Shkrime
Renditja për besimin/ Shqipëria ndër vendet e fundit në botë, shqiptari për shqiptarin është ujk
Ish udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxhës, duke iu referuar shoqërisë kapitaliste, i pëlqente të perifrazonte shpesh një shprehje latine: “Njeriu për njeriun është ujk.”
Me këtë ai përpiqej të tregonte se në botën kapitaliste mungonte solidariteti, se individi e shihte tjetrin si kundërshtar, jo si bashkëpunëtor. Pra, pikërisht ato tipare e karakteristika që nuk i kishte Shqipëria socialiste.
Më vonë, një shkrimtar i njohur tashmë, dikur edhe gazetar dhe drejtues i një gazete private e modifikoi me humor të hollë këtë shprehje, duke thënë:
“Shqiptari për shqiptarin është… lezhjan.”
Një batutë që sintetizonte përvojat e tij me sherret, konfliktet dhe dinamikat e ndërlikuara mes aksionerëve të gazetës, të cilët, rastësisht apo jo, ishin nga e njëjta zonë, Lezha.
Por e vërteta është më e hidhur se ajo batutë ironike. Sot mund të thuhet se shqiptari për shqiptarin është… ujk.
Dhe kjo nuk është më një metaforë ideologjike, por një realitet i matur me tregues konkretë.
Një portal i njohur ndërkombëtar, Visual Capitalist që mat nivelin e besimit social, pra, sa kanë njerëzit besim tek njëri-tjetri e ka renditur Shqipërinë ndër vendet e fundit në botë.
Me treguesin e besimit në nivelin 3, shqiptarët rezultojnë se nuk i besojnë pothuajse fare njëri-tjetrit.
Më keq se Peruja, Nikaragua, Kolumbia, Filipinet, Ekuadori apo Indonezia.
Ndërkohë, vendet më të zhvilluara si Danimarka, Norvegjia, Suedia, Zvicra, Holanda, madje edhe Kina e kanë këtë tregues në nivele shumë të larta.
Dhe nuk është rastësi: besimi është themeli i çdo zhvillimi. Pa të, nuk ka bashkëpunim, nuk ka progres, nuk ka mirëqenie materiale e as mendore.
Në shoqërinë shqiptare, ku dyshimi është më i fortë se besimi, ku suksesi i tjetrit shihet si kërcënim dhe jo si frymëzim, bashkëpunimi mbetet i munguar.
Kjo është arsyeja pse shumë nisma të përbashkëta dështojnë, pse grupet nuk qëndrojnë, pse kohezioni social është kaq i brishtë.
Statistikat e portalit thjesht çertifikojnë atë që e kemi ditur prej kohësh.
Ato thonë me shifra atë që përditshmëria na e thotë me përvoja konkrete: se midis nesh mungon një element i domosdoshëm i qytetarisë moderne: besimi.
Dhe kështu, pas dekadash ndryshimesh politike, ekonomike e shoqërore, duket se formula e Enverit, e cila dikur kishte në shënjestër botën kapitaliste, sot, fatkeqësisht, na përshkruan më së miri neve vetë:
shqiptari për shqiptarin është… ujk.