Connect with us

REAGIM

Rroftë “Vëllai i Madh”

Nga Leonard Veizi

S’ka lënë njëri pa shkruar për “Vëllain e Madh”. Është ai që vë në rresht anonimët e djeshëm dhe artistët e mëdhenj të ditëve të sotme. Ca e ca e kanë sharë e mallkuar, ca të tjerë thjesht e kanë kritikuar. E ç’t’u them më shumë. Që unë kam vendosur të bëj avokatin e djallit, një rol që herë pas here më pëlqen e më intrigon.

Po e nis nga vetja atëherë.

Nuk ishte ndonjë blasfemi kur e kapa veten me pult në dorë duke kërkuar të gjej kanalin ku Vëllai apo Byrazeri po bënte namin me tifozeri e po e linte njerëzinë pa punë.

Më parë se kaq kam ndjekur më mënyrë të çrregullt edicionet e mëparshme të “Big Brotherit” por nuk e kam anashkaluar “Big VIP”. Se aty janë VIP-at, jo për gjë. Që këtu nis loja ime si “avokat i djallit”, sepse kam shkruar duke kritikuar fenomenin. E në njëfarë mënyre nuk bën sens që unë të shkruaj fjalë të mira e të them: Rrofsh Byrazer se na nderove! Tek e fundit, kjo është puna e gazetarit, të gjejë defekte nëpër cepa e skuta dhe të sulmojë. Përndryshe mund të jesh gjithçka tjetër veç jo gazetar.

Kështu që sot dua të bëj të kundërtën.

A mund të jem një “avokat djalli”?

Padyshim. Ç’të keqe ka tek e fundit. Të gjithë e kanë të drejtën e një avokati. Qoftë dhe Djalli. Dhe sot avokatë gjen sa të duash, të licensuar dhe pa diplomë.

Të vijmë tek fenomeni.

Populli është një masë e thjeshtë. Edhe amorfe, kështu thuhet. Elitat janë një klasë edhe më e thjeshtë. Keni parë ndonjë milioner, ndonjë akademik apo ndonjë shkencëtar që gdhihet e ngryset me punë serioze, o duke menduar për fatet e popullit ose duke studiuar e shpikur për të mirën e popullit?

Jo, them unë. Të gjithë kanë vese. Ne si gazetarë kemi marrë atributin të vëmë në dukje veset e të tjerëve duke qenë vetë të krimbur… ndoshta edhe të korruptuar.

Atëherë?

Të gjithë shohim dhe spektakle masive, që nuk të lodhin por thjesht të dëfrejnë.

A e kuptoni sa e varfër do ishte jeta po të mos kishim një burrë zamani si Vëllai i Madh? Po aq sa në vitet e Pushtetit Popullor, ku shihnim 4 orë televizor, nga e cila nja dy orë e gjysmë i zinin lajmet dhe emisionet e propagandës.

Sot ke gjithfarë emisionesh, ca edukative e ca dekadente, dhe përsëri njerëzit janë të pakënaqur.

Ti punon 8 orë e ndoshta më shumë. Vjen i lodhur e i rraskapitur në shtëpi. Dhe si do të vazhdojë jeta më pas, në mënyrë hipotetike: Si ke ngrënë drekë e darkë bashkë, ngrihesh rëndë-rëndë dhe tërheq nga etazheri një libër të Fridrih Niçes, se do të kuptosh thellësisht teorinë e tij të Mbinjeriut. Pastaj i hedh një sy Ajnshtainit se të kujtohet Teoria e Relativitetit, e meqenëse nuk e ke kuptuar si duhet, i futesh edhe një herë studimeve që të kapësh dimensionet e kohës dhe hapësirës. Më pas… ndjek në televizor ose një film me temë historike ose një dokumentar ku flitet për jetën e një heroi që ka dhënë xhanin për Vatanin. Pak më pas se kaq…? Gjumë.

A kalohet jeta kështu?

Jo or jo, sepse me shumë gjasa të gjithë ne bëjmë të njëjtën gjë: plasemi në kolltuk e me ankth të madh nisim të ndjekim “Vëllain e Madh” po aq sa dhe emisionin: “Djemtë kërkojnë vajza e vajzat kërkojnë djem”.

Ky është relaksi. Se vëllaçkoja vëllaçko mbetet, nuk të hedh poshtë e nuk të lë pa gjë.

