Connect with us

Bota

Ish-gjenerali amerikan: Putin më parë përdor armë bërthamore sesa…

Gjeneral brigadieri amerikan në pension, Kevin Ryan, është një bashkëpunëtor i lartë në Qendrën Belfer për Shkenca dhe Çështje Ndërkombëtare në Shkollën Kennedy të Harvardit, dhe shpeshherë komenton konfliktin në Ukrainë dhe çështje të tjera botërore.

Ai foli me Shërbimin Gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë rreth asaj se kush dhe pse e ka shkatërruar digën Nova Kahovka dhe si mund të ndikojë në kundërofensivë ukrainase apo çfarëdo plani tjetër në fushëbetejë. Ai po ashtu foli për dështimet e perceptuara të Perëndimit për të parandaluar presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me përdorimin e mundshëm të armëve bërthamore.

Ai argumentoi se Putin mund të zgjedhë më parë që të përdorë armë bërthamore sesa të humbë lidhjen tokësore që kanë forcat ruse në jug të Ukrainës, provincat e pushtuara apo Krimenë e aneksuar.

Radio Evropa e Lirë: Diga Nova Kahovka, teknikisht më nuk ekziston. Për disa, ka ende pikëpyetje se kush mund ta ketë bërë këtë, pavarësisht se provat tregojnë se pas shkatërrimit të digës qëndron Rusia. Në interes të kujt është shkatërrimi i digës?

 

 

Kevin Ryan: Aktualisht, nuk është në interesin e asnjërës palë që të shkatërrohej kjo digë. I kam dëgjuar tri versione të ndryshme. Kam dëgjuar një version që thotë se “Rusia e ka bërë këtë”. Këto raportime kryesisht vijnë nga Ukraina dhe nga Perëndimi, ato vijnë nga Qeveria amerikane dhe NATO. Ata mund të kenë dëshmi për këtë pretendim.

Rusët, natyrisht, thonë se ukrainasit janë fajtor për këtë. Ekziston edhe një grup i tretë i raporteve – janë të vogla, por të rëndësishme – dhe ato janë thënë nga agjencia e lajmeve ruse, TASS dhe nga një guvernator lokal rus, i cili tha se “në fakt ka ndodhur një aksident në urë para kësaj dhe ai aksident çoi ‘prishjen e digës’, që sipas tij ndodhi pa pritur dhe nuk ishte e planifikuar”.

Për momentin, që të tri këto versione janë të mundshme.

Nga kjo ngjarje, Ukraina nuk përfiton asgjë. Mirëpo as Rusia nuk përfiton nga kjo situatë. Edhe pse, nëse Rusia e ka prishur urën dhe më pas e ka hedhur në erë, ajo çfarë më bën përshtypje për Rusinë dhe liderët ushtarakë rusë është se ata kanë shumë pak besim në mbrojtjen e tyre në rajonin e Hersonit – mbrojtje që e kanë ndërtuar ngadalë që nga vera.

Po të isha në vend të tyre, nuk do ta kisha përmbytur këtë zonë — akoma — derisa e pashë që së pari sulmet vinin në këtë rajon, dhe së dyti, që mbrojtja ime nuk ka mundësi t’i qëndrojë ballë këtij sulmi.

Radio Evropa e Lirë: Pra ishte një veprim nga pafuqia për zgjidhje tjera?

Kevin Ryan: Nëse kanë qenë rusët ata që e bënë këtë, atëherë po, do të e shihja si një veprim nga pafuqia.

Radio Evropa e Lirë: Si funksion kjo në fushëbetejë, nga një perspektivë më taktike? Si do të ndikojë kjo në kundërofensivën ukrainase?

Kevin Ryan: Vërshimet janë të mëdha, veçmas në pjesën jugore dhe lindore të rrjedhës [së lumit Dnjepër] dhe përmbytjet do të pamundësojnë kalimin e lumit nga forcat e mëdha ushtarake – shembull për ukrainasit – në një të ardhme të afërt, le të themi gjatë javëve të ardhshme. Pastaj, lumi mund të kalohet sërish, por terreni do të jetë me baltë, do të ketë pjesë të terrenit ku do të ketë dëme për të cilat ne ende nuk i dimë derisa t’i shohim. Prandaj, kjo ndërlikon çdo manovër në atë rajon apo plan që është bërë për atë pjesë. Ky është efekti në terma afatshkurtër.

Ndërkaq, efekti në terma afatgjatë do të jetë përdorimi i ujit, energjia hidroelektrike dhe të tjera, për të mos përmendur fushat e mbjella me produkte ushqimore që ka të ngjarë që janë shkatërruar.

Radio Evropa e Lirë: Ajo se çfarë ju përmendët është përdorur në fakt edhe si argument se kjo është vepër e rusëve. Në aspektin strategjik, rruga më e drejtpërdrejtë për të kaluar kufirin e Krimesë, është dëmtuar. Ukrainasit më nuk munden që të sulmojnë në drejtim të Hersonit, përveç nëse ata kryejnë një sulm shumë të pamundur nga uji. Çfarë do të thotë kjo është se vija e frontit është ngushtuar dhe shkurtuar dhe Rusia e ka luksin të përdorë forcat e saj atje për të përforcuar krahun lindor. A është i saktë ky arsyetim?

Kevin Ryan: Po. Unë i përmenda tri skenarë të mundshme në këtë: Ukrainasit, ndonjë aksident, apo rusët. Por, unë nuk e ceka se cila nga këto tri mundësi më së shumti mundësi të jetë i vërtetë; dhe do të doja që pajtohesha me opsionin se Rusia e ka bërë këtë sepse në këtë rast ata janë që përfitojnë më së shumti.

Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, pozicionet ruse në bregun e lumit duket se janë shkatërruar po ashtu. A pajtoheni se ka pak gjasa që të arrijnë të shpëtojnë pajisjet ushtarake që kanë pasur në atë zonë?

Kevin Ryan: Nuk kam informacione për dëmet e shkaktuara në mbrojtjen ruse. Po, çdo mbrojtje që ka qenë në zonën e vërshuar do të jetë shkatërruar tërësisht apo dëmtuar, dhe kjo nënkupton se ka pak gjasa që ajo mbrojtje të mund të operojë, siç ata e kishin planifikuar.

Pa dyshim, trupat duhet të lënë pas pajisjet e dëmtuara të tyre, duke i bërë trupat të cenueshëm ndaj sulmeve. Megjithatë, mbrojtja [ruse] në rajonin e Hersonit është e vendosur mirë dhe shtrihet deri në Istmus për Krimenë dhe në veri deri në Zaporizhja. Ka ende shumë pozicione mbrojtëse jashtë zonës së vërshuar që janë funksionale dhe në to ka ushtarë.

Radio Evropa e Lirë: Pavarësisht nëse Rusia e ka shkatërruar digën ose jo, shkatërrimi i saj do të pengojë kundërsulmin e Ukrainës dhe t’u mundësojë rusëve që të blejnë kohë. A është ky një vlerësim i saktë?

Kevin Ryan: Absolutisht. Sa i përket palës ukrainase, vërshimet do të shtyjnë çdo operacion të madh apo lëvizje në atë rajon. Ka mundësi që Ukraina kishte parashikuar vërshimet dhe shkatërrimin e digës, dhe ata ndoshta nuk kanë planifikuar që ofensiva e tyre të zhvillohej në atë zonë. Por, çfarëdo që është planifikuar do të shtyhet apo do të ngadalësohet.

Radio Evropa e Lirë: Disa pretendojnë se Rusia e ka dëmtuar veten, duke e privuar veriun e Krimesë nga furnizimi me ujë nga diga Nova Kahovka “pë dekada të tëra”. Të tjerë pretendojnë se nuk ka të ngjarë të ketë ndonjë efekt të rëndësishëm pasi Krimeja është furnizuar gjithashtu nga Rusia në tetë vjetët e fundit, midis aneksimit të vitit 2014 dhe pushtimit në shkallë të plotë të vitit të kaluar.

Kevin Ryan: Shkatërrimi i digës krijon një problem më serioz sesa kur Ukraina kishte nën kontroll territorin dhe thjesht kishte ndërprerë kanalin, për të privuar Krimenë nga furnizimi me ujë.

Rusët janë përballur me këtë gjë për vite të tëra, prandaj e dimë se rusët janë në gjendje të mbijetojnë nga furnizimi me ujë që vjen nga veriu dhe ka të ngjarë që të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Por, shkatërrimi i digës bën që rinisja e rrjedhës së ujit të jetë një problem më i vështirë edhe sikur lufta të përfundonte sot.

Rusisë do t’i duhet një kohë më e gjatë që të rikthejë furnizimet me ujë nga veriu, që është një burim i madh ujor në këtë rajon, dhe kjo do të ketë ndikim jo vetëm për banorët dhe komunitetet civile, por edhe tek ushtria dhe tek operacionet e saj jashtë Gadishullit të Krimesë.

Radio Evropa e Lirë: Nëse Rusia mundet të furnizojë Krimenë nga burime të tjera, a nuk ka kuptim që kjo do të thoshte se heqë këtë levë ndikimi nga duart e Ukrainës?

Kevin Ryan: Pa dyshim, një prej arsyeve pse Rusia krijoi një urë tokësore dhe nisi këtë luftë ishte të kishte kontroll dhe qasje në Krime dhe të siguronte jo vetëm furnizime të energjisë elektrike për në Krime, por edhe furnizime me ujë.

Kjo është në krye të listë së Rusisë sa i përket gjërave që do të arrijë në Krime dhe ta mbrojë atë, si rezultat i kësaj lufte. Nëse Ukraina do të jetë në gjendje që t’ia pamundësojë këto gjëra Rusisë, atëherë do të ishte një situatë e patolerueshme në mendjen e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të ushtrisë. Kjo do të mund të nxiste atë që të përshkallëzonte dhunën në Ukrainë, duke përdorur çdo mjet, siç e ka thënë ai shpesh, duke aluduar në faktin që rusët kanë armë bërthamore.

Radio Evropa e Lirë: Sa të shqetësuar duhet të jemi për centralin bërthamor në Zaporizhja? Ka pasur raportime se ka mungesë të ujit, që përdoret për të ftohur reaktorët, pasi paraprakisht me këtë ujë ky central ishte furnizuar nga diga Nova Kahovka.

Advertisement

TRENDING