Connect with us

Ekonomi

Rritja e çmimit të naftës ndikon tek të ‘pasurit’

Segmenti i qiradhënies së jahteve po reflekton tendencën e përgjithshme të klientëve në çdo sektor të ekonomisë, shpenzimin e kujdesshëm.

Tani, edhe “të pasurit” po bëhen kursimtarë. Pavarësisht se kemi të bëjmë me individë me të ardhura relativisht të larta dhe akses në tregje ekskluzive e luksoze, kujdesi në shpenzime vihet re edhe te ky grup.

Operatorët e tregut pohojnë se kostot e karburantit në disa raste shkojnë sa dyfishi i qirasë së mjetit, duke i bërë klientët më hezitues. Xhirot ditore mbeten më të preferuara që në 90% të rasteve konfirmohen në minutën e fundit. Këto rezervime dominohen nga familjarë e grupe shoqërore e më pak nga çiftet.

Destinacioni i parapëlqyer mbetet Karaburuni në veçanti dhe Jugu në përgjithësi.

Ideja se ata që kanë para nuk janë shumë të ndjeshëm ndaj krizave apo çmimeve të rritura nuk është edhe aq e vërtetë. Në fund të ditës, edhe ky grup është konsumator si të gjithë, madje disa nga tregjet ku ai kërkon të mira apo shërbime janë tërësisht ekskluzivë dhe mungon konsumatori me të ardhura modeste, apo afër mesatares.

Një i tillë është ai i blerjes së jahteve, apo marrjes me qira të tyre, diçka që edhe pse në volume të ulëta, është e pranishme edhe në vend. Operatorët e tregut raportojnë se rritja e çmimeve është reflektuar me ulje të shpenzimeve të luksit për individët me të ardhura mbi mesataren, apo të larta.

Kjo nuk do të thotë se kanë hequr dorë tërësisht nga ky lloj argëtimi, por vihet re mbizotërimi i xhirove ditore, ndërkohë që rezervimet janë kryesisht të minutës së fundit.

Në tërësi, tregu raportohet të ketë ecuri pozitive, pavarësisht tendencave të shfaqura si efekt i rritjes së kostove. Kjo lidhet me faktin se kërkesa ka qenë e shtrirë gjatë gjithë viti, nga janari e deri më tani. Me shumë gjasa, tendenca do të vijojë deri në fillim të vjeshtës. Por cilat janë zhvillimet kryesore në këtë treg të përqendruar në sezonin veror 2022?

Shpenzimi për karburant zë vendin kryesor, gati dyfishi i qirasë së mjetit 

Operatorët raportojnë se rritja e çmimit të naftës ka rritur dukshëm zërin që një pushuesi i duhet të planifikojë për qiramarrjen e një jahti. Në totalin e buxhetit të shpenzimeve, ajo zinte vend të rëndësishëm, por jo në nivelet aktuale, gjë që ka bërë që shpesh të interesuarit për të marrë me qira një mjet lundrues të bëhen hezitues.

Smerald Bozaxhi, administrator i “Albania Yacht Charter”, pohon se në disa raste, shpenzimi për karburant mund të zërë dyfishin e kostos që paguhet për mjetin.

“Mendimi i parë që të vjen ndër mend është se kjo kategori klientësh është mospërfillëse ndaj rritjes së çmimit të karburantit, për shkak të mundësive financiare që kanë, por në fakt nuk është kështu.

Pavarësisht mundësive financiare, askush nuk do të paguajë më shumë për një produkt, sidomos karburanti, duke qenë se është një produkt plotësues. Rritja e çmimit të karburantit e ka bërë disi më hezitues edhe këtë segment, sepse ka raste që gjatë përllogaritjeve tona për itinerare të ndryshme, ndodh që karburanti të kushtojë sa dyfishi i çmimit të jahtit”, – nënvizon ai.

Të njëjtën tendencë thotë edhe Elvira Kiço, administratore e “Albamar YachtCharter”.

Sipas saj, shërbimet e mirëmbajtjes nautike dhe çmimi i karburantit është pothuajse dyfishuar.

“Rritja e karburantit ndikon drejtpërdrejt te sektori ynë, duke marrë parasysh faktin që në prenotime ditore, ne e ofrojmë çmimin final, së bashku me karburantin e përfshirë”, shprehet Kiço.

 

Destinacioni më i pëlqyer, Karaburuni, çmimi varet nga mjeti që zgjedh 

Gadishulli i Karaburunit mbetet i pëlqyeri nga turistët që duan të marrin me qira një jaht. Sipas operatorëve, kjo lidhet me faktin që ka plazhe të paprekur, në të cilat mund të shkohet vetëm përmes detit.

