Bota
Rusia gati të furnizojë Venezuelën me raketa të reja “Oreshnik” dhe “Kalibr”
Rusia mund të furnizojë Venezuelën me raketat e saj të reja “Oreshnik” dhe “Kalibr”, pas kërkesës së Karakasit për ndihmë ushtarake nga Moska, Pekini dhe Teherani, në një kohë kur aktiviteti ushtarak amerikan në Karaibe po rritet.
Lajmi u bë i ditur nga deputeti rus Aleksei Zhurovliov, i cili në një intervistë për Gazeta.ru tha se Moska “nuk sheh asnjë pengesë ligjore” për të furnizuar Venezuelën me sisteme të avancuara armatimi.
“Ne tashmë po dërgojmë një gamë të gjerë armësh në Venezuelë dhe nuk shohim ndonjë kufizim ndërkombëtar për zhvillime të reja si Oreshnik apo Kalibr. Ajo që po transportohet nga Rusia mbetet sekret, ndaj amerikanët mund të përballen me surpriza”, deklaroi Zhurovliov.
Sipas dokumenteve të brendshme amerikane, Maduro kërkoi pajisje radarësh dhe “ndoshta raketa” për t’u përballur me aktivitetin e shtuar të flotës amerikane në Karaibe.
“Ne e dënojmë përdorimin e tepruar të forcës ushtarake në kuadër të operacioneve anti-drogë. Këto veprime përbëjnë shkelje të ligjeve amerikane dhe normave ndërkombëtare”, tha zëdhënësja Maria Zakharova.