Ne të gjithë kemi nevojë për banalitet. Ndaj dhe kemi celularë në dorë, që pasi na është lodhur koka duke lexuar filozofi e histori antike, shohim vajza gjysmë të zhveshura që pozojnë të pasmet në ekran, për t’i thënë botës: shiko sa të mëdha i kam.

Kjo është jeta tek e fundit. Pavarësish se ne si shqiptarë e teprojmë ca e i ngremë këngë një banori që vjen vërdallë duke pirë duhan e tundur zinxhirin: Enver Hoxha e mprehu shpatën / edhe një herë o për situatën…

Dale mo se ngatërrova emrin e personazhit…  Është fjala për atë tjetrin, që “asht shkodran e tana i ban”. E që spostoi këtë vit atë të një viti më parë i cili ishte nga Vlora, që i bënte të tëra. E ja, kështu ngrihen këngët për heronjtë e rinj. Që në të gjallë të tyre.

-Po më këndoni dhe këngë për dhëndrin moj, trimin e nënës.

Por zonja Kote ishte aty, për t’u marrë me thashetheme nën zë.

-E ç’t’i këndojmë, trimërinë apo burrërinë.

Jemi shoqëri anatemuese, s’ke ç’i thua. Se edhe kur flitet për një “realitet shou” gjithsesi kalojmë në tifozeri: Mirë ja bëri… U bë kjo… Ai bossi është lojtar i modh…

-Heu, me çfarë skuadre?

Byrazer ç’na bëre, shqiptarëve iu është prishur dyzeni. I ke futur në sherr. S’ka portal që nuk merret me gic-micet e këtij spektakli mbarëpopullor.

Megjithatë jeta jonë është më mirë kur ka në mes një spektakël të këtij kalibri, sesa pa gjë. Televizionit me emisione moralizuese i ka ikur koha.

Vëllai i Madh sot po prodhon lajme më shumë se lufta Rusi-Ukrainë. Edhe më shumë se kampionati botëror i futbollit. Tek e fundit ai po na argëton, na bën të ndihemi mirë: “të harrojmë fukarallëkun që po na mbyt e malarien që po na pi të gjallë”.

-Rroftë Vëllai i Madh!

Dhe me të drejtë, ai me qyfyret e tij karagjoze na bën të harrojmë budallallëqet serioze të jetës.

OPINION

‘Kryeministri i shikon vartësit si minj’/ Reagim i fortë nga Endi Tafani

Nga Endri Tafani
Përmbledhja e konferencës së shtypit të Kryeministrit sot.
1. Kryeministri i shikon vartësit si minj dhe qeveria dhe administrata është thjesht një grumbull minjsh. Dikush duhet ti tregoje Kryeministrit që minjtë nuk rrinë në vende të pastra se ngordhin për bukë.
2. Kryeministri e ndjen veten në rrethim në një kështjellë dhe dikush po tenton t’i helmojë ujin. Është kuriozitet normal të zbulohet kush do jete kali i bardhë që do gjeje ujësjellësin, sipas romanit të Kadaresë, por krahasimi i qeverisë me një kështjellë, fortifikata, ushtarë, agjent, armiq luftë tregon shumë për mentalitetin e Kryeministrit përtej pallavrave bajate për bashkëqeverisje, podcaste trendy etj.
3. Kryeministri i ekzekutivit nuk mburret dot me rezultatet e ekzekutivit, por mburret me rezultatet e gjyqësorit. Mund të ishte mburrur dhe me rezultatet e Interit në kampionat, ishte e njëjta gjë.
4. Kryeministri kreu i ekzekutivit nuk di gjë për vjedhjet,por çuditërisht opozita që nuk ka lidhje fare me ekzekutivin i di te gjitha. Logjikisht i bie që mbase duhet opozitë në krye të vendit. Minimumi opozita do dije se çfarë ndodh brenda ekzekutivit. Një hap i vogël por pozitiv në krahasim me ku jemi.
Nuk e di kush ia bën së fundi fjalimet Kryeministrit por kishte aq shumë fiasko logjikë sa alternativat mund të jenë dy. Ose është intoksikuar totalisht e nuk di çfarë thotë, ose e di që populli prapë do e votojë e nuk ia ndjen për budalliqet që lëshon nga goja, mjafton që të mbushë kohë televizive.
Continue Reading