Jugu në tërësi është interesant për ata që zgjedhin këtë lloj pushimi dhe destinacionet e tjera përfshijnë zonën e Drimadhes, Himarën dhe Sarandën.

“Destinacionet kryesore që parapëlqehen janë plazhet dhe brigjet e Jugut të Shqipërisë. I pari, Gadishulli i Karaburunit, për shkak të plazheve të paprekura, të cilat janë të arritshme vetëm me mjete lundruese. Himara dhe Saranda janë po ashtu shumë të kërkuara. Saranda, për shkak të afërsisë me Korfuzin, është një faktor më shumë për këtë interes të lartë”, – pohon z. Bozaxhiu. Lidhur me kostot, ai nënvizon se kjo varet nga mjeti që zgjidhet.

“Këtë sezon kemi afërsisht 28 mjete, duke përfshirë edhe ato që bashkëpunojmë në Greqi dhe Mal të Zi, por që jepen me qira në Shqipëri. Çmimet variojnë nga kategoria dhe madhësia e mjetit lundrues, por për një motoryacht, 17-20 metra, me 3-4 kabina, çmimi mesatar është 2000-2500 euro/dita, ndërsa çmimi mesatar i një veliere, me 2-3 kabina e përshtatshme, për maksimumi 6 persona, është 400-500 euro/dita”, thotë ai.

Edhe znj. Kiço pohon se këtë vit, kompania është munduar të mbajë të njëjtat çmime si vitet e shkuara, duke amortizuar e vetme këtë pjesë për të mos ndikuar te segmenti i turistëve që zgjedh këtë lloj turizmi.

“Pavarësisht kostove të larta këtë vit, ne kemi qëndruar brenda të njëjtit çmim si vitet e kaluara, duke u munduar të mos rëndojmë më tepër gjendjen psiko-emocionale dhe ekonomike të klientëve. Kjo edhe me shpresën se vitin e ardhshëm, ndoshta situata do të stabilizohet dhe kostot do të jenë në normë dhe të pranueshme”, thekson ajo./monitor

Ekonomi

Guvernatori i BSH Gent Sejko: Inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, në një deklaratë për mediat, pasqyroi situatën ekonomike në vend. Sejko theksoi se inflacioni i çmimeve të produkteve të konsumit ka pësuar rënie.

Sejko thekson se punësimi është në rritje në vend, ashtu sikundër pagat po njohin rritje.

“Inflacioni i çmimit të produkteve të konsumit ka pësuar rënie. Ky inflacion në rënie është bazuar në atë që ndodh në rajon dhe në Europë. Presionet e brendshme inflacioniste janë më të qëndrueshme. Rritja ekonomike ka ardhur nga përshpejtimi i rritjes së investimeve publike, nga ambienti stimulues financiar dhe pritjet pozitive për të ardhmen.

Punësimi në ekonomi u rrit me 0.6 përqind, pagat në sektorin privat u rritën. Zgjerimi i punësimit dhe i pagave ka rritur ekonominë. Tregjet financiare paraqiten të sigurta. Kredia për sektorin privat është zgjeruar akoma më shumë. Rritja ekonomike do të gjejë mbështetjë në shëndetin financiar të kompanive private”, deklaroi guvernatori Sejko.

Continue Reading

Ekonomi

Shqiptarët më të “varfrit” në BE, EUROSTAT: Konsumi dhe të ardhurat më të ulëta

Shqipëria vijon ta ketë të humbur garën për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të saj.

Të dhënat e fundit të përditësuara të Eurostat (ky është përditësimi i dytë) tregojnë se vendi vijoi që të ishte i fundit në Europë, si për të ardhurat për frymë në raport me madhësinë e ekonomisë, ashtu dhe për të ardhurat në raport me fuqinë blerëse, me këtë të fundit që është një tregues i mirëqenies materiale të familjeve.

Ndonëse ekonomia po rritet më shpejt sesa rajoni, sërish familjet dhe individët shqiptarë janë më të varfër sesa shtetet e tjera fqinjë, sidomos kur maten për të ardhurat sipas fuqisë blerëse.

Të ardhurat për frymë në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) ishin sa 34% e mesatares së Bashkimit Europian. Ndonëse në rritje me tre pikë përqindje në raport me vitin e kaluar, sërish Shqipëria është e fundit në Europë (të dhënat për Kosovën nuk raportohen).

Nivelin më të lartë në rajon e ka Mali i Zi, me 50% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 44%, Maqedonia e Veriut me 42% dhe Bosnjë-Hercegovina me 35%.

Përveçse me Bosnjën, diferenca në të ardhura me vendet e tjera të rajonit është thelluar, duke treguar për një zhvillim më të qëndrueshëm të shteteve fqinjë, që kanë arritur të përmirësojnë me ritme më të shpejta mirëqenien e qytetarëve të tyre.

Edhe treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të ardhurat sipas fuqisë blerëse, apo mirëqenien e një familjeje e vendos Shqipërinë në fund, së bashku më Bosnjë Hercegovinën.

Ky tregues është për Shqipërinë sa 41% e mesatares europiane. Përkeqësim ka bërë Bosnjë-Hercegovinë, ku raporti është njëlloj me Shqipërinë në 41%, nga 42% që ishte në përditësimin e parë.

Rekordin e mban Mali i Zi me 63%, Serbia me 53%, Maqedonia e Veriut me 50%.

Sipas Eurostat, Konsumi aktual individual, i referohet të gjitha mallrave dhe shërbimeve të konsumuara aktualisht nga familjet. Megjithëse PBB për frymë është një tregues i rëndësishëm dhe i përdorur gjerësisht i nivelit të mirëqenies ekonomike të vendeve, konsumi për frymë mund të jetë më i dobishëm për krahasimin e mirëqenies relative të konsumatorëve në vende të ndryshme, sqaron INSTAT.

Europa

Në vitin 2022, nivelet e konsumit aktual individual (AIC) në Bashkimin Europian patën dallime të konsiderueshme. E përdorur si masë e mirëqenies materiale të familjeve, AIC për frymë e shprehur në standardet e fuqisë blerëse (PPS) varionte nga 69% në 138% të mesatares së BE-së në vendet e BE-së.

Ashtu si në vitet e mëparshme, Luksemburgu regjistroi nivelin më të lartë të AIC për frymë në BE me 38% mbi mesataren e BE-së, e ndjekur nga Austria dhe Gjermania (të dyja 18% më lart), Holanda (16% më lart) dhe Belgjika (15% më lart). ). Në vitin 2022, nëntë vende të BE-së regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së.

Nivelet më të ulëta të AIC për frymë u regjistruan në Bullgari (31% nën mesataren e BE-së), Hungari (29% më poshtë), Kroaci dhe Letoni (të dyja 24%) dhe Sllovaki (23% më poshtë).

Gjatë tre viteve të fundit, AIC për frymë në raport me mesataren e BE-së ka ndryshuar në shumicën e vendeve të BE-së. Midis viteve 2020 dhe 2022, nivelet e AIC u rritën në 18 vende të BE-së, më së shumti në Bullgari (69% e mesatares së BE-së në 2022 krahasuar me 60% në 2020), Kroaci (76% nga 69%), Rumani (86% nga 81% ), dhe Irlandë (94% nga 89%).

Nga ana tjetër në shtatë vende të BE-së pati rënie të niveleve të konsumit aktual individual.

Uljet më të mëdha u regjistruan në Danimarkë (110% në 2022 kundrejt 121% në 2020), Gjermani (118% kundrejt 124%) dhe Finlandë (109% kundrejt 114%).

Luksemburgu dhe Irlanda ende shënojnë PBB-në më të lartë për frymë në 2022

Në vitin 2022, si në vitin 2020 dhe 2021, Luksemburgu dhe Irlanda shënuan nivelin më të lartë të PBB-së për frymë të shprehur në PPS në BE, në 156% dhe 135% mbi mesataren e BE-së.

Të dhënat tregojnë dallime thelbësore midis vendeve të BE-së për sa i përket PBB-së për frymë, e përdorur për të matur aktivitetin ekonomik. Pas Luksemburgut dhe Irlandës, Danimarka (36% mbi mesataren e BE-së), Holanda (30% më lart), Austria (24% më lart) dhe Belgjika (20% më lart) vijnë në krye të listës me një PBB për frymë më shumë se 20% mbi mesataren.

Në të kundërt, Bullgaria (38% nën mesataren e BE-së), Greqia (33% më poshtë) dhe Sllovakia (29% më poshtë) shënuan PBB-në më të ulët për frymë./monitor

Continue Reading

Ekonomi

Papunësia bie në nivele minimale historike, punësimi nxitet nga shërbimet, por bie në industri

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri arriti në 10,5%, në tremujorin e tretë 2023, duke shënuar një rekord historik minimal.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,03 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe me 0,2 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2023.

Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 10,1% dhe për gratë 11,1%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e papunësisë është rritur me 0,2 pikë përqindje për burrat dhe është ulur me 0,2 pikë përqindje për gratë.

Ndonëse papunësia ka rënë në shkallë kombëtare, ajo është rritur tek të rinjtë. Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç është 22,0 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e papunësisë për të rinjtë, është rritur me 1,6 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e dytë 2023, ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje.

Shkalla e papunësisë për grupmoshën 30-64 vjeç është 7,6 %. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,1 pikë përqindje dhe krahasuar me tremujorin e mëparshëm ka një ulje me 0,1 pikë përqindje

Punësimi bie në industri, rritet në shërbime

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%.

Numri i të punësuarve për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i tretë i vitit 2022 në tremujorin e tretë 2023, është rritur me 1,2%. Në terma vjetorë, punësimi ulet me 3,0% në sektorin e bujqësisë dhe me 2,0% në sektorin e industrisë, ndërsa u rrit me 6,1% në sektorin e shërbimeve.

Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e tretë 2023, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u rrit me 1,1%. Punësimi ulet me 2,5% në sektorin e industrisë dhe me 1,3 në sektorin e shërbimeve, ndërsa u rrit me 7,3 në sektorin e bujqësisë.

Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 73,4 %, ndërsa për gratë është 62,2%.

Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,7 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje. Në tremujorin e tretë të vitit 2023 shkalla e punësimit të të rinjve është 44,8%.

Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e punësimit të të rinjve është rritur me 1,1 pikë përqindje dhe në krahasim me tremujorin e dytë 2023 ështe rritur me 0,7 pikë përqindje. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit është 78,2%.

Shkalla e punësimit

Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 67,7%. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 1,6%, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,5%, krahasuar me tremujorin e dytë 2023.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10.5%, duke pësuar rënie me 0,03 pikë përqind, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022 dhe është ulur me 0,2 pikë përqind, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.

Në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 76,1 %. Krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 2,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.

Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 70,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 82,2%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 12,1 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,8 pikë përqindje dhe për burrat me 2,5 pikë përqindje

Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 57,5%.

Ky tregues është rritur me 2,6 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2022, dhe është rritur me 0,8 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e dytë 2023. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e tretë 2023, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 84.6%./Monitor

Continue Reading

Ekonomi

Euro prek nivelin më që ulët që nga korriku, i afrohet pragut të 101 lekëve

Euro e ka mbyllur javën me një rënie të mëtejshme në kursin e këmbimit me Lekun. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 101.17 lekë, duke humbur 0.75 pikë krahasuar me një ditë më parë. Kursi i këmbimit mes Euros dhe Lekut ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 25 korrik të këtij viti. Tashmë, kursi ndodhet shumë pranë nivelit minimal historik prej 100.49 lekësh, që u regjistrua në 20 korrik të këtij viti.

Leku vazhdoi të forcohej edhe kundrejt valutave të tjera kryesore. Dollari Amerikan ra më tej në vlerën e 92.89 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 2 gusht. Paundi Britanik u këmbye me 117.42 lekë, vlera më e ulët që prej datës 25 korrik.

Kursi i këmbimit tashmë është kthyer në mënyrë të papritur në vlerat e verës, kur prurjet valutore të lidhura kryesisht me turizmin sjellin një efekt të zakonshëm sezonal, që këtë vit ishte gjithsesi shumë më i fortë se kurrë më parë. Por, rikthimi në vlera të përafërta edhe në këtë periudhë të vitit dëshmon për një mbiçmim të monedhës vendase të mbështetur tashmë mbi faktorë më të qëndrueshëm se ata sezonalë.

Sipas agjentëve të këmbimit valutor, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e lartë e lartë e valutës, të ndërthurrur me një ofertë të pakët të monedhës vendase.
Prurjet e mëdha valutore këtë vit lidhen me shifrat rekord të turizmit hyrës, me nivelet e larta të investimeve të huaja, por edhe me një vit ta favorshëm për sektorin energjetik, i karakterizuar nga eksporte në rritje, sidomos në muajt e vjeshtës. Këto eksporte vlerësohet se kanë pasur një rol në rritje në ofertën për valutë gjatë muajve të fundit.

 

 

Nga ana tjetër, likuiditeti në monedhën vendase është mjaft i shtrënguar. Rritja vjetore e depozitave në lekë pothuajse është stopuar, ndërsa rritja e ofertës monetare të lekut në tërësi (përfshirë depozitat dhe paratë jashtë bankave) është më e ulëta që prej fillimit të vitit 2019. Një rol të rëndësishëm në pakësimin e ofertës së lekut ka luajtur politika fiskale shtrënguese e qeverisë dhe suficiti buxhetor pranë niveleve më të larta historike.

Ky vit po mbyllet me Lekun që ndodhet në pozita më të forta se kurrë më parë në historinë prej afërsisht dy dekadash të këmbimit me Euron. Muaji dhjetor në përgjithësi shoqërohet me një shtim të ofertës valutore, sidomos në pjesën e dytë të tij, të lidhur me kthimin e emigrantëve dhe me një rigjallërim sezonal të turizmit. Historikisht, kjo ka sjellë një farë rënieje të kursit të këmbimit të Euros në javët e fundit të vitit.

Por, nga ana tjetër, tendenca gjithnjë e më e theksuar e qeverisë për ta përqendruar shpenzimin e deficitit buxhetor në muajin dhjetor, mund të japë efektin e kundërt dhe të rimëkëmbë përkohësisht kursin e monedhës europiane. Një fenomen i tillë u vërejt në ditët e fundit të vitit 2022./monitor.al

Continue Reading

Ekonomi

“E premte e zezë” për Euron, kursi me Lekun prek nivelin më të ulët prej fillimit të gushtit

Leku e mbylli javën duke u forcuar më shumë në kursin e këmbimit me të gjitha valutat e huaja kryesore. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të premten me 102.43 lekë, duke humbur rreth 1.5 lekë në harkun e një jave në kursin e këmbimit me monedhën vendase. Ky është niveli më i ulët i kursit të këmbimit Euro-Lek që prej datës 2 gusht.

Rënia e Euros ka tërhequr në rënie të gjitha valutat e tjera kryesore që kuotohen në tregun shqiptar. Dollari Amerikan zbriti në nivelin e 93.9 lekëve dhe në harkun e një jave ka humbur afërsisht 1.7 lekë në kursin e këmbimit. Edhe kursi i Dollarit Amerikan me Lekun ka prekur nivelin më të ulët që prej datës 2 gusht.

Paundi Britanik u këmbye në vlerën e 117.97 lekëve, niveli më i ulët që prej datës 25 korrik.

Prej një muaji, Leku ka nisur një cikël të ri dhe deri diku të papritur mbiçmimi në kursin e këmbimit.

 

 

Sipas burimeve nga tregu, rënia është shpejtuar në dy javët e fundit për shkak të një rritjeje të fortë të ofertës së Euros në tregun valutor. Disa prej kompanive që administrojnë hidrocentrale private kanë shitur sasi të mëdha të Euros gjatë kësaj periudhe. Kushtet e favorshme hidrike kanë rritur prodhimin e energjisë elektrike gjatë vjeshtës, duke bërë që bilanci energjetik në këtë periudhë të jetë pozitiv.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka kryer eksporte të energjisë gjatë muajit nëntor, por, bazuar në informacionet nga tregu, me sa duket, edhe prodhuesit më të vegjël të energjisë kanë eksportuar në sasi të konsiderueshme. Kjo ka sjellë prurje valutore edhe më të mëdha, duke e zhvendosur në ulje kursin e këmbimit mes Euros dhe Lekut.

Oferta e Euros dhe kërkesa për Lekë në muajt e fundit vlerësohet se është ndikuar edhe nga një tendencë e konvertimit në monedhën vendase të kredive të mbajtura në valutë të huaj. Për shkak të kursit të ulët të këmbimit të Euros dhe normave më të ulëta të interesit për kreditë në Lekë, shumë huamarrës kanë shfrytëzuar rastin për të konvertuar valutën e kredisë së tyre.

Nga ana tjetër, rënia e fortë e kursit po ndikohet edhe nga një ofertë mjaft e shtrënguar e Lekut në tregun valutor. Depozitat bankare në lekë paraqiten në stanjacion, ndërsa agregati monetar M2 po shfaq normat më të ulëta të rritjes në pesë vitet e fundit.

Një rol shumë të rëndësishëm në uljen e ofertës së Lekut besohet se ka luajtur suficiti buxhetor rekord i qeverisë shqiptare. Në fund të 10-mujori, vlera e suficitit kishte vlerën e 48 miliardë lekëve, pranë niveleve më të larta historike që ishin regjistruar në fund të muajit shtator.

Pritshmëritë ishin që në muajt e fundit të vitit qeveria të rriste ritmin e shpenzimeve, duke injektuar më shumë Lekë në ekonomi. Mendohej se ky mund të ishte një faktor që mund të sillte një zhvlerësim të përkohshëm të Lekut, por deri tani asgjë e tillë nuk ka ndodhur.

Përkundrazi, kursi i Euros po i drejtohet sërish niveleve më të ulëta historike, që u regjistruan në korrik të këtij viti./Monitor

Continue Reading
Advertisement

TRENDING