Connect with us

Shkrime

Ne jemi me policinë. Po policia me kë është?

Si ndodhi që figura e policit është zhvendosur nga rubrika e satirës dhe humorit te kronika e zezë?!Nuk po i referohem vetëm rasteve të fundit të Himarës apo Laprakës ku policët janë kthyer në vrasës, nuk po i referohem as vendeve të tjera dhe as filmave ku ndodh që polici është në anën tjetër të ligjit! Pyetja është: sa ka depërtuar krimi i organizuar në polici? Cili është ndikimi i tij në nivelet e larta të policisë së shtetit?

Në kushtet kur krimi ka penetruar në politikë, në Parlament, në drejtësi, në administratë sa shanse ka që policia të ketë qenë imune? ZERO! Dhe mjafton vetëm çështja e hashashit (2017) ku SHISH denoncoi 120 oficerë policie të përfshirë në trafik, mjafton dënimi i zyrtarëve të lartë të policisë për trafik narkotikësh, mjafton përfshirja e oficerit të policisë në zgjedhje në Dibër apo përfshirja e drejtorit të përgjithshëm të policisë në fshehje dhe manipulimin në ngjarjen e Elbasanit prill 2021 për të thënë që kemi një problem të madh te “koka e policisë”
Pyetja është: sa është gjerësia, thellësia dhe perimetri i infiltrimit të krimit në policinë e shtetit?Në fund të vitit 2016 IDM (Instituti për Demokraci dhe Ndermjetesim) publikoi një studim: integriteti dhe korrupsioni policor në Shqipëri! Studimi 18 mujor (maj 2015- nëntor 2016) vinte në dukje praninë e korrupsionit në nivelet e larta drejtuese të policisë! Ky përfundim u arrit nga pyetësori i realizuar brenda trupës policore!

Reagimi?!
Një sulm brutal nga drejtuesit politik të policisë dhe madje edhe një letër për trupin diplomatik për “manipulim të rezultateve” dhe keqpërdorim të taksapaguesve europiane! Drejtuesit e policisë, për turpin e tyre, sepse koha i nxorri lakuriq, nuk e quajtën studim, por deklaratë politike! Nëse do të ishin marrë seriozisht gjetjet mund të kishin bërë ndonjë punë me të mirë, por siç duket plani ka qenë hashashizimi.
Logjika e fshehjes, manipulimit, kundërsulmi që këto janë sulme politike ndeshet pothuaj në të gjithë ngjarjet e rënda ku është përfshirë policia.Dhe pas çdo ngjarje të rëndë lëvizjet në polici bëhen sipas parimit: “drejtorë ishim, drejtorë mbetëm”. Ikën Hasani dhe vjen Hyseni! Hasani shkon ku ishte Hyseni!

Në kulmin e popullarizimit të fjalës vetting u fol dhe për vettingun në polici! Jo për të gjithë policët, por për drejtuesit! Pyetje retorike: pse u sabotua vettingu në polici? Sa persona kaluan vettingun? A do të rinisë vettingu?

Pse testi i drogës nisi dhe nuk bitisi? A do të rinisë testi drogës?

Po kështu me gjurmët e gishtave në 2013. Kur po dilnin shumë të daktiloskopuar nga policitë europiane, kontrolli u ndërpre. Do të rinisë ky proces?

Në interpol tirana para pak vitesh u emërua një person i skeduar për drogë në një vend perendimor. Pati brerje ndërgjegje në vetvete dhe u dorëhoq. Përndryshe do të vazhdonte punë i qetë aty.

Policia ka vuajtur historikisht nga kontrolli politik dhe po vuan nga kontrolli/ndikimi i krimit.Policia mbetet sot institucioni më i pa reformuar.

“Ne jemi gurët ju sipër nesh jeni uji! Uji ikën ne mbetemi” – thoshte një polic për drejtuesit politikë që shkojnë dhe vijnë!

Sado e përsosur të bëhet drejtesia e re, pa policinë është si pedale pa zinxhir. Është policia që i jep lëndën e parë Drejtësisë. Nëse policia ofron krundre mos të presim që Drejtësia të nxjerrë nga furra e saj “bukë gruri”

Shkrime

“Marrëveshja e normalizimit” është shans për të normalizuar Lulzim Bashën dhe PD

Nga Mero Baze

Ka një përpjekje nga ana e Partisë Demokratike për tu viktimizuar nga “marrëveshja e normalizimit” siç e thonë me humor të dy palët, që riktheu në Kuvend opozitën e Berishës në shkëmbim të asgjëje.

Disa nga deputetët e PD së Bashës po përpiqen të duken viktima të kësaj marrëveshje dhe flasin për një konspiracion të gjerë kundër tyre.

Siç tani është e qartë nuk ka ndonjë Marrëveshje por një zbythje të Sali Berishës dhe njerëzve të tij, nën presionin e bashkësisë ndërkombëtare dhe deputetëve të rinj që ju bashkuan për të bërë punët e tyre në Kuvend.

Por kjo ka pak rëndësi, se është kostua e tyre.

Nga pikëpamja politike, ky është një moment i art për Partinë Demokratike të Lulzim Bashës.

Kjo situatë i ka dhënë atyre ndoshta shansin e fundit për tu ri ngritur dhe për tu bërë opozitë serioze.

Së pari “normalizimi” në Kuvend, ka fshirë përfundimisht gjithë retorikën dyvjeçare të Sali Berishës për bashkëpunim të Bashës me Ramën. E vetmja gjë publike që ka funksionuar nga bashkëpunimi politik është bashkëpunimi i Berishës me Ramën, madje më keq, poshtërimi i Berishës prej Ramës siç është në këtë rast.

Kështu që gjithë retorika e atyre spurdhjakëve të Berishës që thonë se Basha është ushtar i Ramës, tani po u bie mbi fytyre të tyre, për aq sa u ka mbetur fytyrë.

Dhe këtu Basha dhe partia e tij nuk kanë pse paraqiten si viktimë, pro duhet të jenë të gëzuar që kjo gjë ka ndodhur. Kaq punë sa i ka bërë Bashës kjo marrëveshja nuk i ka bërë gjithë puna e tij dyvjeçare që nuk ju përgjigj kurrë si duhet Berishës për ato akuza banale, derisa Berisha e zgjidhi vet këtë çështje dhe u bë ushtar i Ramës.

Së dyti “normalizimi” në Kuvend u jep atyre shansin të shkojnë normalisht në një mjedis jo më të dhunshëm, ku kishin frikë të futeshin kur kishte sherr apo të votonin ligje pro dhe kundra. Tani aty ata janë opozita normale e Kuvendit, kurse të “normalizuarit”, janë si ata pacientët e pavijonit Nr. 5 që qetësohen pasi marrin ilaçin e radhës por rrëshqasin përsëri, sapo u ndërron ilaçet Doktori maje penxheres.

Ndaj nuk duhet ta kenë zili faktin që ata janë bërë luajalë me Ramën, duhet at shikojnë këtë si përparësi të tyre.

Dhe së fundmi “normalizimi”, është shansi i fundit që Lulzim Basha dhe mbështetësit e tij, të dëshmojnë se dinë të bëjnë politikë ndryshe nga Sali Berisha, jashtë pazareve, dhe të bëhen zëri i opozitës në Shqipëri. Nëse deri më sot kanë qenë të kompleksuar se u thoshin keni tradhtuar Berishën apo keni bërë pazare, tani Berisha e ka tradhtuar vet veten e tij dhe po bën pazare qesharake vetëm që të mbaj ca deputetë më shumë rreth vetes.

Kështu që gjithë tezat “diversioniste” të Berishës ndaj Bashës dhe PArtisë Demokratike jo vetëm që janë rrëzuar nga “marrëveshja e normalizimit” por i janë kthyer në favor.

Në thelb Marrëveshja e Normalizimit”, më shumë ka normalizuar Bashën dhe PD se sa Berishën me Ramën. Ndaj qasja që kanë figurat e PD që e shikojnë këtë marrëveshje si një gjë të rënd për politikën dhe Shqipërinë, apo viktimizimi prej saj i PD është i gabuar.

Thjesht duhet ta shikojnë si shans të tyre, pasi ajo marrëveshja ka kthyer normalitetin e tyre, jo të Berishës e Ramës. Madje kjo mund të quhet ndihma e parë reale e Ramës për Bashën. Pa marrëveshje!

Continue Reading

Shkrime

U shua në Parlament, ‘zjarri’ ndizet te Foltorja, Bardhi ‘ngrohet’

Nga Jakin Marena

Dakordësia në Parlament mes deputetëve të PS dhe atyre të Rithemelimit, solli konsensusin per ngritjen e dy komisioneve hetimore nga tetë të tillë që kishte kërkuar grupimi opozitar i Sali Berishës përmbi 5 muaj në Kuvend.

Njëherësh solli dhe tërheqjen e deputetëve të Foltores nga aksioni i dhunshëm opozitar në sallën e Kuvendit dhe të komisioneve parlamentare, përmes të cilit kishin bllokuar seancat normale duke shkatërruar karriget, hedhur tymuese e molotov gjatë seancave. Por dhe goditur gardistët.

Palët e paraqitën në publik në mënyrën se si deshën vetë arritjen e kësaj dakordësie, e cila gjithsesi nuk ka asgjë të shkruar apo të firmosur, dhe më shumë është si një ‘marrëveshje xhentellmenësh’, ku secila palë u pajtua me idenë se kishte arritur objektivin e vet.

Përfaqësuesit e Foltores, grupin negociator të së cilës e kryesoi Gazment Bardhi, e promovuan një dakordësi të tillë si një arritje të madhe, pasi ishte njohur Berisha si faktor opozitar. A thua askush nuk e ka deklaruar një gjë të tillë, megjithëse bën një opozitë allasoj Berisha, më shumë në kahjen e dhunës dhe tashmë në majë të ballkonit të pallatit të tij ku është mbyllur nën arrest shtëpiak nën akuzën e korrupsionit pasiv, lëshon ato deklaratat e tij kundër të gjithëve, dhe që mbyllen me dy lutje. Njëra që të ngrihet populli opozitar i cili nuk po luan fare vendit, për ta mbështetur në mosbindjen civile, dhe tketra për qeveri teknike pasi i është tiposur se meqë nuk fiton në mënyrën normale, mund të fitojë me qeveri teknike.

Pra deputetët e Berishës arritën të gjenin një pretekst, për të dalë nga kolapsi ku ishin futur me sjelljen e dhunshme në Parlament, për t’iu kthyer jetës normale parlamentare. Sebep me një fjalë. Megjithëse u vajti për mbarë, pasi ditën e hënë, u takuan përmallshëm me kolegët socialistë, gjatë punës në komisionet parlamentare, respektivisht ku marrin pjesë.

Ndërkohë që mazhoranca socialiste arriti objekti vin e vet: Stabilitetin në parlament, si dhe shmangien e bezdisë që të krijonte votimi 8 minutësh i ligjeve nën ‘shoqërinë’ e tymueseve, bilbilave dhe britmave të deputetëve të Foltores.

Ndërkohë që në tavolinën e negociatave mazhoranca vendosi pikërisht ato që kishte ofruar për muaj me radhë, komisionet hetimore me objekt të përcaktuar sipas ligjit të vjetër dhe të ri për komisionet hetimore dhe mbi të gjitha konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Pra nga 8 komisione që kërkoi Foltorja e Berishës, dha konsensusin për dy. Këtë fakt e kanë nënvizuar që nga kryeministri Edi Rama e deri tek kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi. Pra dakordësi, brenda kornizës kushtetuese e ligjore. Duke këmbëngulur që marrëveshja është arritur vetëm në nivelin parlamenetar, dhe nuk ka pasur aspak negociata me ‘non gratën’ Berishën. Aq më pak njohjen e tij si kreu i opozitës. Mungesa e një marrëveshjeje të shkruar me pika, afate dhe firma në fund e verteton tamam këtë situate, ku kjo dakordësi nuk ka asnjë kontur marrëveshjeje PS-Foltore.

Nga ana tjetër nga kjo dakordësi ‘përfitoi’ dhe Lulzim Basha, i cili tashmë ‘topin’ e ‘pazareve’ me Ramën, të cilin ia kishin lënë në ‘derë’ për muaj e muaj me radhë, e ka kaluar në fushën e Berishës dhe Foltores, duke formatuar të njejtat akuza kundër tij, për ‘tradhëti’ me Ramën. Dhe në fund i ka ardhur dhe goja, pasi në takimet e tij të shpeshta tashmë me bazën e PD zyrtare artikulon ‘tradhëtinë’ e Berishës për të bindur demokratët se ai ka flirtuar që nga viti 2008 me kundërshtarin politik Edi Rama. Për interesat e tij personale, këmbëngul këtu Basha.

Në fund të herës, të tre palët, dy PD-të dhe PS-janë janë qetësuar me këtë dakordësi të arritur, duke sjellë dhe qetësimin e jetës parlamentare e për pasojë dhe uljen e tensionit politik në legjislativ sëpaku. Por dhe kanë dhënë material për secilën palë për ta përdorur kundër njëri tjetrit, dhe për pasojë dhe për mediat. Interes i ndërsjellë me një fjalë.

Por nuk ka kaluar pa pasoja kjo dakordësi mes grupit parlamentar të PS dhe atij të Rithemelimit. Dhe pasojat janë ndjerë pikërisht tek Foltorja. Janë thuajse i gjithë grupi i deputetëve ithtarë të Berishës, ‘dora’ e parë e tyre që iu bashkangjit që para dy vitesh themi, të cilët jo vetëm që nuk janë dakord me dakordësinë e arritur me PS, por sulmojnë kryesuesin e negociatave Gazment Bardhi, se ka negociuar për ato që i takojnë opozitës.

Me radhë, që nga Ervin Salianji, Dashnor Sula, Myslim Murrizi dhe deputetë e anëtarë të tjerë të kryesisë e Këshillit Kombëtar të Foltores, janë shprehur kundër dakordësisë me PS, dhe ‘fitoren’ për ngritjen e dy komisioneve hetimore, njëra nga të cilat ajo për koncesionet në shëndetësi, e rrëzueshme për shkak se SPAK ka nisur hetimin prej vërteti dhe jo parlamentar për këtë çështje. Nuk mund të rezonohet institucioni më i lartë i hetimit nga hetimi parlamentar.

Por kundër këtij dakordësimi është dhe Berisha, i ndjekur nga ana e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka, që ndonëse për momentin shtrëngojnë dhëmbët dhe e pranojnë prej zorit, në të vërtetë janë kundër si dreqi ndaj negociatave me PS në kulmin e “revolucionit dhe mobindjes civile”. Aq më tepër që këto negociata i drejtoi i ‘sapomartuari’ me Foltoren, Gazment Bardhi.

Berisha ka hall me drejtësinë dhe ndjehet vërtetë i rrezikuar. Tashmë që dosja e ’21 janarit’ ka kaluar në SPAK e s’mund të hetohet më për teknicialitete. Strasburgu e tha qartë në vendimin e tij që të hetohet maja e zinxhirit komandues dhe jo për shpërdorim detyre por për krim shtetëror. Janë vrarë 26 njerëz të pafajshëm dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë, s’bëhet më shaka pa fund.

Ndaj themi se Berishës ia do puna të bëjë sikur është tërhequr nga dhuna, për të treguar se është faktor dhe me mendjen e tij i dërgon sinjale SPAK se është kreu i opozitës e nuk mund të preket. Pavarësisht se vetëm disa ditë më vonë vetë kreu i SPAK Altin Dumani deklaroi se nuk ndalet në hetimin e zyrtarëve të lartë, duke mos kursyer askënd. Dhe SPAK po e tregon se nuk pyet as për Ramën e as për Berishën. Jo më për këta rëë tjerët që ‘lëvrijnë’ koridoreve të politikës në përpjekje për të kapur ndonjë mbështetje politike apo ndonjë lek. E kemi thënë dhe herë të tjera, SPAK e ka ‘pultin e komandimit’, nëse mund ta quajmë të tillë, në Uashington dhe Bruksel. S’muand t’ia ‘fikin’ dritat politikanët shqiptarë. U mbyll ajo kohë e ‘artë’.

Për t’u kthyer tek dakordësia mes deputetëve të PS dhe atyre të Rithemelimit për normalizimin e jetës parlamentare, vërtetë që zjarri u shua në Parlament, por ajo që mund të themi është se është ndezur rëndshëm tek Foltorja. E cila është e ndarë në pro dhe kundër këtyre negociatave. Emrat e lartëpërmendur dhe shumë të tjerë që janë në anën e tyre, shprehen se opozita nuk arriti asgjë, vetëm sa konfirmoi ato që kishte kërkuar mazhoranca tërë kohën. Madje këmbëngulin në vazhdimin e aksionit opozitar dhe ‘revolucionit’ brenda perimetrit kryesi kuvendi, Parlament dhe kryeministri teksa dalin ndonjëherë në shesh, pasi kështu siç po veprohet do të mbeten tërë jetën në opozitë. Këtu kanë të drejtë. Dhe sikur të bashkohen të gjithë opozitarët bashkë, dhe sikur t’i falë PS 5 zona afrofe të fituara, sërish opozita nuk arrin të kërcënojë këtë mazhorancë. Që për hir të së vërtetës tashmë po kërkon shumicën e cilësuar me 84 mandate deputeti, si parti më vete.

Fushata ka filluar për PS. Rama vijon takimet për shtimin e radhëve përmes anëtarësimeve të reja, për rivitalizimin e socialistëve dhe shpalosjen e objektivave për arritjen e një rezultati sa më të thellë në zgjedhjet e pas një viti. Një fushatë të tillë për shtimin e radhëve të PS, për të dalë përtej të majtës dhe të djathtës përmes futjes së ‘gjakut të ri’ në parti, Rama e ka shoqëruar dhe me tërheqjen e investitorëve të mëdhenj, siç është rasti i projektit për resorte turistike në Sazan dhe Zvërnec, me investitor vetë dhëndrin e Donald Trump, pretendent për president i SHBA përballë Joe Biden, përparimin e investimeve në akset rrugore, nisjen e projektit për hekurudhën që lidh Shqipërinë me Kosovën, dhe mbi të gjitha reklamën e fortë të turizmit në vend. Jemi bërë kryefjalë e të gjitha mediave ndërkombëtare për mirë. Por dhe për elementë të tjerë kreativë. Një fushatë e tillë ngjall besim, siguri stabilitet dhe mbi të gjitha sjell dhe vota për këtë mazhorancë.

Ndërkohë që opozita përpëlitet nën ‘flakët’ e zjarrit që u zhvendos nga parlamenti tek “Foltorja”, pas dakordësimit mes grupit parlamentar të PD dhe deputetëve të Rithemelimit. Por dhe pjesa tjetër e opozitës është në dilemë. Duke filluar nga Ilir Meta si kreu i Partisë së Lirisë, i cili me sa duket ka nisur të bëjë llogaritë e veta. Për të dalë më vete, apo në rastin më ‘fatlum’ për të marrë nën ‘çatinë’ e vet Foltoren, ku i ka bërë gati të gjithë skenarët, për t’i hequr ‘skalpin’ dhe marrë gjysmën e deputetëve të sigurtë. Nëse Foltorja garon me siglën e PL. Pjesa tjetër e opozitës është tepër e lëkundur. Opozitës së qenësishme që sjell vota themi.

Askush nuk mund ta mendojë që kreu i PDIU Shpëtim Idrizi të garojë nën siglën e koalicionit me Berishën dhe Metën, pikërisht me ata që kanë kandiduar Fredi Bejlerin për kryebashkiak të Himarës. Fundja me kauzën e çamëve mbahet Idrizi, nuk ka nga ia mban. Po të heqë dorë dhe nga ajo, nuk i mbetet aagjë më. Kështu dhe partitë e tjera të opozitës, duke filluar me kreun e LZHK Dashamir Shehu, i vendosur për të dalë jo me Berishën, por dhe Agron Duka i PAA është i lëkundur. Ndërsa për kreun e PD zyrtare Lulzim Basha as që mendohet se mund të dalë nën një ‘flamur’ me Berishën. E kanë përjashtuar përfundimisht njëri tjetrin. Janë armiq për vdekje.

Për më tepër që pas negociatave të Bardhit me deputetët e PS, pritet të ndahet përgjysmë dhe Foltorja. E pranuan me shpirt nëpër dhëmbë Berishën ‘non grata’, por me sa duket nuk mund të shiten më tej për interesat e Berishës. Mbetet i fituar vetëm Gazment Bardhi, apo ndonjë ndjekës i tij, të cilët mund të marrin një mandat deputeti në zgjedhjet e ardhshme. Fundja për këtë luftuan, pasi pa një vend në listën prioritare në zgjedhje, ata s’dalin kurrë deputetë. Kështu që thjeshtë duke manovruar në perimetrin e Tiranës, arrijnë të mbijetojnë. I mbetet vetëm të ‘ngrohet’ në ‘zjarrin’ që solli nga parlamenti tek Foltorja, dhe ‘veza’ t’i japë një mandat deputeti në vitin 2025. Ndërkohë që opozita do vijojë të ‘presë thumba’ sërish jashtë pushtetit, për të rrumbullakosur plot 16 vite në opozitë.

Continue Reading

Shkrime

Ku ishe ti Lulëzim Basha më 21 janar?

Nga Ilir Metaj

Në skenën e politikës shqiptare, ku tragjedia dhe komedia ndërthuren me njëra-tjetrën deri në grotesk (shpesh herë), apo deri në funeral (jo rrallë herë), Lulzim Basha qëndron si një figurë sfiduese, për moralin po se po, por sidomos për logjikën.

Një figurë si Basha gjithmonë ka shkëlqyer kur nuk shfaqet. Vlerësimet më të larta ai i ka marrë kur ka qenë në gjumë. Aty, të paktën, ka zgjuar ndjenjen e hollë të humorit çapkën të rrjetit.

Por nëse ka vendosur të flasë, asnjëherë nuk ka ditur kur, si dhe pse.

Këto gjëra i kemi ditur, i kemi harruar, buzëqeshur, e prap neglizhuar.

Por ai të rikujton, ai nuk e duron neglizhencën.

Po ç’bëri këtë herë?

Foli përsëri.

Por këtë herë nuk ngjalli buzëqeshje. Këtë herë ngjalli revoltë, deri në urrejtje.

“Unë nuk dhashë asnjë urdhër në 21 janar”, tha.

Dhe e tha ashtu, qetësisht, si të mos ishte duke kumtuar alibin e Ministrit të Rendit, për ditën më të zezë të rendit, në gjithë historinë e rendit demokratik në Shqipëri.

Në një shtet ligjor, ku veprimet sjellin njësoj pasoja si mosveprimet, mungesa e të kuptuarit të kësaj përgjegjësie nga një Ministër, për më tepër me formim juridik të pretenduar, është ulëritëse.

Me një naivitet foshnjor, ish ministri i disa ministrive në qeverisjen e Sali Berishës, ish delfini e më pas ish trashegimtari i partisë më të madhe opozitare, pretendon të jetë ok me drejtesinë, ok me moralin, ok me karrierën sepse… ai thjesht nuk bëri asgjë. Të tjerët bënin gjëra në vend të tij.

Ai thjesht është i qetë edhe kur e kupton se nuk bëri gjëra që mund të shpëtonin 4(katër) jetë, edhe kur la të tjerët të bënin gjëra në vend të tij duke i marrë këto 4(katër) jetë.

Ai thjesht është i qetë.

Sepse ai pranon se ishte atje, sic ka qenë kudo, që të mos bënte asgjë.

Që të lejonte të tjerët të bënin gjëra duke u futur në kepucët e tij. Mjafton që Basha vet të mbyllte sytë dhe veshët dhe …thjesht të flinte gjumë.

Fatkeqësi për këtë popull që ka jetuar nën iluzioniin se ka shtet, se ka institucione, se ka ministra, se ka Kod Etike.

Populli, në fakt, në shumicë u zgjua qysh më 2013 nga ky iluzion, edhe pse me plagë të thella që i dhembin sot e kësaj dite.

Por, edhe nëse ka patur ende nostalgjikë të atij shteti, jam i bindur se ky rrëfim i sinqertë i Bashës i ka hapur sytë të shohë, e mendjen të kuptojë.

Të kuptojë, se në një ditë apokaliptike sic ishte ajo e 21 janarit, Ministri i Rendit të shtetit shqiptar “nuk dha asnjë urdhër”.

Dikush sipër tij e kreu këtë mision makabër edhe atë herë.

Ama, Ministri i sa e sa ministrive, i gëzoi një me një ofiqet, tenderat e rrugëve, vilat e pallatet, kapardisjet nëpër kancelaritë më të larta të botës.

Sepse Ministri Basha nuk jep urdhëra, por është i gatshëm të shijojë cdo meritë, që i jepet në emër të popullit të shenjtë shqiptar.

“Une nuk dhashë asnjë urdher”, është një formë sipërore e cinizmit shtetëror dhe politik.

Është forma më e rrezikshme e papergjegjshmerisë publike.

“Ku ishe ti, Lulzim?” është pyetja ime, jo cinike.

Është pyetja- akuzë.

Është gishti i drejtuar tek ty, i të afërmve të 4(katër) jetëve të ndërprera pa shkak.

Është revolta e këtij populli, që ka vendosur mos të tolerojë më iluzionin e shtetit në vend të shtetit, iluzionin e demokracisë në vend të demokracisë, iluzionin e lirisë në vend të lirisë.

Por pyetja “Ku ishe ti, Lulzim?”, është gjithashtu një gur themeli në ndërtimin e një kujtese kolektive që refuzon të harrojë!

E pra, ku ishe ti Lulzim atë 21 janar?

Continue Reading

Shkrime

Radoiçiç me plan të dorëzohet?/ Flet eksperti për Ballkanin

Grupi Ndërkombëtar i Krizave e ka vendosur konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në listën e krizave për t’u vëzhguar në Evropë gjatë vitit 2024, krahas luftës në Ukrainë.

Në lidhje me këtë, eksperti për Ballkanin i kësaj organizate Marko Prelec, i tha Zërit të Amerikës se pritjet për një normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë këtë vit janë zbehur plotësisht dhe se veprimet e fundit tregojnë se asnjëra palë nuk është e interesuar për t’i dhënë fund konfliktit.

“Nuk po paralajmërojmë një konflikt të shkallës së gjerë, por jemi të shqetësuar se ky konflikt do të kalojë në gjendje të ngrirë sërish. Në Kosovë shohim një qeveri që po shtrin sovranitetin e saj në veri, që kundërshtohet nga një pjesë e popullatës vendase, e cila vazhdon të mbështet tek institucionet e Serbisë, të cilat funksionojnë aty në mënyrë të jashtëligjshme. Shtrirja e sovranitetit ishte e pashmangshme, por mënyra se si është bërë eshte alarmuese dhe shqetësuese për popullatën vendase. Ka patur rezistencë, e cila mund të vazhdojë, por, nuk mendoj se do të ketë përshkallëzim më të madh sa ai që kemi parë deri tani” – deklaroi Preleç

Teksa ai ka theksuar nevojën për dialog si mënyra për të tejkaluar tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe ndërsa ka një dekadë që dialogu nuk ka arritur të zbusë tensionet, njohësi I zhvillimeve rajonale theksoi: –

“Dialogu nuk ka prodhuar shumë rezultate, por nëse shikojmë tërë periudhën historike, që kur Bashkimi Evropian filloi të ndërmjetësojë rreth vitit 2011, janë shënuar arritje të rëndësishme. E tërë historia e integrimit të serbëve në Kosovë është bërë për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Por vitet e fundit ka shumë pak rezultate, për të mos thënë aspak. Ajo që kemi parë janë veprimet e njëanshme të qeverisë së Kosovës që kane ndryshuar gjendjen në terren”.

Në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, I bëhet thirrje BE-së që të ushtrojë trysni mbi Serbinë për të gjetur burimin e armatimit të rëndë dërguar paramilitarëve serbë në Kosovë. Ne lidhje me kete, Preleç sqaroi: –

“Është e qartë që ato armë erdhën nga Serbia dhe janë dërguar kohët e fundit. Pra, janë prodhim i kohëve të fundit. Këto armë nuk mund t’i gjesh, të themi, në treg të hapur. Ka shumë mundësi që grupi i udhëhequr nga Milan Radoiçiqi të jetë stërvitur deri diku nga ushtria e Serbisë. Kjo është çfarë dimë. Ajo çfarë nuk e dimë saktë është se cili ishte qëllimi i tyre. Unë do thoja se kishin si synim nxitjen e një konflikti të armatosur me njësitë speciale të policisë së Kosovës me shpresë që KFOR-i do të tërhiqej në konflikt duke u futur mes të dyja palëve dhe të merrte kontrollin e plotë mbi veriun e Kosovës dhe do t’i urdhëronte autoritetet e Kosovës që të largoheshin tërësisht nga ajo pjesë. Për mua vetëm kjo ka kuptim. Grupi nuk duket të ketë qenë aq i madh numerikisht sa për ta marrë vetë kontrollin e plotë mbi tërë veriun e Kosovës. Por nga ana tjetër armatimi i tyre ishte i tillë që përdoret vetëm kundër një kundërshtari të armatosur mirë me armë të blinduara si njësitë speciale të Kosovës. Rrjedhimisht, mund të mendohet se kishin në plan t’i përdornin këto armë dhe me qëllim për të vrarë”

I pyetur se “Çdo të thotë kjo për qasjen e Serbisë ndaj Kosovës dhe ndaj rajonit?”  – Marko Prelec deklaroi: –

“Nuk është sekret që Serbia nuk pajtohet me humbjen e Kosovës dhe se ende shpreson që ta rimarrë Kosovën, sigurisht jo të tërën, dhe këto shpresa janë të përqëndruara në veri, në pjesë e banuar me shumicë serbe. Shumë vëzhgues, përfshirë mua, e shohim logjikën e të menduarit të qeverisë në Beograd si jo të qartë dhe të vështirë për t’u lexuar. Andaj na mbetet ta gjykojmë përmes veprimeve të tyre. Dhe nganjëherë, si në këtë rast, ato flasin më shumë se fjalët”

“Ngjarja në Banjskë ishte me të vërtetë një kthesë e madhe. Serbia dhe serbët e Kosovës sigurisht ndihen të humbur shumë në këtë ngjarje. Kjo u kushtoi një pjesë të mirë të simpatisë ndërkombëtare që e kishin siguruar ndër vite. Dhe konfirmoi qëndrimin e qeverisë së Kosovës se në veri nuk po ballafaqohej me një popullsi të rebeluar apo të pakënaqur, por me një operacion terrorist të manipuluar nga Serbia për të cilin përgjigja e duhur ishin operacionet anti-terroriste të drejtuara nga policia speciale. Mendoj se njerëzit e kanë kuptuar se ky ishte një gabim i madh I Beogradit dhe atyre njerëzve mes komunitetit serb në Kosovë që kanë qenë të interesuar për një rezistencë të organizuar.

Do të befasohesha po të shihja diçka të ngjashme sërish, por nuk mund ta përjashtojmë por dhe nuk parashikojmë ndonjë konflikt të shkallës së gjerë” – potencoi njohesi i zhvillimeve ne Rajon.

Ndërmjetësit evropianë dhe amerikanë shpresuan që viti 2024 do të ishte viti i normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se kjo kornizë kohore është ende realiste?

Duke treguar se nuk ka shenja se ndonjëra prej palëve po mendon për normalizimin e situates dhe marredhenieve, Prelec tha se e vetmja rrugëdalje është marrëveshja.

“Realiteti i situatës në Kosovë është i tillë, që vendi nuk mund të zgjerojë njohjet ndërkombëtare më tej se ç’ka arritur, pa zgjidhur mosmarrëveshjet me Serbinë. Ka siguruar njohjen nga gjysma e vendeve anëtare të OKB-së dhe nuk pritet të sigurojë të tjera. Nuk ka mbetur shumë hapësirë. Tani shpresojmë që të anëtarësohet në Këshillin e Evropës. Por nuk mund të shkojë më larg se kaq ngaqë nuk ka mbetur më se çfarë të bëjë. Çështja madhore tani është të arrijë një marrëveshje me Serbinë. Por që kjo marrëveshje të funksionojë, duhet të jetë një marrëveshje që jep dhe merr. Ajo që Kosova mund t’i ofrojë Serbisë është një formë e mirë trajtimi e pakicës serbe. Asociacioni i komunave serbe duhet të kishte qenë pjesë e kësaj. Ky është vetëm një aspekt që është negociuar, por ka alternativa tjera. Gjithsesi, duhet të ketë kompromise nga të dyja palët, por për këtë nuk ka gatishmëri” – theksoi Preleç.

