Kosova
Logjika e Vuçiçit: Bombardimet e NATO-s kundër Serbisë vranë edhe Khamenein në Iran
Ishte 12 marsi i vitit 1999. Aleksandar Vuçiç ishte atëherë një i ri me bindje radikale politike, i magjepsur nga udhëheqësi i kësaj lëvizjeje në Serbi, Vojslav Shesheli.
Të dy ishin shumë armiqësorë ndaj shqiptarëve të Kosovës. Dhe gjithashtu ndaj amerikanëve dhe NATO-s.
Në atë kohë, vendi i tij – i quajtur Jugosllavi (që përfshinte Serbinë dhe Malin e Zi) dhe i udhëhequr nga Slobodan Millosheviçi – po i lutej bashkësisë ndërkombëtare të pranonte një plan paqeje për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, ku forcat e Beogradit kryenin masakra, pothuajse çdo ditë, kundër shqiptarëve vendas. Pjesë e këtij propozimi ishte futja e rreth 30 trupave të NATO-s në Kosovë për të garantuar paqen.
Vuçiç, i cili kishte qenë në Prishtinë më 12 mars si Ministër i Informacionit i qeverisë së Serbisë (Jugosllavisë), kishte thënë se vendi i tij e hedh poshtë, pa asnjë hezitim, idenë e futjes së trupave të NATO-s në atë që e quan territor serb, për të zbatuar çdo marrëveshje paqeje,
Më pak se dy javë më vonë, NATO nisi një projekt ushtarak për të sjellë trupat e saj në Kosovë. Vuçiçi dhe Serbia e tij u përpoqën ta ndalonin NATO-n. Sigurisht, ata nuk ia dolën mbanë.
Ajo që i ndodhi atij dhe Serbisë në mars të vitit 1999 ende e ndjen thellë Vuçiç, i cili është aktualisht president. Dhe atij i duket se çdo konflikt apo luftë tjetër që ka ndodhur në botë që nga ajo periudhë i ka rrënjët në fushatën 78-ditore të bombardimeve të NATO-s.
Pak a shumë, ai aludoi se Amerika dhe Izraeli po shkelin gjithashtu ligjin dhe drejtësinë ndërkombëtare, në rastin e luftës në Iran.
“Pse vendoset rendi me forcë dhe bomba? Pse vriten si zyrtarë ashtu edhe civilë, pse shkatërrohet infrastruktura, shembet qytete të tëra, pse po ndodh ky ‘ekzekutim publik’ i gjithë njerëzimit dhe empatisë? Ka vetëm një përgjigje: për shkak të 24 marsit 1999” – potencoi Vuçiç.