Bota
LUFTA ME IRANIN DO TE MBYLLET BRENDA 2-3 JAVESH
Presidenti amerikan Donald Trump tha se pret që lufta e SHBA-së me Iranin të përfundojë brenda dy deri në tre javësh. Ai i bëri këto komente pasi dështoi të mblidhte anëtarët evropianë të NATO-s për të ndihmuar në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, të cilën Irani e ka mbajtur të mbyllur për shumicën e anijeve.
Ndërprerja e transportit detar ka shtyrë çmimet e benzinës në SHBA mbi një mesatare prej 4 dollarësh për ‘galon’ për herë të parë që nga viti 2022.
Trump, u tha gazetarëve se SHBA-të “nuk do të kenë të bëjnë fare” me atë që ndodh në ngushticë, por përgjegjësia për mbajtjen hapur të rrugës ujore jetësore do të mbetet e kombeve që mbështeten në të.
Më herët, Trump sulmoi aleatët e Amerikës për mosbërjen e më shumë për të mbështetur luftën e Amerikës kundër Iranit, duke u thënë atyre të “shkojnë të marrin naftën e tyre”.
Nga ana tjeter, Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një telefonatë me homologun e tij nga Emiratet e Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, ku të dy udhëheqësit shprehën “shqetësim serioz” për përkeqësimin e situatës në rajon dhe theksuan nevojën për një përfundim të shpejtë të armiqësive dhe për përpjekje të ripërtërira politiko-diplomatike që respektojnë “interesat legjitime të të gjitha shteteve”.
Nderkohe sulmet në Teheran dhe Izrael vazhdojnë, me të dyja palët që akuzojne njëra-tjetrën për shënjestrimin e infrastrukturës civile.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, u zotua se “të gjitha shtëpitë në fshatrat pranë kufirit libanez do të shkatërrohen”, duke thënë se Jerusalemi Perëndimor do të zbatojë “modelin e përdorur në Rafah dhe në Gaza” dhe do të krijojë një zonë sigurie deri në lumin Litani, me qindra mijëra persona të zhvendosur që do të ndalohen të kthehen derisa “të garantohet siguria dhe mbrojtja e banorëve të Izraelit verior”.
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, pohoi se “ka ndodhur ndryshimi i regjimit në Iran”, duke u thënë gazetarëve se “ky regjim i ri duhet të jetë më i mençur se i mëparshmi” dhe duke paralajmëruar se “nëse Irani nuk është i gatshëm, atëherë Departamenti i Luftës i SHBA-së do të vazhdojë sulmet me edhe më shumë intensitet”.
Në Liban, sulmet izraelite kanë detyruar më shumë se 200,000 njerëz të ikin në Siri në më pak se një muaj, sipas UNHCR-së.