Politike
Rama vijon përplasjen, mesazh kryetarit të Diasporës në Greqi: Dy zogj me një gur…
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur deklaratës së kryetarit të Diasporës në Greqi, Etmond Guri, në “Shqipëria Live”, i cili foli për reagimin e mediave greke sa i përket rastit të protestës në Zvërnec.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës.
Postimi i Ramës:
Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botë.
E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë.
Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë bërë njësh me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi për shembull, largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që mos e dhëntë Zoti do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…
Po mirë këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, i cili edhe kaq edhe u teprua shumë, sepse në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum
Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth.