Shkrime
Florjan Binaj në garë me regjisorin/ Korsia e minutës së fundit, e destinuar të mos ketë sukses
Vjen si deja vu. Vjen nga bota e artit, papritur me një kthesë të fortë në jetën publike, me thirrje për “gjak të ri në politikën e vendit” dhe dukshëm me ngjashmëri fizike me të.
Florjan Binaj – kandidati i vetëshpallur i pavarur për garën e Tiranës, i cili ka siguruar tanimë edhe mbështetjen opozitare – në skenën politike po vjen si Edi Rama, ngjashëm si në skenën e humorit.
Dikur e ka imituar Kryeministrin Rama, me një nga rolet me të cilat është identifikuar më shumë në publik, po ashtu e ka mbështetur publikisht. Tani synon një nga detyrat që ka mbajtur vetë Rama në fillimet e tij.
Kjo sfidë e njëkahshme nuk nisi sot, por që në vitin 2021, kur Binaj theu heshtjen për t’u bërë zëri publik në protestat kundër rritjes së çmimeve. Me protesta që vazhduan e të cilat për të kanë qenë “betejë midis së vërtetës dhe gënjeshtrës”.
Nga imitues i Ramës, ai u kthye në një të zemëruar nga qeverisja e njeriut që mbështeti, dhe deri këtu nuk ka asgjë të gabuar. Zhgënjimet ndodhin. Por pse po ngrihet mbi të njëjtin imazh dhe me të njëjtën qasje? Protesta…kundër Qeverisë…gara për Tiranën…
Teksa për vetë Binaj asgjë nuk duket e re, për Berishën po.
Zgjedhja e habitshme e një kandidature ‘të pavarur’ është një lëvizje taktike për të shmangur konsumimin e emrave brenda Partisë Demokratike në një betejë të pjesshme që, numerikisht, mund të jetë e pamundur për t’u fituar.
Kjo zgjedhje e Berishës është komentuar si “surprizë” edhe nga analisti politik Skënder Minxhozi. Por jo vetëm kaq.
“Kandidimi i Binajt si i pavarur, por i mbështetur nga PD e partia e Adriatik Lapajt, është jo vetëm një surprizë, jo vetëm një heqje dorë de facto nga gara e opozitës kryesore, jo vetëm një akt i improvizuar, por edhe një korsi e minutës së fundit, e cila si çdo zgjedhje e minutës së fundit, është shpesh e destinuar të mos ketë sukses”, ka shkruar ai në një opinion të tij.
Por është edhe zhvendosje e narrativës politike: nga partia tek individi.
“Është pozitive si kandidaturë, pasi PD ka vendosur që të shohë përtej politikës”, është shprehur në një studio televizive analisti Erl Murati.
Por, në gjykimin e tij, “Binaj është bast i rrezikshëm i opozitës…tregon një lloj vetëdije që ka lidershipi i PD për kuotat e larta”.
Mirëpo, sipas një tjetër analisti politik, Ergys Mërtirit, Berisha e zgjodhi atë pikërisht sepse nuk ka asnjë mundësi të krijojë ndonjë reaksion që mund ta eklipsojë.
“Binaj është një djalë i mirë dhe i respektuar, një aktivist që mundohet të bëjë diçka për këtë vend. Por ai nuk është politikan dhe nuk ka mundësi të prodhojë dot as model e as ndonjë korrent politik”, ka shkruar ai.
Binaj nuk është thjesht një emër i njohur. Ai mishëron një lloj autenticiteti që politika shqiptare e ka humbur dhe mbështetja e Berishës ndaj tij mund të shihet si një përpjekje për të shfrytëzuar ‘revoltën’ e tij dhe për ta përkthyer në energji elektorale.
Teksa Ogerta Manastirliu mbart kapitalin institucional të Partisë Socialiste, Binaj vjen si një frymë e re nga jashtë sistemit.
Ky fakt mund të konsiderohet avantazhues për opozitën. Sipas Muratit, mbështetja e tij nga Berisha mund ta bashkojë opozitën.
“Një kandidaturë jopartiake mund të bashkojë faktorët opozitarë. Lançimi i një figure jopartiake, sjell përbashkim më shumë të opozitës. Një figurë jopartiake, nga pikëpamja e ligjërimit publik do të ishte e udhës. Fakti që PD ka zgjedhur një figurë të tillë, grumbullon më shumë mbështetje dhe te elektorati gri”.
Nga ana tjetër, sado ta favorizojë, ky detaj sipas Minxhozit edhe e penalizon në skenën tonë politike.
“Binaj vjen në këtë garë pa asnjë eksperiencë administrative apo menaxhimi. Ai është një artist i aftë, por asgjë nuk na thotë dhe nuk na bën të besojmë së është gjithashtu një drejtues i aftë”, shkruan ai.
Përpos frymës së re, a mund të jetë ai një fytyrë e re?
Beteja po bëhej deri më tani për emrat dhe këto zgjedhje janë një reflektim i një epoke ku politika në vend po e humbet monopolin e përfaqësimit publik.
Kandidatura e Binajt shënon një zhvendosje drejt këtij dimensioni të ri emrash.
Në fund, kush do të fitojë bashkinë, ka fituar edhe perceptimin publik si fytyra e re për drejtimin e ri të Tiranës.
Lajmi nga AP