Connect with us

Shkrime

Republika e Prokurorëve, SPAK “kundër” SPAK-ut

Nga Lorenc Vangjeli

Debati për ngjarjet dhe personazhet konkrete, si rregull shmang thelbin dhe ndriçon vetëm formën, brohoret detajin dhe shuan të tërën duke e çuar vetë debatin në rrugica qorre. Dyshimet e prokurorisë për koncesionet në shëndetësi, atë të sterilizimit dhe me gjasë shpejt edhe atë të Check Up-it, të shoqëruara me një listë të pandehurish, nuk bënë përjashtim. Të gjithë iu sulën me obobo emrave konkretë si gjermani punës dhe shmangën dy detaje thelbësore. Njëri fatkeq, e tjetri i mbarë. Njëri modern, tjetri i traditës.

Aktori i parë, gjykatësi që firmosi masat e sigurisë, edhe pse normalisht duhet të shprehet vetëm me vendim, u soll si “star” i shtypit dhe i konfirmoi medias se i ka sugjeruar prokurorit që të nisë hetimet dhe të marrë të pandehur edhe dy ish-ministra. Pothuaj në të njëjtën grackë, ndonëse më i përmbajtur, ra edhe prokurori i çështjes.

Aktori tjetër, SPAK-u, përfundimisht e për herë te parë, e pa masën e arrestit në burg dhe vetë burgun si mjet dhe jo si qëllim në vetvete. Ai zbatoi përshkallëzimin e masave të sigurisë, ashtu sikundër urdhëron Kodi i Procedurës. Nëse për të paditurit e shumtë ky fakt nuk do të thotë asgjë, profesionistët e sistemit e konsiderojnë revolucion në mendësi. Vetëm Stalini plaste në burg çdo të dyshuar dhe pastaj priste me kismet e pa gajret vërtetimin e fajësisë. Garancia e sistemit, atë që SPAK e realizoi edhe formalisht, shenjtëron prezumimin e pafajësisë, derisa nuk vërtetohet fajësia me vendim të formës së prerë. Ndryshe nga deri më tani kur refreni ishte “burg, burg, burg” për të gjithë, tani kolaudimi SPAK-ut, jo si sëpatë për të prerë, por si bisturi për të operuar, po vepron sipas parimit: Më mirë 99 fajtorë jashtë se sa një i pafajshëm brenda. Duke bërë drejtësi edhe me kushtin që mbas saj të shembet gjithë bota në Tiranë, ashtu siç është njohur deri më tani.

Në rastin e parë, gjykatësi i ka dhënë shansin e parë avokatëve të të dyshuarve në proces për të luajtur me kartën e përjashtimit të tij nga trupa gjykuese për shkak të paragjykimit të tij: përvecse në vendim, e tha edhe publikisht. Ai është ende i mirëkuptuar për shkak të emocioneve të çastit dhe presionit të madh që ushtrohet mbi të, me spektër të gjerë që shkojnë që nga interesa kriminalë, e deri tek presioni i intersave legjitime kushtetuese, siç është prezumimi i pafajësisë, përshkallëzimi i masave shtrënguese, në varësi të emocioneve të ligjshme dhe të paligjshme vetjake: barazia përpara ligjit, zbatimi i të drejtës si normë dhe jo si zgjedhje e momentit duhet të jetë “stari” i vetëm orientues i drejtësisë së re.

Në rastin e dytë, njerëzit e Dumanit edhe e shkruan në njoftimin publik garancinë e të drejtës që dyshimin e sheh në dobi të të dyshuarit. Dhe mbi të gjitha, dhanë shpresë se të gjithë ata që tremben për instalimin e Republikës së Prokurorëve, më shumë se dashnorë të Perëndimit, janë viktima të paragjykimit.

Do të mjaftonte qoftë dhe kaq për të kuptuar se makineria ndëshkuese e pandëshkueshmërisë është koaluduar plotësisht dhe se e nesërmja e mëkatarëve të shumtë të Tiranës, është tashmë plotësisht e varur në litarin e holluar nga zullume vetjake.

Gushti që nuk është mbyllur ende po dëshmon se edhe shtatori e tetori dhe shumë më shumë më pas, do të jenë muaj përvëlues për politikën e djeshme e të sotme, për ministra e ish-ministra, deputetë të shumicës e të pakicës, policë që bëjnë sikur luftojnë krimin dhe kriminelë që policojnë komunitetin, analistë të politikës dhe yje të kronikës; madje edhe për gjykatës të lartë e prokurorë.

Pritshmëritë nga SPAK-u tashmë janë maksimale, por të ndryshme nga pikëpamje të ndryshme. Skematikisht ato janë katër.

I pari, publiku. Shoqëria shqiptare në përgjithësi, kërkon e pret hakmarrje e ndëshkim më shumë sesa vënien e drejtësisë. Nuk ka gjë më eksituese se të qënit spektator në cirkun e jetës kur tjetri bie në fatkeqësi; kur njerëzit e fuqishëm me pushtet, ata të majës dhe të ekraneve, ata që i shihnin me zili mbas xhamave të zinj të imunitetit dhe brenda resorteve privatë plot diell të Mesdheut, që përcaktonin fate njerëzore dhe majmnin llogari bankare, tani ju duhet të bëjnë llogari njerëzore me burgun. Me shumë se për drejtësi nga Solomoni që mungon ende në Tiranë, publiku pret mitin e hakmarrjes, sipas parimit: këtu lahen të gjitha!

E dyta, opozita. Ajo e sheh këtë që po ndodh si revansh dhe vetëplotësim. Shumë nga dosjet që SPAK-u po i heton, kanë qenë akuza të saj publike. Kudo gjetkë këto akte të drejtësisë do të merrnin duartrokitje, por opozita vazhdon të sulmojë “SKAPIN” që po kap mëkatarë. Jo thjesht se i beson gënjeshtrës së saj që SPAK kontrollohet nga Rama, por sepse e di që po i vjen rradha. Rrethi i ngushtuar ndaj Berishës, i vetmi politikan që e morri dënimin pa ju bërë ende gjykimi, që u ndëshkua nga angloamerikanët, pa hyrë ende në gjykatë shqiptare, “zinxhiri komandues” i një partie politike, një rresht ish-ministrash apo dhe ndonjë deputet aktual i opozitës, me gjasë do të kuptojnë shpejt se vonesa dhe kujtesa kanë një raport të cuditshëm kur bëhet fjalë për drejtësinë: në këtë vit të trazuar shqiptar, ajo vonon, por nuk harron! E keqkuptuar në thelb, opozita zyrtare nuk do të kuptojë, që drejtësia ndëshkon individin, kurse qeverisja ka për gjykatës tre milion e kusur shpirtra shqiptarësh, një herë në katër vjet.

I treti është pushteti. Mbasi kaloi fazën e parë të viktimizimit – pse vetëm ne në shënjestër – ka hyrë në fazën e logjikës. Pranon faktin e kryer dhe insiston në atësinë e reformës duke pretenduar atësinë e reformës. Kjo është karta fituese që luan Rama, teksa sheh që njerëzit e tij që kanë parë deri më tani derën e SPAK-ut, janë më pak se ata që do ta shohin atë në një të nesërme të afërt.

Me bindjen se është më mirë djepi bosh se me shejtan brenda, me të gjitha gjasat, Rama do ta përdorë këtë kartë si gurin e patë të Rilindjes së tij të së katërt. Në të gjitha rrethanat, përballë Sali Berishës që ai e ka si siguracion ndërkombëtar full casco, ai e di që shumica e tij dhe opozita do të ndjekin njëra-tjetrën si rrotat e bicikletës, ku e mbrapmja nuk do të dalë kurrë përpara.

Po ashtu, i bindur se nje burrë në politikë vlen sa shuma e armiqve të tij, Rama tanimë mund të numërojë një turmë mbresëlënëse armiqsh: që nga ata tradicionalët e trashëguar e deri tek të rinjtë e sapo fituar. Për paradoks, cfarë nuk po e vret sot, do ta bëjë më të fortë nesër në një mandat pasardhës.
I katërti, krimi i luksit. Njerëzit me shumë para vazhdojnë të jetojnë me lajmet televizive nga Tirana dhe të flejnë me vajza instagrami që përfundojnë në Dubai, të tjerë që kanë pësuar metamorfozën e larvës të shndërruar në flutur me ngjyra biznesi e të tjerë akoma, që kanë vënë kravatë politike në qafë, po kuptojnë se duhet të tërhiqen sërish në kafet e katet ulëta të periferisë. Do të ndahen pak nga pak nga “miqtë” e politikës, ndërsa një pjesë do të paguajë gjithmonë e më pak për halle gjithmonë e më të mëdha koke.

Të gjithë bashkë, edhe shoqëria shqiptare e mpirë në nervin e saj statik: maskarenjtë kanë gjithmonë te ardhme, edhe opozita e pafuqishme, e destinuar që kështu sic është, do të jetë gjithmonë një dështim elektoral, edhe pushteti që trembet nga gërryerja e thellë e korrupsionit, edhe banditët, qe pavarësisht ngjyrave, i ngjajnë njëri-tjetrit si pulla serie, edhe ata që e përdorin urrejtjen si instrumentin e vetëm për të kuptuar se cfarë po ndodh, por edhe ata që lozin si trumcakë në pluhur e kërkojnë lesh edhe nën krahët e avionëve, konsumojnë një frikë e shpresë të përbashkët njëkohësisht: instalimin e Republikës së Prokurorëve. Më e keqja, ju duket skenari më i mirë! Shembulli i Italisë së viteve 90-të është ai që përmendin të gjithë. E presin dhe i tremben po të gjithë.
Në të gjithë këtë histeri kolektive Altin Dumani e të tijtë janë të dënuar të gjejnë zgjidhjen. Pjesë e sistemit dhe jo vetë sistemi, SPAK është vetëm pala e barabartë në proces, si dhe të pandehurit e saj që con në gjykatë, por që është gjykata ajo që ndan bastin me të ligën dhe të pafajshmin.

Çfarë po ndodh tani nuk është thjesht fundi i dickaje, por fillimi i dickaje krejt tjetër. Ndryshe nga sa presin optimistët, korrupsioni do të vijojë të jetë bashkëjetuesi tradhëtar i demokracisë edhe sikur kodi penal te priste me hanxhar cdo dorë që prek paratë publike dhe sikur të realizohej maksimalisht pritshmeria që dora e drejtësisë të pastronte cdo qindarke të vjedhur nga xhepat e zyrtarëve. Shërrimi relativ vjen duke kuruar shkakun dhe jo duke u marrë me pasojat. Shkaku që lindi pandëshkueshmërinë ishte politika, por po politika “shpiku” mjetin që të ndëshkohet kur mëkaton që në momentin kur Rama u bë i pari kryeministër që hoqi dorë nga pushteti i ekzekutivit mbi pushtetin e drejtësisë.

