Politike
Shqipëria nën kërcënim/ Nesho: Rama përdor alarmin për të shpëtuar veten, rrezikon Shqipërinë
Alarmi i lëshuar nga Ambasada Amerikane në Tiranë për rrezikun e sulmeve të mundshme terroriste nga Irani ka vënë në lëvizje politikën shqiptare, por reagimi i qeverisë është më shumë një manovër politike sesa një përgjigje ndaj një nevoje reale të partnerëve.
Agim Nesho theksoi se alarmi për kërcënimet terroriste dhe zhvillimet e fundit në politikën e jashtme po përdoren nga kryeministri Edi Rama për protagonizëm ndërkombëtar dhe për të larguar vëmendjen nga situata e rëndë e brendshme në vend.
Nesho shprehet se, vendime të tilla si rezoluta ndaj Iranit dhe retorika politike e papërgjegjshme rrezikojnë të ekspozojnë Shqipërinë në lojëra të rrezikshme gjeopolitike, ndërsa institucionet shtetërore reagojnë në mënyrë jo serioze ndaj çështjeve që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare.
Pjesë nga deklarata:
Mendoj që kjo e dyta ka më shumë vlerë, për arsye sepse gjatë kësaj periudhe kemi pasur një deklaratë që vjen nga kryeministri Rama për dënimin e organizatave proksi të Iranit, të cilat kryejnë akte terroriste, dhe më tepër rezolutën e Parlamentit shqiptar për të shpallur shtetin e Iranit një shtet sponsor të terrorizmit. Po ta shikosh në historinë botërore, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që e kanë pasur kundërshtare pas ngjarjeve të ’79-ës, kanë një deklaratë të sekretarit të shtetit, George Shultz, i cili përcakton ndryshimet e politikës amerikane në lidhje me një kundërshtar, të cilin e quan një shtet që sponsorizon terrorizmin. Nuk ka as deklaratë të Kongresit, ka një deklaratë që përbën një urdhër ekzekutiv se si duhet të sillet shteti amerikan.
Rama sigurisht e bëri dhe gjithmonë luan atë kartën e një politikani aventurier, i cili kërkon të kapë momente të caktuara për t’u evidentuar. Situata e brendshme skandaloze që ka ardhur nga keqmenaxhimi i shtetit, vjedhjet e paimagjinueshme që i janë bërë pronës së qytetarëve shqiptarë me këtë qeverisje katastrofike, e kanë bërë që ky të afrohet, për arsye sepse është në një moment që nuk di se ku të qëndrojë. Për të dy palët është i paqëndrueshëm: njëherë merret me Evropën duke folur keq kundër Amerikës, siç ishte konferenca në Romë; herën tjetër futet në bordin e paqes dhe u thotë evropianëve që duhet të reflektojnë dhe të flasin. E kishte fjalën për Lindjen e Mesme.
Për mendimin tim, nuk është një deklaratë standarde. Kjo për arsye se Departamenti i Shtetit, në datën 24 mars, ka bërë një deklaratë që ngre nivelin e alertit për të gjithë vendet e botës, duke treguar që mund të ketë veprimtari të tillë që vjen nga regjimi i mullave në Iran, si kundërpeshë për t’i bërë presion Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të arritur një zgjidhje për luftën. Pra, nuk është standard, por është një mesazh i përsëritur.
Së dyti, duhet të them që mënyra e përgjigjes së institucioneve kryesore të shtetit, si ministri i Mbrojtjes, si kryetari i grupit parlamentar e të tjera, janë qesharake dhe me të drejtë Gaz Bardhi e tha që kjo përgjigje është qesharake, sepse ose nuk janë në të njëjtën marrëdhënie bashkëpunimi me vendet perëndimore dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por aq më tepër nuk u lejohet që një deklaratë e tillë, që ka të bëjë me sigurinë e popullsisë shqiptare, të kalohet kaq lehtë.
Duhet të themi një gjë: kur del një deklaratë e tillë, ajo ka kaluar disa faza miratimi, duke kërkuar edhe miratimin e Departamentit të Shtetit, por nga ana tjetër edhe një mirëkuptim dhe ndarje informacioni paraprak me qeveritarët, me kryeministrin, presidentin dhe të gjitha nivelet e tjera, sepse me të vërtetë krijon një shqetësim. Këtu shikojmë rolin primar të Ramës, një aventurier i plotë politik, i cili kështu e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij politike.
Shikoni se si iu përshtat presidentit Erdogan, i mori platformën e politikës së jashtme dhe e implementoi në Shqipëri; për dy vjet dëgjonim “zero probleme me fqinjët”, sikur ky ishte përfaqësuesi më i fortë i gjithë platformës turke në botë. Më pas bëri një shou të madh kur pamë nga Spiropali që na tha se turistët po dynden në Shqipëri për shkak të “luftës së madhe” që bëri kryeministri shqiptar në Këshillin e Sigurimit me një ambasador — një gjë që nuk i takonte fare. Por ky gjen gjithmonë protagonizmin.
Ky protagonizëm i sotëm është në dëm të interesave të shqiptarëve për dy arsye. Në radhë të parë, këtu kemi një grup të madh muxhahedinësh, që janë kundërshtarë politikë të regjimit të mullave në Iran. Së dyti, kemi rezolutën, e cila ishte e panevojshme, por e provokuar për interes të dukshëm ndaj Izraelit. Siç u tha me të drejtë, kush e përkrahu një rezultat të tillë? Vetëm ministri i jashtëm i Izraelit.
Pse përdoret kjo? Sepse ky është një vend i NATO-s dhe kemi një udhëheqës aventurier, i cili nuk mendon për fatet e popullit të tij, por vetëm për të dalë në shtypin ndërkombëtar. E kemi parë me çështjen e armëve kimike, e kemi parë si ka vepruar në interesa të tjera, si i ka shitur shpejt edhe territorin shqiptar në marrëveshjen me Melonin, si ka bërë pirueta — njëherë kundër Kongresit amerikan për Jeruzalemin, herën tjetër duke u shtrirë barkas duke thënë se jemi pasardhës të atyre që strehuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Pra, kanë gjetur karakterin për ta përdorur. Pse e përdorin? Sepse është një vend i NATO-s, me idenë se si mund të afrohet Evropa, sidomos ajo perëndimore, që mban një qëndrim të paangazhuar për këtë konflikt mes Izraelit, SHBA-së dhe Iranit, për të krijuar një situatë që mund të aktivizojë nenin 5, ku në rast sulmi ndaj një vendi anëtar, vendet e tjera duhet të reagojnë kolektivisht.
Kjo është një fatkeqësi e madhe për shqiptarët. Megjithatë, duhet të them se gjërat do të ndryshojnë dhe nuk ka perspektivë që kjo të vazhdojë gjatë. Ky duhet të largohet nga qeverisja, por nëse vazhdon edhe disa vite, mund të shohim deklarata të tjera të çuditshme, qoftë për Kim Jong-un-in apo për marrëdhënie të reja me Kinën.
Kina, një vend me kulturë të lashtë dhe peshë ekonomike, po rrit ndikimin përmes institucioneve si Konfuci dhe përmes kompanive të saj. Dhe ky i ndjek të gjitha këto zhvillime. Prandaj, me këto marrëdhënie që ka krijuar, e ka vënë Shqipërinë në një pozicion shumë të vështirë.
Ajo që është më e papranueshme është që deklaratat e ambasadës amerikane të cilësohen si hamendje. Kjo tregon papërgjegjësi. Dhe kjo vjen nga dëshira për t’u paraqitur si një lider “viktimë” në sytë e opinionit ndërkombëtar.
Por në thelb, kjo bëhet në dëm të interesave të vendit. Dhe situata e brendshme është katastrofike. Ai është në buzë të greminës dhe mjafton një shtytje e vogël nga populli që të largohet përfundimisht nga skena politike shqiptare.