Connect with us

Shkrime

Nën sindromën e rrugicës

Nga Skënder Minxhozi

Një rrugicë është një vend i ngushtë për definicion. Ka lindur e tillë. Nuk mund të prodhojë dhe as të rrisë ngjarje të mëdha. Duket se edhe turma e vogël e njerëzve që mblidhet tek rrugica ku banon Sali Berisha e di fort mirë këtë por bën teatrin para kamerave me premtime të mëdha, me kërcënime serioze dhe thirrje po kaq të fryra e pompoze.

Opozitës së sotme, pas çarjes në disa pjesë, pas listës së humbjeve që tashmë është vështirë edhe t’i numërosh e t’i mbash mend, pas bllokadës reale nga Perëndimi, duket se i mungonte edhe futja në një rrugicë të ngushtë të Tiranës. Duket si stadi i fundit i banalizimit dhe mpakjes së një partie që ka disa shpirtra e disa frymë nëpër kryeqytet, por që njëherësh s’ka as unitet të brendshëm dhe asnjë plan konkret për të dalë nga gropa ku ndodhet.

Piskama e përditshme e Doktorit nga maja e pallatit është i vetmi faktor lëvizës brenda opozitës së sotme. Meta thuajse është zhdukur, Basha del në media një herë në disa muaj për t’u tërhequr sërish s’dihet mbi çfarë taktike dhe logjike, kurse të tjerët vijnë rrotull nëpër Tiranë sa te njëri tek tjetri. Procesi i thërmimit të opozitës ecën pandalur dhe rrethi vicioz fillon e mbaron tek i njëjti vend: rrugica tashmë e famshme e Salës!

Ky rreth vicioz është shpjeguar e debatuar gjatë në opinionin pulik shqiptar prej disa vitesh. Më saktë qëkurse Sali Berisha është futur në listën e zezë të amerikanëve, kohë para se Spaku e Altin Dumani të hapnin petët e lakrorit të ndërtimeve të klubit Partizani. Ky rreth vicioz vijon të krijojë pasoja të rënda për opozitën shqiptare dhe është mirë të shpjegohet më shumë se një herë për veshët e shqiptarëve, pasi magnituda e efekteve që po krijon e kërkon diçka të tillë.

Demokratët po reklamojnë disa të drejta që po e gjejnë të vështirë t’i marrin. Rithemelimi ka paraqitur tre kërkesat e njohura që lidhen me komisionet hetimore dhe pjesëmarrjen në reformën zgjedhore, PD zyrtare e Bashës kërkon veting politikanësh dhe reformë të thellë elektorale. Të gjitha palët opozitare kërkojnë dika në derën e Ramës, por ajo derë ka qëndruar e ftohtë dhe e painfluencuar nga thirrjet e kërcënimet e opozitës.

Këtu nis e merr formë rrethi vicioz për të cilin ka shumë kohë që diskutohet. Kërkesat dhe pretendimet e opozitës janë parashtruar, diskutuar dhe eventualisht zgjidhur në të tjera kushte nga këto të sotmet. Ka qenë jo vetëm një opozitë e bashkuar, e jo një konglomerat sherrxhinjsh si ky i sotmi, por mbi të gjitha ka qenë një pakicë e asistuar rregullisht nga presioni ndërkombëtar mbi maxhorancat, në mënyrë që palët të uleshin në tryeza bisedimesh. Ka ndodhur kjo qysh në vitet ’90 kur antagonizmi politik ka qenë i skajshëm, e më tej në vitet 2000 kur çdo reformë madhore është kryer në prezencën e të huajve. Fytyra e emra të pafund emisarësh nga Perëndimi, kryeministra, eurodeputetë, partiakë të njohur të kontinentit, pa harruar edhe të gjithë ambasadorët amerikanë në Tiranë, kanë qenë garantët e marrëveshjeve që janë sigluar mes palëve, duke tejkaluar momente bllokimi dhe kriza të të gjitha përmasave.

Rrethi vicioz ku fati politik i Sali Berishës e ka futur opozitën sot ka të bëjë me faktin se prezenca e tij në krye të panelit opozitar ka bërë që të huajt të braktisin tryezën e bisedimeve. Atë tryezë për të cilën opozita ka aq nevojë sot. Shurdhëria dhe arroganca e socialistëve e ka një bazë, ajo nuk ngrihet mbi vullnetin e vërbër të Ramës për të thënë “Jo” thjesht për dëshirë apo kokëfortësi. Qëndrimi i tërhequr i perëndimorëve ndaj krizës aktuale, insistimi i tyre për të mos ndërmjetësuar mes qeverisë dhe Rithemelimit, e ka zanafillën tek prania e Berishës në zyrën e kryetarit.

Mund të harxhoheet kohë plot duke debatuar nëse shkon ose jo ky lloj presioni i SHBA, Britanisë e të tjerëve mbi Sali Berishën. Fakti është se duke harxhuar kohë për këtë gjë, e jo duke e lexuar me realizëm atë që po ndodh, pasoja do të jetë afatgjatë dhe e paevitueshme. Sali Berisha reklamon të drejta pranë atyre të cilët i ka quajtur të blerë me para tek McGonigal, kërkon ndihmë tek italianët të cilëve ju dërgon në Kushtetuese projektin e Gjadrit për refugjatët, pasi ju ka premtuar të kundërtën. Pasi ke hedhur në gjyq Amerikën (në Paris!!!), nuk ke ç’kërkon më nga ata. E as nga evropianëët, të cilët siç Doktori e di fort mirë, janë të koordinuar fund e krye me amerikanët në këto qëndrime.

Ky është rrethi vicioz që nis tek selia buzë Lanës dhe mbaron tek rrugica e Saliut. Është ai rreth vicioz i ndërtuar me parimin dritëshkurtër të shpëtimit me çdo kusht të faqes dhe dinjitetit personal e familjar të Sali Berishës, duke shpërfillur gjithçka vjen pas. Berisha ka bllokuar procesin politik në Shqipëri, duke bërë që askush të mos ikë, por vetëm të vegjetojë në postin që mban. Djathtas dhe majtas.

Sindroma e rrugicës po merr në qafë të gjithë opozitën. Edhe copëzën e Lulit me stemë e flamur qëndrisur në jakën e këmishës, e cila është fshehur nga frika e zemëratës së Doktorit e flet sikur e ka zënë lemza. Ndërkohë Edi Rama rri e vështron…

Shkrime

Lojërat e Vuçiç, as Lindje, as Perëndim, analiza e DW

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha për DW, se politika e jashtme serbe “ka shumë ngjashmëri” me politikën e brendshme. Ashtu sikurse Partia Përparimtare Serbe që është një parti e ashtuquajtur “catch-all” – si një parti që kërkon votat nga të gjithë – edhe politika e jashtme dhe diplomacia janë shtrirë në të gjitha drejtimet.

Lufta kundër pranimit të Kosovës në KiE dhe kundër Rezolutës për Srebrenicën, zotimi për rrugën evropiane, vizita e liderit kinez, afërsia me Rusinë… A është politika e jashtme e Serbisë “skizofrene” apo me strategji?

Kemi te bejme me nje pranverë diplomatike te stuhishme në Serbi: Vizita e presidentit kinez, lufta kundër rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, vizita e Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm të Ukrainës, fushata kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, fjalimi i Vuçiçit në Rusi…

Ngjarjet e rëndësishme të politikës së jashtme janë rreshtuar. Disa do të thoshin, plot mospërputhje dhe çorientim i politikës së jashtme serbe, të cilën disa analistë e cilësojnë si “skizofrenike”. Deklarativisht ende në rrugën evropiane, Serbia ose, më saktë, presidenti i saj Aleksandar Vuçiç, po përpiqet të gjejë aleatë nga të gjitha anët. Për vëzhguesit nga jashtë duket kjo si një ylber i politikës së jashtme, ku nuk mund të gjesh ndonjë sistem.

Dushko Lopandiç, kryetar i Forumit për Marrëdhënie Ndërkombëtare, tha se
“Kjo diplomaci e gjerë përdoret në radhë të parë për të promovuar regjimin dhe për propagandë të brendshme. Ne kemi një politikë të jashtme shumë të pasuksesshme, persa i përket integrimit evropian dhe bashkëpunimit rajonal. Regjimi po zbaton një lloj politike të jashtme propagandistike”.

Nga ana tjeter, Igor Novakoviç nga Qendra për Çështje Ndërkombëtare dhe Siguri u shpreh se në këtë politikë ka një sistem. “Fokusi tani është në dy boshte – me Amerikën dhe me Kinën”.

“Bashkimi Evropian është në vendin e tretë, ndërsa Rusia në vendin e katërt. Tani të gjitha letrat janë vendosur në njëfarë real-politikë, e cila bazohet në një lloj marrëdhënieje të caktuar transaksioni, që synon të mbajë në pushtet elitën ekzistuese.

Meqenëse ata kontrollojnë të gjitha proceset në vend, ata mund të udhëheqin një politikë të jashtme të tillë të plotë”- beson Novakoviç.

Dushko Lopandiç, nga ana tjetër, flet për improvizime – për vizitën e rëndësishme të presidentit kinez Xi,  si dhe për vizitën e delegacionit ukrainas, e cila “në radhë të parë ka të bëjë me marrëdhëniet me Amerikën”.

“Një ditë kritikohet BE-ja, ndërsa të nesërmen thuhet se jemi në rrugën evropiane. Është një lloj loje që ngre pyetjen e çmimit të një politike të tillë, e ky çmim nuk është i vogël”, paralajmëroi Lopandiç.

Vizita në Serbi e bashkëshortes së presidentit ukrainas, Olena Zelenski dhe ministrit të Jashtëm, Dmitry Kuleba, është interesante për faktin se mediat e regjimit mezi raportuan për këtë vizitë. Igor Novakoviç vëren se “qeveria kontrollon në mënyrë të barabartë narrativën pro-ruse dhe pro-perëndimore në media. Kjo zvogëlon rëndësinë e Perëndimit dhe BE-së nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër parandalon disa manipulime më të thella nga pala ruse”.

Regjimi serb ka zhvilluar një fushatë antiperëndimore për një kohë të gjatë. Njëjohësisht ka bërë në masë të vogël një fushatë pro-ruse, thotë Dushko Lopandiç.

“Është vërtet interesante që kjo vizitë u regjistrua shumë pak, si shumë modeste, sepse aty nuk ishte vetëm gruaja e presidentit ukrainas, por edhe ministri i Jashtëm. Kjo është bërë edhe për faktin se opinioni publik ka një qëndrim kryesisht pro-rus. Në këtë kuptim, pranimi i krerëve të Ukrainës sigurisht që nuk është i popullarizuar për momentin”, theksoi Lopandiç.

E teksa ditët në vijim do të shënohen nga miratimi i paralajmëruar i Rezolutës për Srebrenicën në Kombet e Bashkuara, Igor Novakoviç e vlerëson luftën e autoriteteve në Beograd kundër kësaj Rezolute si mbështetje për Milorad Dodikun.

“Paradoksalisht, kjo histori erdhi në momentin e duhur për Vuçicin dhe Dodikun, të cilët kanë shumë probleme të brendshme. Kjo temë tani mund të përdoret për të mobilizuar njerëzit”  – vlerësoi Novakoviç.

Diplomacia serbe bëri përpjekje të mëdha për të penguar edhe hyrjen e Kosovës në Këshillin e Evropës, gjë që për momentin ia doli. Të premten (17 maj) Kosova nuk ishte në rend dite, sepse vendet e Kuintit këmbëngulën për fillimin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, gjë që Prishtina e refuzon.

Bashkëbiseduesit e DW nuk janë të sigurt se kjo është një fitore diplomatike e Serbisë, por më tepër flasin për hapat e gabuar që ka bërë Prishtina. “Këtë rezultat e solli mosbashkëpunimi që Kurti po tregon prej vitesh me faktorin ndërkombëtar dhe mohimi prej tij i një pjese të Marrëveshjes së Brukselit”, potencoi Dushko Lopandiç.

Edhe Igor Novakoviç ka mendim të ngjashëm: “Kosova ndoshta do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe çdo lëvizje që sugjeron se Asociacioni mund të jetë diçka më shumë se një organizatë e zakonshme joqeveritare mund të jetë e dëmshme për Kurtin”. Në këtë mënyrë, autoritetet e Kosovës po sillen shumë ngjashëm me autoritetet serbe, mjaft transaksionale dhe të palëkundura”.

 

Continue Reading

Shkrime

Mesazhi i Escobar e ‘Dosja Britanike’, Berisha-Meta jo më deputetë?!

Nga Jakin Marena

Opozita vijon të jetë e ndarë në disa pjesë, si pasojë e situatës kaotike në të cilën gjendet PD, partia më e madhe opozitare në vend.

Themi se gjithçka vërtitet rreth PD, sepse partitë e tjera, të ‘vjetra’ apo të reja s’kanë asnjë peshë specifike politike që mund të sjellin përmbysje elektorale dhe për pasojë rrotacion pushteti, i cili me shumë gjasa do të vijojë të jetë në dorë të PS dhe për shumë mandate.

Demokratët janë në dilema të mëdha, dhe ku për shkak sentimenti apo dhe ‘genin’ specifik të shqiptarit, për t’u atashuar rreth më të fortit, më shumë janë të grumbulluar rreth Rithemelimit të drejtuar nga Sali Berisha.

Ndonëse janë pa asnjë shpresë për të ardhmen me një lider si Berisha, i shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania e Madhe, dhe i trajtuar si i tillë dhe nga vendet anëtare të BE ose jo, përfshirë dhe vendet e rajonit, me Kosovën në përbërje, ndonëse nën arrest shtëpiak për korrupsion e dosje të tjera si “Gërdeci”, “21 janari” dhe afera CEZ-DIA në ngarkim të tij ku më shumë dhe ku më pak, sërish demokratët që janë mbledhur rreth tij shpresojnë te ndonjë ‘tekë’ e fatit, ndërsa pjesa që i qëndron më afër, nuk kanë nga shkojnë, sepse kanë përfituar nga pushteti i tij.

Kalojnë nëpër mendje ardhjen në pushtet për herë të dytë më 2005 me votë, falë makinacioneve dhe përçarjes së PS që udhëhiqej nga Fatos Nano, teksa tetë vite më parë, më 1997, Berisha ishte hequr nga pushteti me pushkë, dhe shpresojnë se mund të përsëritet ky rast fatlum.

Për hir të së vërtetës lumi nuk lëviz dy herë në të njejtat brigje, sa herë që fryhet nga shirat por gjen rrugën më të shkurtër për t’u derdhur në det, por ama demokratët vazhdojnë shpresojnë me sytë ‘nga qielli’ dhe herë dhe të drejtuar nga kati i tetë i pallatit ku flet përnatë Berisha.

Gjithsesi janë të pashpresë për të ardhmen, dhe një grup më i paktët, sipas parimit të enëve kumunikuese lëvizin herë në krahun e PD zyrtare të udhëhequr nga Lulzim Basha, ‘birit plangprishës’ politik të Berishës, e herë tek Rithemelimi i udhëhequr nga ‘ati’ i tyre shpirtëror.

Në fund të herës demokratët kanë hyrë në vitin e ri zgjedhor, pa asnjë shpresë për të ardhur në pushtet, teksa po mbushin 12 vite në opozitë, dhe shumë prej tyre besojnë se PS dhe Edi Rama, kanë tërë mundësinë e Zotit për të qeverisur dhe mandate të tjerë, sa kohë që PD është në këtë shkallë degradimi politik. Por dhe në një krizë të fortë lidershipi.

Zhgënjimi shtohet akoma më tepër dhe për faktin se Berisha është i mbyllur në pallatin e tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, me vendim gjykate nën arrest shtëpiak dhe vetëm Zoti e di se si do të dalë në fund të herës përballë akuzave të rënda që janë në ngarkim të tij, e që SPAK, sado ta ketë marrë me nge këtë punën e Berishës, një ditë do të duhet që dhe dosjeve të rënda që përmendëm më sipër, t’u vërë nga një emër sipër dhe për pasojë të thotë dhe përgjegjësin kryesor për ta përballur me akuzat.

Njëherësh, Rithemelimi është një grupim politik në të ‘zezë’, pasi s’njihet ligjërisht dhe sa herë që partitë thirren nën ‘shërbim’, pra për t’u ballafaquar me votën e shqiptarëve, ka qënë dhe do të jetë i detyruar që kandidatët e vet t’i regjistrojë në emër të Partisë së Lirisë së Ilir Metës, apo të ndonjë partie tjetër fantazmë me të cilën ka afri, nëse Meta tregon ‘oreks’ të madh politik.

Por dhe sikur Berisha të tërhiqet në këtë moment nga drejtimi i Rithemelimit për t’u marrë me punët e e veta në përballjen e rëndë dhe familjarisht më drejtësinë, gjasat janë të sigurta se sërish një ‘non grata’ do ta udhëheqë këtë grupim politik.

E pranoi vetë një natë më parë Argita Berisha Malltezi në një emision televiziv, se drejtimi i Rithemelimit nuk do të dalë jashtë familjes Berisha. Pra, në mungesë të të atit Argita do të marrë drejtimin e Rithemelimit, dhe kjo është e sigurtë. E kemi parë se pas të gjitha protestave dhe tek ‘Rrugica e Salës’ e para bashkisë, këto të fundit të dhunshme dhe me molotov, qëndron ‘dora’ e Argita Malltezit Berisha, një udhëheqëse në prapaskenë e këtij grupimi politik.

Nuk ka asgjë te keqe, kur e pranon dhe vetë. Madje dhe kur e bën të sigurtë ambicien e saj për të kapur drejtimin e Rithemelimit, pasi ka qënë dhe është pronë e Berishajve që në krye të herës, sepse si të tillë e ka trajtuar përmbi 30 e kusur vite në pushtet apo në opozitë.

E themi këtë dhe për faktin se për Berishën do dhe pak ditë që të skadojë afati 6 mujor ku ai do të humbasë mandatin e deputetit. Pasi s’ka asnjë gjasë të dalë dhe për shumë kohë nga arresti shtëpiak. Ndonëse nuk mungojnë zërat nga korridoret e Rithemelimit, ndoshta të hedhura dhe për konsum politik, që në ‘finishin’ e skadimit të afatit për djegien e mandatit të deputetit, Berisha do të bëjë një ‘kolpo’ politike të ngjashme me atë të 8 janarit kur sulmoi selinë e PD buzë Lanës, dhe do të kërkojë të jetë prezent me forcë në një seancë parlamentare. Megjithëse do të duhet të llogaritet si prezencë, dhe kjo bëhet nga administrata e Kuvendit. Por kjo do të kishte një kosto të lartë politike, dhe ata që e udhëzojnë mund ta groposin për të dytën herë, tashmë tamam, pasi mund t’i rezervojë arrestin me burg në qeli kësaj radhe, për shkelje të vendimit të Gjykatës dhe dhunë.

Por Berisha nuk ka asnjë shans që të jetë deputet në legjislaturën e re, të dalë pas zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Pasi duke qënë ose nën arrest shtëpiak, ose në qeli, pengesat mund të fillojnë që në KQZ dhe përfundojnë në Komisionin e Rregullores e Mandateve, që mund të sjellin bllokimin e dhënies së mandatit të ri të deputetit. Në mos dekriminalizimi gjendja e arrestit do të jetë penguese që Berisha të mos hyjë në Parlament si deputet.

Rithemelimi me kryetarin nën arrest shtëpiak, pa mandat deputeti dhe të ‘prekshëm’ nga drejtësia tashmë pasi është pa imunitet, do të jetë si një qenie pa kokë që lëviz në kaos dhe pa orientim.

As ngjitja e Argitës në krye të Rithemelimit nuk zgjidh punë. Përkundrazi e zhyt më tepër këtë grupim politik në greminë. Kjo ndodh për shkak se Argita si tërë familja e saj është shpallur ‘non grata’ nga SHBA. Ka dhe bashkëshortin Jamarbër Malltezi në arrest shtëpiak për pastrim parash dhe përfitime nga vjehrri ish kryeministër Sali Berisha, me ngritjen e kullave shumëkatëshe dhe me vlera të forta monetare prej 5.4 milionë euro. Të pajustifikuara këto sipas drejtësisë.

Nëse Berisha, për shkak dhe të moshës biologjike pasi është 80 vjeçar, mund të jepte shpresa për Rithemelimin se do çlirohej një ditë nga lideri ‘non grata’ dhe nën arrest për korrupsion, marrja e drejtimit nga Argita vajza e tij, i humbet të gjitha këto shpresa për 20 vitet e ardhshme sëpaku, pasi mosha e saj është e re dhe ambicia e saj është e madhe për të mos e dorëzuar vetë lidershipin e Rithemelimit. Ia ka shuar shpresat dhe Gaz Bardhit e grupit të tij, pasi pikërisht për të trashëguar Rithemelimin nga Berisha në largim ka bërë tërë ato ‘pirueta’ duke ikur nga PD e Bashës dhe duke u rikthyer tek ‘armiku’ Berisha.

Por dhe tek aleati më i mundshëm, Ilir Meta kryetar i Partisë së Lirisë, situata nuk është aspak e qetë. Kjo duket hapur dhe nga luhatjet e humorit të Metës, i cili po përpiqet me të gjitha mënyrat që të jetë ‘mbret’ i rrjeteve sociale, me deklaratat që bën, mënyrën se si i qaset publikut, herë duke udhëtuar nëpër male, herë duke u kacavjerrur nëpër platforma metalike, herë në ambiente të mbyllura në palestra me veglat e forcës në dorë. Pa përjashtuar këtu qasjen sportive si tifoz i fortë i Celtic-ut, nën dëshirën e fortë për të imituar këmbënguljen proverbiale të malësorëve skocezë.

Dhe Meta ka dosje të hapura në SPAK, duke filluar nga verifikimi i pasurisë, lobimi në SHBA dhe ndërhyrjet estetike të tij dhe bashkësortes Monika Kryemadhi, por dhe për aferën CEZ-DIA e akuza të tjera të forta, të cilat do të duhet t’i vertetojë. Sepse nuk mund t’ia lërë të gjitha në kurriz bashkëshortes Monika, dhe për çështje burrërie sëpaku. Këtyre akuzave u qëndron afër dhe ajo që është bërë nga ana e Filip Talos si spiun i Sgurimit të Shtetit, e ku Autoriteti i Dosjeve e ka dhënë verdiktin e vet: Ilir Metaj ka spiunuar tek Sigurimi i Shtetit kur ka qënë student.

Meta ka hapur gjyq dhe kërkon të vërtetojë se është një adash i tij ai që i bëri gjëmën Talos. Hetimi ka nisur, Prokuroria e Tiranës thirri Talon, i cili u qëndron deklaratave që ka thënë në Autoritetin e Dosjeve dhe në ambasadë. Nuk dimë cilën deklaratë të marrim për bazë, atë që ka bërë në fillim apo atë që e bëri në atë version, por të ndryshuar. Koha do ta vertetojë. Në fund të herës ajo që dimë është se dhe PL rrezikon të jetë në Parlament, pa Metën në radhët e veta si deputet, pasi kreu i kësaj partie, në mos nga njëra akuza në tjetrën do ngecë e nuk e shkel derën e Parlamentit si deputet me mandat të certifikuar.

Ky është problemi për opozitën kryesore në vend, pasi dy grupimet më të mëdha politike, mund të prezantohen pas vitit 2025 me kryetarë ‘non grata’ në Parlament, pa asnjë mundësi që të shkelin në derën e Kuvendit. Dhe kjo ndikon fort tek mbështetësit e tyre.

Dhe një shpresë sado të vagët që ka Rithemelimi tek vendimi i Apelit më 11 qershor për çështjen e vulës dhe logos së PD, shanset më të mëdha janë që kjo mundësi t’i jepet Lulzim Bashës dhe PD zyrtare. Për të qënë ata posedues të vulës dhe logos së PD e për ta lënë sërish Rithemelimin në të ‘zezë’. Pra jashtë listës së partive politike të regjistruar ligjërisht.

Pasi pikërisht në ‘metrat’ e fundit të rrugës drejt zgjidhjes së çështjes së kujt i takon vula e logo e PD, Berishës apo Bashës, vjen dhe një mesazh, le ta quajmë i ‘koduar’, i të dërguarit special të SHBA për Ballkanin Escobar të hënën, i cili foli posaçërisht për PD, jo për Rithemilimin. Dhe për PD me vulë dhe logo të saj, pra kush do të quhet PD pas 11 qershorit, me sa duket ishte fjala, dhe se rreth kujt duhet të bashkohen të demokratët, ku dukshëm kiy emër nuk është Berisha.

Escobar, mes të tjerave tha se ‘…më duhet të them, shpresoj që zgjedhja për drejtimin të mos jetë dikush që na kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90. Kështu që unë shpresoj se përfundimisht partia kryesore opozitare do ta gjejë rrugën e saj”. Vetëm emrin nuk i ka vënë Berishës, me sa duket është një zgjedhje e zyrtarëve amerikanë për të mos i përmendur as emrin njeriut që e kanë shpallur ‘non grata’ për korrupsion madhor, minim të demokracisë si dhe shantazhim të drejtësisë, Sali Berisha.

Mesazhi amerikan me sa duket është i qartë, PD duhet të jetë një forcë politike që të mos ketë në përbërje të saj njerëz që na kujtojnë kohët e këqija të viteve ’90, pra pa emrin Berisha në krye të saj. Njëherësh ky mesazh shkon indirekt dhe në drejtim të zgjidhjes së çështjes së vulës, e cila duhet të zgjidhet me drejtësi dhe të mos merret shembulli i gjyqtarit Zhukri. Tashmë Zhukri është jashtë sistemit të drejtësisë për të gjitha shkeljet e veta që ia konstatoi Vettingu.

Ndërkohë që vula me shumë gjasa mund të qëndrojë në duart e PD zyrtare, drejtimi i të cilës nuk ka shanse që të jetë në dorë të atyre që na ‘kujton ditët e këqija e të vjetra në Shqipërinë e viteve ’90”. Çka e bën akoma më të komplikuar situatën në grupimin më të madh opozitar Rithemelimi, që duhet të mendojnë një zgjedhje pa Berishën. I cili përpos mesazhit të zyrtarit të lartë amerikan, ka marrë dhe një mesazh të nxehtë nga Londra, për atë që quhet “dosja Britanike” dhe që ka të bëjë me shpalljen ‘non grata’ të Berishës atje. Të gjitha këto situata mund t’i çorientojnë akoma më shumë demokratët dhe tërë spektrin opozitar, teksa zgjedhjet parlamentare të 2025-ës janë në prag.

Që humbja e opozitës në këto zgjedhje është e sigurtë, këtë nuk e ka vënë askush në dyshim deri më tani. Misteri qëndron në faktin se sa e thellë do jetë kjo humbje, që ‘përkthehet’ automatikisht  në pyetjen se sa e thellë do të jetë fitorja e PS për të qeverisur në një mandat të katërt. Pasi sondazhet serioze deri më tani japin një fitore me mbi 84 mandate deputeti në këto zgjedhje për PS. Të presim, zgjedhjet nuk janë larg.

Continue Reading

OPINION

“SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet”/ Analisti: Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar

SPAK-u, sëpata që pret nga dy tehet – Nga Lorenc Vangjeli

SPAK-u është shndërruar në një sëpatë me dy tehe. Vret e pret në viset e politikës, administratës së lartë e pushtetit lokal dhe pret e vret edhe në trojet e helmuara në krimit të organizuar. Në pamje të parë duket se nami e batërdia po ndodh me tehun dhe shënjestrën e parë, por në Tiranë dukja gënjen gjithmonë. Goditjet mbi emisarët e krimit të organizuar, përtej çdo gjëje tjetër, janë sinjali i një strategjie të dukshme, për suksesin e të cilës është ende herët të flitet, por pasojat e saj direkte, janë një ogur i mbarë për shëndetin e politikëbërjes së nesërme: Po spastrohet fusha elektorale nga ndikimi i segmenteve të krimit në zgjedhje.

Një listë e pafundme me emra nën hetim, një pjesë në arrest, të tjerë në arrati dhe pothuaj të gjithë nën peshën e frikës, tanimë e ka humbur Eldoradon e tyre shqiptare dhe po humbet vlerën e saj si ofertë për ndikim në politikë. Pjesë të legjendës urbane të krijuar rreth tyre si rezervuarë të pasosur votash, të njohur për bëmat dhe gjëmat nga publiku, bejlerë arrogantë në çifligjet e tyre lokale, “bankierë” dhe sponsorizues të listave të pabesueshme me njerëz publikë në Tiranë, ata kanë kohë që janë dëshmuar si një pol jashtëzakonisht i rëndësishëm në shoqëri. Të pasur përtej përfytyrimit, herë diktues dhe kontrollues të trafikut të drogës, herë fajdexhinj që kreditojnë hallexhinj apo dhe biznesmenë që fitojnë tendera me kobure, miq që shkëmbejnë favore me njëri-tjetrin dhe armiq që shpërndajnë plumba e tritol ndaj njëri-tjetrit, ata tashmë kanë radhën të provojnë në lëkurë fatin e kthyer kundër tyre. Të egër dhe të pamëshirshëm, me një tentativë konstante për të hyrë në biznesin “normal” e për t’u shndërruar në biznesmenë në Shqipëri, shpesh pothuaj krejt analfabetë, ndryshe nga “kolegët” e tyre në Perëndim që përgjithësisht zgjedhin hijen në publik, ata kanë rrëmbyer vëmendjen provinciale të Tiranës duke demonstruar e duke u lëvduar me pasurinë gjigante apo të dashurat e famshme, makinat apo udhëtimet, ndikimin në politikë, në ekonomi apo në drejtësi. Për të arritur në ditën kur veç e veç e të gjithë bashkë, do të nisin të vërtetojnë për veten një aksiomë ndërkombëtare: Asnjë bandit nuk bëhet dot gjysh! Asnjë bandit nuk arrin moshën e pensionit! Përdorues dhe të përdorur nga segmente të politikës, në mos lufta brenda llojit, goditja e ligjit, po bën që jeta e tyre e shkëlqyeshme, mes luksit dhe vanitetit qesharak që kanë zgjedhur të bëjnë, të shuhet shpejt.

Falë dekriptimit të komunikimeve të tyre të dikurshme, gjithë jetëshkrimi i tyre është tashmë një “ditar” i lexuar nga shumëkush dhe jo vetëm në shqip. Në këtë lloj ditari të zi gjen konfliktet dhe miqësitë mes tyre, vrasjet dhe vëllazëritë, punët e kryera dhe aleancat me personazhe të rëndësishëm të politikës, por dhe policisë, provat e korruptimit të dhe bashkëjetesës hibride me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Pronarët më të mëdhenj realë të Real Estate-s në Shqipëri dhe gjetkë, zotërues apartamentesh, vilash e trojesh të pafundme, ata janë gjithashtu posedues të një sasie të frikshme cash-i, i pamundur për t’u llogaritur, por përtej masës që mund të lëkundë edhe ekuilibrin makroekonomik të vendit. Deri më sot, në bashkëjetesën kriminale të tyre me segmente të politikës, të sistemit gjyqësor, të policisë dhe më gjerë, ata kanë qenë çakalli që ka bërë kërdinë kur vëmendja e publikut ulërinte për ujqërit e foltoreve politike.

Të pafuqishëm për të ndaluar, kontrolluar dhe devijuar goditjen dy tehëshe, segmente të politikës në veçanti dhe krimi në përgjithësi, tani po ballafaqohen me goditjen seriale për të spastruar fushën elektorale për zgjedhjet e ardhshme nga ndikime kriminale.

Eshtë urgjencë kombëtare dhe çështje e sigurisë kombëtare që të shprishet përfundimisht simbioza e frikshme mes politikës dhe krimit. Kush duhet të ikë në fillim në këtë marrëdhënie si ajo mes pulës dhe vezës, në dilemën kush shpiku kë? Me të gjitha gjasat, në politikën që e votojnë shqiptarët, por nuk e zgjedhin, nuk janë më shumë se një duzinë me njerëz politikë që kanë realisht peshë publike. Të tjerët peshojnë më pak se një qime mjekre dhe shtrydhen më lehtë se një puçër shpine. Në botën e krimit është ndryshe. Ata janë shumë më shumë dhe shumë më të vështirë për t’u goditur. Duke nisur me ta, duke sekuestruar paratë dhe rezidencat e krimit, simbioza krim-politikë që i merr frymën vendit, mund të mbetet pa frymë.

Përtej dyshimeve se çdo të ndodhë nesër, kohët kanë ndryshuar. Kush nuk e kupton, ka kohë ta kuptojë edhe më pas, qoftë në rolin e spektatorit skeptik të llojit: “Ky vend nuk bëhet!”, qoftë në rolin e protagonistit që duhet të përgatisë triko të bollshme leshi për dimrin që këtë vit po vjen shumë më herët në Shqipëri. Aty ku Real Estate i burgjeve, po mbushet me viktima të sëpatës me dy tehe.

Continue Reading

Shkrime

Nesër do jetë ditë e vështirë, vuloset e ardhmja e Kosovës

Analisti dhe profesori amerikan i universitetit John Hopkins, Daniel Serwer, thotë se pyetja e pashmangshme sot, sa herë që përmendet Ballkani, është se çfarë do të bëhet me Asociacionin?

Beogradi dëshiron që ai të formohet brenda Kosovës. Amerikanët dhe evropianët po insistojnë gjithashtu. Por, autoritetet e Kosovës po rezistojnë për të kundërtën. Çfarë duhet bërë?

Në një tekst autorial analisti amerikan dhe njohësi i çështjeve të Ballkanit, tha se “Prishtina u pajtua ta formonte Asociacionin në vitin 2013, në atë që u quajt “Marrëveshja e Parë mbi parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve”.

Sipas tij, kjo marrëveshje e panënshkruar parashikonte që Asociacioni të kishte “përmbledhje të plotë të fushave si ekonomia, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe ai rural”. Gjithashtu, thuhej se autoritetet qendrore mund t’i delegonin komunave me shumice serbe, edhe kompetenca shtesë.

“Marrëveshja e vitit 2013 parashikon që asnjëra palë nuk do të bllokojë ose inkurajojë të tjerët të bllokojnë, përparimin e palës tjetër në rrugën drejt BE-së. Deri më tani, as Beogradi e as Prishtina nuk e kanë zbatuar pjesën e tyre të marrëveshjes” – ka shkruar Serwer.

Profesori amerikan i universitetit John Hopkins, tha gjtihashtu se Albin Kurti, tani kryeministër i Kosovës, teksa ishte në opozitë, e kundërshtoi formimin e Asociacionit. Edhe tani në pushtet, ai po vazhdon t’i rezistojë zbatimit, pavaresishte se presidenti serb Aleksander Vucici, vazhdon të insistojë në formimin e tij”.

Por, sipas Serwer, krijimi i një “bote serbe” në Kosovë, ka ngritur dyshime.

“Popullata në Kosovë shqetësohet se Serbia me anë të Asociacionit po përpiqet të krijojë një zonë të veçantë, autonome, jashtë autoritetit të Kosovës. Kjo pasi një i ngjashëm ka çuar edhe në luftë në Bosnjë gjatë viteve ‘90.

Ndërkohë, Beogradi asnjëherë nuk ka hequr dorë nga përpjekjet për të bllokuar përparimin e Kosovës drejt BE-së. Kjo përfshin përpjekjet e fundit të tij për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, ka shkruar Serwer duke kujtuar se “serbët janë tërhequr edhe nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore. Shteti serb gjithashtu ka bojkotuar zgjedhjet atje, ka rrëmbyer tre policë të Kosovës dhe ka shkaktuar trazira nga të cilat mbetën të plagosur paqeruajtësit e NATO-s, si dhe organizoi një sulm terrorist shtatorin e kaluar. Secila nga këto përpjekje llogaritet sfidë ndaj kornizës ligjore për të cilën Beogradi kishte rënë dakord se do të zbatohej në Kosovë”.

Për arsye që ende nuk dihen, Serwer theksoi se amerikanët dhe evropianët i premtuan Beogradit zbatimin e Asociacionit pa asnjë kusht. “Por, ata premtuan se ai nuk do të bëhet një nivel i ri qeverisjeje. Megjithatë, ata nuk kanë qenë të gatshëm të angazhohen për këtë në një marrëveshje zyrtare qeveritare”……………..

Serwer tha gjithashtu se evropianët kanë sjellë pasoja për dështimin në themelimin e Asociacionit dhe kanë vonuar shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ai këtë e quan “keqpërdorim diplomatik”, duke theksuar se nuk ka kuptim që pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës të kushtëzohet me zbatimin e Asociacionit. “Përveç presionit ndaj Kosovës, SHBA-ja dhe BE-ja duhet t’i kujtojnë Serbisë detyrimet e saj sipas marrëveshjes së vitit 2013. Ndër tjera, serbët duhet të rikthehen në institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhje, Beogradi duhet ta përfundojë fushatën kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane dhe Serbia duhet t’i dorëzojë terroristët e saj në Kosovë për gjykim si dëshmi që e pranon kornizën ligjore të Kosovës”, ka shkruar Daniel Serwer.

 

Continue Reading

Shkrime

Shqipëria dhe Greqia nuk flasin hapur për thelbin e krizës mes tyre

Nga Mero Baze

E vërteta është se raportet mes Shqipërisë dhe Greqisë janë në krizë, por të dy palët nuk i referohen thelbit të kësaj krize, por shkaqeve që gjejnë rrugës. Shqipëria bën rolin e viktimës duke u nisur nga retorika e Greqisë për rastin Beleri, por në fakt ajo që Shqipëria po kundërshton, është ndjenja e paternalizmit që Greqia ka ndaj Shqipërisë historikisht.

Nga ana tjetër Greqia që bën sikur ka në dorë integrimin evropian të Shqipërisë, po ashtu është realisht e shqetësuar nga indiferenca me të cilën Shqipëria po i merr kërcënimet e saj, se sa nga fati juridik apo politik i Belerit.

Fjalimi i Edi Ramës në Athinë ishte një gjarpërim mes fjalësh për të thënë se nuk jemi më ata që kemi qenë dikur në vitet 2000, kur pritja e ambasadës greke, kishte më shumë të ftuar se pritja e presidentit të Republikës dhe kur për një drejtor drejtorie vendosej në Athinë. Nuk ishte i sinqertë as kur i referohet krizës formale shkaktuar nga arrestimi i Belerit, kur bën sikur mbron pavarësinë e drejtësisë shqiptare, dhe bën si viktimë e mendësisë nacionaliste greke.

E vërteta është se thellë thellë, Edi Rama, mezi pret të dëgjojë çdo gjë kundër SPAK prej Greqisë, pasi kështu forcon fabulën e tij për distancën që ka me drejtësinë e re, dhe po bën gjithçka që Greqia të vazhdojë ta mbajë ndezur këtë retorikë e cila e nxjerrë atë, më të mirë se sa është, në Bruksel.

Ajo për të cilën ai bën si viktimë e sulmit të politikës greke ndaj tij, është në fakt nderi më i madh që po i bën Greqia, ndërsa ajo që ai nuk e thotë hapur dhe grekët nuk e pranojnë dot, është se ai thjesht nuk e konsideron rrezikun grek për anëtarësim në BE. Madje e lut që Greqia të jetë në anën tjetër të barrikadës, pasi kështu ka dhe një arsye më shumë patriotike për një fjalim të ri.

Edhe më i pasinqertë është kryeministri Micotaqis në dy raste. E para në deklaratat e tij të sotme, ai padashje e nxjerr pikërisht ndjenjën e paternalizmit ndaj Shqipërisë reflektuar tek ideja që rruga e Shqipërisë për në BE kalon nga Greqia, por këtë e maskon me çështjen Beleri. Çështja Beleri në aspektin e rrugës evropiane është në favor të Shqipërisë dhe jo të Greqisë. Kjo tanimë është e provuar me qëndrime zyrtare të Bashkimit Evropian dhe SHBA. Ndjenja e paternalizmit grek ndaj Shqipërisë po. Ajo është reale dhe dominon mendësinë e politikës greke. Dhe Greqia ngjan nervoze se në Shqipëri është bërë e parëndësishme.

Së dyti Mictoaqis gënjen kur thotë se nuk kishim pse e pengonim Edi Ramën të bënte vizitë në Athinë. Negociatat e dy palëve mund të shërbejnë për një serial Netflixi, për qindra probleme që nxori qeveria qendrore duke bërë presion mbi çdo pronar salle në Athinë që të mos e pranojë takimin me kryeministrin shqiptar dhe mbi çdo inxhinier grek të mos firmoste garancinë për sallën, dhe i hapi rrugë kur e pa që çështja u bë e rëndësishme dhe mund të dominonte fushatën e tyre elektorale.

E vërteta e thjeshtë është se rruga e Shqipërisë për në Evropë, mund të kalojë edhe nga Athina, nëse Athina është në një gjatësi vale me Evropën, por në rastin e Belerit që i referohet Greqia, nga Athina mund të kalohet për ndonjë buzuk, por jo për në Bruksel.

Kurse sa i takon shqetësimit që ka krijuar SPAK në politikën shqiptare, është ku e ku më larg se ai që ka krijuar në politikën greke. Dhe në këtë rast Micotaqis ka plot aleatë të heshtur në Shqipëri, përfshi dhe ata që thonë jemi me SPAK. Ndaj lodhet kot të na shpjegojë që SPAK ka gabuar. Po qe se shpëton politikën shqiptare nga SPAK-u, në emër të Evropës, janë gati ta marrin në supe të gjithë.

Atëherë mund të ribëhet i rëndësishëm për politikën shqiptare. Duke kërcënuar për integrimin evropian, nuk tremb njeri, pasi integrimi evropian, nuk është ndonjë rrezik më i madh se SPAK për politikën shqiptare. Eshtë vonë shumë dhe i paqartë se si mund ta tremb politikën shqiptare.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING