Connect with us

Politike

ROLAND BEJKO: Nëse është hequr non grata e Berishës, duhet të konfirmohet zyrtarisht nga DASH

Ish-deputeti Roland Bejko ka reaguar lidhur me deklaratat e Sali Berishës se statusi i tij “non grata” në SHBA është hequr, duke theksuar se deri tani nuk ekziston asnjë konfirmim zyrtar nga autoritetet amerikane.

I ftuar në emisionin “Jashtë Kontrollit” në NTV, Bejko tha se çdo vendim i tillë duhet të publikohet në faqen e Departamentit Amerikan të Shtetit ose në kanalet zyrtare të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.

“Kur ta shohim të afishuar zyrtarisht, atëherë mund të besojmë se statusi është hequr. Deri në atë moment, nuk kemi asnjë konfirmim zyrtar”, u shpreh ai.
Sipas Bejkos, deklarata e vetë Berishës ka peshë politike, pasi për herë të parë është vetë kreu i PD-së që flet me siguri për këtë çështje. Megjithatë, ai ngriti dy mundësi: ose statusi “non grata” është hequr plotësisht, ose Berishës i është dhënë vetëm e drejta për të udhëtuar në SHBA përmes një vize të veçantë, ndërsa vendimi i shpalljes “non grata” mbetet në fuqi.

“Ka raste kur personave të shpallur non grata u jepen viza për arsye diplomatike, mjekësore apo të tjera specifike. Në atë rast, statusi nuk hiqet, por lejohet udhëtimi”, tha Bejko.

Ai u ndal edhe te deklarata e Berishës se “u ktheva”, duke e interpretuar atë si një sinjal se lideri demokrat e konsideron veten sërish një pretendent aktiv për pushtetin politik në Shqipëri.

Megjithatë, Bejko vlerësoi se rikthimi politik i Berishës nuk përbën kërcënim për kryeministrin Edi Rama. Sipas tij, nëse statusi “non grata” është hequr, ky është një lajm pozitiv për vetë Berishën, por jo domosdoshmërisht një zhvillim që ndryshon ekuilibrat politikë në vend.

“Nëse i është hequr non grata, është lajm i mirë për Berishën. Por politikisht, Berisha ka marrë ‘non grata’ të tjera nga shqiptarët me votë në zgjedhjet e njëpasnjëshme që nga viti 2013”, deklaroi Bejko.

Advertisement