka emër dhe mbiemër, Sy dhe veshë. Madje ka dhe TV. Që megjithë sforcot për të shpallur armiq të brendshëm nuk do ja dalë kurrë të bindë shqiptarët që ka moral për të bërë opozitë siç duhet. Thjesht po u tregon se diferenca ndodhet mes disave të janë më shumë e disa të tjerë më pak të korruptuar. Sa për këtë, ja kanë dalë të na i tregojnë më së miri!

Continue Reading

Shkrime

Përse i duhet i “shkarkuar” Gabriel Escobari Albin Kurtit?

Nga Mero Baze

Gabriel Escobar, Zëvendës Ndihmës Sekretari I Shtetit I SHBA, dhe i Dërguari Special në zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike si dhe i Dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor, ka 24 orë që sulmohet nga portale të afërta me lëvizjen Vetëvendosja në Kosovë, si I “shkarkuar” nga Departamenti I Shtetit.

Siç shikohet nga përshkrimi I punës, Escobar, një nga tre detyrat e tij të rëndësishme ka dhe të qenit I dërguari Special për Çështjet e Ballkanit Perëndimor, detyrë që e ka përballuar atë me Albin Kurtin dhe problemin e dialogut Kosovë Serbi.

Entuziazmi që ka ngjallur tek Vetevendosja e Albin Kurtit lajm I rremë, ka të bëj me shpikjen e arsyeve pse Escobar nuk do të jetë më me këto detyra, por me një detyrë tjetër diplomatike në karrierën e vet, siç sqaron vet Departamenti I Shtetit.

Lajmi I rremë nuk ka të bëj thjesht me shpikjen e “shkarkimit” të Escobarit, por arsyet e shkarkimit, të cilat sipas portaleve të Vetëvendosjes janë fiks arsyet, përse Albin Kurti mund të shkarkoj ndonjë kryetar komune, apo zyrtarë shteti që nuk është në një vijë ideologjike me Vetëvendosjen.

Lajmet e rreme rreth gruas së tij dhe lidhjet me Serbinë, janë ilustrim I faktit, se si e thjeshtëzon një politikan populist politikën dhe diplomacinë si ushqim për “qentë e vet”. Ai dëshiron tu tregoj atyre përse Albin Kurti nuk po I bindet SHBA deri tani, se nuk “mund ti bindej” dikujt që ka lidhje me Serbinë.

Edhe më tutje entuziazmi I Vetëvendosjes në të vërtet tregon se si funksionon makineria propagandistike e Albin Kurtit, për të justifikuar dështimet e tij në raport me SHBA dhe se si mund të gjej arsye nga pala amerikane për këtë dështim.
Dhe kjo është shumë e rrezikshme.

Garbiel Escbar ka ndërruar detyrë, nuk ka ndërruar profesion dhe as institucion. Në vend të tij do të vij dikush tjetër që do të vazhdoj dialogun, ashtu siç ai ka zëvendësuar paraardhësin e vet, kur ky problem ishte ende i hapur dhe vazhdon të mbetet I tillë.
Procesin e dialogut me Serbinë nuk e ka shpikur Gabriel Escobar por Departamenti I Shtetit dhe ky institucion do të vazhdojë këtë rrugë.

Përpjekja për të ilustruar dështimet në raportet e Kosovës me Shtetin amerikan, përmes linçimeve talibaneske ndaj zyrtarëve të lart amerikanë të përfshirë në këtë proces, thjeshtë tregojnë me kë e ka problemin Albin Kurti dhe jo me kë e ka problemin Escobar.
Escobar nuk ka asnjë problem, thjesht ka një detyrë tjetër përpara.

Albin Kurti ka të njëjtën detyrë, me të njëjtin armik të Kosovës, Serbinë dhe me të njëjtin aleat të Kosovës, SHBA. Dhe nuk do pse shpreson më shumë të shpëtoj nga SHBA se sa nga Serbia.

Continue Reading

OPINION

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

Çfarë na kanë mësuar tragjeditë si ajo e Shkodrës

1. Ajo që thuhet ditën e parë është e paplotë. Komunikatat, lajmet dhe deklaratat e ditës së parë janë shpesh kontradiktore dhe rrallë “qëllojnë në shenjë”.

2. Nuk ka vetëm një shkak. Tragjeditë rrallë kanë një arsye të vetme. Fokusi vetëm te një shkak çon në shpjegime të thjeshtëzuara dhe të mangëta.

3. Reagimi politik dhe institucional mbetet vetëm në nivel retorike. Përgjigja nga politikanët dhe institucionet shpesh mbetet te fjalët, me deklarata ku dënohet dhuna, apo me thirrjet për ndëshkim nga drejtësia.

4. Etika, është gjëja e fundit që i shkon në mendje medias. Në ngutin për të raportuar mbi një tragjedi, sensacionalizmi merr përparësi ndaj etikës. Fotot, videot, raportimi i detajuar apo edhe spekullativ ndikon jo vetëm te familjarë e përfshirë në tragjedi.

5. Rrënjët e krizës familjare, shoqërore, institucionale dhe politike mbeten të pa analizuara.

6. Reagimi opinionit, i shpejtë por sipërfaqësor. Pas një tragjedie, shpesh ka një valë empati dhe solidariteti, por kjo valë fillestare zbehet shpejt. Vëmendjen e opinionit e marrin “skandalet e radhës”

7. Ekspertët flasin, por nuk degjohen? Në ngjarjen e Shkodrës disa ekspertë (psikologë dhe sociologe) analizuan shkaqet dhe dhanë një tablo më të gjerë të rrënjëve të tragjedisë. Fatkeqësisht, nuk i dëgjon kush deri në tragjedinë e radhës.

8. Përgjegjësia mungon—Fillimisht, bëhen thirrje për përgjegjësi dhe drejtësi. Por me kalimin e tri ditëve prozhektorët e medias kalojnë në skandalin e radhës dhe zelli për të gjetur përgjegjësit tretet si vesa mëngjesit.

9. Fatalizmi i pa shmangshëm. Kur mbetesh te konstatimi dhe te veprimet “më ka çu nona me la gojën”, nuk ka asnjë shpresë për ndryshim.

10. Në pritje të tragjedisë së radhës. Në mungesë të reflektimit dhe veprimit tragjedia e radhës është çështje kohe.

Continue Reading

Shkrime

Ballkan/ Zoti na ruajt nëse hapet PANDORA  

Ka sinjale alarmi për Ballkanin dhe dyshime se historia po përsëritet. Nuk është utopi, por një artikull i medias në gjuhën gjermane, Deutsche Welle, shkruan për një situatë tejet të ndërlikuar në Ballkanin Perëndimor dhe rrezikun se një luftë e re mundet të shpërthejë.

Nga retorika e qartë luftëndjellëse e Milorad Dodik në Bosnjë dhe Hercegovinë, deri te lobimi serb për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, janë thirrje se duhet patur vigjilencë për një përshkallëzim të mundshëm në gjithë Ballkanin, mbi të gjitha, me një situatë tejet të ndërlikuar edhe në veri të Kosovës, ku ka një stanjacion politik momental, por gjithashtu dhe një gjuhë herë herë të rrezikshme drejt përshkallëzimit.

Po çfarë paralajmëron artikulli i Deutsche Welle dhe pse janë ndezur sinjale alarmi në Ballkan? A po përsëritet historia?

Jo rrallë ndodh që të rindizen vatrat e konflikteve në Ballkan. Tani shkas po bëhet një rezolutë e planifikuar në OKB për gjenocidin në Srebrenicë. Politikanët serbë shohin aty një damkosje kolektive të popullit serb. Simbolika është kërcënuese: Milorad Dodik, lideri i serbëve boshnjakë dhe president i Republikës Srpska, pjesës së dominuar nga serbët në Bosnje-Hercegovinë bëri të ditur në prani të përfaqësuesve nga qeveria e Beogradit, se ai “nuk sheh ndonjë kuptim të mbetet në Bosnje”.

Dodik më tej deklaroi se “Ne do të vazhdojmë më tej të pavarur” dhe si gjithmonë ai ripërsëriti, se nuk ka pasur gjenocid në Srebrenicë.

Por tani Ruanda dhe Gjermania kanë sjellë në Kombet e Bashkuara një rezolutë, mbi bazën e së cilës Asambleja e Përgjithshme e OKB do ta deklarojë 11 korrikun, si ditën e përkujtimit ndërkombëtar të gjenocidit në Srebrenicë.

Përfaqësues nga Serbia dhe Republika Srpska janë ngritur ashpër kundër rezolutës pasi ata e shohin si damkosje kolektive të popullit serb.

Irrituese janë po ashtu spekulimet verbale të Milorad Dodik, se si duhet të veprojë me 150.000 të kthyerit boshnjakë, pra ata myslimanë boshnjakë që u dëbuan gjatë luftës në vitet 1992-1995 dhe pas luftës u rikthyen.

Pasi ai deklaroi, se boshnjakët që janë më shumë se 50% e territorit në Bosnje-Hercegovinë duhet të jetojnë në 25% të territorit, ai paralajmëroi, se në rast të pranimit të rezolutës, opcioni i vetëm është ndarja paqësore nga Bosnje-Hercegovina.

“Njerëzit në Republikën Srpska janë të zemëruar dhe nuk do të pranojnë të jetojnë me myslimanët boshnjakë.” – theksoi Dodik……….

Për kryekomandantin e trupave të NATO-s për Europën (SACEUR), gjeneralin Christopher Cavoli, gjendja është serioze. Para kongresit amerikan më 17 prill ai tha: “Situata në Ballkanin Perëndimor është ashpërsuar. Tensionet etnike në Bosnje e kanë potencialin të shkallëzohen.

Republika Srpska, sipas Cavoli, përpiqet të “dobësojë autoritetin shtetëror” dhe marrëdhënien me BE dhe NATO-n dhe njëkohësisht të mbajë lidhje të forta me Rusinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha, se është “thellësisht i shqetësuar” për vazhdimin e “politikës secesioniste” në Bosnje-Hercegovinë.

Politikania serbe, Ana Brnabic i quajti deklaratat e Cavolit “një mesazh shqetësues” dhe kërcënoi, se “do të krijohej një rast precedent, nëse ata kalojnë rezolutën e Srebrenicës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së pasi ata do të hapin kutinë e Pandorës.

“T’i ruajë zoti pastaj me atë që do të shkaktojnë pas kësaj.” – deklaroi Brnabiç

Tani perëndimi i lirë duhet të marrë masa për të shpëtuar një nga projektet më të suksesshme të paqes që nga Plani Marshall. NATO tregoi në mënyrë impresionuese në Kosovë në shtatorin e vitit 2023, se brenda pak ditësh mund të shuajë një konflikt që rindizet. Perëndimi duhet të veprojë kështu në mënyrë preventive për të shpëtuar Bosnje-Hercegovinën.

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING