Connect with us

Politike

‘Neomalësorja’, sfidë Ramës: Shpërndani parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme, masim forcat

Deputetja Marjana Koçeku, e cila ditën e diel njoftoi largimin nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe kalimin si deputete e pavarur, ka reaguar sërish me një mesazh në rrjetet sociale.

Në postimin e saj, Koçeku ka sfiduar mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama që nëse është I bindur për mbështetjen politike dhe për shumicën prej 83 mandatesh në Kuvend, të shpërndajë Parlamentin dhe të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet.

Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka.

Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde”, shkruan ajo.

Ky reagim i fortë i saj vjen pas reagimeve nga eksponentë të Partisë Socialiste, duke përfshirë zyrtarë të lartë të kësaj force politike, të cilët kanë deklaruar publikisht se Marjana Koçeku duhet të heqë dorë edhe mandati, jo vetëm nga PS-ja.

Sipas tyre, ajo nuk mund të pretendojë të jetë deputete e pavaruar në kushtet kur është zgjedhur nga socialistët e qarkut të Shkodrës, si e para në listën e mbyllur të kësaj force politike, në zgjedhjet e 11 Majit.

 

Advertisement