Connect with us

Aktualitet

Kërcënim nga Irani/ Antiterrori vihet në veprim pas alarmit të ambasadës amerikane

Pas paralajmërimit të Ambasadës Amerikane për një kërcënim të mundshëm nga grupe të lidhura me Iranin ndaj objektivave amerikanë dhe hapësirave publike në Shqipëri, strukturat e Antiterrorit kanë intensifikuar masat e sigurisë në terren.
Siç kupton Albanian Post, njësitë e Antiterrorit kanë zhvilluar takime me përfaqësues të Ambasadës amerikane dhe izraelite për koordinimin e veprimeve dhe për rritjen e gatishmërisë ndaj çdo skenari të mundshëm.
Plani i masave, i hartuar më herët, është përforcuar me monitorim të shtuar të elementëve të rrezikut pas paralajmërimit.
Fokus i veçantë i Policisë janë selitë e huaja diplomatike, godina e muxhahedinëve në Manzë, si dhe sheshet dhe hapësirat publike të mëdha, të cilat konsiderohen pika me ndjeshmëri të lartë.
Në kuadër të këtij plani, pritet shtim i pranisë së forcave policore në terren, ndërsa pjesë e grupit të punës do të jetë edhe SHISH, institucion i cili do të bashkëpunojë ngushtë me Antiterrorin për të garantuar sigurinë e objekteve diplomatike dhe parandalimin e çdo kërcënimi.

Policia nga ana tjetër apelon për qetësi dhe bashkëpunim nga qytetarët, duke theksuar se masat janë parandaluese dhe të përshtatura për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.
Ditën e djeshme, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë lëshoi një paralajmërim për qytetarët amerikanë, duke njoftuar se grupet e lidhura me Iranin mund të shënjestrojnë subjekte të lidhura me Shtetet e Bashkuara ose elementë të opozitës iraniane që ndodhen në Shqipëri.
Sipas komunikatës së ambasadës, këto grupe mund të synojnë edhe vende publike dhe të zakonshme, përfshirë zona turistike, qendra tregtare, hotele, klube dhe restorante.
“Ne i inkurajojmë qytetarët amerikanë të ushtrojnë vigjilencë të shtuar,” theksohet në paralajmërimin e ambasadës.
Autoritetet e SHBA dhe ato shqiptare po punojnë për të siguruar bashkëpunim të ngushtë në parandalimin e incidenteve të mundshme dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve amerikanë dhe të komunitetit ndërkombëtar në vend.
Lexo edhe
Raporti i Inteligjencës amerikane: Shqipëria mbetet objektiv i sulmeve kibernetike nga Irani
Raporti vjetor i Inteligjencës amerikane për vitin 2026 ngre sërish alarmin për kërcënimet në rritje në hapësirën kibernetike globale, duke theksuar se shtete si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, si dhe grupet e ransomware, do të vijojnë të përbëjnë rrezik kritik për infrastrukturat dhe rrjetet digjitale.
Në këtë panoramë, Shqipëria përmendet drejtpërdrejt si një nga vendet që ka qenë objektiv i sulmeve iraniane.

Raporti vlerëson se Irani ka treguar aftësi për të kryer sulme efektive ndaj objektivave të pambrojtur, ndërsa vazhdon të ruajë synimin për të goditur jo vetëm Shtetet e Bashkuara, por edhe aleatët e tyre.
Edhe pse gjatë konfliktit të fundit 12-ditor në vitin 2025 Irani hasi vështirësi përballë sulmeve kibernetike izraelite, ai mbetet i angazhuar në zhvillimin e kapaciteteve të tij digjitale.
Një element shqetësues i theksuar në raport është edhe roli i grupeve të lidhura me Iranin, përfshirë “hacktivistët”, të cilët mund të kryejnë sulme kibernetike në mënyrë më të decentralizuar. Edhe pse këto grupe janë zakonisht më pak të avancuara teknikisht, ato rrisin volumet e sulmeve dhe krijojnë pasiguri të vazhdueshme.
Në një rast konkret të përmendur në raport, një grup hakerësh i lidhur me Iranin mori përgjegjësinë për një sulm ndaj një kompanie amerikane të teknologjisë mjekësore, duke pretenduar se kishte fshirë 200 mijë sisteme dhe kishte marrë 50 terabyte të dhëna. Ky rast ilustron shkallën e dëmit që mund të shkaktojnë operacionet kibernetike moderne.
Në nivel global, raporti identifikon Kinën si kërcënimin më të madh dhe më të vazhdueshëm në fushën kibernetike, ndërsa Rusia mbetet një aktor i avancuar me kapacitete të sofistikuara sulmuese dhe inteligjence.
Megjithatë, për vende si Shqipëria, kërcënimi iranian mbetet më i prekshëm dhe më i drejtpërdrejtë.
Raporti thekson se aktorët kibernetikë shtetërorë investojnë vazhdimisht në kërkim dhe zhvillim për të avancuar aftësitë e tyre, duke përfshirë edhe vendosjen paraprake të mjeteve brenda sistemeve kritike, të cilat mund të aktivizohen në raste krizash për sulme shkatërruese.

Advertisement