Continue Reading

Shkrime

Dhëndri i Donaldit dhe një ëndërr naive me antikomunistë

Nga Skender Minxhozi

Lajmi për projektin masiv turistik që dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner dhe investitorë arabë po përgatisin për ishullin e Sazanit dhe Zvërnecit, shpërtheu si një bombë e nënujshme në ambjentin politik e mediatik të Tiranës. Prej muajsh, qëkurse administrata Biden e ka shpallur non grata, Berisha dhe përkrahësit e tij të Rithemelimit, së bashku me mediat që ju qëndrojnë pranë, kanë nisur një qëndrim selektiv ndaj politikës amerikane. Në median afër opozitës ka më shumë lajme kundër Biden dhe kabinetit të tij. Jepen me kujdes ulje-ngritjet e sondazheve, kur ato pasqyrojnë avantazh për Trump, si dhe hidhen akuza të përditshme për faktin që demokratët amerikanë janë që të gjithë në xhepin e kostumit të Xhorxh Soros. Është ndërtuar një pritshmëri false për rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke u shitur me kujdes një fakt i tillë si një shpresë e drejtpërdrejtë për Berishën dhe fraksionin e tij politik.

Ndërkohë që kjo pjesë e opozitës rrokaniset duke harxhuar energji për fatin e dhëndrit të Doktorit dhe vetë Doktorin, Rama paska qenë duke mikluar oreksin turistik të dhëndrit të Donaldit të Madh. Atij që rrugica e priste si shpëtimtarin e orës së fundit, pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Ky “ngatërrim” dhëndurësh, në fakt thjesht figurativ e pa lidhje, tregon në fund të rrugës kotësinë dhe naivitetin e kalkulimeve (për të disatën herë) që bëhen në “katundin” shqiptar, kur është fjala për amerikanët.

Që këta të fundit janë një materie shumë fluide dhe kontradiktore për imagjinatën dhe parimet e shqiptarit normal, kjo është pak por e sigurt. Amerikanët janë aty, me interesat e tyre, të cilat s’duhen ngatërruar me interesat tona. Në momentin kur interesat e dy palëve, SHBA e Shqipërisë përkojnë, qeveritarët në Tiranë, majtas ose djathtas, kujtojne se i kanë miq amerikanët. Fjala vjen, kur Trump erdhi në pushtet në 2016, Rama e kishte sulmuar në CNN gjatë fushatës. Shumëkush parashikoi halle për kryeministrin shqiptar në vitet që do të vinin. Interesat që do pasonin, ku pozita e qeverisë shqiptare shihej si me peshë në politikën rajonale të SHBA në atë moment, bëri që Rama të mos merrte asnjë rrufe nga Uashingtoni për mallkimet ndaj Trump. Në fakt ajo që erdhi ishte pikërisht e kundërta. Amerikanët e mbajtën në pushtet Ramën edhe kur u ngrit Çadra e famshme në 2017, edhe gjatë krizës së dorëzimit të mandateve, kur opozita yshtte turmat e saj drejt mureve të Kryeministrisë, ndërkohë që ambasada e SHBA lëshonte paralajmërime të forta ndaj Bashës, Berishës e Kryemadhit.

Edhe tani, kur në Tiranën opozitare Trump po shihet si një shpresë për grupimin e Berishës, projektet e vilave të Sazanit e Zvërnecit vetëm sa na kujtojnë se në këtë botë interesat gjeopolitike dominojnë mbi humoret, simpatitë apo antipatitë personale.

Jetojmë në epokën e krizës së ideologjive dhe në botë ka sot shumë interesa të ndërthurura që e bëjnë të pakuptueshëm leximin e raporteve, marrëdhënieve dhe aleancave mes shteteve e qeverive, vetëm mbi kritere politike e përkatësie ideologjike. Që të faktorizohesh tek amerikanët duhet të kesh pushtet, por edhe të jesh i dobishëm për ta. Kjo aksiomë e vjetër vlen për të gjitha kohët dhe për të gjitha rrethanat. Kryeministrit aktual të Shqipërisë i kanë qëlluar të dyja, edhe pushteti, edhe nevoja e amerikanëve për Shqipërinë në momentin aktual. Nuk paska qenë i lindur me këmishë Edi Rama, paska qenë vetë këmisha!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING