Kronike
I dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje, arrestohet në Belgjikë “Gert Gjenerali”
Autoritetet belge kanë vënë në pranga Gerd Gjinararin, i njohur ndryshe si “Gert Gjenerali”, i cili ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i dënuar me burgim të përjetshëm.
Gjinarari rezulton i dënuar për vrasjen e Naim Zyberit, një emër i njohur i botës së krimit në Tiranë në vitet ’90.
Në vitin 1997, një gjykatë italiane e shpalli fajtor për këtë krim dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.
Më vonë, në vitin 2014, ai u ekstradua në Shqipëri, ku Gjykata e Tiranës njohu dhe la në fuqi vendimin e dhënë nga autoritetet italiane, duke konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm.
Në vitin 2019, ai u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, vendim që shkaktoi reagime të forta dhe polemika në opinionin publik. Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e lirimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit. Pas këtij vendimi, Gjinarari nuk u paraqit për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar.