Rajon
MUNGON VUÇIÇ, KROACIA ANULON SAMITIN
Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, ka anuluar takimin e Procesit të Bërdo-Brionit, që ishte planifikuar të mbahej në muajin maj, duke theksuar se aktualisht nuk ekzistojnë kushtet për prezencën e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në Kroaci.
Vuçiç nga ana e tij u përgjigj se presidenti i Kroacisë nuk ka pasur nevojë që ta anulojë takimin për shkak të tij, por e ka mundësinë që të ftojë “miqtë e tij nga Prishtina dhe Tirana”.
“Absolutisht ai ka të drejtë, unë nuk e kam vendin aty” – deklaroi Vuçiç, duke shtuar se askush nga Kroacia nuk do t’i tregojë atij se çfarë duhet të thotë, ka raportuar agjencia Tanjug.
Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë rajonale që mbledh liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është iniciuar në vitin 2013 me qëllim që të nxisë bashkëpunimin dhe të përshpejtojë integrimet evropiane të rajonit.
Po çfarë ka deklaruar presidenti serb?
Vuçiç, pas zgjedhjeve lokale në Serbi më 29 mars, deklaroi se do të “verifikojë raportet e agjencive të sigurisë për ndikimin e mundshëm të vendeve të huaja në procesin zgjedhor”, duke përmendur “mbështetjen logjistike të një shteti fqinj”.
Pas shpërthimit të protestave antiqeveritare për shkak të vdekjes së 16 personave në Novi Sad në fund të vitit 2024, autoritetet në Serbi kanë akuzuar disa herë shërbimet sekrete kroate për organizimin e demonstratave, akuza që zyrtarët në Zagreb i kanë mohuar ashpër.
Tensionet e fundit mes Serbisë dhe Kroacisë u nxitën edhe pasi Beogradi bleu raketa nga Kina, gjë për të cilën Pllenkoviç tha më 13 mars se i kishte shkruar sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.