OPINION

“Fajet” e Albinit, si shërbeu Shqipëria për përkëdheljen e Serbisë

Nga Enton Abilekaj

Nuk është e lehtë të kuptohet çfarë ndodh brenda dhomës ku Albin Kurti ulet me orë të tëra përballë Aleksandar Vuçiç. Jo për herë të parë, pjesëmarrësit pas takimit jepnin informacione kundërshtuese, por për herë të parë, Kryeministri i Kosovës, u quajt fajtor edhe nga përfaqësuesi i lartë i BE, Borrell dhe nga lehtësuesi i bisedimeve, Lajçak. Për herë të parë Vuçiç u paraqit kontruktiv dhe vullnetmirë, ndërsa Kurti, ishte i detyruar të replikonte edhe me Lajçak, duke mos e njohur më si palë të tretë, të paanshme.

Një herë e parë jo e papritur. Që nga takimi i parë, kur Vuçiç u shokua nga 5 pikat e Kurtit, ekuilibrat kanë ndryshuar ndjeshëm. Konflikti në Veriun e Kosovës dhe qëndrimi i Përëndimit në favor të Serbisë që dërgoi banditët për të rrethuar komunat, ishte një këmbanë konfirmimi, për të gjithë ata që kishin filluar të dyshonin se përkëdhelja deri në joshje që po i bëhej Serbisë, mund ta sakrifikojë edhe Kosovën. Se ndryshimi i ekuilibrave perëndimore nuk mund të fshihet më kur ka ndryshuar kahje. Replikat e Kurtit me Blinken apo Osmanit me Macron, janë vetëm episode groteske të një përplasjeje krejt të pabarabartë, që konfirmojnë se Kosova është tashmë pa plan, pa aleatë, në një betejë vendimtare.

Nuk dihet sa është përgjegjësia e Kurtit në këtë ndryshim të qëndrimeve perëndimore, por është e vështirë të besohet se sjellja e tij do të përcaktonte strategjinë e Perëndimit në Ballkan. Me kokëfortësinë e tij të vënë në dukje edhe nga liderët perëndimorë, ka tërhequr vëmendjen, ka acaruar nervat dhe ka ndërprerë një projekt, të paktën përkohësisht, por nuk mund të përmbyste kurrsesi një strategji të hartuar në kushtet e rikompozimit të Botës dhe rireshtimit të fuqive të mëdha, që po reflektohet në luftën e Ukrainës.

Serbia që e ka patur gjithmonë statusin e një trupi europian me kokën në Moskë, për herë të parë që nga ekzistenca, po trajtohet si një shtet sovran, si një trup që mund të braktisë kokën, ose ta ndërrojë me një tjetër në Bruksel. Në këtë përpjekje më shumë se të guximshme të Perëndimit, për fat të keq ka ndihmuar edhe Shqipëria.

Që në fillimin e kësaj ideje, Tirana zyrtare, i ka dhënë statusin e një shteti paqësor, sovran dhe europian Serbisë. Takimet e shpeshta me Vuçiçin, më pas projekti për shkëmbimin e territoreve, pastaj iniciativa e Novi Sadit që u shndërrua në Ballkan i Hapur, i dha Vuçiçit statusin e njeriut paqësor, që ndan vlera perëndimore dhe mund të jetë i pavarur nga Putini dhe Beogradi mund të jetë qendra politike e Ballkanit Perëndimor, me kushtin që Tirana të ishte e dyta.

Përveç kësaj, me Ballkanin e Hapur, por edhe më parë me politikat e hapjes ekonomike, Shqipëria i siguroi Serbisë një treg shqiptar për të çliruar energjinë e investimeve të huaja përfshirë Ruset dhe Kinezet në miliarda dollarë. Kështu, flirtimi i hapur i Serbisë me Rusinë dhe Kinën, në vend ta izolonte, e shndërroi Beogradin në qendrën ekonomike të Ballkanit Perëndimor.

Me statusin e qendrës politike dhe ekonomike të Rajonit, Serbia mund të negocionte me Perëndimin më shumë se të dyja shtetet shqiptare. Ky nuk ishte avantazhi i vetëm strategjik që Edi Rama i fali Vuçiçit. Përveç fuqizimit të Serbisë, i dhuroi edhe përçarjen e shqiptarëve. Ai e izoloi Ramush Haradinajn në Berlin, pastaj Thaçin dhe Hotin për Ballkanin e Hapur, deri te konfikti me Albin Kurtin që u shpalos qartë pikërisht në momentin kur Kosovës i duhej më shumë Shqipëria.

Konflikti në Veri e gjeti Kosovën më të vetmuar se kurrë, pasi Edi Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive në Gjakovë, duke shënuar sanksionimin e parë të Kosovës.

Sot, kur konstatohet me dëshpërim kapërcimi spektakolar i Perëndimit nga Kosova te Serbia, nuk mund të lihet pa u thënë se një dorë e ka dhënë Shqipëria, të paktën në 8 vitet e fundit, kur ideja e rehabilitimit filloi të hidhej në tregun ndërkombëtar.

Ashtu si tha në Bruksel që nuk duhet bërë presion ndaj Serbisë për t’ i vënë sanksione Rusisë, ashtu si bëri në kulmin e krizës duke sanksionuar Kosovën dhë në analizën e fundit përpara nisjes për në New York, ku shprehu qëndrimin neutral të Shqipërisë dhe paqartësinë e pafajshme të Serbisë, Edi Rama ka ndihmuar, me aq sa ka patur fuqi, që gradualisht të shkohej aty ku jemi sot.

E vetmja mundësi që i ka mbetur Kosovës së vetmuar, është të rezistojë derisa të mos jetë më e njëjta situatë. Të paktën derisa Kosova ta ketë Shqipërinë në krah.

Continue Reading

OPINION

Dhuna e fisit Rraja me shkopa bejsbolli/ Dervishi ironizon: Ishte thjesht film

Prokuroria e Tiranës ka lehtësuar akuzën për grupin e fisit Rraja që rrahu me shkopa bejsbolli dy persona, nga “plagosje e rëndë me dashje, në bashkëpunim në “plagosje të lehtë me dashje”.

Në fakt edhe kështu duket se po i bien në qafë personave me “shkopa bejsbolli”, prokurorët e kanë patur kohën e mjaftueshme, sepse çudia më e madhe zgjat vetëm tri ditë! Prokurorët mund të thonin se ishte “keqkuptim” ose ishte një film, me saktë një “skenë filmi”.

Nuk ka patur nevojë prokuroria të priste disa muaj për të administruar ”provat” për të arritur në këtë konkluzion provat janë sheshit dhe i kanë parë të gjithë me përjashtim të prokurorëve sylesh.

E gjitha ka qenë një keqkuptim. Personat me shkopa bejsbolli po luanin film. E xhiruan vetë skenën (provohet lehtësisht kamera, regjia) madje jo vetëm e xhiruan, por edhe e publikuan.

Nëntë persona me shkopa bejsbolli thjesht kanë shkuar për të xhiruar një film, dhe si në çdo film ajo që duket si “rrahje brutale” në fakt është aktrim i klasit të lartë.

Sikundër e panë të gjithë aty kishte edhe një pistoletë, edhe një shkop gome krahas “shkopave të bejsbollit”, u dëgjuan edhe thirrje “vrite, vrite”, ulërima dhe rënkime. Të gjitha këto janë prova të qarta se ka qenë film, ndryshe mos o Zot nuk mund të fyhen kaq shumë 9 burra të armatosur me armë dhe hunj dhe t’u thuhet se keni kryer “plagosje të lehtë”?! Eshtë turp. Njeriu për një burrëri jeton. Vetë te akuzuarit nuk duhet ta pranojnë këtë turp.

Tani që sipas prokurorëve gjenial, kemi të bëjmë me një “plagosje të lehtë”,

a duhet t’i kthehet mandati deputetit Rrahaj?

A duhet të reflektojë kryeministri Rama dhe të kthejë në detyrë ministrin e Brendshëm Çuçi?

A duhet të kthehen në punë policët e përjashtuar, oficerët e policisë të transferuar për një “plagosje të lehtë”?

Po tre personat e shpallur në kërkim a do t’i kërkoj kush falje?

Po media a duhet të kërkojë falje për raportimin?

Po lajmet për nisjen e hetimit ndaj guroreve a duhen përgėnjeshtrua sot?

P.S. Të ndaluarit për këtë ngjarje janë thjesht njerëz të pafat. Nëse viktima e tyre do të ishte ndonjë prokuror,  pra prokurori të provonte në kurriz “shkopat e bejzbollit, shkelmat dhe qytën e pistoletës”, atëherë çështja do të zgjidhej me burrni dhe nuk do të ndodhte gjithë ajo tollovi që mori kokën e ministrit të Brendshëm dhe fytyrën e kryeministrit.

P.S. 2. A e dinë prokurorët kaqolë se çfarë është terrori dhe akti terrorist? Është ushtrimi i dhunës si mjet për të perhapur panik dhe frikë…

Continue Reading

Aktualitet

E veshur me bikini dhe e mbuluar me çokollatë, imazhi i gruas në restorantin italian shkakton reagime të forta

Një grua me bikini qëndron e shtrirë mbi tavolinë, me trupin e mbuluar me çokollatë.

Kjo ishte panorama që u ofrohej pushuesve në një resort luksoz në Golfo Aranci në Sassari të Italisë. Një turist që kishte zgjedhur këtë resort postoi foton në profilin e tij në Linkedin në 15 gusht, ku i indinjuar thotë se “trupi femëror është shfaqet si objekt”.

Të menjëhershme kanë qenë reagimin në rrjet, teksa njerëzit kritikojnë zgjedhjen e resortit.

“Mbeta pa fjalë duke parë këtë skenë, në tavolinë një vajzë ‘me kostum çokollateje”, e shtrirë mes ëmbëlsirave”, shkruan sipërmarrësi nga Lombardia.

“Si është e mundur që të lejohen sjellje të tilla, ku trupi i një gruaje, i një punëtoreje, barazohet me atë të një enë për të kënaqur syrin djallëzor të dikujt”, shton ai.

Pas postimit të biznesmenit, erdhi reagimi i hotelit, ku kërkon ndjesë dhe shkruan se “jemi të përkushtuar për të ruajtur vlerat e përbashkëta”.

“Kemi lexuar me shumë vëmendje postimin që keni publikuar në lidhje me episodin fatkeq të ndodhur në resortin tonë gjatë mbrëmjes së 15 gushtit. I kërkojmë ndjesën më të sinqertë familjes vajzës dhe të gjithë klientëve. Duam të theksojmë se çdo ditë jemi të përkushtuar për të praktikuar vlerat e deklaruara, ndër të cilat si prioritet është respekti për bashkëpunëtorët dhe mysafirët tanë. Na vjen keq për incidentin dhe dëshirojmë të ritheksojmë me vendosmëri se kurrë nuk kemi pasur qëllim të përfaqësojmë vlera të tjera përveç atyre që përqafojmë me vendosmëri. Ne do të vazhdojmë të punojmë që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, shkruhet në reagimin e hotelit./topchannel

 

Continue Reading

OPINION

Turistët italianë ikën pa paguar/ Dervishi: Pjepri e ka bishtin prapa

Nga Lufti Dervishi
Pas zhurmës së madhe për një faturë të pa paguar me vlerë 80 euro ka ardhur menjëherë reagimi italian:
“Sipas porosisë së Kryeministres Giorgia Meloni, kryem pagesën e llogarisë së lënë pa paguar nga një grup turistësh italianë në një restorant në qytetin e Beratit. Italianët u përmbahen rregullave dhe i shlyejnë detyrimet e tyre dhe urojmë që ndodhi të tilla të mos përsëriten më”, thotë deklarata e ambasadës italiane.
Parimi i reciprocitetit është normë themelore në marrëdhëniet ndërkombëtare
Për reciprocitet imagjinoni të lexoni neser një deklaratë të ambasadës shqiptare ne Itali:
“Sipas porosisë së Kryeministrit Edi Rama, kryem pagesën e llogarisë së dëmit të bërë nga një grup “skifterësh” shqiptarë në një lagje të Milanos. Shqiptarët u përmbahen rregullave dhe i shlyejnë detyrimet e tyre dhe urojmë që ndodhi të tilla me skifterë të mos përsëriten më”
Vlera e nje fature të skifterëve luhatet nga 100-500 mijë euro
Pjepri(Meloni ne italisht) e ka bishtin prapa…

 

Continue Reading
Advertisement

TRENDING