Eshtë koha për të kuptuar se e shkuara është gjithashtu histori e të ardhmes dhe se në të ardhmen, ndryshe nga sa kanë filluar të tremben në kryeqytet, Republika e Prokurorëve, nuk ka vend në Tiranë. Kush ka nevojë për më shumë garanci, mjafton të lexojë “njoftimin” që firmosën njerëzit e Altin Dumanit: “Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë”! Pjesa tjetër është vetëm gallatë kasapësh që rekomandojnë receta vegjetariane. Dhe debati që nuk mbaron, debati ku triumfon forma dhe thelbi harrohet, ku naivët e shumtë flasin për emra dhe të mencurit e paktë mezi dëgjohen kur përmendin parime, është vetëm efekt anësor dhe ndotje estetike i një ambienti të trembur. Me shtyllë kurrizore të thyer dhe palcë të munguar në të.

Shkrime

Edhe Rama do ta votonte Gazmend Bardhin për kryetar të PD

Nga Lorenc Vangjeli

Nëse Sali Berisha është mbreti i kurorëzuar, Gazmend Bardhi është princi i errët i inkoherencës. Të dy së bashku, në një listë ku nuk mungojnë as politikanët më të rëndësishëm shqiptarë. Berisha dhe Bardhi janë at e bir në zanatin e mohimit total të asaj që kanë pohuar më parë si të vërtetë absolute, të pranimit të krejt të kundërtës të asaj çfarë kanë refuzuar me ngulm, ustallarë abrakadabra në zanatin e të bërit mik të armikut dhe për t’u sjellë me armiqësi brutale me ish-miqtë. Në çdo rast dhe rast pas rasti, sa herë që interesi ju ka lypur, ata nuk kanë hezituar të përmbysin tryezën që kishin shtuar vetë për gosti dhe për të bërë gosti në tryezat e gjithë dynjasë. Edi Rama e Ilir Meta, për shkak të jetëgjatësisë në politikë, kanë notuar në të njëjtat ujëra të errëta, kur rrjedha e interesit i ka çuar në drejtim tjetër, në të njëjtën luhatje lavjerësi mes skajesh që kundërshtojnë njëri-tjetrin, por më së paku ata përfaqësonin dy parti të ndryshme. Askush tjetër nuk e ka bërë këtë gjë, brenda të njëjtës familje politike si Berisha e Bardhi. Askush si ata nuk ka konsumuar atë vlagë urrejtjeje të dikurshme dhe dashurie reciproke të tashme që çmend edhe kujtesën e google-it. Dhe mbi të gjitha, formulimin e gënjeshtrës publike që as nuk skuq zvjerdhjen dhe as nuk zverdh skuqjen nga turpi publik, kur interesi dikton ndryshe. Dilema nëse e ka kallëzuar apo jo vëllain e kryeministrit, Ramën Jr., ishte vetëm stacioni i fundit i një marrëzie që ka për autor absurdin. Ose ka, ose nuk ka kallëzim penal dhe vetë SPAK-u thotë jo! “Askush nuk na ka trokitur në derë, ndaj nuk ka asnjë kallëzim mbas dyerve tona”, ishte sqarimi i fundit që nuk skuqizverdhi Bardhin.

Deri në momentin e kapërcimit të ylberit të radhës, Bardhi, ose fenomeni Gaz në pandeminë parapolitike shqiptare, ishte padyshim një nga dy-tre deputetët e vetëm opozitarë që ka pasur një bilanc konkret. Madje të lavdërueshëm dhe të jashtëzakonshëm. Autor i ekzekutimit politik të një numri mbresëlënës deputetësh të maxhorancës apo kryetarësh bashkish, askush si ai nuk ka shfrytëzuar fushën e veprimit të ligjit të dekriminalizimit. I qartë dhe i artikuluar, metodik dhe cinik në atë luftë me disa beteja të njëpasnjëshme, Bardhi trysnoi opinionin publik me zbulimet e tij për të shkuarën e tyre dhe u bë shkas për ndëprerjen e mandateve të marra në kundërshtim me ligjin. Edhe pse i llogaritur dhe i pjesshëm – në dosjet e tij janë të paktën dy emra drithërues të majtë, viktima direkte të dekriminalizimit, që ai po i kursen për arsye të tjera – me standartet e Tiranës, llogaria dhe orientimi nuk hyjnë në listën e mëkatëve politike. Dhe askush nuk mund ta fajësojë atë. Ajo çka e bën atë princ dhe pasardhës të Berishës është krejt tjetër gjë. Eshtë pirueta alogjike që ai morri së paku në harkun e një viti e gjysmë. Duke nisur me dimrin e vitit të shkuar, kur nga krahu i djathtë i ish-shefit të tij Basha, ai zgjodhi supin e Saliut për t’u mbështetur për bastin e tij personal. Kush ka harruar – dhe në Tiranë kujtesa është vetëm virtyt i google – mund të shënjojë ashpërsinë e tij me Sali Berishën mbas përjashtimit të ish-kryeministrit nga grupi PD. Asokohe Bardhi ishte zëdhënës i grupimit që nuk e falte për asgjë “babin e Zenit” dhe nuk kursente për parim as vilat e Nokës e Shehut dhe as banditët trafikantë që i shërbenin njerëzve të partisë së tij. Sa më shumë heshtte Basha, aq më shumë shpërthente Bardhi që kishte marrë flamurin amerikan për të mposhtuar antiamerikanët e partisë. Njëlloj si ai, edhe një numër mbresëlënës demokratësh që non grata-n e shihnnin si vijë ndarëse mes të mirës dhe të keqes në parti dhe si ylberin që nuk mund ta kapërcehej për asnjë arsye. Por në fakt arsyet u shpikën dhe ylberi u kalua në mënyrën më të pabesueshme. Njëri pas tjetrit, si delet në shpellën e Ciklopit, ata dolën nga dyert e blinduara të PD-së për t’u përqafuar me Ciklopin e tyre sepse “…ky ishte vullneti i bazës së partisë”. Por kjo është vetëm ajo që duket dhe dukja përgjithësisht është gënjeshtare. Thelbi qëndron gjetkë. Me teknologjinë e puthjes aty ku kishte pështyrë, Gazmend Bardhi më së shumti, po tenton të imponohet në parti me një skemë të qartë: Pavarësisht formës, unë jam e njëjta gjë me Berishën! Pavarësisht se do të humbasim në 2025-ën, unë do të firmos listat e 2029-ës. Ky është thelbi i arsyeve për mozaikun e ri të interesave, aleancave, miqësive dhe armiqësive të reja në PD. Të raporteve të ndërlikuara mes Bardhit e Këlliçit, për shembull dhe një serie emrash të tjera që notojnë në të njëjtat ujëra inkoherence apo edhe hijes së zonjës Malltezi si trashëgimtare në tribunën e nesërme.

Edhe përdorimi i skandaleve të qeverisjes, e mbi të gjitha, edhe kryqëzata kundër bashkisë së Tiranës ka në thelb të njëjtën teknologji e të njëjtën prapaskenë. Përtej dobisë publike të denoncimeve, e pathëna e tyre është një luftë faktorizimi për pozicionet në PD-në e nesërme sërish në opozitë, por dhe një sy i shkelur ndaj rrymave të nëndheshme e kundërthënëse në PS. Një luftë në të cilën, për paradoks, vetë skifterët e PD-së, shkojnë të rreshtuar në aleanca fluide me disa nga kundërshtarët e tyre në dëm të disa të tjerëve. Kur ta kuptojnë se po gabojnë disa fish, kur aksionet e tyre, fjala vjen, në vend që të rrënojë siç duket se duan, po forcojnë Veliajn në PS, kur në vend që të yshtin ndarje mes tij dhe Ramës, vetëm i japin zë tezës së besnikërisë së bashkiakut për qeveritarin që i mbeti besnik edhe kur të tjerët kishin ikur në vitet 2011-2013, kur në vend që të defaktorizojnë SPAK-un, e bëjnë më të rëndësishëm atë institucion, me siguri do të jetë vonë. Do të jenë vonë në dëshpërimin e tyre që ndjek pyetje-përgjigjet: Ku ishe? Asgjëkundi! Çfarë bëre? Hiçmosgjë! Sepse pavarësisht sesi do të ndodhë, princi i inkoherencës, së paku në projektin e tij, kërkon të bëhet pasardhës i mbretit Sali dhe njeriu që do të firmosë listat për deputetë në vitin e largët 2029. Së paku ky është shpjegimi se pse Gazi është kundër Bardhit dhe pothuaj të gjithë janë kundër Gaz Bardhit në PD. Dhe për paradoks, si vëzhgues i hollë i dobësive njerëzore, edhe vetë Edi Rama, në mungesë të Sali Berishës, me siguri do të zgjidhte pikërisht Bardhin për kryetar të PD-së.

Continue Reading

Shkrime

Jan Kuciak, vrasja që në 2018 çoi në dorëheqje të Fico-s

Ishte një mbrëmje e mërkurë. 21 shkurt 2018. Burri që iu afrua numrit 558 në rrugën Brezova, një shtëpi e vogël në Velka Maca, një qytet në veri-lindje të Bratislavës me disa mijëra banorë, mbante në njërën dorë një pistoletë Luger 9 mm.

Dera e përparme ishte e hapur. Ai hyri dhe rrëshqiti në heshtje në kuzhinë. Dhe vetëm atëherë e pa Martina Kusnirova.

Ajo u hodh nga karrigia në të cilën ishte ulur. Goditja i erdhi në fytyrë, pikërisht mes syve.

Në katin e poshtëm të shtëpisë, në bodrum, Jan Kuciak dëgjoi një zhurmë të shurdhër.
Ai vrapoi lart shkallëve. Derisa hapat e fundit arritën në vend.

Gjoksi i tij goditi tytën e Luger-it. Dhe një e shtënë nga afër e goditi atë në zemër.

Trupi i Janit ra mbrapsht në shkallë. Vrasësi mbylli derën e shtëpisë pas tij, eci përgjatë një rruge të mbuluar nën hijen e pishave dhe më pas arriti në një fushë futbolli.

E kapi celularin. Ai e la sinjalin e numrit të thirrur të binte vetëm një herë.

Katër minuta më vonë i është afruar një Citroen Berlingo. Ai hipi në makinë e cila u nis në drejtim të qytetit të Komarno-s.

Në shtëpinë e Janit dhe Martinës, telefoni filloi të bjerë.

Dhe do të vazhdonte të binte për orë të tëra. Pa asnjë përgjigje. Derisa dikush i gjeti ata dy trupa katër ditë më vonë, më 25 shkurt.

Planifikimi i vrasjes kishte zgjatur dy javë.
Të hënën, më 5 shkurt 2018, Tomas Szabo – vrasësi – bëri inspektimin e parë në Velka Maca me njeriun e “kontraktuar” me të për të bërë “punën”.

Ai që do të ishte shoferi i tij, Miroslav Marcek.

Ata kishin zbuluar se do të ishte më e lehtë se sa pritej. Shtëpia e Janit ishte në rinovim dhe për këtë arsye e lehtë për t’u aksesuar.

Për të mos përmendur pozicionin e saj. Në një rrugë në fund të vendit, jashtë gamës së kontrollit të sistemeve të vëzhgimit me video rrugore. Dhe për më tepër, jo shumë larg një pylli, i cili në çdo rast do të ishte një rrugë e shkëlqyer shpëtimi nëse gjërat, për ndonjë arsye, do të shkonin keq.

Szabo dhe Marcek më pas ishin kthyer në Velka më 7 shkurt. Dy herë. Duke ndërruar makinë. Dhe sërish të dielën më 11, kur në perëndim të diellit iu afruan numrit 558 në Via Brezova me një Peugeot 206.

Ata kishin kontrolluar pozicionimin e kamerave të sistemit të vëzhgimit me video dhe kishin identifikuar vendin më të përshtatshëm për të parkuar një makinë pranë fushës së futbollit. Katër ditë më vonë, mbrëmjen e së premtes së 15 shkurtit, ishte radha e testeve të rrugës në këmbë.

Szabo dhe Marcek kishin llogaritur distancat dhe oraret midis fushës së futbollit dhe shtëpisë së Janit.

Rreth orës 19:34, Zoltan Andrusko, njeriu që i kishte kontaktuar për t’u besuar atyre punën, i kishte marrë në makinë.

Të shtunën e datës 16 shkurt, rreth orës 19, makina me Szabo-n dhe Marcek u kthye sërish në Via Brezova.

Vetëm Szabo zbriti për të kontrolluar perimetrin e shtëpisë dhe për të parë se në çfarë ore do të kthehej Jani.

Në orën 19:00, Szabo kishte ecur përgjatë fushës së futbollit dhe më pas arriti në shtëpi në këmbë. Tre minuta. Me hap të qetë.

Duke kontrolluar të gjitha rrugët e mundshme të arratisjes.

Njëzet minuta më vonë, vetëm një zile telefoni.

Dhe, përsëri në fushën e futbollit, Citroen Berlingo që kishte ardhur për ta marrë atë.

Të mërkurën, më 21 shkurt, gjërat do të shkonin ashtu siç duhej.

Nga ora 18.30, Tomas Szabo mbeti i fshehur në pjesën e pasme të shtëpisë në rrugën Brezova 551.

Në orën 20:21, ai do të kishte kaluar hyrjen, duke dalë pas dy minutash, pasi ekzekutoi me gjakftohtësi Martinën dhe Jan.

Në orën 20:25, Szabo u mor më pas nga Marcek në Citroen Berlingo pranë fushës së futbollit.

Në orën 22.00 të dy do të kishin arritur në Komarno dhe këtu do të kishin takuar Zoltan Andruskon për t’i thënë se puna ishte kryer.

Me vetëm një ngjarje të papritur. Pati dy vdekje dhe jo një.

Jani, njeriu i dënuar dhe një vajzë që nuk duhej të ishte aty dhe që nuk mund ta linin të gjallë.

Kishte një arsye pse Tomas Szabo u zgjodh për atë punë. Ai ishte i pagabueshëm. Nuk linte haplsirë për gabim. Ai kishte një të kaluar në polici dhe kishte disa vite që punonte si kontraktues privat në bordin e anijeve të mallrave.

Një profesion i rrezikshëm, që kërkonte aftësi të vetëkontrollit dhe përdorim të mirë të armëve.

Szabo i kishte të dyja.

Dhe kështu ai ishte kujdesur për detajet edhe për Janin. Me fjalë të tjera: ai kishte përgatitur secilin nga plumbat me të cilët mbushi karikatorin e Lugerit të tij, duke i zbrazur gjysmën e barutit.

Në këtë mënyrë, ai e dinte se plumbat nuk do ta kalonin shpejtësinë e zërit.

Dhe nuk do të kishin bërë asnjë zhurmë.

Ai nuk kishte asnjë dyshim për faktin se, duke qenë vetëm pak hapa nga viktima, të shtënat, qoftë edhe të pafuqishme, do të kishin arritur objektivin.

Miroslav Marek ishte gjithashtu një djalë që mund t’i besoje. Përveçse kushëriri i Szabo-s, ai ishte një ish-ushtar dhe gjithashtu një kontraktor për sigurinë në bordet e anijeve të mallrave. Dhe kjo shpjegon pse Zoltan Andrusko nuk kishte asnjë dyshim në fund. Ai e kishte mbyllur me Szabo me 40 mijë euro. Në vend të kësaj, dhjetë mijë do të kishin mbetur me të për telashet. Në fakt ai nuk ishte i interesuar ta eliminonte atë Jan Kuciak. Ai e kishte injoruar ekzistencën e saj deri në ditën kur ia përmendën emrin. Në moshën 50-vjeçare, sado që ishte, i duhej vetëm drithë. Menjehere.

Ai ishte sipërmarrës në Kormano, i rënduan borxhet dhe të qenit klient në kërkim të dy vrasësve profesionistë ishte një nga ato oferta që nuk mund ta refuzonte. Edhe për shkak se i kishte 20 mijë euro borxh gruas që iu afrua duke folur për Kuciakun dhe punën që duhej bërë. Emri i saj ishte Alena Zsuzsovà. U kishte ofruar 50 mijë dhe fshirjen e borxhit për aq kohë sa e eliminuan atë djalin e zhurmshëm gazetar. Ai, Zoltan, kishte pranuar në gozhdë.

Ndodhi nga fundi i vitit 2017 deri në fillim të vitit 2018, në një datë të paspecifikuar në dokumentet e gjyqësorit sllovak.

Gruaja, një 44 vjeçare gjithashtu nga Komarno, i kishte dhënë Zoltan-it udhëzimet brenda makinës së saj. Me atë rast ajo i kishte treguar atij, në një laptop, një video që e kishte ruajtur në një USB.

Disa imazhe të Janit në një vendkalim këmbësorësh. Ajo i kishte treguar edhe fotot e djalit dhe adresën.

Fotot u ngarkuan më pas në celularin e Andruskos në mënyrë që ai t’i dorëzonte ato kujtdo që do të bënte fizikisht punën.

Pse vallë u zemërua Alena Zsuzsová me Jan Kuciak, i cili nuk u kujdes kurrë për të?

Ose, më mirë akoma, në emër të kujt kishte kërkuar Zsuzsova për vrasës me pagesë?

Aktualisht, nuk ka përgjigje të qarta nga dokumentet e hetuesve sllovakë. Por, sipas asaj që vetë Andrusko la të kuptohet gjatë marrjes në pyetje pas arrestimit të tij, Zsuzsová do të kishte hyrë në lojë sepse ajo njihej në Sllovaki si një “kontraktore” për vrasjet me porosi.

Me pak fjalë, pronar i një lloj agjencie të vdekjes.

Është fakt se, kur në shtator 2018, pasi policia sllovake mori rrëfimin e Andruskos dhe gjetjet pozitive nga ekzaminimi i pamjeve të kamerave të vëzhgimit Velka Maca dhe u vazhdua me arrestimin e Zsuzsová dhe dy vrasësve (Szabo dhe kushëriri i tij) , pak ose aspak dihet për gruan.

Që flet italisht p.sh. Dhe se ajo kishte qenë në bordin e drejtorëve të disa kompanive të mobiljeve të hapura nga venecianë të cilët kishin emigruar në Sllovaki vite më parë.

Është gjithashtu fakt që janarin e kaluar, Prokuroria e Banska Bystrica, zyra e ngarkuar me hetimin për ekzekutimin e Jan dhe Martinës, e lidhi emrin e Zsuzsová me të paktën tre vrasje të tjera të pazbardhura, të cilat ndodhën në fillim të viteve 2000.

Midis tyre, ai i një 30 vjeçari nga Friuli, Davide Casellato, i vrarë në Sllovaki me armë zjarri në mes të ditës, mbi 15 vjet më parë.

Vrasësi do të ishte një grua, e paidentifikuar kurrë. Një vrasje për të cilën, në atë kohë, skuadra e hetimeve të Policisë Udine kishte proceduar, derisa hyri në lojë Bratislava.

Burime nga Prokuroria e Bratislavës tani thonë se edhe rasti i Casellato është rihapur.

Ndërsa ata nuk thonë asgjë apo mendojnë të thonë për zonën gri në të cilën piqet dhe porositet vrasja e Jan Kuciak.

Dhe në të cilën, pas një inspektimi më të afërt, Zsuzsova i çon direkt.

Në fakt, ndodh që nuk ka asnjë foto zyrtare të gruas dhe i vetmi imazh është ai i bërë nga policia gjatë arrestimit të saj teksa ajo u tërhoq zvarrë nga shtëpia në pranga.

Një grua përkulet nën një kaskadë flokësh të zinj. Me sa duket ishte parukë.

Megjithatë, në profilin e saj në Facebook dhe në të tjerët që hapi me pseudonime, Zsuzsova publikoi foto mahnitëse.

Imazhet duken mes një modeleje dhe një eskorte.

Sa keq që nuk ishin të sajat, por me sa duket të vjedhura, sepse ishin të dobishme për të ndjellur burra nga elita e vendit: politikanë, sipërmarrës, avokatë, VIP.

Nuk mbaron këtu.

Me akronimin “SIS Alino” (SIS është akronimi i shërbimeve sekrete sllovake) numri i telefonit të Zsuzsovës u ruajt në një libër adresash të veçantë: atë të sipërmarrësit Marian Kocner.

Një miqësi mes të dyve që në shikim të parë është e pakuptueshme.

Çfarë kishin të përbashkët misteriozja Alena Zsuzsová dhe biznesmeni Kocner?

Sipas asaj që dokumentohet në urdhrin e kujdestarisë paraprake sllovake, sigurisht që kishte një frekuencë bankare duke pasur parasysh transfertat bankare që Kocner i dërgonte asaj në baza mujore: 2000 euro, 1400 euro.

Dëshmitë e mbledhura gjatë punës së investigimit gazetaresk bien dakord për të treguar se Zsuzsova ishte përdorur nga Kocner për të shantazhuar seksualisht politikanë dhe sipërmarrës rivalë.

Ndërsa një dëshmitar kyç në hetimin e gjyqësorit sllovak, agjenti i shërbimit sekret Peter Tóth, betohet se të dy ishin të dashuruar.

Tóth vendos të bashkëpunojë me gjyqësorin sllovak kur Alena Zsuzsová arrestohet.

Ai shpjegon se ishte ai që e prezantoi gruan me sipërmarrësin Marian Kocner. Dhe ai thotë se materiali fotografik për Jan Kuciak, të cilin Alena më pas do t’ua dorëzonte vrasësve, do të ishte mbledhur nga ai personalisht gjatë përndjekjes së gazetarit të ri të kryer së bashku me një tjetër ish-agjent të inteligjencës.

Dhe se ka qenë Marian Kocner që i ka paguar hallin, për të cilin në të kaluarën kishin monitoruar “objektivat” e tjerë.

Marian Kocner është një nga biznesmenët kryesorë dhe më të diskutueshëm të vendit dhe përkufizohet troç nga Peter Bardy, redaktor i Aktuality, gazetës për të cilën Kuciak punoi, si “mafioz”.

Ai është i përfshirë në një sërë skandalesh (midis tyre, blerja e Markíza TV në 1998 dhe i ashtuquajturi mashtrim Technopol, mbi të cilin Kuciak kishte punuar duke dokumentuar zhdukjen misterioze të qindra faqeve të dokumenteve gjyqësore).

Ai mban nën kontroll të tij disa nga njerëzit e institucioneve, përfshirë Prokurorin e Përgjithshëm Dobroslav Trnka dhe në kasafortën e tij ruan kopje të përgjimeve dhe dosjeve të paligjshme të të ashtuquajturit “rasti Gorilla”, një skandal që pushtoi shërbimet sekrete sllovake.

Kocner kishte arsye shumë të mira për eliminimin e Kuciakut.

Dhe nuk e fshehu se e urrente atë djalë reporter që e mundonte me hetimet e tij. Ai e kishte kërcënuar në telefon në shtator 2017: “Do të gjej prova për ty dhe familjen tënde: të gjithë kanë një skelet në dollap”.

Jan e kishte denoncuar, por policia e kishte futur dosjen në një sirtar, ku dhe mbeti.

Andrusko, ndërmjetësi midis Alena Zsuszova dhe vrasësve, akuzon Kocner gjatë marrjes në pyetje në policinë sllovake.

“Alena”, shpjegon ai “nuk më tha arsyen e vrasjes, por më dha emrin e personit që e urdhëroi atë, është Marian Kocner, por kam frikë të them emrin sepse kam frikë për jetën time”.

Prandaj, Kocner është sot i dyshuari kryesor si nxitësi i vrasjes së Janit. Kështu thotë në rrëfimin e tij.

Kështu thotë logjika.

Kështu thonë arsyet e forta pse ai do të ishte i interesuar ta eliminonte.

Avokati i familjes Kusnirova, Roman Kvasnica, thotë për “Repubblica” se “Mund të themi se Kocner është zyrtarisht i dyshuar, por jo zyrtarisht i akuzuar. Pra, ekziston prezumimi i pafajësisë, duhet ta konsiderojmë ende të pafajshëm”.

Edhe pse ka disa muaj që ndodhet në burg. Por për evazion fiskal.

Është e qartë se ndrojtja e hetimit sllovak ndaj Kocner reflekton një frikë të përgjithshme se eksplorimi i përgjithshëm i motivit (dhe si rrjedhim i nxitësve të mundshëm të vrasjes) do të çojë në mënyrë të pashmangshme në Pallatin e Politikës, në grumbullin e shantazheve që kanë çimentuar dhe vazhdon të çimentojnë klasën politike, aparatin shtetëror, biznesin e korruptuar dhe krimin e organizuar të Sllovakisë.

Kjo shpjegon se që nga dita e ekzekutimit, puna e Kuciakut nuk është marrë asnjëherë në shqyrtim në hetim si pikënisje në kërkimin e motivit të vrasjes.

Sepse nëse do të kishte qenë kështu, emri i Kocner do të dilte në dritë përpara se ndërmjetësi i “penduar” me vrasës të kishte folur për të.

Dhe kjo shpjegon gjithashtu se si dhe pse u hodh plumbi – i dokumentuar gjithashtu nga hetimi i fundit mbi të cilin punonte Jan – që çoi në marrëdhëniet midis ish-kryeministrit Roberto Fico dhe ‘Ndrangheta-s, në kontekstin e mashtrimit të fondeve evropiane për bujqësinë. dhe energjinë e rinovueshme.

“Duhet të merret parasysh mundësia që vrasja të jetë urdhëruar nga një lloj karteli, i cili bashkon interesa të shumëfishta,” thotë Peter Bardy i Aktuality për Repubblica-n.

Në një aludim të qëllimshëm për një “pakt sistemi” midis sipërmarrësve, politikës dhe krimit të organizuar, të cilën hetuesit sllovakë e braktisën. Deri në atë pikë sa protokolli i bashkëpunimit i nënshkruar një vit më parë me Drejtorinë Antimafia të Qarkut të Reggio Calabria dhe Policinë italiane ka mbetur një letër e vdekur.

Arsyetimi zyrtar, i deklaruar në një konferencë për shtyp, ishte për të mos thënë ambige, e pakuptueshme: “Nuk ka asnjë pistë italiane për vrasjen dhe për këtë arsye nuk kemi nevojë për ndihmën e drejtësisë italiane”.

Një mënyrë procedimi që ngjalli disa dyshime në Reggio Calabria, për ta thënë butë. Sepse – vërjnë ata – injorimi i punës së Kuciak do të thoshte të përjashtohej mundësia e ndriçimit të një pjese të pushtetit të korruptuar të infiltruar nga familjet e ‘Ndrangheta-s mbi të cilat do të ia vlente të hidhej dritë.

Dhe koordinatat e të cilëve ia vlen të kujtohen.

Kalabrezi Antonino Vadalà u ndalua së bashku me tre anëtarë të familjes dhe u mor në pyetje nga autoritetet sllovake më 10 mars 2018 nën dyshimin e vrasjes, por u lirua pothuajse menjëherë.

Prandaj Italia mendon ta arrestojë për një arsye krejt tjetër.

Në fakt, ai duhet të përgjigjet për trafikun ndërkombëtar të drogës para Gjykatës së Venecias.

Dhe pikërisht aty, falë një hetimi të Policisë Financiare, dalin elementë vendimtarë.

Në fakt, ndërkohë që ai organizonte dërgesat e kokainës nga Amerika Latine në Italinë veriore, Vadalà po menaxhonte një biznes që varionte nga bujqësia tek rritja e bagëtive dhe energjia e rinovueshme në Sllovaki, duke lëvizur me mjeshtëri në një zonë gri që i garantonte atij kontakte me njerëzit kryesorë: nga shërbimet sekrete, tek doganat, duke arritur në postet më të larta në shtet.

Siç dokumentohet nga një përgjim i marrë në vitin 2012 nga një Prokurori Publik Italian si pjesë e një hetimi për trafikun e drogës, i cili më pas u konsiderua pa interes dhe u rishfaq vetëm pas vdekjes së Kuciak.

Vadalà, në atë telefonatë, foli me kryeministrin e atëhershëm Robert Fico. Ai që vrasja e Janit do të detyrojë të japë dorëheqjen pas disa javësh.

Me pak fjalë, një hetim i paplotë, ai sllovak. Ndoshta i destinuar të mbetet i tillë. Dhe plot helme. Siç dëshmohet nga lëvizjet e dy zyrtarëve të lartë të aparatit sllovak pas vrasjes së shefit të policisë, Tibor Gaspar, dhe kreut të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Robert Krajmer.

Në fakt, një dëshmitar i ri nga policia pranon tani, rreth një vit pas vrasjes, se vetë Gašpar e kishte urdhëruar që të bënte një kontroll mbi Kuciak në arkivat e policisë, kur gazetari ishte ende gjallë.

Ndërsa Krajmer përfundon i vetëm në qendër të vëmendjes.

Në fakt, ndodh që mbrëmjen e 25 shkurtit, kur në shtëpinë e tyre sapo ishin gjetur trupat e Janit dhe Martinës, në vendngjarje ka mbërritur njëkohësisht me policinë vendase edhe Robert Krajmer.

Jo shefi i mjekësisë ligjore, pra, por kreu i Antikorrupsionit.

Dhe ndodh gjithashtu që të nesërmen, në mëngjesin e datës 26, Krajmeri të kthehet sërish në atë skenë të krimit.

Këtë herë filmuar nga televizioni, teksa hyn në shtëpi.

Mbuluar menjëherë nga ajo që synohet të jetë një arnim i ministrit të Brendshëm, por që rezulton më keq se vrima.

“Ekipi i Krajmerit po hetonte të njëjtat ngjarje që po punonte Kuciak”, thotë ministri.

Është turp që më 26 shkurt askush nuk e dinte ende se për çfarë po punonte Jan Kuciak.

Nëse jo ai, që nuk mund ta tregojë më, hetimi i tij, ende i pabotuar pas vdekjes nga gazeta e tij, dhe kolegët që e kishin shoqëruar në atë hetim të fundit. Ato të Investigace dhe Irpi.

Continue Reading

Shkrime

Tre kabinetet paralelë me Ramën kryeministër

Nga Lorenc Vangjeli

Ka tre kabinete qeveritarë paralelë në Tiranë. Dy të parët me Ramën kryeministër dhe i treti me bashkëqeverisje. Ky nuk është paradoks, por është realiteti që nuk e shohin vetëm ata që zgjedhin verbërinë si shqisë. Anëtarët e kabinetit të parë janë dekretuar nga presidenti dhe janë votuar nga parlamenti. Në kabinetin e dytë, pjesa dërmuese janë anëtarë të parlamentit, kurse kabineti i tretë, përbëhet vetëm nga kryeministri dhe një numër prokurorësh të posaçëm nga SPAK. Të gjithë këta qeveritarë, bashkë dhe veç e veç, edhe pse hanë bukë në tryeza të ndryshme, në fund bëjnë duanë e Ramës. Dhe janë ata që mbajnë në këmbë qeverisjen e tij edhe kur rrethanat, logjika apo dhe pesha e kohës duket se flasin ndryshe.

Në kabinetin e parë Rama kryeministron mbi një zëvendëskryeminstër dhe 16 ministra. Nga këta, vetëm pothuaj gjysma janë individë politikë. Dhe në këtë gjysëm, më pak se gjysma marrin pjesë në betejat politike të ditës. Të tjerët, ose janë pothuaj të panjohur, ose kanë hyrë në ekzekutiv për shkak të rrethanës klasike të të gjendurit në kohën e duhur në vendin e duhur. Ata janë pjesë e atyre 40 e kusur ministrave – siç i numëron vetë Rama – me të cilët ai ka ndarë portofolet qeveritare, por që sot nuk i kujton më askush. Një pjesë e tyre, jetëgjatë në poste, prej kohësh shfaqen në publik vetëm kur ju lëshohet ndonjë gur nga oratorët e opozitës në parlament, ose kur përmendën në histori vartësish që janë nën hetim apo arrestohen. “Maskimi” i tyre është i stilit ushtarak: Nëse do të fshihesh për mos të të gjetur askush, qëndro në vendin më të dukshëm! Shumica dërmuese e tyre janë publikisht dhe politikisht të padukshëm, me plagë të dhembshme penale aty-këtu dhe me një vlerë gjithmonë e më të dyshimtë elektorale. Eshtë e lehtë të parashihet se ata do të jenë të paaftë që të tërheqin nesër karron elektorale të partisë që kërkon një mandat të katërt. Përveç kryetarit të bashkisë së Tiranës, tre – katër kolegëve të tij në disa bashki të tjera dhe po kaq drejtues politikë në qarqe e deputetë që kanë efekt elektoral dhe që janë anëtarë të këtij kabineti, kusuri është vetëm një numër pa portret në listë. Erion Veliaj, rrufepritësja e rradhës e sulmeve të opozitës, qëndron rregullisht mbas Ramës në çdo sondazh publik dhe është i vetëm sa dyfishi i pëlqyeshmërisë së tre liderëve të opozitës. Ndërsa po t’i referohesh rrjeteve sociale dhe Google, rëndësia publike e pesonazheve në qeverisje, dominohet vetëm nga dy-tre emra, me Spiropalin në krye. Socialistët që mund të bëjnë politikë janë tmerrësisht të pakët. Me gjasë jo thjesht se nuk duan, por edhe se nuk dinë. Të hutuar dhe të demoralizuar, të nënvlerësuar dhe nën presionin e zilisë njerëzore, shumica dërmuese e grupit parlamentar të PS-së, që janë vetëm një ordhi zëvendësministrash në këtë kabinet, thjesht nuk ekziston. Mjafton vetëm një seancë në Kuvend për të parë atë shumicë të trishtuar që duket si makinë me orë pune, në padurim për të mbaruar orarin e “punës”.

Emrat në kabinetin e dytë paralel janë padyshim më të bujshëm. Ata nuk marrin pjesë në mbledhjet e qeverisë, por janë gjithmonë të pranishëm aty. Janë identikitet më të papritur dhe më domethënës. Ndër ta shkëlqen padyshim çifti Berisha-Meta. Armiq me kanun dhe jo kundërshtarë për politikë me Ramën, urryes personalë dhe jo thjesht mohues të tij, të padekretuar nga presidenti dhe të pavotuar nga parlamenti si anëtarë të qeverisë, ata janë garancia absolute për kabinetin e parë qeverisës. Berisha, edhe pse është i aftë të bëjë të betohen në emrin e tij një grusht gjithmonë e më të rrudhur militantësh dhe zëvendës i Ramës në këtë kabinet, ka zero shanse në praktikë që të kapërcejë edhe njëherë pragun e zyrës së kryeministrit. I izoluar në shtëpi dhe me vargoj të tjerë të mundshëm çështjesh penale që mund ta lidhin edhe më tej, më shumë se frymëzim, ai po shndërrohet në frymëmarrës të opozitës. Ka vënë të gjithë PD-në në funksion të axhendës së tij personale duke mos e lejuar atë të bëhet më e madhe se ambicja vetjake për hakmarrje. Zgjidhje e vetme – së paku kështu besojnë në PD – për të qeverisur opozitën, ai nuk mund të afrohet më si zgjidhje e ricikluar për një qeverisje të ricikluar nga e shkuara. Po kështu edhe Meta, politikani luftarak, të cilit dhe e majta, edhe i djathta i kanë parë edhe hajrin, edhe sherrin, është bërë mbret klikimesh, por pa alkiminë e shndërrimit të tyre në vota. Hijet e mundshme të një përballjeje me drejtësinë e bëjnë edhe më të zymtë të nesërmen e partisë së tij që ka bashkëqeverisur edhe djathtas, edhe majtas dhe që sot është një nga garancitë për një qeverisje unitare të majtë. Anëtar korrespondent i qeverisë është edhe Lulzim Basha. Evropian në dukje, por sovjetik në bindje, liberal i shpallur, por anarkisti më i madh i politikës shqiptare, Basha ka pësuar fatin e lekut në vitet 90-të, sa më shumë i rritet pesha e xhepit vetjak, aq më shumë bie poshtë në bursën e vlerës. Pa asnjë dyshim, këta tre “ministra”, përfshi këtu edhe Gazin e të tjerë si ai, që ja ka sjellë fati në derë, i vlejnë Ramës edhe më shumë se shumica dërmuese e ministrave që ai vetë ka zgjedhur sipas shijes së tij tekanjoze.

Kabineti i tretë është më i rëndësishmi. Ka vetëm një bashkëqeveritar me kryeministrin, gjithashtu të padekretuar nga presidenti dhe të pavotuar nga parlamenti për praninë e tij në kabinet. Ai është institucioni i SPAK-ut. SPAK nuk merr pjesë në mbledhjet e qeverisë. Nuk firmos vendime. Eshtë pak a shumë si fantazmë në mure dhe në ajrin e të njëjtës sallë të mbledhjeve të ekzekutivit, në zyrat e ministrave apo të drejtorëve të lartë në administratën qëndrore e lokale. Vetë Rama sheh në të majtë të tij dhe pyet veten se çfarë di Altin Dumani për atë rresht ministrash, kthen kokën djathtas dhe pyet sërish veten se çfarë mendon ai për rreshtin tjetër dhe më tej akoma, për një tabor të gjatë e domethënës me zyrtarë e ish-zyrtarë socialistë që kanë ushtruar pushtet dhe kanë përfituar nga pushteti. Madje edhe kur firmos, ndërmjet njërit fap dhe fap-it tjetër, sërish pezullon: çfarë mund të thotë Dumani për këtë firmën time? Më tej akoma, kureshtja e çon të pyesë veten edhe për fatin e garantorëve të tij në politikë, duke nisur e bitisur me Berishën dhe Metën. Po me ta çfarë do të bëhet?

Edhe njëherë, si dhe herë të tjera, herën e fundit Rama e kishte fjalën SPAK kryefjalë të fjalimit të tij në fillimjavë. Në një mënyrë apo një tjetër, ai duket se ju tha të vetëve: “Mos besoni në SPAK nëse doni, por mësoni të keni frikë nga SPAK-u!”.

Këto janë tre kabinetet që bashkëqeverisin dhe bashkëkundërshtojnë në mënyrë simultane Shqipërinë. Ato ekuilibrojnë njëra-tjetrën me tipare të ndryshme, duke nisur me mungesën e protagonizmit tek njëri, tek protagonizmi i tepërt tek tjetri apo me tentativën për parandalim e ndëshkim të mëkateve tek i treti. Eshtë e vështirë të thuhet se cili prej tyre është më i rëndësishëm, por nëse kabineti i parë është shembulli sesi nuk duhet të jetë një trupë politike, i dyti është arsyeja themelore se pse një model i tillë mbetet ende në këmbë, ndërkohë që kabineti i tretë synon ta bëjë atë, së paku më të ndershëm dhe më vulnerabël ndaj mëkatit.

Dallimet mes tre kabineteve paralelë Rama bëjnë diferencën për ofertën e zgjedhjeve të ardhshme. Socialistët kërkojnë të bëjnë aleat pikërisht aleatin e natyrshëm të opozitës, drejtësinë, kurse opozita tenton të vrasë të njëjtin aleat me armiqësi dhe urrejtje. E ndërsa Rama vazhdon të jetë i përqendruar drejt synimit të tij për të bërë poker me numrin e mandateve qeverisës, qoftë dhe duke lënë rrugës vartësit e tij që bien njëri pas tjetrit në minat e të shkuarës, opozita ka zgjedhur që për hir të çminimit dhe çimentimit të së shkuarës, të humbasë orientimin e saj drejt të nesërmes së zgjedhjeve. Atëherë kur busulla e dikurshme: “Ku ishe? Asgjëkundi! Ku po shkon? Po aty!”, do të jetë avazi vajtues katër vjeçar i Tiranës zyrtare. Do të jetë pentagrami i një tallavaje që e gagaçërojnë ata që i kanë rënë në qafë politikës me epshin që ysht kaun e verbër drejt pelës së rradhës. Me shpresën e humbësit që edhe atëherë Rama do të bashkëqeverisë me tre kabinete paralele qeveritarë e të njëjtit ministra. Me shpresën realiste që edhe pse me gjithë tepsinë e pushtetit për vete, mund t’i mbajë edhe ata në tavë aty rrotull. Pastaj kismet, shohim e bëjmë!

Continue Reading

Shkrime

Vijnë para në arka nga Kina për Vuçiçin dhe Orban

Një dhelpër po endet nëpër Evropë. Apo ndoshta ishte ujk? Udhëtimi presidentit kinez Xi Jinping në ditët e fundit midis Parisit, Beogradit dhe Budapestit u konsiderua nga shumë vëzhgues si shumë i zgjuar. Vitin e kaluar, Emmanuel Macron shkoi në Pekin dhe u distancua në mënyrë sensacionale nga amerikanët në mbrojtjen e Tajvanit dhe tani Xi ka reaguar: për disa muaj ai nuk do të vendosë detyrime të tepërta për importet e konjakut në Kinë.

Më pas, ai ishte më bujar në dy vizitat tek miqtë e tij dhe të Putinit, një në Serbi dhe një në Hungari: e para në një vend jashtë BE-së dhe NATO-s, e dyta në atë që është pjesë e të dyja organizatave, por i pengon ato nga brenda. Ndoshta, në Pekin ata vazhdojnë ta shohin turin si  diplomaci e rafinuar. Dhe në Perëndim gjithashtu: ndër ne evropianët, sundimtarët kinezë shihen gjithmonë si të aftë dhe mendjemprehtë.

Pasi dallgët e ngritura nga itinerari i çuditshëm i të fortit nga Pekini janë qetësuar, mund të përpiqemi të gjykojmë ftohtë mbi strategjinë dhe taktikat e tij. E para është shqetësuese, e dyta nuk duket aq e zgjuar dhe delikate.

Strategjia ishte e njohur tashmë, por java evropiane e Xi-t ishte e vrullshme, e pa maskuar dhe pothuajse luftarake, si kurrë më parë: për mënyrën se si Pekini e planifikoi udhëtimin; për përmbajtjen e intervistave dhe deklaratave; për paratë që lideri kinez premtoi t’i dërgonte në arkat e qeverive të Aleksandar Vuçiçit dhe Viktor Orbanit

Objektivi i fshehtë i liderëve konfuciano-komunistë të Kinës është të ndajnë evropianët, si në BE ashtu edhe në NATO, dhe për të futur sa të jetë e mundur një pykë në marrëdhëniet transatlantike.

Investimet që Kina ka shpallur në Serbi dhe Hungari kanë një anë komerciale: në të parin nga të dy vendet, ndërtimi i infrastrukturës për të sjellë mallrat e saj të shkarkuara në portin grek të Pireut (kryesisht i menaxhuar nga kinezët) në Evropën Qendrore-Lindore; në të dytën, ngritja e fabrikave në një territor të BE-së për të shmangur detyrimet e mundshme që Brukseli do të vendosë për importet e makinave elektrike dhe produkteve të tjera për tranzicionin klimatik nga Kina.

Nëse për një periudhë të caktuar në Perëndim ekzistonte iluzioni se Kina mund të vepronte si ndërmjetëse në Ukrainë, sot është e qartë jo vetëm që gjigandi aziatik nuk është i barabartë mes Moskës dhe Kievit, por se po mbështet aktivisht Kremlinin dhe do të vazhdojë për ta bërë këtë. Për Xi, është thelbësore që Putini të mos humbasë: kjo do t’i jepte një goditje serioze teorisë së tij qendrore se Perëndimi është në rënie të pakthyeshme…………………..

Rezultati i udhëtimit kurioz evropian të liderit kinez është vërtetimi i dëshirës së tij për të ndarë BE-në dhe NATO-n dhe për të distancuar Evropën nga Shtetet e Bashkuara. Dhe është vërtetimi i mbështetjes së tij për agresionin rus kundër Ukrainës: ndoshta nuk është e vështirë të thuhet se nuk është, siç pretendojnë disa, Perëndimi që përdor Kievin për të sulmuar Rusinë, por është Pekini ai që përdor Moskën për të dobësuar Perëndimin.

Nga ana tjetër, është kultura politike dhe ushtarake kineze të besosh se një luftë, qoftë edhe e mundshme, duhet të fitohet para fillimit të saj: lodheni kundërshtarin derisa të jetë në gjendje të dorëzohet. Ky është aspekti shqetësues i udhëtimit të Xi. Në nivel taktik, ai shpërndau shpërblime në Beograd dhe Budapest, por agresioni i tij i papritur dhe i shfaqur ngriti paralajmërime rreziku në Paris dhe në mbarë Evropën. Të cilët tani janë ndoshta më të vetëdijshëm se më parë për shtrirjen e sfidës kineze. Nuk është gjithmonë një dhelpër që vjen nga Pekini.

 

Continue Reading

Shkrime

Pak orë luftë për të pushtuar Athinën me degë ulliri

Nga Lorenc Vangjeli

Eshtë e pabesueshme lehtësia marramendëse me të cilën ballkanasit luajnë aktet e tyre më serioze. Ato që kushtojnë jetë dhe kushtëzojnë jetë. Që përpara se “Migjeni” i Air Albania-s të ngrihej në ajër nga Nënë Tereza, si për të vërtetuar se në këtë skaj të Evropës, pushtuesit më të mëdhenj kanë qenë poetët, fjalori luftarak kishte përmbytur bisedën e një aradhe të çuditshme udhëtarësh. Ishte një çetë “ushtarake” e veshur me xhinse që po udhëtonte nga pika e mëngjesit në një pikë të panjohur të Athinës, në të parin takim të një kryeministri me diasporën shqiptare në Greqi. Po fluturonte nga ndoshta i vetmi vend që kurrë nuk kishte nisur ndonjë ushtri pushtuese ndaj ndonjë vendi tjetër. Me plan kthimi mbrëmjen, çeta po mësynte vendin që e mban ende në arkiva, që prej agimit të Luftës së Dytë Botërore, ligjin e luftës me Shqipërinë dhe plot një vit mbasi një pikë e vetme helmi, helmoi dashuriurrejtjen reciproke mes dy vendeve. .

Një çetë plot dilema

Fillimisht u shpërnda dilema nëse Migjeni do të mund të zbriste deri në aeroportin Eleftherios Venizelos, dhe më pas, në rast shpërthimi në ajër, ku do të shpërndaheshin rrënojat e tij të shkaktuara nga një bombë në bord. Nuk kishte dilema për vajin dhe gazin që do të shpërthente në Tiranë dhe rijetimin e bindjes se plot të tjerë do të thoshin se bomba i kishte dhënë Shqipërisë atë që nuk ja jepte dot vota që prej 11 vjetësh. Madje as pas një viti tjetër, në 2025-ën. Rënia e mundshme e avionit do të zgjidhte njëherësh jo vetëm raporte të ngurtësuara politike në vend, ku shkërmoqja e PS-së ishte basti me koifiçientin më të ulët se do të ndodhte, por ai do t’i jepte udhë e zgjedhje dhe një numri të pabesueshëm konkurencash mediatike me lënien e kësaj bote nga disa prej protagonistëve më të zhurmshëm të botës së vogël shqiptare. Pa Ramën mbi kokë, të paktën deri në zgjedhjet e parakohshme, qeverinë do të synonte ta drejtonte fituesi i sherrit deri më tani të padukshëm brenda PS-së, kurse pa Elisën në parlament, opozita e parlamentit do të ishte shumë më e qetë. Pa Fevziun dhe Meron, do të humbte Opinioni dhe TemA, ndërsa Batonin, meqë Ikja pakthim i bën të gjithë të mirë, edhe armiqtë e tij laramanë, edhe armiqtë e maskuar si miq, do ta quanin burrë të mirë.

Pavarësisht parashikimeve ogurzeza, Anila vazhdonte e paepur të fliste për temën më të vjetër të bisedave njerëzore duke marrë rob edhe vëmendjen e Indritit dhe Ilirit që bënin si të pandjeshëm nga lloj bisede. Rudina ishte ulur fatkeqësisht disa sedilje më pas dhe dremitja i hoqi protagonizmin në ajër që nuk ka dëshirë ta lerë mangut në tokë. U zgjua vetëm kur Rama bëri një shëtitje duarshtrënguese me bashkudhëtarët, i ndjekur nga Linda dhe Endri i tij. Rama më pak, Endri më shumë se Rama dhe Linda më shumë se të dy së bashku, ndenji në këmbë duke folur me pothuaj secilin nga “luftëtarët” e çetës shqiptare. Me nga një batutë për secilin dhe me një “Na vaftë mbarë!”, prej gjithkujt, fati i përbashkët i secilit në ajër, e bënte çdonjërin nga udhëtarët më të dashur me tjetrin në krah, edhe nëse bashkurrehen pastërtisht siç dinë vetëm shqiptarët ta bëjnë me njëri-tjetrin.

Dilemat e tjera që nuk po i zgjidhte dot askush vinin dhe nga padakortësia nëse do të kishte më shumë gaz apo vaj në Tiranë kur të merrej vesh tragjedia ajrore. Natyrisht, edhe mbasi secili bënte nekrologjinë vetjake, asgjë e tillë nuk ndodhi. Madje edhe çeta luftarake, me një komandant kryeministër në krye, por që për të tillë e njihnin vetëm tre-katër rreshtat e para të sediljeve të avionit, ministrat e tij, ishte pa armë. Në këtë kategori hynte vetëm fjalimi sekret i Ramës dhe fjalët që do të mbanin anëtarët e kabinetit, Elisa, Majlinda, Romina, por edhe Klosi. Të tjerë ishin mjaftuar vetëm me celularët si armë dhe me kureshtjen e asaj që pritej të ndodhte: reporterë dhe disa analistë të studiove të mbrëmjes po vinin të shihnin me sytë e tyre se çfarë do të ndodhte në Greqi, ku niste turi i Ramës me diasporën.

Si zakonisht, në Ballkan mitet kanë më shumë peshë se e vërteta e thjeshtë. Besohet më shumë çfarë është e pamundur sesa ajo që ndodh përpara syve të secilit. Dhe gjithë ajo lavë e nxehtë kundërshtuese që kishte ardhur në greqisht kundër mitingut të pritshëm, vetëm sa i kishte dhënë në mënyrë të pamerituar, shijen e mitit të kërcënuar një të vërtete fare të thjeshtë. Madje edhe ndeshjen me një mit. Për ditë të tëra, me një uniformitet si pika që i ngjan pikës dhe që duhet të ngjallë zili në Tiranë, Athina zyrtare, pozita dhe opozita, por edhe media në një korr pa asnjë zë që të stononte, e kishte refuzuar mitingun, e kishte konsideruar provokim dhe të papranueshëm. Madje, nën tryezë ishin vënë edhe hile të vockla fare-fare, të llojit nuk kemi ku gjejmë sallën e duhur, nuk afrojmë dot sigurinë e duhur dhe nuk është e duhur as koha për miting me emigrantë. Nuk e ka thënë ende njeri dhe nuk dihet se deri ku shkon e vërteta, por ndërsa kryetarit të bashkisë i hidhnin demokratët molotov tek dera dhe të majtët helm Ramës tek veshi, ai me homologun e tij grek të Athinës takohej një muaj më parë po në Athinë, dy javë më parë në Paris e plus me telefon deri minutën e fundit për sallën, siç “akuzonin” vetë grekët se sallën jua morri Veliaj e të tjerë nga Tirana.

Bashkë me grekët e frontit e në korr me ta, edhe opozita refraktare shqiptare, edhe media pranë saj, luanin fiks të njëjtin avaz, të të njëjtit pentagram. Të mësuar t’i dhurojnë dashuri qelepir kujtdo për hir të urrejtjes ndaj Ramës, mbi idenë e Ramës për tur në diasporë, u hodhën shumë më shumë gurë sesa do të pranonte logjika e më shumë baltë sesa do të pranonte dhe vetë balta. Duke bërë në të dy rastet, efektin e përkundërt: duke reklamuar mitingun nga Athina, po me çmim badiava dhe duke ngritur një mur ndarës mes atdhedashësit dhe atdheshitësit me gurë falas nga Tirana. Në fakt, pa qenë askush pronar i dashurisë për atdheun, së paku një palë e bëri një copë betejë si asqer gratis për kundërofensivën greke.

Në më pak se një orë fluturim dhe përpara se avioni të ulej në aeroport pa ndodhur natyrisht asgjë, të gjitha problemet me ekuipazhin e tij luftarak ishin zgjidhur në mënyrën më të lehtë të mundshme dhe me municionin tipik shqiptar që i jep fund çdo dileme. Arma sekrete, prodhim vendas, “Vari tr…pin!”, shpërtheu me sukses të plotë dhe çeta u ngrit padurimthi në këmbë përpara se avioni të kishte ndaluar plotësist në pistë.

Policë me automatikë në pistë dhe një helikopter në ajër

Avioni ishte rrethuar nga forca të shumta ushtarake. Me automatikë në duar. E vetmja shenjë e mirë ishte se rrinin me kurriz nga avioni, çka bindi dhe më skeptikët që vazhdonin të bënin humor se me të gjitha gjasat nuk do të kishte të shtëna dhe atentat të shumëfishtë në aeroport. “Kaq ushtri kam parë në Afganistan”, tha Anila. “Kështu ishte në Kenia, Fevzi”, tha Batoni. Sa më i madh në numër armiku, aq më e madhe është edhe lavdia e atij që ndeshet me të; ndaj kaq mjaftoi që krenaria kombëtare të merrte qiellin sërish.

Gazetarët zbritën të parët nga avioni dhe ndërkohë që shumica e tyre nisën të bëjnë selphie me avion në sfond, kolegët e tyre grekë ishin bërë gardh me kamera. Nëse i shihje pa shumë vëmendje dhe pa hapur gojën që secili të fliste në gjuhën e vet, nuk dalloje asnjë diferencë mes tyre dhe kolegëve shqiptarë. E njëjta fizionomi, i njëjti stil veshjeje, edhe pse ata ishin gjithashtu “armiku” i çetës. Trupa mediatike nga atdheu u nda në dy autobuzë me shoferë që flisnin shqip dhe pak përpara tyre, eskorta e Ramës, me një shpurë makinash dhe furgonësh të zinj u nisën përpara drejt befasisë së parë. Autostrada që të çonte drejt stadiumit të mitingut ishte bosh, si në kohën e pandemisë.

Në çdo dalje të saj qëndronte një makinë policie që bllokonte trafikun. “Vetëm për Bushin e kanë bërë kështu”, tha Fevziu, më i shëtituri ndër gjithë gazetarët dhe që po për këtë fakt, ka dhe armiqësitë më të mëdha të fshehura me gazetarë të sërës së tij, por jo të stilit të tij. Helikopteri që fillimisht u shenjua si pjesë eskorte kishte hallin e vet. Ishte civil dhe u zhduk shpejt nga vështrimi. Të paktën kështu besoi vëmendja e të gjithëve që tashmë ishte përqëndruar gjetkë. Gjithë ai organizim sigurie, kishte përkëdhelur sedrën e gjithësecilit, që nuk besuan më as shifrën prej 1500 punonjësish policie që ishin angazhuar në operacionin e sigurisë. “Ka shumë më shumë civilë”, shkëmbenin opinione strategësh shqipot që po turreshin në vendin që e njihnin mirë. Që e njihnin mirë nga letërsia antike, nga muzika, nga afërmit, plazhet, buzuqet, kazinot, dashuritë apo edhe emigracioni i pjesshëm vetjak. “Unë kam qenë 17 ditë emigrant në Athinë”, tha Mero.

Nga brenda arenës Galatsi ku shqiptarët kishin proftasur që në sabah herët, kishin ardhur prej kohësh fotot e para. “Esht’ mush tumllas!”, ishte tashmë bindja e parë, e cila nuk kishte të krahasuar me atë që do të shihnin sytë e të gjithëve gjysëm ore e kusur më vonë. “O Lenc, është plot jo thjesht me njerëz, por me entuziazëm! As në mitingjet mbas zgjedhjeve nuk e kam parë këtë frymë”, bërtiste, por nuk dëgjohej në telefon Damiani që kishte gdhirë ndërkohë disa netë greke në Athinë përpara ditës së takimit. Por as fotot dhe as Damiani vetë nuk ishin në gjendje të tregonin çfarë po ndodhte brenda asaj salle vibrante me nerv, mezipritje, pasion, revansh, dhembje, dashuri, urrejtje e mall të robit për robin dhe me më shumë mall akoma për dinjitetin e dikurshkelur dhe tanigjetur.

“Postoblloku” i parë drejt sallës ishte krjuar nga një grup protestuesish që mallkonin Ramën. Në atë atë atmosferë të ndezur ata ishin fiks në vendin që duhej, por ngjanin si një tufë me hudhra të thatë mbi kremin e një torte. Ishte hera e parë dhe e fundit që u përmend Bejleri. Zërat që thoshin emrin e tij nuk dëgjoheshin, por një pankartë e madhe, një beze e bardhë me gërma blu,që e quante Ramën autokrat, ishte qartësisht e dukshme. Ashtu siç e vizatojnë në bllok kundërshtarët e tij dhe siç e kanë pranuar pa fjalë si efekt anësor të pushtetit që ju dhuron, përkrahësit e tij. Edhe njëherë, sa më i gjigant Bajlozi, aq më i madh heroizmi i atyre që presin ta mundin mbas 11 vjetësh lëngatë në opozitë.

Plot, plot, sa plot, more!

Mbasi ishin refuzuar shumë opsione, mbasi ishin bërë shumë oferta dhe kundëroferta, mbasi kishin qarkulluar shumë legjenda urbane në segmentin Tiranë-Athinë, e diela e dytë e majit, fiks mbas një viti kur Adamët nga Tirana e Athina, këputën mollën e ndaluar nga pema e helmuar në mes të Himarës, çeta e “pushtuesve” kishte zbarkuar në stadium. Për ditë të tëra, Greqia zyrtare, mediatike dhe ajo informale u sollën si ato vajzat e bukura që bëjnë të vështirën deri në minutën e fundit, pa kuptuar se kjo gjë e bën edhe më të fortë ekstazën në çastin e triumfit. Që në këtë rast, zgjati nja dy orë të mira, mes frymës së Erës dhe zhurmës së Noizit. Njëra me të kuqe kokë e këmbë, tjetri me të zeza dhe të dy bashkë, veshur kuq e zi si dhjetra flamuj kombëtarë që valëviteshin në një sallë me disa mijëra shpirtëra të eksituar nga magjia e herës së parë. Në skenë ishte një flamur dixhital gjak e shkabë, kurse anash tij ishin ngritur në shtizë flamuri i Evropës së Bashkuar, i Greqisë dhe flamuri shqiptar në mes.

Fillimisht të gjithë u ngritën në këmbë për himnin kombëtar. Eshtë e pabesueshme sesa ndryshe tingëllon muzika më e njohur në Shqipëri kur dëgjohet jashtë Shqipërisë. Shumë më fort, më drithëruese dhe ngjethëse. Pasoi Odea e Gëzimit dhe shpërthimi i Bethovenit, që pikturoi ëndrrën si Evropë përpara se ajo vetë të bëhej Evropë e Bashkuar. Dukej gjithashtu si himn shqip në Athinë. Me të gjitha gjasat, do të kishte qenë shumë më mirë, që nëse organizatorët do të kishin idenë se për çfarë do të fliste Rama një orë më pas, të kishin ftuar në sallë edhe muzikën e Mantzarosit dhe tekstin e Dionysios Solomosit për “…eshtrat e shenjta të helenëve që u ngritën përsëri trimërisht për të përshëndetur lirinë”.

Dhe vazhdoi ajo që kishte filluar. Akti i parë i dramës që në Ballkan e luajnë gjithmonë me tone tragjike, kishte ngritur perden e rëndë të saj. Në Athinën me aromë jargavanësh nga Argirosi dhe dashurinë plot lot e psherëtima të Dalarës, nën hijen e përjetshme të Akropolit, nga AlbA në Mbrëmje për dy mijë vjet rresht, kishte ardhur një grusht luftëtarësh shqiptarë me degë ulliri në duar. Athina mou sepse Athina është për të gjithë!

Vala e para e sulmit, nisin zonjat të parat

Fjalimet patën rradhë. E para ambasadorja shqiptare në Athinë me mbiemër të rëndë nga ati dhe me një emër që e futi ndershmërisht në kronikat e ditës, Luela Hajdaraga Gila, pastaj Romina e Majlinda, secila me një histori familjare greke në gjak si për të treguar se edhe pse jemi të zemëruar me njëri-tjetrin, edhe pse nuk jemi vëllezër me njëri-tjetrin, duam apo nuk duam dhe më mirë të duam se mos duam, jemi kushërinj dhe krushqi e gjerë me grekët.

Elisa nuk i shpëtoi tundimit të rrëfente dhe ajo lidhjen e dikurshme të familjes së saj me Greqinë. Me një regji e tekst që me të gjitha gjasat e kishte paradhënë vetë Rama si prolog të asaj që ai vetë do të deklamonte më pas, Elisa tha se gjente copëza Shqipërie në Athinë dhe gjithë Greqinë, se vinte me mall zemre për zemrat që flisnin shqip, duke kujtuar kohën kur shqiptarët ishin viktima të një sistemi kriminal si komunizmi dhe me krimin e të qenit të varfër dhe të pangrënë shkuan në Greqi ku gjetën strehë, bukë, por dhe dhembje dhe poshtërim. Por me kohët që ndryshuan dhe me Shqipërinë e rritur që ka për kryeministër një ish-emigrant, qeveritarët e nesërm të Shqipërisë mund të vijnë dhe nga emigracioni në Itakën e tyre të përjetshme, i tha Elisa një turme që më shumë se dëgjonte çfarë thuhej, priste të thoshte se ç’po ndodhte.

Klosi ishte i lodhur. Edhe pse puna e tij normalisht kishte mbaruar mbasi bashkë me Damianin, Ad Çelën dhe dhjetra të tjerë nga Tirana kishin mbushur sallën, atij ju desh sërish të thoshte dy fjalë të duartrokitura. Me tutje Gledisi ishte “stari” i një grupi maramendës elbasanasish nga Selaniku.

Një plumb për një luftë të madhe, një fjalim për pak paqe qoftë dhe të vogël

Nuk ishte i qetë. Pesha e turmës që priste diçka të veçantë përpara tij ishte pothuaj e pamundur të mbahej bashkë me ato mijëra orë që kishin kaluar që nga 12 maji i vitit të shkuar me nisjen e gripit vjetor, krizës ciklike mes dy vendeve, mes lumenjve të mallkimeve pa adresë dhe bekimeve të pamerituara nga nacionalistët e të dy palëve, mes sojit të gomerëve të panumërt që vazhdojnë të hedhin shkelma dhe mizave që nuk mungojnë kurrë në funeralet e tyre, mes pushtetit të traditës që sheh armik tek i ndryshmi dhe me trashëgiminë e qindra mijëra fateve të leckosur dikur, në një botë të egër, që krim më të madh dhe të paapelueshëm quan varfërinë. Vetëm duke qenë në Galatsi, Rama si individ kishte fituar një betejë, por triumfi i luftës së tij nuk ishte as entuziazmi i bashkatdhetarëve, as rrëmeti që i kishin parapërgatitur bashkëqytetarët e tij opozitarë në Tiranë, as rreshti i vartësve të tij, që do ta duartrokiste njëlloj dhe madje as se çfarë do të thoshte Micotaqis në zyrën e tij apo burokratët e Evropës me kokëdhembje nga sherret e pakuptueshme ballkanike që shpiken për hiçmosgjë dhe mbesin shtatazanë me hiçmosgjënë çdo herë që marrin frymë dhe marrin frymë veçse për sherr.

Njëlloj siç ka bërë prej vitesh në Tiranë, ai donte t’i çonte një mesazh historisë së nesërme që ai është njeriu i premtuar që një fat i bardhë ja fali Tiranës, njëlloj siç kanë menduar tre-katër shqiptarë të tjerë përpara tij dhe fiks njëlloj si çdo shqiptar tjetër i zakonshëm që është i bindur se po të ishte mbret vetëm për 24 orë, do të shpëtonte gjithë botën. Pa dyshuar asnjë çast se vlen më shumë se hapësira e ngushtë e Shqipërisë, fiks ashtu siç përshkruan gjeniu Kadare paraardhësit e tij krenarë që qeverisnin dynjanë nën flamurin e dikurshëm të ish-perandorisë otomane, ky ishte edhe keqkuptimi i tij ndoshta në çdo ditë qeverisjeje në Tiranë, por realizuar si nga askush tjetër më parë si ai, të dielën e dytë të majit 2024 në Athinë. Duke nisur me atë që e dinë të gjithë, por vetëm pakkush, tmerrësisht pak njerëz e kanë thënë më parë nga Tirana: Së paku në Greqi, të varfërit dhe të pangrënët e djeshëm, tani janë një realitet i paprekshëm. Që nesër, mund të jenë edhe një faktor elektoral. Kush nuk kupton këtë gjë, është ose budalla, ose maskara! Ose është Dora Bakojanis që mendon ndryshe. Së paku në Tiranë, lista e maskarenjve budallenj zgjat sa një numerator i dikushëm telefonash.

“…nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie”, i tha Rama një publiku inkandeshent nga pozita e vëllait të madh, bashkëzotërve të shtëpisë ku kishte shkuar si mik. Pjesa tjetër ishte politikë. Ishte emocion. Ishte populizëm pragmatik dhe pragmatizëm politik. Ishte degë ulliri dhe thupër thane, ishte lutje dhe ofertë, ishte miqësi për Athinën duke menduar Tiranën politike dhe ishte përballje me grekët si pjesë e planit për përballjen e nesërme elektorale në Tiranë, ishte aktrim në shkallën kur vetë pjesa që deklamon vret aktorin dhe e bën atë më të vërtetë se maska që rasti, fati, sjellja dhe vetëndjerja e vendosin në fytyrën e politikanit. Rama ishte në atë orë të së vërtetës së tij, ai që do të donte të ishte dhe ai që duhej në të vërtetë të ishte.

Ishte individi i sjellë nga Migjeni në Athinë i mbajtur jo nga këmbët e veta, por nga detyrimi për të qenë ashtu siç e lyp interesi i shqipove për të pasur kryeministrat e tyre. Mbas eskursioneve nga viset e thata e të mërzitshme për shifra shkëmbimesh tregtare, Rama u yrysh tek skutat e ndriçuara në mënyra të ndryshme të historisë, nga lufta mes Athinës dhe Spartës shkaktuar nga sherret në Dyrrah, sipas tij dhe u shpërngul tek çadra e përbashkët e NATO-s. Rama herë bubulliu për Bubulinën dhe herë linte pa emër laskarët e shumtë këtej e andej kufirit që shpikin sherr për hir të sherrit dhe që i rrinë pantallonave të atdheut si p..rdhët në shtratin e seksit.

Mbas çdo pyetjeje, një ofertë, mbas çdo kërcënim, një rrethrrotullim balerine, mbas çdo helmi, kundërhelmin, deri në aksiomën e krenarisë helene, që kush desh e kuptoi siç duhej: Grek lind, por nuk bëhesh, por të jesh grek, nuk është kusht i vetëm dhe i mjaftueshëm që të jesh evropian!

Në përroin e fjalëve që derdhi Rama për rreth një orë, mbi të gjitha dallohej ftesa për reciprocitet mes dy vendeve. Duke kujtuar se cilat janë sfidat reale të kësaj kohe me rrezikun e ngrohjes globale e mos-o-Zot, apokalipsin bërthamor, sherret shqiptaro-greke ngjajnë si një pikë helmi në një oqean halli. Edhe ai ligj absurd lufte që fle në arkiva, por që le rrugëve probleme fatesh njerëzorë dhe pronash të shenjta, është pjesë e një marrëzie mizorisht të vogël përballë halleve vërtet të mëdha të një dynjaje që pak do t’ja dijë për hallet e përbashkëta shqiptaro-greke.

Një plumb i vetëm mund të nisë dhe një luftë botërore. Ishte një plumb serb në trupin e një perandori austriak që e çoi botën në luftë. Mund të ndodhë që edhe një fjalim shqiptari në Athinë, të jetë draft i parë për një traktat paqeje. Me një kusht të vetëm: të ndryshëm, por të barabartë.

Dhe kaq, pastaj është kthimi

Aty ku fiton një burrë, me shumë gjasë ka triumfuar më parë një grua. Me përqafimin e Lindës së tij, Rama la skenën ku edhe nëse për skeptikun e fundit nuk bëri atë që duhej, të paktën ishte i pari që e bëri aty ku duhej! Dhe ju ra në gjunjë njerëzve të duhur.

Pjesa tjetër ishte prozë. Nga ajo e zakonshmja që luhet rëndom edhe në Tiranë, por atmosfera ishte kaq e ndezur sa edhe servilët e panumërt që nuk mungojnë kurrsesi rrotull pushtetit në ditët e tij të mira, atë drekë athiniote tingëllonin të sinqertë dhe të vërtetë.

Buka e ndarë në një restorant grek, vera e vendit, uzoja dhe tsipouroja e shuar me akull, edhe pse të derdhura lumë nuk mjaftonin për të penguar helmin që kishte nisur të derdhej në Tiranë. “Mua më quanin Spiro në Greqi”, tregonte Mero, si për të parashikuar se pavarësisht emrit të ndryshëm, ai është i njëjti individ. Njëlloj si ata shqiptarë që e shohin krejt ndryshe një të vërtetë të vetme që ndodhi në disa orë flakëruese në Athinë dhe që ndryshe e shihnin njerëz të mëritur në Tiranë.

Kamarierët shkonin e vinin dhe paranoja e trimëruar nga alkooli shpejt vuri re se “ata maskarenjtë kanë hequr edhe kamarieret shqiptarë sot nga lokali”. Ato ishin njëra më simpatike se tjetra, për hir të së vërtetës së votuar unanimisht, edhe pse askush nuk kishte halle estetike në atë harbim emocional, por vetëm shqetësime etnike. Fatmirësisht, më “kingia” tyre e mohoi në shqip paranojën. “Jam shqiptare nga Vlora”, i tha ajo Ermalit, kryetar bashkie në Vlorë. Dy vajza të tjera përshëndetën gjithashtu shqip, njëra me krahë, tjetra deri në gushë të tatuazhuara në Athinë

Kryepersonazhi

E megjithatë kryepersonazh i atyre ca pak orëve greke në Athinë nuk ishte kryeminstri. Dhe aq më pak ekuipazhi i Migjenit, ministra dhe gazetarë. Kryepersonazh ishte shqiptari i ardhur nga Athina dhe gjetkë nga Greqia, edhe ata që kishin kapërcyer kufirin ndonjë ditë më parë e që në mos vetë, e njihnin në fis lëkurën e emigrantit; ishte shqiptari pa emër i brezit te parë Vasili e Ladi, ishte brezi i dytë me Forin, Anxhelikinë e Marien e deri brezi i tretë me Kostandinin e Emilinë, Rebekën e Dhespinën, Dhanain e Natalinë, që i duan shqip baballarët e tyre grekë në krushqitë e përzjera që kërcejnë njëlloj edhe Pogonishten e vallen e Tropojës, edhe Zembelikon dhe qajnë për Pariosin. Pak, shumë pak nga ta, ndoshta edhe vetë Rama dikur emigrant, kujtojnë se varianti i parë televiziv i Odiseas të Homerit, realizuar nga italianët, kishte për Penelopë një Irenë Papas shqiptare të Greqisë dhe Odise, një Bekim Fehmi, shqiptarin e Kosovës nga ish-Jugosllavia. Se në mos vëllezër të mëritur, padyshim kushërinj të parë e krushq shqiptaro-grekët janë patjetër.

Ky kryepersonazh i heshtur e brohoritës, kjo turmë e stërmadhe shpesh me dy emra dhe dy pasaporta, shumica dërmuese e të cilëve, një histori suksesi individësh që tashmë dinë të qeshin e të këndojnë në mënyrë perfekte në greqisht, por vazhdojnë të qajnë sërish në shqipen e nënës, ishte thelbi dhe kyçi për të kuptuar çfarë ndodhi realisht. Njerëz që kanë ngrënë bukë gjaku dhe bij të një vendi që ka derdhur më shumë lot sesa janë lagur nga shiu, ata tashmë duhen ndihmuar të bëhen komunitet. Të bëhen një shoqëri ku të kuptohet se interesi i individit çmohet edhe më shumë, kur interesi i grupit i vihet në funksion reciprok; që trimfon në vetmi, por është disfatë e rrokopujshme kur bëhen tre për të mos lënë dy gurë bashkë. Ndryshe nga shqiptari i njëjtë nga gjaku që bashkon, por i ndryshëm nga interesi që beson kur ja do interesi, se pulat urinojnë nga sqetullat.

Në ngrysje e sipër, në bordin e avionit sërish, me temat më të vjetra të njerëzimit për të ridiskutuar, çeta e degës së ullirit nga Shqipëria po linte pas Athinën. Për të mbërritur në Tiranë aty ku bota e madhe fillon e ngushtohet pafund në halle të çastit, në çaste që shiten për përjetësi, për pisllëqe që shiten në tezga puritanësh dhe prostitutash që betohen për virgjërinë. Në Tiranë, qytetin e vetëm në botë ku kuptohet se nuk ka armik më të lig të shqiptarit se vetë shqiptari i xhindosur me vëllanë për punë gardhi. Paasardhës i një race krenare që di të shkëlqejë si individ, por që për të pasur sukses, i duhet të gjejë me domosdo një armik, që t’i bëjë bashkë. Për të qenë ndoshta përjashtim në familjen e madhe të kombeve me rregullin paradoksal që e ndjek nga pas si fatkeqësi: anëtarë të një kombi që është i aftë që çfarë fiton me gjak e sakrificë në luftë, e humb regullisht nga marrëzia në paqe.

Biseda më e hershme e njerëzimit po shtynte Migjenin drejt Tiranës. Bindja e dikurshme e propagandës komuniste për vetëmjaftueshmëri, se shqiptari e ka çarë rrugën e historisë më shpatë në dorë, ngriti krye si arma më e rëndësishme në dorën e shqiptarit të sotëm në këtë kohë, kur të jesh vend i vogël, është gjithashtu krim. Rikthimi i shqiptarëve në shpatën origjinale të Adamit është dhe shpëtimi i tyre i vërtetë. Në fund të fund, është demografi, budallenjtë e mi, mund të thoshte dikush pa diplomaci, në një miting të nesërm elektoral. Në Tiranë apo Athinë, në Korçë apo në Prizren, në Podgoricë apo Sarandë, në Milano apo Stamboll, në Elbasan apo në Gaza, në Durrës apo në Jeruzalemin e përjetshëm. Mund ta thoshte kudo dhe kushdo pa u mbuluar e as mburrur me gjethen religjoze të fikut!

Continue Reading
Advertisement

TRENDING