Aktualitet
AKSIDENTIET, NDRYSHON KODI RRUGOR
Deputetët socialistë Ulsi Manja dhe Erion Braçe kanë propozuar një paketë amendamentesh për ndryshime në Kodin Rrugor, që parashikon masa më të ashpra ndaj shkelësve të rregullave të qarkullimit.
Ndër ndryshimet kryesore është parashikimi për heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit për shoferët që kapen përsëritës duke drejtuar mjetin nën efektin e alkoolit.
Sipas amendamenteve, nëse një drejtues mjeti konstatohet me nivel alkooli mbi 0.5 gram për litër gjak dhe ka qenë më parë i ndëshkuar për të njëjtën shkelje, në rast përsëritjeje do t’i hiqet përgjithmonë patenta.
Masa të reja për shoferët pa patentë dhe drejtuesit e rinj
Projekt-amendamentet propozojnë gjithashtu që personave të kapur duke drejtuar automjet pa leje drejtimi t’u shtyhet me një vit e drejta për t’u pajisur me patentë.
Në rastet kur shkelësi është i mitur, afati shtyhet me dy vite nga momenti kur i lind e drejta për të marrë patentën.
Një tjetër ndryshim lidhet me drejtuesit e rinj të mjeteve të kategorisë “B”, të pajisur me patentë gjatë 24 muajve të fundit. Për ta parashikohen kufizime të posaçme, përfshirë:
ndalim total të alkoolit gjatë drejtimit;
kufizim të shpejtësisë në autostrada dhe rrugë interurbane;
ndalim të drejtimit të automjetit nga ora 00:00 deri në 06:00 pa një shoqërues me patentë prej të paktën tre vitesh.
Shkelja e këtyre rregullave parashikohet të dënohet me gjobë nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë, pezullim të patentës për një muaj dhe heqje pikësh.
Ndalim i telefonit edhe për biçikletat dhe monopatinat
Amendamentet propozojnë zgjerimin e ndalimit të përdorimit të telefonit celular gjatë lëvizjes edhe për drejtuesit e biçikletave, monopatinave elektrike dhe motomjeteve deri në 50 cc.
Po ashtu, drejtuesit që kanë detyrim për përdorimin e syzeve optike apo pajisjeve të tjera korrigjuese do të jenë të detyruar t’i mbajnë ato gjatë drejtimit të mjetit.
Paketa e propozuar përfshin edhe ashpërsim të masave ndaj sjelljeve agresive në qarkullim, si manovrat e rrezikshme, ndryshimet e shpeshta të korsive pa sinjalizim dhe sjelljet anti-sociale në rrugë, veçanërisht në zonat urbane.
Gjithashtu propozohet rritja e gjobave nga 10-40 mijë lekë në 20-60 mijë lekë për disa prej shkeljeve të parashikuara në Kodin Rrugor.