Connect with us

Kulture

Sekretet e Romës së Lashtë, si mund të ndërtohet një perandori

Historia e Romës që nga koha e historianit Edward Gibbon tre shekuj më parë, në mënyrën se si është shkruar nga historianët modernë, është shqetësuar më shumë me pyetjen se si Roma u rrëzua, se cilat ishin problemet që mund të shkatërrojnë një perandori pasi ajo ka mposhtur të gjithë konkurrentët e vet të jashtëm. Por historiania Mary Beard ka ngritur një pyetje tjetër: Si shpjegohet që një qytezë e vogël dhe aspak impresive arriti të ndërtojë një perandori jetëgjatë me shtrirje në një territor të gjerë nga Saharaja deri në Skoci?

Beard konfronton mitet e krijuara nga historianët e lashtë me realitetin historik dhe mbështet argumentin se thelbi i suksesit të Romës ishte mënyra se si ky qytet-shtet e pa që nga fillesat e veta konceptin e shtetësisë. Avantazhi i madh i Romës, në krahasim me shtetet e tjera të lashtësisë ishte gadishmëria e banorëve të saj për të pranuar të tjerët në një sistem aleancash dhe traktatesh, të cilat i mundësuan asaj të përballej me sukses me kundërshtarët më të rrezikshëm të mundshëm, të tillë si Hanibali.

Kishte një dallim thelbësor, thotë Beard, në mënyrën se si romakët e shihnin prejardhjen e njerëzimit në krahasim me grekët. Për Romakët, të gjithë njerëzit kanë ardhur nga diku, janë zhvendosur nga një vend për te një vend tjetër dhe në rrugë e sipër, janë përzjerë përmes martesave me popullsi të tjera. Përkundër kësaj, argumenton ajo, grekët mendonin se bota ishte e përbërë nga banorë vendës që nga fillesat, për shembull, athinasit besonin fort se të parët e tyre kishin dalë nga shkëmbi i shenjtë i akropolit dhe nuk kishin ardhur nga asnjë vend tjetër.

Pasja e shtetësisë romake ishte një e mirë për popujt aleatë, por se sa e mirë dhe e dëshirueshme, kjo është vështirë të thuhet. Ka pikëpyetje të mëdha nëse kjo shtetësi iu dha si shpërblim apo iu imponua të tjerëve. Procesi ishte në të gjitha rastet i dhunshëm dhe plot luftëra të përgjakshme. Bota e lashtë ishte një mjedis dhune endemike, thotë ajo, duke sugjeruar se askush nuk bën mirë të ngre në mit apo të adhurojë lashtësinë si një parajsë e humbur. Romakët, thotë ajo, pranonin jo vetëm popujt e pushtuar apo të lidhur në aleancë me të si pjesë e shoqërisë romake, por pranonin edhe zotat dhe religjionet e tyre, duke integruar perënditë dhe besimet e të tjerëve në partenonin e vet. Kjo praktikë fetare duket se u thye me shfaqjen e kristianizmit, një religjion që e pati të papajtueshme ekzistencën e vet me religjionet e tjera.

Kujdesi që Beard tregon ndaj fateve të njerëzve të zakonshëm apo të vuajtjeve nga luftërat përbën gjithashtu një leksion të vlefshëm se si duhet parë, hetuar dhe shkruar historia në përgjithësi. A mos është e gabuar të shihet historia në terma të thjeshtë fitoresh apo disfatash ushtarake, duke injoruar vuajtjet e viktimave luftuese apo joluftuese? Këtu mbërrijmë te një problem tjetër: çfarë dimë ne për historinë e njerëzve të zakonshëm? Përgjigjja është e thjeshtë: ne dimë pak ose aspak. Thjeshtësia me të cilën Beard shpjegon historinë dhe modestia e një profesoreshe të Kembrixhit, theksimi i shpeshtë prej saj i asaj që ne nuk dimë më shumë se sa i asaj që ne dimë e bën këtë libër gjithashtu një kritikë të historicizmit modern dhe të lashtësisë.

Në krahasim me historitë e tjera të shkruara mbi Romën, Një Histori e Romës së Lashtë nga Mary Beard përbën një risi thelbësore. Nuk ka dhe nuk mund të ketë Histori të Romës, thotë ajo, historitë janë në numrin shumës, për këtë arsye, libri i saj SPQR është Një Histori dhe jo Historia. Historia, thotë ajo, hulumtohet dhe shkruhet sipas shqetësimeve të kohës, autorit apo vendit ku shkruhet.

Beard nuk merret vetëm me historinë e Romës. Ajo merret para së gjithash me impaktin që ka Roma e Lashtë në mënyrën se si ne mendojmë për një numër çështjesh thelbësore për jetën tonë, nga arti te letërsia te filozofia dhe te shoqëria moderne. A e dini se F. Scott Fitzgerald, kur shkroi kryeveprën e tij Getsbi i Madh, mendoi fillimisht ta titullonte atë Trimalkio në Vezën Perëndimore?! Personazhi i Fitzgerald, një pasunar i ri që përpiqet të gjejë një vend në shoqërinë e lartë përfaqëson një fenomen të vjetër sa vetë bota. Trimalkio është personazh i një shkrimtari të lashtësisë romake, Gaius Petronius Arbiter, në veprën e tij Satirikoni.

SPQR, Një Histori e Romës së Lashtë nga Mary Beard është një libër erudit me informacione të jashtëzakonshme nga lashtësia deri në ditët tona.

Librin mund ta porosisni online ose e gjeni në libraritë kryesore në Tiranë si dhe në librarinë Artini në Prishinë.

Libri gjendet në libraritë e mëposhtme:

Këtë libër mund ta blini online ose mund ta gjeni te libraritë e mëposhtme:

1. Librari Adrion, Pallati i Kulturës [Harta]

2. Librari Art’s te ish-Stacioni i Trenit në Tiranë [Kliko këtu për ta gjetur në hartë]

3. Libraria “Tirana e Re” te rruga Abdyl Frashëri, [kliko këtu për ta gjetur në hartë]

4. Libraria Shtëpia e Librit [Kliko këtu për ta gjetur në hartë] hapur çdo ditë pune nga ora 10 deri më 15.00.

5. Te libraria e Universitetit Europian të Tiranës [Kliko këtu për ta gjetur në hartë]

6. Në Tetovë në librarinë Nobel, Rruga Ilindenit 105. [Kliko këtu për ta gjetur në hartë]

7. Librari 21 Dhjetori te 21 Dhjetori në Tiranë. [Kliko këtu për ta gjetur në hartë]

Advertisement
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *